Projektligje të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 6 Mars 2024:
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR ADERIMIN E REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË NË PROTOKOLLIN E MARRËVESHJES MBI TRANSPORTIN NDËRKOMBËTAR TË RASTIT TË UDHËTARËVE ME AUTOBUS (MARRËVESHJA INTERBUS), NË LIDHJE ME TRANSPORTIN NDËRKOMBËTAR TË RREGULLT DHE TË RREGULLT TË SPECIALIZUAR TË UDHËTARËVE ME AUTOBUS”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 18, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin e projektligjit “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në protokollin e marrëveshjes mbi transportin ndërkombëtar të rastit të udhëtarëve me autobus (marrëveshja interbus), në lidhje me transportin ndërkombëtar të rregullt dhe të rregullt të specializuar të udhëtarëve me autobus”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
###
P R O J E K T L I GJ
PËR
ADERIMIN E REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË NË PROTOKOLLIN E MARRËVESHJES MBI TRANSPORTIN NDËRKOMBËTAR TË RASTIT TË UDHËTARËVE ME AUTOBUS (MARRËVESHJA INTERBUS), NË LIDHJE ME TRANSPORTIN NDËRKOMBËTAR TË RREGULLT DHE TË RREGULLT TË SPECIALIZUAR TË UDHËTARËVE ME AUTOBUS
Në mbështetje të neneve 78, 83, pika 1, dhe 121, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I:
Neni 1
Aderimin e Republikës së Shqipërisë në protokollin e marrëveshjes mbi transportin ndërkombëtar të rastit të udhëtarëve me autobus (marrëveshja interbus), në lidhje me transportin ndërkombëtar të rregullt dhe të rregullt të specializuar të udhëtarëve me autobus, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij ligji dhe është pjesë përbërëse e tij.
Neni 2
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E T A R I
LINDITA NIKOLLA
***
P R O J E K T L I GJ
PËR
OFRUESIN E SHËRBIMEVE TË LUNDRIMIT AJROR “ALBCONTROL”
Në mbështetje të neneve 78, 81, pika 1, dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I:
KREU I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
Neni 1
Objekti i ligjit
Ky ligj ka si objekt përcaktimin e formës së organizimit, të rregullave të funksionimit dhe të administrimit të ofruesit të shërbimeve të lundrimit ajror “Albcontrol”.
Neni 2
Fusha e veprimit
Ky ligj zbatohet për ofrimin e shërbimeve të lundrimit ajror nga Albcontrol-i, duke përfshirë menaxhimin e trafikut ajror, shërbimet e komunikimit, të lundrimit dhe mbikëqyrjes, shërbimet e informacionit aeronautik, shërbimet meteorologjike për lundrimin ajror dhe shërbimet e hartimit të procedurave të fluturimit në të gjithë hapësirën ajrore të Republikës së Shqipërisë, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Neni 3
Përkufizime
Në kuptim të këtij ligji, me termat e mëposhtëm nënkuptohen:
1. “Aerodrom”, një zonë e përcaktuar mbi tokë ose mbi ujë, mbi një strukturë fikse, në det të hapur, e palëvizshme ose lundruese, duke përfshirë çdo ndërtesë, instalim dhe pajisje në të, të destinuara për t’u përdorur tërësisht ose pjesërisht për mbërritjen, nisjen dhe lëvizjen në sipërfaqe të avionëve.
2. “Albcontrol”, enti publik i krijuar me këtë ligj, i cili vepron në interes publik dhe ofron shërbime të lundrimit ajror në Republikën e Shqipërisë.
3. “ICAO”, Organizata Ndërkombëtare e Aviacionit Civil, në të cilën Republika e Shqipërisë aderon që nga viti 1990.
4. “Ent publik”, subjekti i së drejtës publike sipas përcaktimit në ligjin nr.8480, datë 27.5.1999, “Për funksionimin e organeve kolegjiale të administratës dhe enteve publike”.
