Projektligje të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 31 Gusht 2016

V E N D I M

PËR

PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR MBROJTJEN E BIMËVE”

Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Propozimin e projektligjit “Për mbrojtjen e bimëve”, për shqyrtim dhe miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I

EDI  RAMA

###

P R O J E K T L I GJ

PËR

MBROJTJEN E BIMËVE

Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë

V E N D O S I:

KREU I

DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

Neni 1

Qëllimi

Qëllimi i këtij ligji është:

–        të mbrojë bimët dhe produktet bimore nga parazitët;

–        të parandalojë hyrjen dhe përhapjen e parazitëve në territorin e Republikës së Shqipërisë;

–        të mbrojë shëndetin e njerëzve, kafshëve si dhe mjedisin nga përdorimi i produkteve për mbrojtjen e bimëve.

Neni 2

Përkufizime

Në kuptim të këtij ligji, me termat e mëposhtëm nënkuptohet:

1. “Ambalazh i produkteve pёr mbrojtjen e bimёve”, çdo material që shërben për ambalazhimin e produkteve të mbrojtjes së bimëve të njё kontejneri, një pako, pёrfshirё edhe materialet nё kontakt me produktet e mbrojtjes së bimëve (PMB).

2. “Ambalazhimi i PMB-ve”, pjesë e procesit të prodhimit të PMB-ve dhe që ka të bëjë me vendosjen, paraprakisht, të PMB-ve në një ambalazh. Ambalazhimi përfshin edhe etiketimin e PMB-ve, i bërë sipas kёrkesave tё pёrcaktuara për etiketimin dhe hedhjen nё treg tё tyre.

3.       “Bimë”, bimët e gjalla ose pjesë të tyre të gjalla, përfshirë farërat dhe germoplazmën.

4. “Certifikatë fitosanitare e brendshme”, një dokument zyrtar i lëshuar nga shërbimi i mbrojtjes së bimëve i zonës nga ku është prodhuar, i cili deklaron që bimët, produktet bimore dhe objektet e tjera janë kontrolluar zyrtarisht në vendin e origjinës dhe janë gjetur të pastra nga parazitët  karantinorë. Ajo shpreh gjendjen fitosanitare të një ngarkese që plotëson standardet e sigurisë fitosanitare, të përcaktuara nga legjislacioni në fuqi në Republikën e Shqipërisë.

5.       “Certifikatë fitosanitare për eksport”, dokumenti zyrtar i lëshuar nga shërbimi i mbrojtjes së bimëve i zonës nga ku është prodhuar, i cili tregon se kushtet fitosanitare të bimëve, produkteve bimore me rrezik dhe objekteve të tjera plotësojnë standardet e sigurisë fitosanitare të përcaktuara nga legjislacioni në fuqi në Republikën e Shqipërisë.

6.       “Certifikatë për rieksport”, dokumenti zyrtar i lëshuar nga shërbimi i mbrojtjes së bimëve për dërgesat që rieksportohen mbasi inspektimet zyrtare kanë siguruar se në dërgesën e re nuk ka rreziqe fitosanitare.

7. “Certifikim fitosanitar i materialit shumëzues”, një procedurë ku bimët mëmë, kandidatë për dhënien e materialit shumëzues, kalojnë nëpër analiza dhe, kur është e nevojshme, në trajtim të veçantë, për të siguruar pastërtinë fitosanitare nga viruset dhe organizmat e tjerë të ngjashëm me ta.

8. “Certifikatë fitosanitare”, dokumenti zyrtar i lëshuar nga shërbimi i mbrojtjes së bimëve nga vendi i origjinës ose vendi prodhues, i cili tregon se kushtet fitosanitare të bimëve, produkteve bimore me rrezik dhe objekteve të tjera plotësojnë standardet e sigurisë fitosanitare, të përcaktuara nga legjislacioni në fuqi në Republikën e Shqipërisë.

9. “Gjurmim”, aftësia për të gjurmuar dhe ndjekur një bimë, prodhim bimor me rrezik, objekt tjetër ose produkt për mbrojtjen e bimëve, që janë ose priten të jenë të lidhura me shëndetin e bimëve në të gjitha fazat e prodhimit, të përpunimit dhe të shpërndarjes.

10.     “Inspektim”, shqyrtimi pamor i bimëve, i produkteve bimore dhe i objekteve të tjera, i kryer nga inspektori për të përcaktuar nëse ato janë të infektuara ose të prekura me parazitë dhe nëse ato janë në përputhje me dispozitat e këtij ligji dhe me ligjin “Për inspektimin”.

11. “Inspektor”, inspektori i mbrojtjes së bimëve pranë Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU).

12.     “Karantinë bimore”, tërësia e masave parandaluese të marra me qëllim parandalimin e hyrjes dhe/ose përhapjes së një paraziti karantinor.

13.     “Kontroll i integruar”, përdorimi racional i disa metodave biologjike, bioteknologjike, kimike, kulturale ose të seleksionimit bimor, me anë të të cilave përdorimi i PMB-ve kufizohet në minimumin e kërkuar për të mbajtur parazitët në nivele të ulëta të tilla që mënjanojnë provokimin e dëmeve ose humbjeve me pasoja ekonomike.

14.     “Laborator i akredituar”, laboratori që ka kaluar me sukses procedurën e  akreditimit nga organizmi kombëtar i akreditimit ose nga një organizëm evropian akreditimi për të kryer ekzaminime dhe analiza të përcaktuara.

15.     “Laborator i miratuar i kontrollit”, laboratori i miratuar nga ministri për kryerjen e tipeve të analizave, të përcaktuara sipas pikës 4, të nenit 5, të këtij ligji.

16. “Laboratori Kombëtar i Referencës”, laboratori i cili mbikëqyr laboratorët e tjerë në vend për aplikimin e standardeve dhe të metodave të kontrollit laboratorik, përpunimin e kampioneve standarde të referencës dhe kryerjen e ekzaminimeve ndërlaboratorike.

