Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Projektligje të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 30 Mars 2022:

V E N D I M
PËR

PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR RATIFIKIMIN E KONVENTËS SË KËSHILLIT TË EVROPËS “PËR AKSESIN NË DOKUMENTE ZYRTARE””

Në mbështetje të neneve 81, pika 1, e 100, të Kushtetutës, dhe të nenit 17, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Propozimin e projektligjit “Për ratifikimin e konventës së Këshillit të Evropës “Për aksesin në dokumente zyrtare””, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjёherё.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ARBEN AHMETAJ

###

P R O J E K T L I GJ
PËR

RATIFIKIMIN E KONVENTËS SË KËSHILLIT TË EVROPËS “PËR AKSESIN NË DOKUMENTE ZYRTARE”

Në mbështetje të neneve 78, 83 dhe 121, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë

V E N D O S I:

Neni 1

Ratifikimin e konventës së Këshillit të Evropës “Për aksesin në dokumente zyrtare”, që i bashkëlidhet këtij ligji dhe është pjesë përbërëse e tij.

Neni 2

Në përputhje me nenin 12, pika 1, të konventës së Këshillit të Evropës, “Për aksesin në dokumente zyrtare”, Republika e Shqipërisë cakton Komisionerin për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale si përfaqësues në Këshillin e Palëve.

Neni 3

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E T A R I
LINDITA NIKOLLA

***

P R O J E K T L I GJ
PËR

RATIFIKIMIN E PROTOKOLLIT NDRYSHUES TË KONVENTËS PËR MBROJTJEN E INDIVIDËVE NË LIDHJE ME PËRPUNIMIN AUTOMATIK TË TË DHËNAVE PERSONALE

Në mbështetje të neneve 78, 83 dhe 121, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë

V E N D O S I:

Neni 1

Ratifikimin e protokollit ndryshues të Konventës për Mbrojtjen e Individëve në lidhje me Përpunimin Automatik të të Dhënave Personale, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij ligji dhe është pjesë përbërëse e tij.

Neni 2

Në përputhje me nenin 21, pika 3, të protokollit ndryshues të Konventës për Mbrojtjen e Individëve në lidhje me Përpunimin Automatik të të Dhënave Personale, Republika e Shqipërisë cakton si autoritet mbikëqyrës Komisionerin për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, me adresë: rruga “Abdi Toptani”, Tiranë, Shqipëri.

Neni 3
Shfuqizime

Në datën e hyrjes në fuqi të protokollit ndryshues të Konventës për Mbrojtjen e Individëve në lidhje me Përpunimin Automatik të të Dhënave Personale, hyjnë në fuqi shfuqizimet e mëposhtme:

a) Në ligjin nr.9288, datë 7.10.2004, “Për ratifikimin e konventës “Për mbrojtjen e individëve në lidhje me përpunimin automatik të të dhënave personale””, të ndryshuar, nenet 2, 3 dhe 4 shfuqizohen;
b) Ligji nr.9287, datë 7.10.2004, “Për ratifikimin e protokollit shtesë të konventës, “Për mbrojtjen e Individëve në lidhje me Përpunimin Automatik të të Dhënave Personale nga Organet Mbikëqyrëse dhe Fluksi Ndërkufitar i të Dhënave””, shfuqizohet.

Neni 4

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

KRYETARI
LINDITA NIKOLLA

###

V E N D I M
PËR

PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR RATIFIKIMIN E PROTOKOLLIT NDRYSHUES TË KONVENTËS PËR MBROJTJEN E INDIVIDËVE NË LIDHJE ME PËRPUNIMIN AUTOMATIK TË TË DHËNAVE PERSONALE”

Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, si dhe të nenit 17, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Propozimin e projektligjit “Për ratifikimin e protokollit ndryshues të Konventës për Mbrojtjen e Individëve në lidhje me Përpunimin Automatik të të Dhënave Personale”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ARBEN AHMETAJ

***

P R O J E K T L I GJ
PËR

SHPALLJEN E MORATORIUMIT TË GJUETISË NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË

Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë

V E N D O S I:

Neni 1
Qëllimi

Qëllimi i këtij ligji është ndalimi i ushtrimit të aktivitetit të gjuetisë, me qëllim përmirësimin e gjendjes së llojeve të faunës së egër, objekt gjuetie.