5. “Eurocontrol”, organizata civile-ushtarake panevropiane, e dedikuar për të mbështetur aviacionin evropian, në të cilën Republika e Shqipërisë aderon që nga viti 2001.
6. “Imunitet nga ekzekutimi”, pacenueshmëria e të ardhurave të Albcontrol-it të përfituara sipas shkronjës “b”, të pikës 4, të nenit 16, të këtij ligji, nga urdhrat e ekzekutimit.
7. “Kontrollor i trafikut ajror”, personi përgjegjës për sigurinë dhe efikasitetin e lëvizjes së avionëve në hapësirën ajrore të kontrolluar dhe në aerodrome.
8. “Kosto bazë”, kostoja e nevojshme për ofrimin e shërbimeve të lundrimit ajror për zonat e pagesës nën përgjegjësinë e Albcontrol-it.
9. “Kosto për njësi”, kostoja e përllogaritur, duke pjesëtuar koston bazë të parashikuar të mbetur pas llogaritjes së fluturimeve të përjashtuara nga pagesat, me numrin e njësive të shërbimit të pagueshme të parashikuara për vitin përkatës.
10. “Marrëveshje ndërkombëtare”, çdo marrëveshje ndërkombëtare e ratifikuar nga Republika e Shqipërisë.
11. “Marrëveshje shumëpalëshe e ZPEA”, marrëveshja shumëpalëshe, shtojcat dhe protokolli i saj për krijimin e Zonës së Përbashkët Evropiane të Aviacionit (ZPEA), e ratifikuar me ligjin nr.9658, datë 18.12.2006, “Për ratifikimin e marrëveshjes shumëpalëshe ndërmjet Komunitetit Evropian dhe shteteve anëtare të tij, Republikës së Shqipërisë, Bosnjës dhe Hercegovinës, Republikës së Bullgarisë, Republikës së Kroacisë, Republikës së Maqedonisë, Republikës së Islandës, Republikës së Malit të Zi, Mbretërisë së Norvegjisë, Rumanisë, Republikës së Serbisë dhe misionit administrativ të përkohshëm të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, “Për krijimin e një zone të përbashkët të Aviacionit Evropian”, në vijim referuar si marrëveshja shumëpalëshe.
12. “Ministri”, ministri përgjegjës për çështjet e transportit ajror.
13. “Publikimi i informacionit aeronautik (AIP)”, publikimi që përmban informacion aeronautik të një natyre afatgjatë, thelbësor për lundrimin ajror, i nxjerrë në përputhje me rregulloren e miratuar nga ministri.
14. “Sistemi i tarifave në rrugëkalim të Eurocontrol-it”, sistemi i vendosur në konventën e Eurocontrol-it “Për bashkëpunimin për sigurinë e lundrimit ajror” të 13 dhjetorit 1960, të ndryshuar, dhe në marrëveshjen shumëpalëshe “Për tarifat në rrugë”, të 12 shkurtit 1981.
15. “Statuti”, akti që parashikon rregullat e funksionimit të brendshëm të Albcontrol-it, sipas dispozitave të këtij ligji.
16. “Shërbim publik”, tërësia e shërbimeve të lundrimit ajror të ofruara nga Albcontrol-i, në interes publik.
17. “Tarifa e shërbimeve të lundrimit ajror në rrugëkalim (en-route)”, tarifa për një fluturim specifik në një zonë specifike tarifimi në rrugëkalim (en-route), e barabartë me prodhimin e kostos për njësi të vendosur për këtë zonë rrugëkalimi me njësitë e shërbimit të lundrimit ajror për këtë fluturim.
18. “Tarifa e shërbimeve të lundrimit ajror në aerodrome për nisjen dhe mbërritjen e fluturimeve”, tarifa e barabartë me prodhimin e kostos për njësi të vendosur për shërbimet e lundrimit ajror në aerodrome me njësitë e shërbimit të lundrimit ajror në aerodrome për këtë fluturim.
