Projektligje të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 7 Mars 2018:
P R O J E K T L I GJ
PËR
FONDIN SHQIPTAR PËR ZHVILLIMIN E DIASPORËS
Në mbështetje të neneve 78, 81, pika 1, dhe 83 pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I:
KREU I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
Neni l
Objekti
Ky ligj ka për objekt përcaktimin e rregullave për veprimtarinë, organizimin dhe funksionimin e Fondit Shqiptar për Zhvillimin e Diasporës.
Neni 2
Misioni
Fondi Shqiptar për Zhvillimin e Diasporës ka për mision sigurimin dhe shpërndarjen e mjeteve financiare, në kuadrin e nxitjes së zhvillimit social-ekonomik e kulturor, bazuar në strategjitë e caktuara si prioritare për diasporën si edhe brenda vendit, nëpërmjet promovimit, inkurajimit dhe orientimit të prirjeve filantropike dhe investimeve të diasporës në mbështetje të zhvillimit në Republikën e Shqipërisë e jashtë saj.
Neni 3
Përkufizime
Në këtë ligj, termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:
a) “FSHZHD”, Fondi Shqiptar për Zhvillimin e Diasporës;
b) “Statuti”, akti që parashikon rregullimin e hollësishëm të çështjeve të organizimit, funksionimit dhe të veprimtarisë së FSHZHD-së;
c) “Manuali i procedurave”, manuali i procedurave drejtuese, administrative, financiare dhe teknike të FSHZHD-së;
ç) “Projekt”, projektet ose programet e zhvillimit, që zbatohen nga FSHZHD-ja, të financuara nga donatorë të ndryshëm dhe/ose nga shteti;
d) “Donator”, të gjitha institucionet financiare, bankare e jobankare, kombëtare dhe ndërkombëtare, publike apo private, të vendit dhe të huaja, që financojnë projekte zhvillimi për t’u zbatuar nga FSHZHD-ja;
dh) “Filantropi”, dhënia e kontributit për promovimin e mirëqenies, të zhvillimit socialo-ekonomik të diasporës si edhe brenda vendit;
e) “Donacione”, financime të ardhura për përmbushjen e misionit e të projekteve të realizuara nga FSHZHD-ja, brenda dhe jashtë vendit.
Neni 4
Statusi juridik
1. FSHZHD-ja është person juridik publik, që financohet vetë.
2. FSHZHD-ja gëzon pavarësi drejtuese, administrative, financiare dhe teknike. FSHZHD-ja e ushtron veprimtarinë në përputhje me dispozitat e këtij ligji, me statutin, manualin e procedurave si dhe me kushtet e përcaktuara në marrëveshjet e financimit e të zbatimit të projekteve.
3. FSHZHD-ja është e organizuar si një subjekt juridik publik, me qendër në Tiranë, që ka të drejtë të krijojë filiale kombëtare, sipas kritereve dhe procedurave të përcaktuara në statut.
Neni 5
Objektivat e veprimtarisë
1. FSHZHD-ja shërben si mekanizëm i njohur nga ligji për orientimin e prirjeve filantropike/donacioneve dhe investimeve të anëtarëve të diasporës në përpjekjet për zhvillimin social-ekonomik e kulturor në Republikën e Shqipërisë dhe jashtë saj.
2. Në përmbushjen e misionit të saj FSHZHD-ja udhëhiqet nga këta objektiva kryesorë:
a) Mbështetjen e anëtarëve të diasporës për të mundësuar kontributin e tyre në çështjet arsimore, kulturore, shëndetësore dhe të zhvillimit rural;
b) Forcimin e bashkëpunimit me organizata të tjera jofitimprurëse dhe organizata filantropike, të angazhuara në mënyrë aktive në zhvillimin social-ekonomik e kulturor.
Neni 6
Kompetencat
1. FSHZHD-ja ka për objekt të veprimtarisë hartimin, menaxhimin, financimin, zbatimin dhe mbikëqyrjen e projekteve të lidhura me misionin e saj.
