Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Projektligje të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 5 Korrik 2023:

 

P R O J E K T L I GJ
PËR

DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË LIGJIN NR.7975, DATË 26.7.1995, “PËR BARNAT NARKOTIKE DHE LËNDËT PSIKOTROPE”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë

V E N D O S I:

Në ligjin nr.7975, datë 26.7.1995, “Për barnat narkotike dhe lëndët psikotrope”, të ndryshuar, bëhen këto shtesa dhe ndryshime:

Neni 1

Kudo në tekstin e ligjit, emërtimet “Ministri i Shëndetësisë dhe Mbrojtjes së Mjedisit” dhe “Ministri i Shëndetësisë” zëvendësohen me fjalët “ministri përgjegjës për shëndetësinë”, emërtimi “Ministri i Bujqësisë dhe Ushqimit” zëvendësohet me fjalët “… ministri përgjegjës për bujqësinë …” dhe emërtimi “Ministri i Rendit Publik” zëvendësohet me fjalët “ministri përgjegjës për rendin dhe sigurinë publike”.

Neni 2

Në fund të nenit 4 shtohet paragrafi, me këtë përmbajtje:

“Përjashtim nga rregulli për “Tabela I” bëhet për bimën e cannabis-it dhe nënproduktet e saj, për të cilat zbatohen dispozita ligjore në fuqi sipas legjislacionit përkatës për kontrollin e kultivimit dhe përpunimit të bimës së dhe prodhimit të nënprodukteve të saj për qëllime mjekësore dhe industriale.”.

Neni 3

Neni 9 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“Neni 9

Në Republikën e Shqipërisë ndalohen kultivimi i papaver somniferum për prodhimin e opiumit dhe të kashtës, kultivimi i bimës së kokës (Erythroxylon coca) për prodhimin e alkaloideve e të lëndëve aromatike.
Kultivimi dhe përpunimi i bimës së cannabis-it dhe prodhimi i nënprodukteve të saj për qëllime mjekësore dhe industriale rregullohen sipas legjislacionit të posaçëm, të miratuar për këtë qëllim.”.

Neni 4

Pas paragrafit të parë, të nenit 11, shtohet paragrafi i dytë, me këtë përmbajtje:

“Përjashtim nga parashikimet e paragrafit të parë të këtij neni bëhet për bimën e cannabis-it dhe nënproduktet e saj, për të cilat zbatohen dispozita ligjore në fuqi sipas legjislacionit përkatës për kontrollin e kultivimit dhe përpunimit të bimës së cannabis-it dhe prodhimit të nënprodukteve të saj për qëllime mjekësore dhe industriale.”.

Neni 5

Në fjalinë e dytë, të nenit 17, termi “… ndihmësfarmacist …” zëvendësohet me “… farmacist …”.

Neni 6

Neni 103 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“Neni 103

Skema e klasifikimit dhe tabelat e barnave narkotike, lëndëve psikotrope dhe përgatesave të tyre janë sipas skemës dhe tabelave I, II dhe III, që i bashkëlidhen këtij ligji dhe janë pjesë përbërëse të tij.”.

Neni 7

Skema e klasifikimit dhe tabelat I, II dhe III, që i bashkëlidhen ligjit nr.7975, datë 26.7.1995, të ndryshuar, zëvendësohen me skemën e klasifikimit dhe tabelat I, II dhe III, që i bashkëlidhen këtij ligji dhe janë pjesë përbërëse të tij.

Neni 8

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E T A R I
LINDITA NIKOLLA

###

V E N D I M
PËR

PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË LIGJIN NR.7975, DATË 26.7.1995, “PËR BARNAT NARKOTIKE DHE LËNDËT PSIKOTROPE”, TË NDRYSHUAR”

Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Propozimin e projektligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.7975, datë 26.7.1995, “Për barnat narkotike dhe lëndët psikotrope”, të ndryshuar”, për shqyrtim dhe miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU

***

P R O J E K T L I GJ
PËR

DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË LIGJIN NR.10018, DATË 13.11.2008, “PËR AVOKATURËN E SHTETIT”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë

V E N D O S I:

Në ligjin nr.10018, datë 13.11.2008, “Për Avokaturën e Shtetit”, të ndryshuar, bëhen këto shtesa dhe ndryshime:

Neni 1

Shkronja “a”, e pikës 3, të nenit 4, ndryshohet, si më poshtë vijon:

“a) zyrat vendore;”.

Neni 2

Në nenin 11 bëhen ndryshimet dhe shtesat e mëposhtme:

1. Titulli i nenit 11 ndryshohet dhe bëhet: “Zyrat vendore në Avokaturën e Shtetit”.

2. Pika 1 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“1. Zyrat vendore të Avokaturës së Shtetit janë përgjegjëse për dhënien e asistencës juridike personave juridikë, të përcaktuar në nenin 5, të këtij ligji.”.

3. Pas pikës 1 shtohen pikat 1/1 – 1/4, me këtë përmbajtje:

“1/1. Avokati i Përgjithshëm i Shtetit bën vlerësimin e organizimit të zyrave vendore dhe kompetencave tokësore të tyre të paktën çdo 5 (pesë) vjet.

1/2. Zyrat vendore i shtrijnë kompetencat e tyre tokësore mbi një ose më shumë gjykata të shkallës së parë, me afërsi territoriale ndërmjet tyre, si dhe mbi gjykatat e apelit.

1/3. Zyrat vendore dhe kompetencat e tyre tokësore caktohen duke marrë parasysh, në mënyrë të njëjtë dhe të përshtatshme, kriteret e mëposhtme:

a) Organizimin e rretheve gjyqësore dhe kompetencat tokësore të gjykatave;
b) Ngarkesën e punës në lidhje me çështjet e ardhura, të përfunduara dhe në shqyrtim, si dhe burimet njerëzore në dispozicion.