19. “Veprimtari jofitimprurëse”, veprimtaria e ushtruar nga enti publik, me qëllim ofrimin e shërbimeve të lundrimit ajror për përdoruesit e hapësirës ajrore në Republikën e Shqipërisë, duke u bazuar në parimin e rekuperimit të plotë të kostos.
KREU II
FORMA E ORGANIZIMIT DHE USHTRIMI I VEPRIMTARISË
Neni 4
Statusi juridik
1. Albcontrol-i është ent publik, jobuxhetor, veprimtaria e të cilit përbën shërbim publik dhe kryhet nën mbikëqyrjen e ministrit përgjegjës për çështjet e transportit ajror.
2. Albcontrol-i gëzon pavarësi drejtuese, administrative, teknike dhe financiare.
Neni 5
Shërbimet e ofruara
1. Albcontrol-i ofron këto shërbime të lundrimit ajor:
a) Menaxhimin e trafikut ajror (shërbimet e trafikut ajror, menaxhimin e hapësirës ajrore dhe menaxhimin e fluksit të trafikut ajror);
b) Shërbimet e komunikimit, të lundrimit dhe mbikëqyrjes;
c) Shërbimet e informacionit aeronautik;
ç) Shërbimet meteorologjike për lundrimin ajror;
d) Shërbimet e hartimit të procedurave të fluturimit.
2. Albcontrol-i ofron edhe shërbime të tjera, në përputhje Kodin Ajror të Republikës së Shqipërisë dhe me parimet e standardet ndërkombëtare të parashikuara në akte ndërkombëtare ku Republika e Shqipërisë është palë.
3. Albcontrol-i ofron shërbime të lundrimit ajror edhe përtej territorit të Republikës së Shqipërisë, nëse kjo rrjedh nga një marrëveshje ndërkombëtare në të cilën Republika e Shqipërisë është palë.
Neni 6
Parimet e përgjithshme
Në përmbushjen e funksioneve dhe të kompetencave të parashikuara në këtë ligj, Albcontrol-i udhëhiqet nga këto parime:
a) Ushtrimi i veprimtarisë në përputhje me konventat dhe marrëveshjet ndërkombëtare në fushën e aviacionit civil, marrëveshjen shumëpalëshe të ZPEA-së, dispozitat e Kodit Ajror të Republikës së Shqipërisë, standardet ndërkombëtare të ICAO-s, rregulloret e zbatueshme të Komisionit Evropian të përafruara në legjislacionin kombëtar, marrëveshjet me Eurocontrol-in, dispozitat e këtij ligji, statutin dhe rregulloren e brendshme;
b) Ofrimi i shërbimeve të lundrimit ajror për Republikën e Shqipërisë, duke pasur përparësi garantimin e sigurisë në operim, efikasitetin dhe rrjedhshmërinë e trafikut ajror;
c) Garantimi i vazhdueshmërisë së shërbimeve të ofruara;
ç) Zbatimi i politikave të shtetit shqiptar për zhvillimin dhe modernizimin e transportit ajror;
d) Kryerja e veprimtarisë jofitimprurëse për ofrimin e shërbimeve të lundrimit ajror sipas parimit të rikuperimit të plotë të kostos, në përputhje me marrëveshjet ndërkombëtare.