2. Kompetencat kryesore të FSHZHD-së janë:
a) Menaxhimi i projekteve të financuara nga Këshilli i Ministrave dhe/ose donatorë të ndryshëm, që kanë si qëllim nxitjen dhe ndërmjetësimin e filantropisë;
b) Ndërmjetësimi i dhënies dhe i mbështetjes financiare, nëpërmjet filantropisë, për përmirësimin e infrastrukturës social-ekonomike e kulturore në Shqipëri si dhe në diasporë;
c) Kryerja e veprimtarive të ndryshme, në funksion të zbatimit të politikave e të instrumenteve për nxitjen e filantropisë drejt projekteve me impakt zhvillimor në Republikën e Shqipërisë dhe pranë diasporës.
3. FSHZHD-ja bashkëpunon, bashkërendon e harmonizon veprimtaritë me institucionet publike dhe organizmat e tjerë shtetërorë, organizatat e shoqërisë civile dhe organizma të tjerë shoqërorë, që veprojnë në fusha apo sektorë të lidhur me zhvillimin e investimeve në Shqipëri dhe në diasporë.
4. Në menaxhimin e projekteve të financuara nga Këshilli i Ministrave dhe/ose donatorët, në përputhje me objektin e veprimtarisë së këtij fondi, Këshilli i Ministrave mund të kontraktojë me FSHZHD-në, sipas marrëveshjeve përkatëse.
KREU II
KAPITALI DHE BURIMET E FINANCIMIT
Neni 7
Kapitali dhe burimet e financimit
1. Të ardhurat në buxhetin e FSHZHD-së krijohen nga:
a) fondet e përfituara nga marrëveshjet ndërmjet Republikës së Shqipërisë̈, Këshillit të Ministrave, dhe donatorëve të ndryshëm për financimin e projekteve të zbatuara nga FSHZHD-ja;
b) fondet nga buxheti i shtetit;
c) individë e institucione, brenda dhe jashtë Republikës së Shqipërisë, sipas marrëveshjeve përkatëse;
ç) të ardhurat e përfituara nga aktivitetet e veta dhe shërbimet e ofruara;
d) kontributet materiale nga programet dy-e shumëpalëshe si dhe nga persona fizikë dhe organizata të ndryshme jofitimprurëse, që ushtrojnë aktivitet filantropik;
dh) burime të tjera, të lejuara e të njohura nga legjislacioni në fuqi.
2. FSHZHD-ja i përdor të ardhurat e krijuara për financimin e veprimtarive të veta, sipas procedurave të përcaktuara në statut.
KREU III
STRUKTURA, ORGANIZIMI DHE DREJTIMI I FSHZHD-SË
Neni 8
Organet drejtuese
Organet drejtuese të FSHZHD-së janë:
a) Këshilli drejtues;
b) Drejtori ekzekutiv.
Neni 9
Përbërja e këshillit drejtues
1. Këshilli drejtues është organi më i lartë vendimmarrës i FSHZHD-së dhe përbëhet nga 7 (shtatë) anëtarë, si më poshtë vijon:
a) 6 (gjashtë) anëtarë, të cilët zgjidhen nga institucionet e administratës publike sipas fushave përkatëse, në kuadër të projekteve që ka në zbatim FSHZHD-ja;
b) 1 (një) anëtar, përfaqësues i diasporës, i cili zgjidhet nga radhët e anëtarëve të Këshillit Koordinues të Diasporës.
2. Kryetar i këshillit drejtues të FSHZHD-së zgjidhet njëri prej anëtarëve të këshillit drejtues.
3. Kryetari dhe anëtarët e këshillit drejtues të FSHZHD-së emërohen e shkarkohen me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozimin e ministrit të Shtetit për Diasporën.