17. “Ligji i inspektimit” është ligji nr.10433, datë 16.6.2012, “Për inspektimin në Republikën e Shqipërisë”.

18.     “Masa të veçanta kontrolli”, një tërësi masash karantinore, kimike, agroteknike etj., që ndërmerren në rastet e shtimit e të përhapjes masive të parazitëve dhe që synojnë në uljen e infeksionit nën nivelin e dëmit ekonomik apo në çrrënjosjen e plotë të tyre.

19.     “Mbetje të PMB-së”, një ose më shumë lëndë vepruese të pranishme në bimë, produkte me origjinë bimore dhe me origjinë shtazore, në ujë të pijshëm ose gjetkë në mjedis, si rrjedhojë e përdorimit të PMB-së, përfshirë këtu edhe metabolitet dhe produktet që dalin nga shpërbërja e tyre.

20. “Ministër”, ministri që mbulon fushën e bujqësisë.

21. “Ministri”, ministria që mbulon fushën e bujqësisë.

22.     “Objekte të tjera”, çdo vend ruajtjeje, mjet transporti, kontejner, tokë, organizma të gjallë etj., që shërbejnë për strehimin ose përhapjen e parazitëve.

23.     “Parazit”, dëmtuesi, sëmundja dhe barërat e këqija, të dëmshme ose potencialisht të dëmshme për bimët dhe produktet bimore.

24.     “Parazit karantinor”, paraziti i rrezikshëm, me ndikim të rëndësishëm ekonomik, që nuk është vërejtur ose është vërejtur në vendin tonë, por nuk është i përhapur gjerësisht.

25.     “Pasaportë bimore”, dokumenti shoqërues për lëvizjen në brendësi të territorit të Republikës së Shqipërisë të bimëve si dhe të produkteve bimore me rrezik, të cilat kalojnë në zonat e pastra.

26. “Përdorues i fundit”, personi ose subjekti i cili përdor PMB.

27.     “Përdorues profesionist”, personi i cili është pajisur me diplomë universitare në fushën e agronomisë ose i cili i nënshtruar një trajnimi të përshtatshëm për përdorimin e PMB-ve helmuese ose shumë helmuese dhe është pajisur me dëshmi aftësie ose dëshmi aftësie të veçantë për përdorimin e PMB-ve.

28.     “Produkt për mbrojtjen e bimëve” ose “PMB”, produkti i cili përmban një ose më shumë lëndë vepruese dhe i cili përdoret për mbrojtjen e bimëve e të produkteve bimore nga parazitët ose për parandalimin e veprimit të tyre, për të ndikuar në proceset jetësore të bimëve, por me veprim të ndryshëm nga plehrat kimike, si p.sh. rregullatorët e rritjes, për të shkatërruar bimët e padëshirueshme apo pjesët bimore, si dhe për të mbajtur nën kontroll ose për të parandaluar rritjen e pjesëve bimore të padëshirueshme.

29.     “PMB i rrezikshëm”, PMB-ja e cila përmban njërën nga këto cilësi; eksploziv, oksidues, i ndezshëm, i dëmshëm, gërryes, irritant, i ndjeshëm, kancerogjen, mutagjen, helmues për riprodhimin dhe i rrezikshëm për mjedisin.

30.     “PMB me rrezik të lartë”, PMB-ja e cila përmban njërën nga këto cilësi: shumë helmues (të klasës 1a ose T+), helmues (të klasës 1b ose T), ekstremisht i ndezshëm.

31.     “Praktikat e mira të mbrojtjes së bimëve”, tërësia e masave dhe e veprimeve për kontrollin e parazitëve me metodat kimike, duke respektuar kushtet në të cilat PMB-të janë regjistruar, si: respektimi i kufijve kritikë, zgjedhja e dozës dhe volumit, koha dhe numri i trajtimeve, mbrojtja e entomofaunës natyrale dhe mjedisit si dhe kujdesi për shëndetin e përdoruesve e të konsumatorëve.

32.     “Prekje ose infeksion”, prania e parazitëve të gjallë në bimë, në produkte bimore ose në objekte të tjera.

33.     “Produkt bimor”, materiali me origjinë bimore, i përpunuar ose jo, i cili mund të përbëjë rrezik për hyrjen dhe përhapjen e parazitëve e të parazitëve karantinorë.

34. “Regjistrim”, procesi i vlerësimit të një PMB-je, sipas kritereve të vendosura në dispozitat e këtij ligji dhe në aktet nënligjore të dala në zbatim të tij, si rezultat i të cilit lejohet tregtimi apo përdorimi i tij në territorin e Republikës së Shqipërisë dhe bëhet pajisja e tij me dokumentet e regjistrimit.

35.     “Rieksport”, ngarkesë e rieksportuar pa rënë ndesh me përcaktimet e legjislacionit doganor, e cila është importuar nga një shtet e më pas eksportohet pa u ekspozuar ndaj infektimeve ose kontaminimeve nga parazitët edhe nëse ngarkesa ruhet, ndahet, kombinohet me ngarkesa të tjera ose i ndryshohet ambalazhi.

36.     “Specialist i shërbimit të mbrojtjes së bimëve”, specialisti pranë Drejtorisë Rajonale të Bujqësisë, “DRB”, me funksione në fushën e mbrojtjes së bimëve.

37.     “Struktura përgjegjëse e mbrojtjes së bimëve” ose “SPMB”, drejtoria që mbulon mbrojtjen e bimëve në ministri.

38.     “Trajtim”, procedura e autorizuar për ngordhjen, largimin ose kufizimin e parazitëve.

39.     “Tregtim i PMB-ve”, çdo aktivitet, i cili lidhet me magazinimin, shpërndarjen, prezantimin pёr shitje ose shitjen në territorin e Republikës së Shqipërisë të PMB-ve të regjistruara.

40.     “Zonë”, një territor ose pjesë e një territori, që i përket një ose më shumë fshatrave, bashkive ose qarqeve.

41. “Zonë e pastër”, një territor ose pjesë e një territori, që i përket një ose më shumë fshatrave, bashkive ose qarqeve, të pastër nga parazitë të caktuar.