Neni 7
Kompetencat e Albcontrol-it
1. Kompetencat e Albcontrol-it në ushtrimin e veprimtarisë së tij janë:
a) ofrimi i shërbimeve të lundrimit ajror, të nevojshme për të garantuar sigurinë në operim, efikasitetin dhe rrjedhshmërinë e trafikut ajror në hapësirën ajrore të Republikës së Shqipërisë dhe aerodromet civile, të publikuara në AIP Albania;
b) menaxhimi efektiv i hapësirës ajrore dhe fluksit të trafikut ajror, si dhe përdorimi i sigurt dhe efikas i hapësirës ajrore nga të gjithë përdoruesit e saj, nëpërmjet aplikimit të konceptit të përdorimit fleksibël të hapësirës ajrore;
c) koordinimi i veprimeve me strukturat ushtarake për realizimin e misionit të patrullimit të hapësirës ajrore të Republikës së Shqipërisë;
ç) në rast emergjencash, lëshimi i lejeve për hyrjen apo daljen përtej kufijve të miratuar dhe pranimi i ndryshimeve të rrugës së fluturimit të një avioni;
d) kryerja e investimeve për instalimin, mirëmbajtjen dhe rinovimin e sistemeve të operimit, teknologjisë dhe burimeve të energjisë;
dh) trajnimi dhe kualifikimi i vazhdueshëm i personelit në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe rregulloret për trajnimin dhe licencimin e personelit;
e) integrimi dhe harmonizimi i plotë i sistemeve, teknologjisë dhe informacionit në kuadrin e një qielli të vetëm evropian;
ë) zbatimi i standardeve ndërkombëtare dhe legjislacionit në fuqi për mbrojtjen e mjedisit;
f) llogaritja e kostos për njësi për ofrimin e shërbimeve të lundrimit ajror në rrugëkalim (en-route) si dhe e kostos për njësi për shërbimet e ofruara në aerodrome dhe grupe aerodromesh;
g) administrimi i të ardhurave nga tarifat për ofrimin e shërbimeve të lundrimit ajror në rrugëkalim (en-route), të mbledhura nëpërmjet Eurocontrol-it;
gj) mbledhja e tarifave për ofrimin e shërbimeve të lundrimit ajror në aerodrome nga Albcontrol-i ose përfaqësuesi i autorizuar prej tij.
2. Albcontrol-i bashkëpunon, bashkërendon dhe harmonizon veprimtarinë me institucionet/entet publike dhe organizmat e tjerë kombëtarë si dhe strukturat ndërkombëtare në fushën e aviacionit civil.
Neni 8
Ministri
1. Ministri është autoriteti më i lartë në fushën e aviacionit civil.
2. Në zbatim të politikave dhe përparësive në fushën e aviacionit civil, ministri nënshkruan marrëveshje shërbimi me Albcontrol-in ose i delegon detyra.
3. Albcontrol-i, në ushtrimin e veprimtarisë, zbaton politikat e shtetit shqiptar në fushën e aviacionit civil dhe raporton te ministri të paktën një herë në vit.
KREU III
ORGANET DREJTUESE DHE ORGANIZIMI
Neni 9
Organet drejtuese
Organet drejtuese të Albcontrol-it janë:
a) Këshilli Drejtues;
b) Drejtori i Përgjithshëm.
Neni 10
Këshilli Drejtues
1. Këshilli Drejtues është organi më i lartë vendimmarrës i Albcontrol-it dhe përbëhet nga 5 anëtarë.
2. Anëtarët e Këshillit Drejtues emërohen nga ministri, sipas një procedure përzgjedhjeje të bazuar në parimin e transparencës e të meritokracisë.
3. Anëtari i Këshillit Drejtues duhet të përmbushë kriteret e mëposhtme:
a) Të jetë shtetas shqiptar;
b) Të zotërojë diplomë të nivelit “Master i shkencave” apo “Master profesional”, të përfituar në fund të studimeve të ciklit të dytë me 120 kredite dhe me kohëzgjatje normale 2 vite akademike, në shkenca juridike, ekonomike ose inxhinierike ose të përzgjidhet si personalitet i njohur në fushën e tij profesionale;
c) Të mos jetë i dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një vepre penale për të cilën nuk është rehabilituar;
ç) Të ketë eksperiencë profesionale jo më pak se 5 vjet në profesion në fushën e aviacionit civil ose në pozicione të ngjashme drejtuese apo administrimi;
d) Ndaj tij të mos jetë marrë masë disiplinore e largimit nga puna që nuk është shuar, sipas legjislacionit në fuqi;
dh) Të mos ketë konflikt interesash me detyrën, në përputhje me detyrimet e legjislacionit në fuqi;
e) Të ketë zotësi të plotë për të vepruar;
ë) Të jetë në kushte shëndetësore që e lejojnë të kryejë detyrën përkatëse.