1/4. Bazuar në vlerësimin e kryer nga Avokati i Përgjithshëm i Shtetit, sipas pikave 1/2 dhe 1/3 të këtij neni, Këshilli i Ministrave, me propozimin e Kryeministrit, miraton organizimin territorial dhe kompetencën tokësore të zyrave vendore.”.

4. Në pikën 2 hiqen fjalët “ … pranë gjykatave të apelit …”.

Neni 3

Në pikën 3, të nenit 25, pas fjalëve “ … fillimin e procedurës … ” shtohen “ … uljen në detyrë ose … ”.

Neni 4

Neni 28 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“Neni 28
Shpërblimi i avokatëve të shtetit

1. Avokati i shtetit përfiton shpërblim të posaçëm për çështje të veçanta, të vështira dhe me interes të madh ekonomik e financiar për Republikën e Shqipërisë.

2. Klasifikimi i çështjeve, kriteret, mënyra dhe procedurat e dhënies së këtij shpërblimi përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.”.

Neni 5

Në nenin 30 bëhen disa shtesa dhe ndryshime:

1. Në pikën 3 bëhen ndryshimi dhe shtesat e mëposhtme:

a) Shkronja “a” ndryshohet, si më poshtë vijon:

“a) zvarritja e pajustifikuar e veprimeve të avokatit të shtetit gjatë ushtrimit të funksioneve të parashikuara me ligj ose kur ka passjellë apo mund të sillte pasoja për interesat pasurore të shtetit;”.

b) Pas shkronjës “dh” shtohen shkronjat “e” dhe “ë”, me këtë përmbajtje:

“e) moskryerja e detyrave funksionale apo përfaqësimi i dobët në proceset gjyqësore;
ë) shkelja e urdhrave dhe udhëzimeve të Avokatit të Përgjithshëm të Shtetit ose vendimeve të Kolegjit të Avokaturës së Shtetit;”.

2. Shkronja “d”, e pikës 4, ndryshohet, si më poshtë vijon:

“d) shkelja e rëndë ose e përsëritur e urdhrave dhe udhëzimeve të Avokatit të Përgjithshëm të Shtetit ose vendimeve të Kolegjit të Avokaturës së Shtetit;”.

Neni 6

Në nenin 31 bëhen ndryshimi dhe shtesat e mëposhtme:

1. Fjalia e dytë, e pikës 2, ndryshohet, si më poshtë vijon:

“Masa disiplinore jepet duke marrë parasysh:

a) shkallën e pakujdesisë;
b) shpeshtësinë e kryerjes së veprimit ose mosveprimit apo sjelljes;
c) përvojën në sistem;
ç) dëmtimin, mundësinë e shkaktimit të dëmtimit ose shkallën e pasojave që kanë ardhur ose mund të vijnë nga veprimi apo mosveprimi.”.

2. Pas shkronjës “b”, të pikës 3, shtohen shkronjat “b/1” dhe “b/2”, me këtë përmbajtje:

“b/1. Ulje në detyrë për një afat deri në gjashtë muaj;
b/2. Ulje e përkohshme e pagës deri në tridhjetë për qind për një periudhë
deri në gjashtë muaj;”.

Neni 7

Pas nenit 32/1 shtohet neni 32/2, me këtë përmbajtje:

“Neni 32/2
Pezullimi i avokatit të shtetit

1. Kur ka dyshim të arsyeshëm se vazhdimi i ushtrimit të detyrës nga avokati i shtetit dëmton imazhin publik të institucionit, ushtrimin e përshtatshëm të detyrës, rezultatin e një procedimi disiplinor apo konkluzionin e tij të drejtë ose të rregullt, Komisioni i Disiplinës, me kërkesë të Avokatit të Përgjithshëm të Shtetit, vendos pezullimin e avokatit të shtetit.

2. Pezullimi zgjat deri në marrjen e vendimit përfundimtar, por, në çdo rast, jo më shumë se 3 (tre) muaj.

3. Avokati i Shtetit përfiton 50% të pagës gjatë periudhës së pezullimit.

4. Në përfundim të procesit disiplinor, në rast se nuk konstatohen shkelje disiplinore të avokatit të shtetit, ky i fundit përfiton diferencën e pagës për periudhën e pezullimit.”.

Neni 8

Neni 33 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“Neni 33
Mosmarrëveshjet mbi masat disiplinore

Çdo mosmarrëveshje që lind nga masat disiplinore për avokatët e shtetit në të dyja nivelet e Avokaturës së Shtetit, për aq sa nuk rregullohet nga ky ligj, rregullohet sipas Kodit të Punës së Republikës së Shqipërisë.”.

Neni 9
Nxjerrja e akteve nënligjore

1. Ngarkohet Këshilli i Ministrave, që, brenda 3 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, të nxjerrë aktet nënligjore, në zbatim të neneve 2 dhe 4, të këtij ligji.

2. Ngarkohet Avokati i Përgjithshëm i Shtetit, që, brenda 4 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, të bëjë shtesat dhe ndryshimet e nevojshme në rregulloren e brendshme të institucionit.

Neni 10
Hyrja në fuqi

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E T A R I
LINDITA NIKOLLA

###

V E N D I M
PËR

PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË LIGJIN NR.10018, DATË 13.11.2008, “PËR AVOKATURËN E SHTETIT”, TË NDRYSHUAR”

Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Propozimin e projektligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.10018, datë 13.11.2008, “Për Avokaturën e Shtetit”, të ndryshuar”, për shqyrtim dhe miratim në Kuvendin e Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit, që i bashkëlidhen këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU 

 

 

*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.