KREU II

ORGANIZIMI DHE FUNKSIONIMI I STRUKTURAVE

TË MBROJTJES SË BIMËVE

Neni 3

Strukturat e mbrojtjes së bimëve

Strukturat e mbrojtjes së bimëve, të ngarkuara me zbatimin e këtij ligji, janë:

a)      Struktura përgjegjëse e mbrojtjes së bimëve (SPMB) në ministri;

b)      Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU);

c)       Shërbimi i mbrojtjes së bimëve pranë drejtorive rajonale të bujqësisë (DRB);

     ç)  Instituti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë (ISUV);

     d)  Departamenti i Mbrojtjes së Bimëve (DMB).

Neni 4

Detyrat e strukturave të mbrojtjes së bimëve

1.       Struktura përgjegjëse e mbrojtjes së bimëve ka këto detyra:

a)      Është autoriteti kompetent që harton politikat e mbrojtjes së bimëve dhe për përshtatjen e legjislacionit të mbrojtjes së bimëve me atë të BE-së;

b)      Zhvillon proceduarat që lidhen me regjistrimin e PMB-ve, të lëndëve vepruese, si dhe të shtuesve e të bashkëvepruesve;

c)       Ndjek dhe zbaton aktivitetin e shërbimet në kuadër të mbrojtjes së bimëve në nivel qendror dhe rajonal, në zbatim të këtij ligji.

2.       Autoriteti Kombëtar i Ushqimit është organi inspektues, i cili ka detyrë kontrollin e zbatimit të këtij ligji dhe të akteve nënligjore që rrjedhin prej tij, si dhe të akteve të tjera ligjore në fushën e inspektimeve.

3.       Shërbimi i mbrojtjes së bimëve pranë DRB-së ka detyrë monitorimin e gjendjes fitosanitare të bimëve, produkteve bimore dhe të objekteve të tjera brenda territorit në administrim të tyre.

4.       Instituti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë ka detyrat e përcaktuara sipas pikave 1.2 dhe 2, të nenit 5, të këtij ligji.

5.       Departamenti i Mbrojtjes së Bimëve ka detyrat e përcaktuara sipas pikave 1.1 dhe 2, të nenit 5, të këtij ligji.

Neni 5

Laboratorët kombëtar të referencës

1.       Laboratorë kombëtarë të referencës janë:

1.1.      Laboratorët e diagnostikimit të parazitëve, pranë DMB-së, të cilët kanë për detyrë:

a)      të monitorojnë parazitët karantinorë, të përcaktojnë statusin e tyre, metodat e kontrollit karantinor dhe të njoftojnë ministrinë;

b)      të bëjnë diagnostikimin dhe prognozë-sinjalizimin e parazitëve, duke përcaktuar edhe masat e kontrollit të tyre;

c)       të bëjnë provat biologjike-agronomike të PMB-ve gjatë procedurës për regjistrimin e tyre, kur kërkohet një gjë e tillë.

1.2.      Laboratori i analizave cilësore të PMB-ve, si dhe ai i mbetjeve të tyre në bimët e në  produktet me origjinë bimore, pranë ISUV-it, i cili ka për detyrë:

a)      vlerësimin e dokumentacionit të PMB-ve gjatë procedurës së regjistrimit të tyre;

b)      kontrollin cilësor të PMB-ve të regjistruara dhe të hedhura në treg;

c)       analizën e mbetjeve të PMB-ve në bimët dhe produktet me origjinë bimore, të prodhuara në vend dhe/ose të importuara, në zbatim të legjislacionit për sigurinë ushqimore.

2.       Krahas detyrave të përcaktuara në pikat 1.1 dhe 1.2, laboratorët kombëtarë të referencës kryejnë detyrat e mëposhtme sipas fushës së tyre të përcaktimit:

a)      Vlerësimin e laboratorëve me qëllim miratimin e tyre si laboratorë të miratuar për kryerjen e analizave të kontrolleve zyrtare;

b)      Bashkërendimin e punës dhe dhënien e mbështetjes, përfshirë trajnimet dhe shërbime të tjera për veprimtaritë laboratorike, për standardet teknike dhe mënyrat e analizave, që ato kryejnë;

c)       Organizimin e testeve paralele të mostrave të standardizuara dhe marrjen  pjesë në to në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar për monitorimin e kualifikimit të laboratorëve të miratuar të kontrollit;

ç)       Garantimin e përdorimit të një sistemi të brendshëm në përputhje me standardet e kërkuara nga laboratorët e miratuar të kontrollit.

Neni 6

Laboratorët e miratuar të kontrollit

1.       Laboratorët rajonalë të mbrojtjes së bimëve në varësi të ministrisë janë laboratorë të miratuar kontrolli. Laboratorë të kontrollit të mbrojtjes së bimëve mund të miratohen edhe laboratorë të tjerë, publikë apo privatë, të akredituar.

2.       Kriteret e përgjithshme dhe procedurat për miratimin e laboratorëve të kontrollit të mbrojtjes së bimëve hartohen nga laboratorët kombëtarë të referencës dhe miratohen me udhëzim të ministrit.

3.       Laboratorët e kontrollit miratohen me urdhër të ministrit, pas vlerësimit të kryer nga laboratorët kombëtarë të referencës për përmbushjen e kritereve sipas pikës 2, të këtij neni, dhe sipas llojit të analizave për të cilat janë akredituar.

4.       Tarifat e shërbimeve dhe të analizave, që kryhen nga laboratorët kombëtarë të referencës dhe laboratorët e miratuar të kontrollit, përcaktohen me udhëzim të ministrit.

