Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Projektligje të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 4 Dhjetor 2024:

 

P R O J E K T L I GJ

PËR

DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË LIGJIN NR.8378, DATË 22.7.1998, “KODI RRUGOR I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË”, TË NDRYSHUAR

 

Në mbështetje të neneve 81, pika 2, dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Shqipërisë

 

V E N D O S I:

 

Në ligjin nr.8378, datë 22.7.1998, “Kodi Rrugor i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:

 

Neni 1

 

Në nenin 10 bëhen ndryshimet dhe shtesat, si më poshtë vijon:

 

  1. Kudo në nen, fjalët “… shkronja “n” …” zëvendësohen me “… shkronja “l” …”.

 

  1. Në fund të pikës 6 shtohet shkronja “c”, me këtë përmbajtje:

 

“c) që kanë të vendosura në to teknologji të reja ose shpikje, të cilat nuk plotësojnë një apo disa kushte të përmasave gabaritë ose peshave dhe kryejnë operacione lokale transporti për një periudhë prove.”.

 

Neni 2

 

Neni 61 ndryshohet, si më poshtë vijon:

 

“Neni 61

 

  1. Me përjashtim të rasteve të përcaktuara në nenin 10, të këtij ligji, mjetet rrugore, duke përfshirë dhe ngarkesën e tyre, duhet të kenë përmasat gabaritë, të përcaktuara me vendim të Këshillit të Ministrave.

 

  1. Për të siguruar lëvizje të rregullt në kthesë të mjeteve dhe komplekseve të mjeteve, vendimi i Këshillit të Ministrave përcakton kushtet që duhet të plotësojnë mjetet dhe mënyrën e kontrollit.

 

  1. Mjetet që, për kërkesa të veçanta funksionale, vetëm ose së bashku me ngarkesën e tyre, i tejkalojnë përmasat gabaritë kufitare të përcaktuara në vendimin e Këshillit të Ministrave, mund të qarkullojnë vetëm si mjete jashtë norme ose si transporte në kushte jonormale.

 

  1. Cilido që qarkullon me mjete ose komplekse mjetesh, duke përfshirë dhe ngarkesën, që tejkalojnë përmasat gabaritë kufitare të përcaktuara në vendimin e Këshillit të Ministrave, ndëshkohet me sanksione sipas nenit 10, të këtij ligji.”.

 

Neni 3

 

Neni 62 ndryshohet, si më poshtë vijon:

 

“Neni 62

 

  1. Pesha kufitare e përgjithshme me ngarkesë të plotë e një mjeti, që përbëhet nga pesha e vetë mjetit të gatshëm për lëvizje dhe ajo e ngarkesës së tij, duke përjashtuar rastet e parashikuara në nenin 10, të këtij ligji, përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave.

 

  1. Kushdo që qarkullon me një mjet, i cili me ngarkesën e tij i tejkalon kufijtë e peshave të përcaktuara në vendimin e Këshillit të Ministrave, u nënshtrohet sanksioneve, sipas neneve 10 e 165, të këtij ligji.”.

 

Neni 4

 

Në nenin 165 bëhen këto ndryshime:

 

  1. Pika 1 ndryshohet, si më poshtë vijon:

 

“1. Mjetet me motor, rimorkiot dhe makinat teknologjike nuk mund të kalojnë peshën kufitare të përgjithshme, të përcaktuar në aktin nënligjor dhe në lejeqarkullimin.”.

 

  1. Në pikat 2 dhe 5, fjala “… lejeqarkullimin …” zëvendësohet me fjalët “… aktin nënligjor dhe në lejeqarkullimin …”.

 

  1. Pika 8 ndryshohet, si më poshtë vijon:

 

“8. Për efekt të sanksioneve administrative të parashikuara nga ky nen, vlerat numerike të marra ndërmjet zbatimit të çfarëdo përqindjeje duhen konsideruar të rrumbullakuara me 100 kg më shumë.”.

 

  1. Në pikën 10, fjalët “… e peshës së përgjithshme me ngarkesë të plotë të treguar në lejeqarkullimin …” zëvendësohen me “… e peshës kufitare të përgjithshme të treguar në aktin nënligjor dhe në lejeqarkullimin …”.

 

Neni 5

Akti nënligjor

 

Ngarkohet Këshilli i Ministrave që, brenda 1 viti nga hyrja në fuqi e këtij ligji, të miratojë aktin nënligjor, në zbatim të neneve 61 e 62 të Kodit Rrugor.

 

 Neni 6

Hyrja në fuqi

 

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E T A R I

ELISA SPIROPALI

###

 

V E N D I M

PËR

PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË LIGJIN NR.8378, DATË 22.7.1998, “KODI RRUGOR       I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË”, TË NDRYSHUAR”

Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

Propozimin e projektligjit “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.8378,                datë 22.7.1998, “Kodi Rrugor i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit, që i bashkëlidhen këtij vendimi.

 

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.