4. Mandati i kryetarit dhe i anëtarëve të këshillit drejtues është 4 (katër) vjet.
Neni 10
Detyrat e këshillit drejtues
1. Këshilli drejtues ka këto detyra:
a) Miraton drejtimet kryesore të veprimtarisë, si ato financiare, organizative dhe administrative të FSHZHD-së;
b) Miraton statutin dhe manualin e procedurave të FSHZHD-së me 2/3 e votave të numrit të përgjithshëm të anëtarëve;
c) Miraton marrëveshjet e zbatimit dhe/ose të financimit të projekteve si dhe aktivitetet e shërbimit, të cilat do të gjenerojnë të ardhura;
ç) Emëron dhe shkarkon drejtorin ekzekutiv, në mbështetje të nenit 11, të këtij ligji;
d) Mbikëqyr administrimin dhe veprimtarinë e FSHZHD-së;
dh) Miraton strukturën organizative të FSHZHD-së;
e) Miraton kushtet dhe kriteret bazë të marrëdhënieve të punësimit në FSHZHD dhe kategoritë e nivelin e pagave, në përputhje me legjislacionin në fuqi për nivelin e pagave;
ë) Miraton bilancin vjetor, raportet vjetore dhe raportet periodike të veprimtarisë së FSHZHD-së;
f) Miraton buxhetin vjetor të FSHZHD-së;
g) Analizon e miraton raportet e kontrolleve dhe të auditit, të kryera për veprimtarinë e FSHZHD-së;
gj) Miraton rregulloren për funksionimin e këshillit drejtues dhe kriteret për vendimmarrjen, kuorumin e nevojshëm etj;
h) Merr vendime për çështje që lidhen me veprimtarinë e FSHZHD-së dhe miraton dokumentet e nevojshme për ecurinë e kësaj veprimtarie.
2. Këshilli drejtues ka edhe një sekretar, i cili zgjidhet ndërmjet punonjësve të administratës së FSHZHD-së.
3. Mënyra dhe procedurat më të hollësishme të ushtrimit të kompetencave të këshillit drejtues përcaktohen në statutin, manualin e procedurave dhe në rregulloren e funksionimit të tij.
Neni 11
Drejtori ekzekutiv
1. Drejtori ekzekutiv:
a) është autoriteti më i lartë ekzekutiv i FSHZHD-së;
b) përgjigjet përpara këshillit drejtues;
c) emërohet me një shumicë prej 2/3-sh të numrit të përgjithshëm të anëtarëve të këshillit drejtues të FSHZHD-së.
2. Drejtor ekzekutiv zgjidhet personi që:
a) është shtetas shqiptar;
b) ka mbaruar arsimin e lartë në degët ekonomik ose juridik;
c) zotëron kualifikime pasuniversitare të profilit;
ç) ka një përvojë pune mbi 3 vjet në menaxhimin e projekteve të financuara nga donatorë të ndryshëm;
d) zotëron një ose më shumë gjuhë të huaja.
3. Afati i qëndrimit në detyrë të drejtorit ekzekutiv është 5 vjet, me të drejtë rizgjedhjeje.
4. Drejtori ekzekutiv shkarkohet nga detyra para afatit, me një shumicë prej 2/3-sh të numrit të përgjithshëm të anëtarëve të këshillit drejtues të FSHZHD-së, vetëm në rast se:
a) dënohet nga gjykata, me vendim të formës së prerë, për një vepër penale;
b) është në pamundësi fizike ose mendore për të ushtruar funksionet e ngarkuara, për një periudhë mbi gjashtë muaj;
c) shkel rëndë rregullat e etikës së punës, të cilat përcaktohen nga këshilli drejtues në manualin e procedurave të FSHZHD-së;
ç) nuk përmbush detyrat e caktuara sipas nenit 12, të këtij ligji;
d) jep dorëheqjen.
Neni 12
Kompetencat e drejtorit ekzekutiv
1. Të gjitha kompetencat, që nuk specifikohen për këshillin drejtues, i njihen drejtorit ekzekutiv të FSHZHD-së. Në veçanti, drejtori ekzekutiv ka këto kompetenca:
a) Është përfaqësuesi ligjor i FSHZHD-së;
b) Drejton veprimtarinë administrative dhe organizative të FSHZHD-së, ndjek zbatimin e vendimeve të këshillit drejtues dhe udhëzimet që rrjedhin nga statuti;
c) Administron burimet financiare të FSHZHD-së, në përputhje me këtë ligj dhe statutin;
ç) Nënshkruan marrëveshje me donatorë të ndryshëm;
d) Zgjedh dhe emëron personelin, në përputhje me procedurat e konkurrimit të hapur;
dh) Kërkon thirrjen e mbledhjeve të jashtëzakonshme të këshillit drejtues;
e) Kryen të gjitha detyrat e tjera, që i ngarkon ky ligj, statuti dhe manuali i procedurave të FSHZHD-së.