4. Mandati i anëtarit të Këshillit Drejtues është 4 vjet, me të drejtë riemërimi 1 (një) herë.
5. Mandati i anëtarit të Këshillit Drejtues përfundon përpara afatit në rastet e mposhtme kur:
a) jep dorëheqjen;
b) bëhet fizikisht i paaftë për më shumë se 3 muaj të njëpasnjëshëm për të përmbushur detyrën për të cilën është emëruar;
c) mungon pa arsye në më shumë se tri mbledhje radhazi;
ç) vepron gjatë ushtrimit të funksioneve në kundërshtim me interesat e Albcontrol-it;
d) dënohet me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një vepre penale;
dh) humbet apo lë shtetësinë shqiptare;
e) plotëson kushtet për pension pleqërie;
ë) deklarohet i paaftë për punë nga komisioni kompetent mjekësor;
f) gjendet në një situatë konflikti të vazhdueshëm interesi.
6. Këshilli Drejtues kryesohet nga kryetari, i cili zgjidhet nga Këshilli Drejtues në mbledhjen e parë të tij.
7. Kryetari dhe anëtarët e Këshillit Drejtues shpërblehen sipas parashikimeve të këtij ligji dhe përcaktimeve në statutin e Albcontrol-it.
8. Rregullat mbi shpalljen dhe procedurën e përzgjedhjes së anëtarëve të Këshillit Drejtues të Albcontrol-it përcaktohen me urdhër ministri.
Neni 11
Kompetencat e Këshillit Drejtues
1. Këshilli Drejtues ka këto kompetenca kryesore:
a) Miraton drejtimet kryesore të veprimtarisë së Albcontrol-it;
b) Miraton statutin e Albcontrol-it dhe rregulloren e brendshme;
c) Mbikëqyr administrimin dhe veprimtarinë e Albcontrol-it;
ç) Miraton numrin e punonjësve të Albcontrol-it dhe nivelin e pagave e të shpërblimeve;
d) Miraton programin ekonomik vjetor dhe e paraqet për aprovim te ministri;
dh) Propozon te ministri kandidaturën për drejtor të Përgjithshëm i Albcontrol-it;
e) Miraton marrjen e kredive dhe huave për nevoja të ushtrimit të detyrave dhe aktivitetit të Albcontrol-it;
ë) Emëron dhe shkarkon audituesit ligjorë;
f) Miraton pasqyrat financiare vjetore dhe raportin e audituesve ligjorë;
g) Përzgjedh audituesit e brendshëm dhe miraton programin vjetor të auditimit;
gj) Merr vendime për çështje të nevojshme për mbarëvajtjen e aktivitetit të Albcontrol-it.
2. Këshilli drejtues ka dhe një sekretar, i cili zgjidhet ndërmjet punonjësve të administratës së Albcontrol-it.
3. Mënyra dhe procedurat e hollësishme të ushtrimit të detyrave të Këshillit Drejtues dhe zhvillimit të mbledhjeve përcaktohen në statutin e Albcontrol-it.
Neni 12
Drejtori i Përgjithshëm
1. Drejtori i Përgjithshëm është autoriteti më i lartë ekzekutiv dhe përfaqësuesi i Albcontrol-it.
2. Drejtori i Përgjithshëm emërohet nga ministri, sipas një procedure përzgjedhjeje të bazuar në parimin e transparencës e të meritokracisë.