KREU III

KONTROLLI I PARAZITËVE

Neni 7

Detyrimi për kontrollin e parazitëve dhe pajisja me “Certifikatë fitosanitare”

1.       Personat fizikë dhe juridikë, që kultivojnë, prodhojnë, përpunojnë, magazinojnë, dhe tregtojnë bimë dhe produkte bimore, janë të detyruar:

a)      të marrin masa paraprake kundër parazitëve dhe të parandalojnë shumëzimin e përhapjen e tyre, sipas praktikave të mira të mbrojtjes së bimëve;

b)      të vrojtojnë bimësinë, tokën dhe produktet bimore për shfaqjen e parazitëve dhe t’i kontrollojnë ato, në bazë të praktikave të mira të mbrojtjes së bimëve dhe të kritereve të mbrojtjes së integruar.

2.       Çdo bimë ose produkt bimor i aftë për të mbartur parazitë karantinorë apo të rrezikshëm, që lëviz brenda territorit të vendit, duhet t’i nënshtrohet kontrollit fitosanitar dhe duhet të pajiset me “Certifikatë fitosanitare të brendshme”, të lëshuar nga shërbimi i mbrojtjes së bimëve pranë DRB-së ose “Pasaportë bimore”, lëshuar nga prodhues të autorizuar. Kushtet dhe kriteret për autorizimin e prodhuesve të bimëve dhe produkteve bimore përcaktohen me udhëzim të ministrit.

3.       Në rastet e lëvizjes së bimëve ose produkteve bimore jashtë territorit të vendit, ato duhet t’i nënshtrohen kontrollit fitosanitar dhe të pajisen me “Certifikatën fitosanitare për eksport”, të lëshuar nga shërbimi i mbrojtjes së bimëve pranë DRB-së.

4.       Në rastin e hyrjes në territorin e vendit të bimëve ose të produkteve bimore për qëllim rieksporti dhe qëndrimit të tyre brenda vendit për më shumë se 14 ditë, atëherë ato duhet t’i nënshtrohen kontrollit fitosanitar dhe duhet të pajisen edhe me “Certifikatën fitosanitare për rieksport”, të lëshuar nga shërbimi i mbrojtjes së bimëve pranë DRB-së.

5.       Sasi të vogla të bimëve, produkteve bimore, për qëllime të konsumit vetjak ose përdorim personal, për përdorim joindustrial, bujqësor apo tregtar, mund të qarkullojnë në vend edhe kur nuk shoqërohen me “Certifikatë fitosanitare” ose “Pasaportë bimore”, me kusht që të mos përbëjnë rrezik për përhapjen e organizmave të dëmshëm.

6.       Kultivimi, prodhimi, shumëzimi, magazinimi, përpunimi dhe tregtimi i bimëve të infektuara me parazitë karantinorë janë të ndaluar.

7.       Rregullat e praktikat e mbrojtjes së bimëve si dhe hartimi i praktikave të mira të mbrojtjes së bimëve dhe i kritereve të mbrojtjes së integruar hartohen nga    DMB-të dhe miratohen me urdhër të ministrit, me propozim të SPMB-së.

Neni 8

Masat e veçanta të kontrollit të parazitëve

1.       Masat e veçanta për rastet emergjente të përhapjes e të shtimit masiv të parazitëve, të cilët nuk mund të kufizohen me metodat e zakonshme të kontrollit si dhe mobilizimi për këtë qëllim i subjekteve shtetërore e private, të cilët zotërojnë kapacitetet e nevojshme njerëzore e materiale, përcaktohen me urdhër të  ministrit.

2.       Shpenzimet për masat e veçanta në këto raste përballohen nga buxheti vjetor i ministrisë.

3.       Rregullat në lidhje me masat e veçanta të kontrollit të parazitëve dhe trajtimet për kontrollin e parazitëve përcaktohen me udhëzim të ministrit.

Neni 9

Pastërtia fitosanitare e materialit shumëzues dhe mbjellës bimor

1.       Materialet bimore për shumëzim ose mbjellje lejohen të përdoren vetëm pasi i janë nënshtruar kontrollit fitosanitar dhe janë pajisur me “Certifikatë fitosanitare”.

2.       Speciet drufrutore dhe hardhia, të cilat shtohen në mënyrë vegjetative, i nënshtrohen procedurës së certifikimit të materialit shumëzues për të siguruar pastërtinë nga viruset dhe organizma të tjerë, të ngjashëm me to.

Neni 10

Zonat e pastra

1.       Në zonat e pastra nuk lejohet prania e një ose më shumë prej parazitëve karantinorë për të garantuar pastërtinë fitosanitare nga këta parazitë.

2.       Miratimi i njohjes së “zonës së pastër” bëhet me urdhër të ministrit.

3.       Rregullat për njohjen e zonave të pastra përcaktohen me udhëzim të ministrit.

Neni 11

Kërkesat fitosanitare ndaj paletave dhe materialit të ambalazhit prej druri

1.       Materiali i ambalazhit dhe i paletave prej druri i nënshtrohet masave të miratuara fitosanitare për qëllime dezinfektimi.

2.       Materiali i ambalazhit dhe i paletave prej druri duhet të përmbajë vulën përkatëse që tregon trajtimin e tij sipas masave të miratuara.

3.       Materiali i ambalazhit dhe i paletave prej druri, që shoqëron çdo ngarkesë, është objekt i inspektimit fitosanitar në pikat e kalimit kufitar edhe kur ngarkesa nuk është subjekt i inspektimit fitosanitar.

4.       Rregullat dhe masat për trajtimin e ambalazheve dhe paletave prej druri përcaktohen me udhëzim të përbashkët të ministrit dhe ministrit përgjegjës për mjedisin.

Neni 12

Pasaporta bimore

1.       Lëvizja e bimëve ose e produkteve bimore brenda territorit të Republikës së Shqipërisë bëhet edhe duke i shoqëruar ato me “Pasaportë bimore”, e cila është një dokument i lëshuar nga prodhuesi i autorizuar. SPMB-ja verifikon plotësimin e kushteve dhe të kritereve për lëshimin e “Pasaportës bimore” nga prodhuesit e autorizuar.

2.       “Pasaporta bimore” dëshmon se prodhuesi i autorizuar ka përmbushur standardet e shëndetit të bimëve dhe të sigurisë fitosanitare, të përcaktuara nga legjislacioni në fuqi për bimët dhe produktet bimore të prodhuara prej tij.