2. Mënyra dhe procedurat e ushtrimit të kompetencave të drejtorit ekzekutiv përcaktohen në statut dhe në manualin e procedurave të FSHZHD-së.
Neni 13
Administrata e FSHZHD-së
1. Veprimtaria e FSHZHD-së mbështetet nga një administratë, e cila funksionon në përputhje me statutin dhe manualin e procedurave të FSHZHD-së.
2. Marrëdhëniet e punës së punonjësve të kësaj administrate rregullohen sipas Kodit të Punës.
Neni 14
Konflikti i interesit
Gjatë veprimtarisë së tyre, punonjësit e FSHZHD-së parandalojnë e shmangin konfliktin e interesave, sipas legjislacionit në fuqi, statutit dhe manualit të procedurave të FSHZHD-së.
KREU IV
DISPOZITA KALIMTARE DHE TË FUNDIT
Neni 15
Krijimi i organeve të para drejtuese
1. Këshilli drejtues dhe drejtori ekzekutiv i FSHZHD-së emërohen jo më vonë se 3 muaj nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji.
2. Statuti dhe manuali i procedurave miratohen nga këshilli drejtues i FSHZHD-së, jo më vonë se 3 muaj nga data e krijimit të këtij këshilli.
Neni 16
Financimi i FSHZHD-së për vitin e parë
FSHZHD-ja, në vitin e parë të krijimit, financohet nga buxheti i shtetit.
Neni 17
Aktet nënligjore
Ngarkohet Këshilli i Ministrave për nxjerrjen e akteve nënligjore në zbatim të pikës 3, të nenit 9, të këtij ligji.
Neni 18
Hyrja në fuqi
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E T A R I
GRAMOZ RUÇI
###
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR FONDIN SHQIPTAR PËR ZHVILLIMIN E DIASPORËS”
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Shtetit për Diasporën, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin e projektligjit “Për Fondin Shqiptar për Zhvillimin e Diasporës”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit bashkëlidhur këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
P R O J E K T L I GJ
PËR
KONTABILITETIN DHE PASQYRAT FINANCIARE
Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I:
KREU I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
Neni 1
Objekti
Ky ligj përcakton parimet dhe rregullat e përgjithshme për hartimin dhe përbërësit e pasqyrave financiare, përcaktimin e standardeve kontabël të zbatueshëm, si dhe mbajtjen e kontabilitetit.
Neni 2
Fusha e zbatimit
Ky ligj zbatohet nga:
a) njësitë ekonomike që kanë qëllime fitimprurëse, pavarësisht nga forma e tyre juridike ose nga kërkesat e veçanta ligjore që mund të zbatohen ndaj tyre.
b) njësitë ekonomike jofitimprurëse, me përjashtim të rasteve kur pasqyrat financiare dhe kontabiliteti i tyre janë subjekt i ligjeve ose i rregullimeve të veçanta.
c) njësitë e qeverisjes së përgjithshme, kur pasqyrat financiare dhe kontabiliteti i tyre nuk janë subjekt i ligjeve apo rregullimeve të veçanta.
Neni 3
Përkufizime
Në kuptim të këtij ligji, me termat e mëposhtëm nënkuptohet:
1. “Mbajtje e kontabilitetit”, regjistrimi kronologjik në ditar dhe në llogari i të gjitha veprimeve dhe fakteve ekonomike që i përkasin një njësie ekonomike.
2. “Sistem kontabël”, sistemi që përdoret për përcaktimin, marrjen në llogari, matjen, klasifikimin dhe paraqitjen e të dhënave financiare të veprimtarisë së një njësie ekonomike.
3. “Standarde kontabël”, parimet ose rregullat e përgjithshme, të shpallura nga organi përgjegjës për normalizimin kontabël, që përcakton ky ligj dhe aktet e dala në zbatim të tij, të cilat shërbejnë si bazë për zgjedhjen e trajtimeve ose të metodave kontabël, që zbatohen për hartimin e pasqyrave financiare.