3. Drejtor i Përgjithshëm emërohet personi që përmbush kriteret e mëposhtme:
a) Të jetë shtetas shqiptar;
b) Të mos jetë i dënuar me vendim gjykate të formës së prerë për kryerjen e një vepre penale për të cilën nuk është rehabilituar;
c) Të zotërojë diplomë të nivelit “Master i shkencave” apo “Master profesional”, të përfituar në fund të studimeve të ciklit të dytë me 120 kredite dhe me kohëzgjatje normale 2 vite akademike në shkenca shoqërore, inxhinieri ose aviacion;
ç) Të zotërojë kualifikime pasuniversitare të profilit;
d) Të ketë përvojë pune mbi 7 vjet në pozicione administrimi, menaxhimi apo në fushën e aviacionit;
dh) Të mos këtë interes të drejtpërdrejtë ose të tërthortë financiar ose interesa të tjerë në struktura apo shoqëri tregtare të angazhuara në sektorin e aviacionit civil;
e) Të ketë zotësi të plotë për të vepruar;
ë) Të jetë në kushte shëndetësore që e lejojnë të kryejë detyrën përkatëse;
f) Ndaj tij të mos jetë marrë masë disiplinore e largimit nga puna, që nuk është shuar sipas legjislacionit në fuqi.
4. Mandati i Drejtorit të Përgjithshëm është 4 vjet, me të drejtë riemërimi.
5. Mandati i Drejtorit të Përgjithshëm përfundon para afatit, në rastet e mëposhtme kur:
a) jep dorëheqjen;
b) bëhet fizikisht i paaftë për më shumë se 3 muaj të njëpasnjëshëm për të përmbushur detyrën për të cilën është emëruar;
c) për shkak të paaftësisë profesionale apo neglizhencës i shkakton dëm Albcontrol-it ose imazhit të institucionit;
ç) vepron gjatë ushtrimit të funksioneve në kundërshtim me interesat e Albcontrol-it;
d) dënohet me vendim gjykate të formës së prerë për një vepër penale;
dh) humbet apo lë shtetësinë shqiptare;
e) plotëson kushtet për pension pleqërie;
ë) nuk përmbush detyrat e caktuara sipas nenit 13 të këtij ligji;
f) deklarohet i paaftë për punë nga komisioni kompetent mejkësor;
g) gjendet në një situatë konflikti të vazhdueshëm interesi.
6. Rregullat për shpalljen dhe procedurën e përzgjedhjes së drejtorit të Përgjithshëm të Albcontrol-it përcaktohen me urdhër ministri.
Neni 13
Kompetencat e drejtorit të Përgjithshëm
Drejtori i Përgjithshëm ka kompetencat e mëposhtme:
a) Siguron ushtrimin e kompetencave dhe përgjegjësive të Albcontrol-it në pajtim me legjislacionin në fuqi;
b) Ndjek të gjitha çështjet e sigurisë, teknike, operacionale, administrative, financiare dhe ligjore, të lidhura drejtpërsëdrejti apo tërthorazi me veprimtarinë e Albcontrol-it;
c) Drejton veprimtarinë administrative dhe organizative të Albcontrol-it dhe ndjek zbatimin e vendimeve të Këshillit Drejtues;
ç) Përfaqëson Albcontrol-in në marrëdhënie me të tretët si dhe në projektet e iniciativat kombëtare e ndërkombëtare të ndërlidhura me aktivitetet e tij;
d) Administron buxhetin dhe burimet financiare të Albcontrol-it;
dh) Miraton strukturën organizative të Albcontrol-it në bazë të nevojave teknike, operacionale dhe administrative;
e) Emëron dhe shkarkon punonjësit e Albcontrol-it;
ë) Kërkon thirrjen e mbledhjeve të Këshillit Drejtues, kur e konsideron të nevojshme;
f) Kryen të gjitha detyrat e tjera, që i ngarkon ky ligj, statuti dhe rregullorja e brendshme e Albcontrol-it.
Neni 14
Marrëdhëniet e punës dhe personeli
1. Marrëdhëniet e punës për punonjësit e Albcontrol-it rregullohen në bazë të dispozitave të Kodit të Punës, këtij ligji dhe akteve nënligjore në fushën e lundrimit ajror.