3.       Procedurat, kushtet dhe kriteret për pajisjen me “Pasaportë bimore” përcaktohen me udhëzim të ministrit.

Neni 13

Fondet për mbrojtjen e bimëve

1.       Fondet e veçanta për mbrojtjen nga parazitët të bimëve të kultivuara apo spontane planifikohen në buxhetin vjetor që miratohet për ministrinë.

2.       Përcaktimi i parazitëve, për kontrollin e të cilëve do të përdoret ky fond, miratohet me urdhër të ministrit.

3.       Ministri, me propozimin e autoritetit kompetent, miraton shpërndarjen dhe përdorimin e burimeve financiare të mbrojtjes së bimëve.

KREU IV

SHËRBIMI  DHE  INSPEKTIMI  KARANTINOR  FITOSANITAR

Neni 14

Detyrimi për inspektim karantinor fitosanitar

1.       Importi, eksporti dhe kalimi tranzit në territorin e Republikës së Shqipërisë i bimëve, produkteve bimore dhe objekteve të tjera bëhen në pikat doganore të hyrjes, ku funksionon inspektimi karantinor fitosanitar, dhe i nënshtrohen këtij inspektimi.

2.       Importi, eksporti dhe kalimi tranzit i bimëve, produkteve bimore dhe objekteve të tjera bëhen vetëm nëse ato janë të pajisura me “Certifikatën fitosanitare” si dhe nëse ambalazhet e paletat prej druri janë të trajtuara.

3.       Importi, eksporti dhe kalimi tranzit i bimëve, produkteve bimore dhe objekteve të tjera, të infektuara me parazitë karantinorë, janë të ndaluar.

4.       Inspektori është pjesë e grupit të praktikës doganore, që merr kontaktin e parë me mjetet që transportojnë bimë, produkte bimore, PMB dhe objekte të tjera.

5.       Rregullat për inspektimin karantinor fitosanitar përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozimin e ministrit.

Neni 15

Njoftimi i shërbimit të mbrojtjes së bimëve

1.       Personat fizikë dhe juridikë, që merren me kultivimin, prodhimin, transportin, tregtimin dhe magazinimin e bimëve e të produkteve bimore, kur vërejnë ose dyshojnë për një parazit të pahasur më parë në një zonë ose për shtim masiv të një paraziti, janë të detyruar të njoftojnë menjëherë shërbimin e mbrojtjes së bimëve pranë DRB-së dhe AKU-në, si dhe të sigurojnë një mostër të tij.

2.       Shërbimi i mbrojtjes së bimëve, pas përcaktimit të parregullsisë apo parazitit, njofton shërbimin e mbrojtjes së bimëve të vendit të origjinës.

3.       Rregullat për mënyrën e njoftimit përcaktohen me udhëzim të ministrit.

Neni 16

Shpallja e zonës së prekur

1.       Kur në një zonë shfaqet një parazit karantinor, shërbimi i mbrojtjes së bimëve pranë DRB-së njofton menjëherë SPMB-në.

2.       Me marrjen e njoftimit, SPMB-ja përgatit masat për kufizimin e përhapjes së parazitit karantinor deri në çrrënjosjen e tij në zonën përkatëse dhe i propozon ministrit miratimin e këtyre masave si dhe shpalljen e kësaj zone si zonë e prekur.

3.       Urdhri i ministrit u njoftohet organeve të qeverisjes vendore dhe prodhuesve, personave fizikë e juridikë, që merren me kultivimin, prodhimin dhe magazinimin e bimëve e të produkteve bimore.

Neni 17

Shumëzimi i parazitëve për qëllime kërkimore

1.       Mbajtja dhe shumëzimi i parazitëve karantinorë për qëllime kërkimore dhe eksperimentale, lejohet në rast se institucioni kërkimor zotëron mjetet e nevojshme, që garantojnë me protokoll të veçantë mospërhapjen e parazitit karantinor.

2.       Mbajtja dhe shumëzimi i parazitëve karantinorë sipas pikës 1 më lart nga institucionet kërkimore lejohen vetëm me urdhër të ministrit.

Neni 18

Eksporti

1.       Eksporti i bimëve dhe i produkteve bimore lejohen nëse:

a)      ngarkesa është me origjinë nga Republika e Shqipërisë para lëshimit të “Certifikatës fitosanitare për eksport” dhe shërbimi i mbrojtjes së bimëve pranë DRB-së ka kryer kontrollin, për të siguruar nëse janë përmbushur të gjitha kërkesat fitosanitare, të përcaktuara nga legjislacioni në fuqi në Republikën e Shqipërisë;

b)      ngarkesat, që do të eksportohen, nuk janë me origjinë nga Republika e Shqipërisë, por janë magazinuar, ripaketuar apo ndarë në Republikën e Shqipërisë dhe para lëshimit të certifikatave për rieksport, shërbimi i mbrojtjes së bimëve pranë DRB-së ka kryer kontrollin për të siguruar nëse janë përmbushur të gjitha kërkesat fitosanitare, të përcaktuara nga legjislacioni në fuqi në Republikën e Shqipërisë.

2.       “Certifikata fitosanitare për rieksport” konsiderohet dokument zyrtar, kur inspektori fitosanitar vërteton se përmbushen kërkesat sipas shkronjës “b”, të pikës 1, të këtij neni.

3.       Formati dhe përmbajtja e certifikatave fitosanitare për eksport dhe rieksport, janë pjesë e rregullave për inspektimin karantinor fitosanitar, të përcaktuara sipas pikës 5, të nenit 14, të këtij ligji.

KREU V

PRODUKTET PËR MBROJTJEN E BIMËVE

Neni 19

Regjistrimi

1.       Të gjitha PMB-të që tregtohen ose përdoren në territorin e Republikës së Shqipërisë i nënshtrohen procedurës së regjistrimit.