4. “Standarde Ndërkombëtare të Raportimit Financiar” (SNRF), standardet dhe interpretimet e hartuara dhe të publikuara nga Bordi i Standardeve Ndërkombëtare të Kontabilitetit, të përkthyera në shqip, nën përgjegjësinë e Këshillit Kombëtar të Kontabilitetit, pa ndryshime nga teksti origjinal në gjuhën angleze, të shpallura të detyrueshme për zbatim me urdhër të ministrit përgjegjës për financat.
5. “Standarde Kombëtare të Kontabilitetit” (SKK), standardet e hartuara dhe të publikuara nga Këshilli Kombëtar i Kontabilitetit, të cilat shpallen të detyrueshme për zbatim me urdhër të ministrit përgjegjës për financat.
6. “Njësi ekonomike”, personat juridikë dhe fizikë, publikë dhe privatë, me dhe pa qëllime fitimprurëse, që kryejnë veprimtari dhe kanë seli të përhershme në Republikën e Shqipërisë.
7. “Njësi ekonomike fitimprurëse”, njësitë ekonomike, të cilat prodhojnë dhe realizojnë produkte, mallra e shërbime për shitje, për të realizuar fitime që parashikohen t’u shpërndahen personave investues në kapitalin themeltar të saj.
8. “Njësi të qeverisjes së përgjithshme”, i njëjti kuptim sipas ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.
9. “Njësi ekonomike jofitimprurëse” (OJF), të gjitha njësitë e tjera ekonomike, të cilat nuk plotësojnë përkufizimin sipas pikave 7 dhe 8 apo të njihen si të tilla nga legjislacioni në fuqi.
10. “Njësi ekonomike me interes publik”, i njëjti kuptim sipas ligjit nr.10091, datë 5.3.2009, “Për auditimin ligjor, organizimin e profesionit të audituesit ligjor dhe të kontabilistit të miratuar”, të ndryshuar.
11. “Njësi ekonomike financiare tip “holding””, njësitë ekonomike që kanë për objekt të vetëm marrjen e pjesëve të kapitalit ose aksioneve të njësive të tjera dhe administrimin e këtyre pjesëve dhe aksioneve, për t’i shndërruar në fitim, pa u përfshirë vetë drejtpërdrejt ose tërthorazi në administrimin e këtyre njësive, por pa cenuar të drejtat e tyre si aksionarë.
12. “Grup njësish ekonomike”, grupi i përbërë nga një njësi ekonomike mëmë dhe të gjitha njësitë e kontrolluara prej saj.
13. “Interes në pjesëmarrje”, të drejtat në kapitalin e njësive ekonomike të tjera, pavarësisht nëse paraqiten apo jo me certifikata, të cilat, duke krijuar një lidhje të fortë me këto njësi ekonomike të tjera, kanë për synim të ndihmojnë në veprimtaritë e njësisë ekonomike që i mban këto të drejta. Zotërimi i një pjese të kapitalit të një njësie ekonomike tjetër supozohet se përbën interes në pjesëmarrje kur e kalon pragun prej 20%.
14. “Pasqyra financiare të konsoliduara”, pasqyrat që paraqesin informacionin financiar rreth grupit si një njësi e vetme ekonomike.
15. “Dokument kontabël”, dokumenti bazë, dokumenti plotësues dhe regjistrat (librat) kontabël, që përgatiten në letër të shkruar ose në bartës informatikë:
a) Dokumentet bazë përmbajnë regjistrimet fillestare të çdo ngjarjeje dhe veprimi ekonomik;
b) Dokumentet plotësuese janë bartës të informacionit të marrë nga dokumentet bazë;
c) Regjistrat (librat) kontabël janë bartës të informacionit të regjistruar në mënyrë kronologjike dhe sistematike të efekteve të veprimeve ekonomike të kryera, të marra nga dokumentet bazë ose dokumentet plotësuese.
16. “Bartës informatik”, çdo dokument kontabël i autorizuar nga organet përkatëse, i shkruar në mjete kompjuterike, sipas programeve informatike të pamanipulueshme dhe të printueshme në çdo kohë.