2. Punonjësit e Albcontrol-it, që ushtrojnë funksione specifike dhe që kanë akses në zonat me siguri të kufizuar, i nënshtrohen kontrollit të së kaluarës sipas përcaktimeve të Kodit Ajror të Republikës së Shqipërisë.
Neni 15
Konflikti i interesit
Gjatë veprimtarisë së tyre, anëtarët e Këshillit Drejtues, drejtori i Përgjithshëm dhe punonjësit e Albcontrol-it parandalojnë dhe shmangin konfliktin e interesit, sipas legjislacionit në fuqi.
KREU IV
FINANCIMI, TARIFAT, KOSTOJA PËR NJËSI DHE KONTABILITETI
Neni 16
Burimet e financimit
1. Albcontrol-i nuk është subjekt fitimprurës.
2. Burimet e financimit të Albcontrol-it janë:
a) fondet e përfituara nga tarifat e ofrimit të shërbimeve të lundrimit ajror në rrugëkalim (en-route) dhe nga tarifat e ofrimit të shërbimeve të lundrimit ajror në aerodrome, për nisjen dhe mbërritjen e fluturimeve;
b) fonde të buxhetit të shtetit, në raste të jashtëzakonshme dhe kur veprimtaria e Albcontrol-it cenohet nga shkaqe të pavarura prej tij;
b) burime të tjera, të lejuara nga legjislacioni në fuqi.
3. Burimet e financimit, Albcontrol-it i përdor për kryerjen e veprimtarive të veta sipas këtij ligji dhe përcaktimeve në statut.
4. Fondet e përfituara nga tarifat sipas shkronjës “a”, të pikës 2, të këtij neni, përdoren ekskluzivisht për mbulimin e kostos së ofrimit të shërbimeve të lundrimit ajror dhe mundësimin e veprimtarisë së Albcontrol-it, në funksion të këtyre shërbimeve, në përputhje me parimet dhe marrëveshjet ndërkombëtare dhe gëzojnë imunitet nga urdhrat e ekzekutimit deri në masën e nevojshme për ushtrimin e aktivitetit normal të Albcontrol-it.
Neni 17
Tarifat për shërbimet e lundrimit ajror
1. Tarifat për ofrimin e shërbimeve të lundrimit ajror llogariten nga Albcontrol-i, duke reflektuar koston bazë të shërbimeve dhe përballohen nga përdoruesit e këtyre shërbimeve.
2. Tarifat e lundrimit ajror përfshijnë tarifat e ofrimit të shërbimeve të lundrimit ajror në rrugëkalim (en-route) dhe tarifat për shërbimet e lundrimit ajror, që ofrohen në aerodrome për nisjen dhe mbërritjen e fluturimeve.
3. Tarifat e lundrimit ajror në rrugëkalim (en-route) përcaktohen, faturohen dhe mblidhen nga Eurocontrol-i, në emër të Republikës së Shqipërisë, bazuar në sistemin e tarifave në rrugëkalim (en-route) të Eurocontrol-it dhe kalojnë në llogarinë bankare të Albcontrol-it. Këto tarifa faturohen si një tarifë e vetme për fluturimin, në bazë të distancës së fluturuar brenda secilit vëllim tarifor të hapësirës ajrore dhe në bazë të peshës së avionit.
4. Tarifat për shërbimet e lundrimit ajror, që ofrohen në aerodrome ose grupe aerodromesh për nisjen dhe mbërritjen e fluturimeve, llogariten si një tarifë vetëm për nisjen e fluturimit, duke marrë parasysh peshën e avionit dhe duke aplikuar metodat e përcaktuara dhe të miratuara nga Autoriteti i Aviacionit Civil. Tarifat e llogaritura sipas kësaj pike faturohen dhe mblidhen nga Albcontrol-i ose përfaqësuesi i autorizuar i tij.
5. Rastet e fluturimeve të përjashtuara nga këto tarifa përcaktohen në marrëveshjen me Eurocontrol-in dhe publikohen në AIP Albania.