2.       Në Republikën e Shqipërisë regjistrohen vetëm PMB-të, të cilat janë të regjistruara në një nga vendet e Bashkimit Evropian.

3.       Të gjitha proceduarat, që lidhen me regjistrimin e PMB-ve, lëndëve vepruese, si dhe të shtuesve e të bashkëvepruesve, kryhen në ministri, pranë SPMB-së, si autoriteti përgjegjës.

4.       Rregullat e regjistrimit, procedura dhe kriteret e vlerësimit të PMB-ve përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozim të ministrit.

5.       Miratimi i lëndëve vepruese, i përbërësve të tjerë në përmbajtje të PMB-ve, i të dhënave teknike të dosjes së regjistrimit të PMB-ve, si dhe përditësimi i tyre në përputhje me legjislacionin e BE-së, bëhen me urdhër të ministrit.

Neni 20

Tregtimi i PMB-ve

1.       Lejohet tregtimi me shumicë dhe me pakicë i PMB-ve të regjistruara.

2.       Tregtimi me shumicë dhe pakicë i PMB-ve bëhet nga persona fizikë, të diplomuar në fushën e agronomisë, ose nga persona juridikë, të cilët duhet të punësojnë një ose disa persona, teknikë përgjegjës, të cilët janë diplomuar në këtë fushë.

3.       Tregtia e PMB-ve përfshihet në kategorinë II.5, të shtojcës së ligjit  nr.10081, datë 23.2.2009. “Për licencat, autorizimet dhe lejet në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar. Tregtimi me shumicë dhe me pakicë i PMB-ve me rrezik dhe i PMB-ve me rrezik të lartë kryhet me licencë, të lëshuar sipas kërkesave të legjislacionit, në zbatim të ligjit nr.10081, datë 23.2.2009, “Për licencat, autorizimet dhe lejet në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.

4.       Ministri, me propozimin e AKU-së, mund të pezullojë dhe/apo të revokojë licencën, në përputhje me pikën 3, të këtij neni, në rastet kur nuk përmbushen më kriteret e dhënies së licencës apo shkelen detyrimet e përcaktuara në të si dhe në rastet kur ka një rrezik serioz për shëndetin publik dhe është e nevojshme e urgjente marrja e masave parandaluese.

5.       Në njësitë e tregtimit me shumicë të PMB-ve ndalohet:

a)      mbajtja dhe tregtimi i PMB-ve me ambalazhe të pamiratuara;

b)      asgjësimi i ambalazheve dhe i PMB-ve të skaduara apo të dëmtuara;

c)       mbajtja dhe tregtimi i ushqimeve për njerëz e për kafshë, si dhe i farërave të padezinfektuara, që mund të përdoren si ushqim për njerëz dhe kafshë si: drithëra, bishtajore për kokërr (bizele, bathë, fasule);

ç) riambalazhimi i PMB-ve;

        d) shitja e PMB-ve me pakicë te përdoruesi i fundit.

6.       Në njësitë e tregtimit me pakicë ndalohet:

a)      shitja e PMB-ve helmuese tek personat, që nuk janë të pajisur me dëshmi aftësie, si dhe e PMB-ve shumë helmuese tek personat që nuk janë të pajisur me dëshmi aftësie të veçantë, sipas përcaktimeve të pikës 3, të nenit 23, të këtij ligji;

b)      shitja e PMB-ve helmuese dhe shumë helmuese, pa recetë;

c)       mbajtja dhe tregtimi i PMB-ve me ambalazhe të pamiratuara;

ç) asgjësimi i ambalazheve dhe i PMB-ve të skaduara apo të dëmtuara;

d)      mbajtja dhe tregtimi i ushqimeve për njerëz dhe për kafshë, si dhe i farërave të padezinfektuara, që mund të përdoren si ushqim për njerëz dhe kafshë, si: drithëra, bishtajore për kokërr (bizele, bathë, fasule);

      dh) riambalazhimi i PMB-ve.

7.       Rregullat për tregtimin, transportin, ruajtjen dhe magazinimin e PMB-ve përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozimin e ministrit.

Neni 21

Tregtimi i materialit mbjellës, të dezinfektuar

1.       Lejohet tregtimi i materialit mbjellës, të dezinfektuar me një PMB, e cila është e regjistruar në Republikën e Shqipërisë ose në një vend të BE-së.

2.       Etiketa dhe dokumentet shoqëruese për materialin mbjellës, të dezinfektuar, duhet të përfshijnë emrin tregtar të PMB-së dhe emrin ose emrat e lëndës ose lëndëve vepruese në përmbajtje të saj.

Neni 22

Transporti dhe ruajtja e PMB-ve

1.       Transporti i PMB-ve kryhet me mjete të sigurta dhe të përshtatshme sipas legjislacionit në fuqi për mallrat dhe substancat e rrezikshme.

2.       PMB-të ruhen në magazina në rastin e tregtimit me shumicë si dhe në mjediset e tregtimit me pakicë.

3.       Kushtet në magazinat dhe njësitë e tregtimit me pakicë duhet të garantojnë ruajtjen e cilësive fiziko-kimike të PMB-ve, sipas kërkesave të përcaktuara në etiketën e PMB-ve.

4.       Magazinat dhe njësitë e tregtimit me pakicë të PMB-ve duhet të jenë të pajisura me:

a)      mjetet e nevojshme për asgjësimin e PMB-ve të rrjedhura;

b)      këndin e ndihmës së shpejtë dhe mjetet mbrojtëse individuale;

c)       pajisjet e mbrojtjes nga zjarri;

ç) mjediset higjieno-shëndetësore me ujë të rrjedhshëm;

        d)      magazinat të jenë të pajisura me sistemet e ajrimit si dhe aparatet matëse dhe regjistruese të temperaturës e të lagështirës së ajrit si dhe mjedise të veçanta qëndrimi për punonjësit e tyre.

Neni 23

Përdorimi i qëndrueshëm i PMB-ve

1.       Përdorimi i qëndrueshëm i PMB-ve duhet të sigurojë uljen e rreziqeve dhe ndikimeve të tyre në shëndetin e përdoruesve, konsumatorëve, kafshëve dhe mjedisit si dhe kontrollin e integruar të parazitëve.