17. “Monedhë funksionale”, monedha e mjedisit ekonomik kryesor në të cilin vepron njësia ekonomike.
18. “Monedhë e paraqitjes”, monedha me të cilën paraqiten pasqyrat financiare të njësisë ekonomike.
19. “Person përgjegjës për hartimin e pasqyrave financiare”, personi i punësuar, personi fizik i licencuar si kontabilist i miratuar apo auditues ligjor, si dhe personi juridik i organizuar si shoqëri auditimi apo shoqëri kontabiliteti, që ofron shërbimin e kontabilitetit sipas kontratës së punës apo kontratës së shërbimit që ka me njësinë ekonomike dhe mban përgjegjësinë për hartimin e pasqyrave financiare.
Neni 4
Kategoritë e njësive ekonomike dhe grupeve
1. Në zbatim të këtij ligji, në varësi të kritereve që përmbushin, njësitë ekonomike klasifikohen në:
1.1. Mikronjësi ekonomike – njësitë ekonomike, që në datën e raportimit nuk tejkalojnë kufijtë e të paktën dy prej tri kritereve të mëposhtme:
a) Aktivi, 15 milionë lekë;
b) Të ardhurat nga veprimtaria ekonomike (qarkullimi), 30 milionë lekë;
c) Numri mesatar i punonjësve gjatë periudhës raportuese, 10.
1.2. Njësi ekonomike të vogla – njësitë ekonomike, jo mikro, që në datën e raportimit nuk tejkalojnë kufijtë e të paktën dy prej tri kritereve të mëposhtme:
a) Aktivi, 150 milionë lekë;
b) Të ardhurat nga veprimtaria ekonomike (qarkullimi), 300 milionë lekë;
c) Numri mesatar i punonjësve gjatë periudhës raportuese, 50.
1.3. Njësi ekonomike të mesme – njësitë ekonomike, jo mikro dhe jo të vogla, që në datën e raportimit nuk tejkalojnë kufijtë e të paktën dy prej tri kritereve të mëposhtme:
a) Aktivi, 750 milionë lekë;
b) Të ardhurat nga veprimtaria ekonomike (qarkullimi), 1500 milionë lekë;
c) Numri mesatar i punonjësve gjatë periudhës raportuese, 250.
1.4. Njësi ekonomike të mëdha – njësitë ekonomike, që në datën e raportimit tejkalojnë kufijtë e të paktën dy prej tri kritereve të mëposhtme:
a) Aktivi, 750 milionë lekë;
b) Të ardhurat nga veprimtaria ekonomike (qarkullimi), 1 500 milionë lekë;
c) Numri mesatar i punonjësve gjatë periudhës raportuese, 250.
2. Në zbatim të këtij ligji, në varësi të kritereve që përmbushin, grupet e njësive ekonomike klasifikohen në:
2.1. Grupe të vogla – grupet e njësive ekonomike, të cilat në datën e raportimit të njësisë mëmë, pas konsolidimit, nuk tejkalojnë kufijtë e të paktën dy prej tri kritereve të mëposhtme:
a) Aktivi, 150 milionë lekë;
b) Të ardhurat nga veprimtaria ekonomike (qarkullimi), 300 milionë lekë;
c) Numri mesatar i punonjësve gjatë periudhës raportuese, 50.
2.2. Grupe të mesme – grupet e njësive ekonomike, që nuk janë të vogla, të cilat në datën e raportimit të njësisë mëmë, pas konsolidimit, nuk tejkalojnë kufijtë e të paktën dy prej tri kritereve të mëposhtme:
a) Aktivi, 750 milionë lekë;
b) Të ardhurat nga veprimtaria ekonomike (qarkullimi), 1 500 milionë lekë;
c) Numri mesatar i punonjësve gjatë periudhës raportuese, 250.
2.3. Grupe të mëdha – grupet e njësive ekonomike, të cilat në datën e raportimit të njësisë mëmë, pas konsolidimit, tejkalojnë kufijtë e të paktën dy prej tri kritereve të mëposhtme:
a) Aktivi, 750 milionë lekë;
b) Të ardhurat nga veprimtaria ekonomike (qarkullimi), 1 500 milionë lekë;
c) Numri mesatar i punonjësve gjatë periudhës raportuese, 250.
