Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Projektligje të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 7 Korrik 2023:

 

P R O J E K T L I GJ
PËR

DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË LIGJIN NR.8577, DATË 10.2.2000, “PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E GJYKATËS KUSHTETUESE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të neneve 81 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë

V E N D O S I:

Në ligjin nr.8577, datë 10.2.2000, “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, bëhen këto shtesa dhe ndryshime:

Neni 1

Në nenin 17 bëhen ndryshimet dhe shtesa e mëposhtme:

1. Pika 1 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“1. Paga mujore e gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese është e njëjtë me shumëzimin e koeficientit 0.96 me pagën e Presidentit të Republikës. Paga mujore e gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese indeksohet me vendim të Këshillit të Ministrave jo më vonë se dy vjet nga indeksimi i fundit. Niveli i indeksimit, në çdo rast, nuk kalon një pikë përqindjeje mbi nivelin e targetuar të inflacionit nga Banka e Shqipërisë.”.

2. Pas pikës 1 shtohet pika 1/1, me këtë përmbajtje:

“1/1. Përveç pagës mujore, gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese përfiton një shtesë për shkak të natyrës së veçantë të punës, në masën 58% për qind të pagës.”.

3. Pika 2 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“2. Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, për pozicionin drejtues përfiton edhe 20% shtesë page mbi pagën mujore të gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese dhe shtesës për shkak të natyrës së veçantë të punës.”.

Neni 2
Dispozitë transitore

1. Paga mujore e gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese indeksohet për herë të parë nga Këshilli i Ministrave jo më herët se data 1.1.2026.

2. Përveç pagës mujore, sipas pikës 1, të nenit 1, të këtij ligji, gjyqtarët e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, deri në perfundimin e mandatit të tyre, përfitojnë edhe:

a) pagesë mujore shtesë për shkak të vështirësisë, sipas pikës 4, të nenit 29, të ligjit nr.84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, në masën 43% mbi pagën mujore;
b) shtesë për vjetërsi sipas shkronjës “c”, të pikës 5, të nenit 12, të ligjit nr.96/2016, “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.

3. Kryetari i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, për pozicionin drejtues përfiton edhe 20% shtesë page mbi pagën mujore të gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese, shtesës për shkak të vështirësisë dhe shtesës për vjetërsi.

Neni 3

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E T A R I
LINDITA NIKOLLA

###

V E N D I M
PËR

PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË LIGJIN NR.8577, DATË 10.2.2000, “PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E GJYKATËS KUSHTETUESE”, TË NDRYSHUAR”

Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Propozimin e projektligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.8577, datë 10.2.2000, “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese”, të ndryshuar”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU 

 

 

 

*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.