2.       PMB-të përdoren nga përdoruesi i fundit, duke respektuar kërkesat dhe udhëzimet, që jepen në dokumentin e regjistrimit të tyre.

3.       PMB-të shumë helmuese përdoren vetëm nga përdoruesit profesionistë, të cilët janë persona të diplomuar në fushën e agronomisë ose persona të cilët i janë nënshtruar një trajnimi të përshtatshëm për përdorimin e PMB-ve shumë të rrezikshme dhe janë pajisur me dëshmi aftësie të veçantë për këtë përdorim.

4.       PMB-të helmuese përdoren nga përdoruesit profesionistë, të cilët janë persona të diplomuar në fushën e agronomisë ose nga persona të cilët i janë nënshtruar një trajnimi të përshtatshëm për përdorimin e PMB-ve helmuese dhe janë pajisur me dëshmi aftësie për këtë përdorim.

5.       Trajtimet me PMB duhet të kryhen me mjete dhe makineri sipas legjislacionit në fuqi për makineritë, legjislacionit që përfshin dhe makineritë për përdorim të PMB-ve, për të garantuar sigurinë e shëndetit të përdoruesve, të mjedisit dhe të bimëve e të produkteve bimore ku ato përdoren.

6.       Rregullat për përdorimin e qëndrueshëm të PMB-ve si dhe kriteret e kualifikimit për përdoruesit përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozimin e ministrit.

7.       Kriteret teknike të mjeteve dhe makinerive, të cilat përdoren për trajtimet me PMB, përcaktohen me udhëzim të ministrit.

Neni 24

Ambalazhimi i PMB-ve

1.       Lejohet ambalazhimi i PMB-ve, të regjistruara në Republikën e Shqipërisë.

2.       Ambalazhimi i PMB-ve përfshihet në kategorinë II.5, të shtojcës së                   ligjit nr.10081, datë 23.2.2009, “Për licencat, autorizimet dhe lejet në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar. Ambalazhimi i PMB-ve kryhet nga subjekte të licencuara sipas kërkesave të legjislacionit në zbatim të                           ligjit nr.10081, datë 23.2.2009, “Për licencat, autorizimet dhe lejet në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.

3.       Licencimi kryhet bazuar në verifikimin paraprak nga AKU-ja të kushteve e të kritereve të caktuara për këtë qëllim në këtë ligj dhe në aktet nënligjore në zbatim të tij.

4.       Rregullat e përgjithshme për klasifikimin, ambalazhimin dhe etiketimin e               PMB-ve zbatohen në përputhje me vendimin e Këshillit të Ministrave që rregullon klasifikimin, ambalazhimin dhe etiketimin e kimikateve. Rregullat specifike për ambalazhimin dhe etiketimin e PMB-ve përcaktohen me udhëzim të ministrit.

Neni 25

Asgjësimi i PMB-ve dhe ambalazheve të tyre

1.       PMB-të, ambalazhet dhe materialet e tjera, që duhet të asgjësohen, janë:

a)      PMB-të e papërdorshme, për shkak të skadimit ose për arsye të tjera, përjashtuar rastet kur ato i janë nënshtruar analizave nga laboratori i akredituar dhe parametrat e tyre janë të njëjta me ato të dosjes së regjistrimit;

b)      PMB-të që kanë rrjedhur gjatë ruajtjes e transportit dhe materialet e përdorura për thithjen e dezaktivizimin e tyre;

c)       ambalazhet, si: fuçi, bidona, shishe, kuti, qese dhe objekte të tjera të ngjashme, të boshatisura;

ç)       sendet e ndotura gjatë punës, si: pajisje mbrojtëse, enë të ndryshme, mjete pastrimi, objekte të tjera të ngjashme, të cilat nuk mund të përdoren më.

2.       Tregtuesit me shumicë të PMB-ve, për PMB-të e përmendura në shkronjën “a”, të pikës 1, të këtij neni, janë të detyruar t’i largojnë ato nga territori i Republikës së Shqipërisë ose të bëjnë djegien (inçinerimin) e tyre, në përputhje me legjislacionin në fuqi për ndotjen e mjedisit.

3.       Asgjësimi i PMB-ve me djegie (inçinerim), brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, bëhet nga subjekte të specializuara për këtë qëllim, të licencuara sipas legjislacionit në fuqi për lejet dhe licencat.

4.       Ministri, së bashku me ministrin përgjegjës për mjedisin, miratojnë udhëzimin për asgjësimin e PMB-ve dhe të ambalazheve të tyre, sipas përcaktimeve të shkronjave “a”, “b”, “c”, “ç”, të pikës 1, të këtij neni.

5. Riciklimi i ambalazheve të PMB-ve, sipas përcaktimeve të shkronjës “c”, të pikës 1, të këtij neni, duhet të kryhet vetëm për ato ambalazhe të cilat nuk janë të kontaminuara me PMB të klasifikuara si PMB të rrezikshme dhe PMB me rrezik të lartë dhe në përputhje me legjislacionin në fuqi për mbetjet.

6. Ambalazhet e kontaminuara me PMB të klasifikuara si PMB të rrezikshme dhe PMB me rrezik të lartë duhet të trajtohen në përputhje me legjislacionin në fuqi për menaxhimin e integruar të mbetjeve.

Neni 26

Të dhënat statistikore për PMB-të

1.       Instituti i Statistikave, në bashkëpunim me ministrinë, të sigurojë të dhënat statistikore të PMB-ve:

a)      çdo vit për sasitë e hedhura në treg;

b)      çdo 5 vjet për sasitë e përdorura.

2.       Rregullat e sigurimit të të dhënave statistikore të PMB-ve përcaktohen me marrëveshje mirëkuptimi midis Institutit të Statistikave dhe ministrisë.