3. Në rast se totali i aktivit dhe totali i të ardhurave nga veprimtaria ekonomike në pasqyrat e konsoliduara të grupit llogariten përpara kryerjes së eliminimeve të transaksioneve të njësive brenda grupit, atëherë kufijtë e përcaktuar përkatësisht në pikat 2.1., 2.2. dhe 2.3. të këtij neni rriten me 20%.
4. Kufijtë për kriteret e shumës së aktivit apo të ardhurave nga veprimtaria ekonomike (qarkullimi), të parashikuara në pikat 1 dhe 2 të këtij neni, rriten çdo tre vjet, në mënyrë të përpjesëtuar sipas aneksit 1, pjesë integrale e këtij ligji, me qëllim barazimin në vitin 2028 me kriteret e përcaktuara në Direktivën 2013/34/BE të Parlamentit Evropian.
5. Kur në datën e raportimit një njësi ekonomike ose grup njësish ekonomike i tejkalon ose bie nën kufijtë e dy prej tri kritereve të parashikuara në pikat 1 dhe 2, cenohen klasifikimi sipas këtyre pikave apo standardet kontabël të aplikueshme, vetëm nëse kjo ndodh për dy periudha raportuese radhazi.
6. Pasi të jenë barazuar kufijtë e Direktivës, sipas pikës 3 të këtij neni, për të rregulluar efektet e inflacionit, Këshilli Kombëtar i Kontabilitetit duhet, të paktën një herë në 5 (pesë) vjet, të rishikojë dhe, kur është e nevojshme, të propozojë ndryshimet e kritereve të pikave 1 dhe 2 të këtij neni, bazuar në matjen e inflacionit, të cilat miratohen me urdhër të ministrit përgjegjës për financat.
Neni 5
Standardet kontabël që zbatohen për hartimin e pasqyrave financiare
1. Njësitë ekonomike, subjekt i këtij ligji, me përjashtim të rasteve të parashikuara në pikat 2 dhe 3 të këtij neni, duhet të zbatojnë SKK-të për hartimin e pasqyrave financiare.
2. Njësitë ekonomike me interes publik dhe rregullatorët e njësive ekonomike me interes publik, që veprojnë në fushën e kreditimit dhe sigurimeve, duhet të zbatojnë SNRF-të për hartimin e pasqyrave financiare.
3. Edhe njësitë e tjera ekonomike, përtej atyre të parashikuara në pikën 2 të këtij neni, në mënyrë të vullnetshme, mund të zbatojnë SNRF-të për hartimin e pasqyrave financiare.
KREU II
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME MBI DOKUMENTET KONTABËL DHE PASQYRAT FINANCIARE
Neni 6
Mbajtja e kontabilitetit
Të gjitha njësitë ekonomike, subjekt i këtij ligji, e organizojnë mbajtjen e kontabilitetit dhe raportimin financiar mbi bazën e parimeve dhe metodave që përcaktohen nga Këshilli Kombëtar i Kontabilitetit ose Bordi i Standardeve Ndërkombëtare të Kontabilitetit, në varësi të standardeve kontabël të aplikueshme.
Neni 7
Dokumenti kontabël
1. Regjistrimet kontabël justifikohen me dokumentet kontabël, në formë dokumentare ose informatike, që sigurojnë besueshmërinë e tyre. Dokumenti kontabël mbahet si provë dokumentare gjatë gjithë periudhës kohore të përcaktuar në nenin 8 të këtij ligji.
2. Për çdo regjistrim kontabël duhet të shkruhet origjina, natyra, data dhe përmbajtja e veprimit ose e ngjarjes ekonomike.
Neni 8
Ruajtja e dokumenteve kontabël
1. Dokumentet kontabël ruhen në selinë, ku zhvillohet aktiviteti ekonomik i njësisë ekonomike, për 10 vjet rresht, pas mbylljes së periudhës raportuese së cilës i përkasin, me përjashtim të atyre që, me ligj ose akt tjetër nënligjor, u përcaktohet një afat më i gjatë ruajtjeje. I njëjti afat zbatohet edhe për dokumentet informatike (bartësit) dhe printimet e tyre.