Neni 2
Objekti dhe fusha e veprimit

Ky ligj përcakton rregullat që do të zbatohen gjatë ndalimit të ushtrimit të veprimtarisë së gjuetisë në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë.

Neni 3
Pezullimi i përdorimit të zonave të gjuetisë dhe pezullimi i gjuetisë në zonat e mbarështimit të faunës së egër

1. Përdorimi i zonave të gjuetisë, të dhëna për këtë qëllim nëpërmjet ofertës publike, sipas legjislacionit në fuqi për gjuetinë, pezullohet.

2. Kontratat për mbarështimin e faunës së egër janë të vlefshme, por edhe në këto zona, ku mbarështohet fauna e egër, nuk mund të ushtrohet gjuetia deri në afatin e zbatimit të këtij ligji.

Neni 4
Përjashtim nga fusha e veprimit

1. Përjashtohen nga fusha e zbatimit të nenit 2, të këtij ligji:

a) gjuetia në rastet e konstatimit të mbipopullimit të një lloji të faunës së egër, në zonat e lejuara për gjueti dhe në rezervatet e mbarështimit, sipas legjislacionit në fuqi për gjuetinë;
b) gjuetia për qëllime kërkimore-shkencore.

2. Përjashtimi i përcaktuar në pikën 1, të këtij neni, bëhet me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozimin e ministrit përgjegjës për mjedisin.

Neni 5
Afati i zbatimit

Afati i zbatimit të këtij ligji është 5 (pesë) vjet nga data e hyrjes së tij në fuqi.

Neni 6
Organet e kontrollit

1. Organet që monitorojnë rregullat për ndalimin e ushtrimit të veprimtarisë së gjuetisë në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë janë:

a) Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, nëpërmjet institucioneve të varësisë brenda fushës së përgjegjësisë që mbulon;
b) Ministria e Brendshme, nëpërmjet Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit dhe Policisë së Shtetit;
c) strukturat përgjegjëse kontrolluese/inspektuese në bashki.

2. Veprimtaria kontrolluese, sipas këtij neni, ushtrohet në përputhje me legjislacionin në fuqi për kundërvajtjet administrative.

3. Të drejtën e vendosjes së gjobës e kanë strukturat, që janë përcaktuar në pikën 1, të këtij neni.

4. Shqyrtimi e marrja e vendimit përfundimtar dhe ankimi ndaj tij bëhen në përputhje me Kodin e Procedurave Administrative, si dhe me legjislacionin në fuqi për kundërvajtjet administrative.

Neni 7
Sanksionet

1. Shkeljet e këtij ligji, kur nuk përbëjnë vepër penale, përbëjnë kundërvajtje administrative dhe dënohen, si më poshtë vijon:

a) Kur shkelja kryhet e organizuar nga operatorët e tureve të gjuetisë, shoqatat e gjuetarëve ose federatat e gjuetarëve, subjekti që e organizon dënohet me gjobë në masën 800 000 (tetëqind mijë) – 1 000 000 (një milion) lekë;
b) Kur shkelja kryhet nga një person ose personi është pjesëtar i subjekteve organizuese, sipas shkronjës “a”, të kësaj pike, personi dënohet me gjobë në masën 80 000 (tetëdhjetë mijë) – 100 000 (njëqind mijë) lekë.

2. Në rastet e përsëritjes së shkeljes nga subjektet e parashikuara në shkronjat “a” dhe “b”, të pikës 1, të këtij neni, përveç dënimit me gjobë, vendoset si dënim plotësues edhe heqja e lejes së gjuetisë, si dhe konfiskimi i armës së gjahut.

Neni 8
Hyrja në fuqi

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E T A R I
LINDITA NIKOLLA

###

V E N D I M
PËR

PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR SHPALLJEN E MORATORIUMIT TË GJUETISË NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË”

Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Propozimin e projektligjit “Për shpalljen e moratoriumit të gjuetisë në Republikën e Shqipërisë”, për shqyrtim dhe miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ARBEN AHMETAJ 

 

 

*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.