Neni 27

Kërkesat për gjurmueshmërinë

1.       Gjurmueshmëria përcaktohet në të gjitha nivelet e prodhimit bimor me rrezik, objekteve të tjera ose PMB-ve, që janë ose priten të jenë të lidhura me shëndetin e bimëve, në të gjitha fazat e prodhimit, të përpunimit dhe të shpërndarjes së tyre.

2.       Prodhuesit e bimëve dhe tregtuesit e PMB-ve krijojnë një sistem për mbajtjen e të dhënave, të quajtur bazë të dhënash, dhe garantojnë procedurat, të cilat mundësojnë identifikimin e tyre nё çdo çast. Nёpёrmjet kёtyre tё dhёnave bёhet identifikimi i çdo personi fizik apo juridik, që i ka furnizuar apo është furnizuar  me bimë, prodhime bimore me rrezik, objekte të tjera ose PMB.

3.       Prodhuesit dhe tregtuesit e bimëve si dhe tregtuesit e PMB-ve e ruajnë informacionin e përmendur në pikën 2, të këtij neni, për tre vjet dhe ia japin këtë informacion AKU-së dhe ministrit, me kërkesë tё tyre.

KREU VI

KUNDËRVAJTJE ADMINISTRATIVE

Neni 28

Kundërvajtje administrative

 1. Kur nuk përbëjnë vepër penale, shkeljet e mëposhtme të dispozitave të këtij ligji përbëjnë kundërvajtje administrative dhe ndëshkohen me:

a)      gjobë 10 000 lekë, në rastet kur veprohet në kundërshtim me pikën 1, të nenit 7; pikën 1, të nenit 15; dhe pikat 2, 3 dhe 5, të nenit 23, të këtij ligji;

b)      gjobë 50 000 lekë, në rastet kur veprohet në kundërshtim me pikën 2, të nenit 7; pikën 1, të nenit 10; nenet 11 dhe 12; pikën 1, të nenit 14; pikën 1, të nenit 17; pikën 4, të nenit 22, të këtij ligji;

c)       gjobë 100 000 lekë, në rastet kur veprohet në kundërshtim me pikën 2, të nenit 14; nenin 15; pikat 2 e 6, të nenit 20; nenin 21; pikat 2 e 3, të nenit 23; pikën 4, të nenit 24, të këtij ligji;

ç) gjobë 200 000 lekë, në rastet kur veprohet në kundërshtim me pikat 1, 3 dhe 5, të nenit 20; pikën 3, të nenit 22; pikat 1 e 2, të nenit 24; pikën 3, të nenit 25, të këtij ligji;

d) gjobë 500 000 lekë si dhe propozim për heqje të licencës përkatëse në rast përsëritjeje të kundërvajtjeve administrative të parashikuara në pikën 1 të nenit 20; në pikën 1, të nenit 24, të këtij ligji.

  Të gjitha të ardhurat nga gjobat derdhen në buxhetin e shtetit.

2.       Për shkeljet e dispozitave të këtij ligji, të cilat sipas pikës 1, të këtij neni përbëjnë kundërvajtje administrative, përveç masës së vënies së gjobës e cila është dënim kryesor, vendosen edhe dënime plotësuese si masa e kthimit të ngarkesave, e heqjes së licencës, e heqjes të së drejtës së tregtimit me shumicë ose pakicë, si dhe masa urgjente, si masa e bllokimit në rastin e shkeljeve të dispozitave të pikës 2, të nenit 7, dhe të nenit 19, të këtij ligji.

Neni 29

Procedurat e kundërvajtjes administrative

1.       Të drejtën e dhënies së masës administrative, siç është përcaktuar në nenin 28, e ka inspektori i organit të kontrollit.

2.       Kundër vendimit të inspektoratit mund të bëhet ankim ose ankim i veçantë në përputhje me legjislacionin në fuqi për inspektimin.

3.       Procedura e konstatimit dhe vendosjes do të bëhen në përputhje me legjislacionin në fuqi për kundëvajtjet administrative.

KREU VII

DISPOZITA TË FUNDIT DHE KALIMTARE

Neni 30

Akte nënligjore

1.       Ngarkohet Këshilli i Ministrave për nxjerrjen e akteve nënligjore në zbatim të pikës 5, të nenit  14; të pikës 4, të nenit 19; të pikës 7, të nenit 20; të pikës 6, të nenit 23 të këtij ligji.

2.       Ngarkohet ministri të nxjerrë aktet nënligjore në zbatim të pikave 2, 3 dhe 4, të nenit 6; të pikave 2 e 7, të nenit 7; të pikave 1 e 3, të nenit 8; të pikave 2 e 3, të nenit 10; të pikave 1 e 3, të nenit 12; të pikave 2 e 3, të nenit 13; të pikës 3, të nenit 15; të pikës 2, të nenit 17; të pikës 5, të nenit 19; të pikës 7, të nenit 23; të pikës 4, të nenit 24 të këtij ligji.

3.       Ngarkohen ministri dhe ministri përgjegjës për mjedisin të nxjerrin aktin ligjor në zbatim të pikës 4, të nenit 10, dhe pikës 4, të nenit 11, të këtij ligji.

Neni  31

Shfuqizime

1.       Ligji nr.9632, datë 24.3.2005, “Për Shërbimin e Mbrojtjes së Bimëve”, i ndryshuar, shfuqizohet.

2.       Deri në daljen e akteve nënligjore në zbatim të këtij ligji, mbeten në fuqi aktet nënligjore në zbatim të ligjit nr.9632, datë 24.5.2005, “Për Shërbimin e Mbrojtjes së Bimëve”, i ndryshuar, për aq sa përputhen me ligjin në fuqi.

Neni 32

Riorganizimi i DMB-së

1.       Departamenti i Mbrojtjes së Bimëve (DMB), pranë Universitetit Bujqësor të Tiranës, pas hyrjes në fuqi të këtij ligji riorganizohet si institucion në varësi të ministrit.

2.       Mënyra e organizimit dhe funksionimit të DMB-së përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

Neni  33

Hyrja në fuqi

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E T A R I

ILIR   META