Neni 18
Kostoja për njësi
1. Kostoja për njësi për ofrimin e shërbimeve të lundrimit ajror në rrugëkalim (en-route) llogaritet nga Albcontrol-i si një njësi kostoje mbi bazë vjetore për çdo vëllim tarifor të hapësirës ajrore, në përputhje me parimet për përcaktimin e kostos bazë. Kostot miratohen nga Eurocontrol-i.
2. Kostoja për njësi për shërbimet e lundrimit ajror të ofruara në aerodrome dhe grupe aerodromesh llogaritet nga Albcontrol-i si njësi kostoje me bazë vjetore në përputhje me dispozitat e Kodit Ajror.
Neni 19
Kontabiliteti dhe pasqyrat financiare
1. Albcontrol-i mban llogaritë dhe regjistrat në përputhje me legjislacionin në fuqi mbi raportimin financiar dhe Standardet Ndërkombëtare të Kontabilitetit.
2. Albcontrol-i përgatit pasqyrat financiare vjetore brenda afateve të përcaktuara me ligj. Pasqyrat financiare janë subjekt certifikimi nga audituesit ligjorë sipas përcaktimeve të kuadrit rregullator në fushën e auditimit ligjor.
3. Pasqyrat financiare publikohen në faqen zyrtare të Albcontrol-it dhe paraqiten në Eurocontrol.
KREU V
DISPOZITA KALIMTARE DHE TË FUNDIT
Neni 20
Riemërtimi i certifikatave të operimit
1. Albcontrol-i, përpara fillimit të ushtrimit të veprimtarisë, i paraqet Autoritetit të Aviacionit Civil kërkesën për ndryshimin e emërtimit në certifikatat e ofrimit të shërbimeve të lundrimit ajror.
2. Deri në momentin e lëshimit të certifikatave të riemërtuara, shërbimet e lundrimit ajror ofrohen nga shoqëria “ALBCONTROL”, sh.a.
Neni 21
Prishja e shoqërisë “ALBCONTROL”, sh.a.
1. Shoqëria “ALBCONTROL”, sh.a., prishet pa kaluar në likuidim.
2. Të gjitha të drejtat, detyrimet dhe pasuritë e shoqërisë “ALBCONTROL”, sh.a., i transferohen Albcontrol-it.
3. Ngarkohet aksionari i shoqërisë “ALBCONTROL”, sh.a., të caktojë auditues ligjor për ndjekjen e procedurave të nevojshme.
Neni 22
Aktet nënligjore
Ngarkohet ministri që, brenda 3 (tre) muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, të miratojë aktet nënligjore në zbatim të neneve 10, pika 8, dhe 12, pika 6, të këtij ligji.
Neni 23
Hyrja në fuqi
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E T A R I
LINDITA NIKOLLA
###
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR OFRUESIN E SHËRBIMEVE TË LUNDRIMIT AJROR “ALBCONTROL””
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin e projektligjit “Për ofruesin e shërbimeve të lundrimit ajror “Albcontrol””, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR RATIFIKIMIN E MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE KOLEGJIT TË EVROPËS, PËR HAPJEN E DEGËS SË KOLEGJIT TË EVROPËS NË TIRANË”
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, e 100, të Kushtetutës, si dhe të nenit 17, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Sportit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin e projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Kolegjit të Evropës, për hapjen e degës së Kolegjit të Evropës në Tiranë”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit, që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
###
P R O J E K T L I GJ
PËR
RATIFIKIMIN E MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE KOLEGJIT TË EVROPËS, PËR HAPJEN E DEGËS SË KOLEGJIT TË EVROPËS NË TIRANË
Në mbështetje të neneve 78, 83, pika 1, dhe 121, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I:
Neni 1
Ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Kolegjit të Evropës, për hapjen e degës së Kolegjit të Evropës në Tiranë, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij ligji.
Neni 2
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E T A R I
LINDITA NIKOLLA