2. Pasqyrat financiare të grupit ruhen nga njësia mëmë.
Neni 9
Periudha raportuese
1. Kohëzgjatja e periudhës raportuese është 12 muaj.
2. Periudha raportuese fillon në datën 1 janar dhe përfundon në datën 31 dhjetor. Përjashtimet për veprimtaritë e veçanta, me propozimin e Këshillit Kombëtar të Kontabilitetit, miratohen nga ministri përgjegjës për financat.
3. Kohëzgjatja e periudhës raportuese, në rastet e nisjes apo mbylljes së aktivitetit, mund të jetë më e shkurtër ose më e gjatë se 12 muaj, por, gjithsesi, nuk mund të jetë më e shkurtër se 3 muaj dhe më e gjatë se 15 muaj.
4. Në rastin kur periudha raportuese do të jetë më e gjatë se 12 muaj, atëherë momenti i fillimit/mbarimit do të jetë jo më herët/vonë se 3-mujori i fundit/i parë i periudhës paraardhëse/pasardhëse.
Neni 10
Gjuha dhe njësia monetare e regjistrave kontabël dhe pasqyrave financiare
1. Regjistrat kontabël mbahen në gjuhën shqipe dhe vlerat shprehen në monedhën funksionale.
2. Pasqyrat financiare paraqiten në gjuhën shqipe dhe vlerat shprehen në njësinë monetare kombëtare.
3. Dokumentet e shprehura në gjuhë dhe/ose në njësi monetare të huaja, të ardhura nga/ose të dërguara për njësitë ekonomike të huaja, që nuk kanë seli të përhershme në Republikën e Shqipërisë, duhet të zbatojnë kërkesat e pikës 1 të këtij neni.
4. Njësitë ekonomike i regjistrojnë veprimet ekonomike:
a) në njësi monetare kombëtare ose në njësi monetare të huaja, kur kjo e fundit është monedha funksionale; ose
b) në njësi monetare të huaja, duke i konvertuar ato në njësi monetare kombëtare, në përputhje me standardet kontabël përkatëse, kur kjo e fundit është monedha funksionale.
5. Pasqyrat financiare mund të paraqiten në shifra të rrumbullakosura, nëse nuk shkaktohet humbje e të dhënave, që kanë ndikim te përdoruesit e këtyre pasqyrave.
KREU III
PËRBËRËSIT E PASQYRAVE FINANCIARE
Neni 11
Qëllimi i pasqyrave financiare
1. Pasqyrat financiare hartohen në mënyrë të qartë, në përputhje me këtë ligj dhe standardet e aplikueshme të raportimit financiar, si dhe paraqesin me vërtetësi dhe besueshmëri pozicionin financiar, performancën financiare, ndryshimet në kapital/aktivet neto dhe flukset e mjeteve monetare të njësive ekonomike.
2. Pasqyrat financiare në këtë ligj u referohen pasqyrave financiare individuale dhe pasqyrave financiare të konsoliduara.
Neni 12
Pasqyrat financiare të konsoliduara
1. Grupet ekonomike, subjekt i këtij ligji, hartojnë pasqyra financiare të konsoliduara.
2. Grupet e vogla përjashtohen nga detyrimi për të hartuar pasqyra financiare të konsoliduara dhe raport drejtimi të konsoliduar, përveç rastit kur ndonjë prej njësive të grupit është njësi ekonomike me interes publik.
3. Njësia ekonomike mëmë dhe të gjitha njësitë e kontrolluara prej saj duhen përfshirë në konsolidim, pavarësisht se ku operojnë dhe ku i kanë selitë njësitë e kontrolluara.
Neni 13
Përbërësit e pasqyrave financiare
1. Pasqyrat financiare vjetore, përveç rasteve që parashikohen në mënyrë specifike nga standardet kombëtare të kontabilitetit apo standardet ndërkombëtare të raportimit financiar, minimalisht duhet të përmbajnë:
a) pasqyrën e pozicionit financiar;
b) pasqyrën e performancës (pasqyrën e të ardhurave dhe të shpenzimeve);
c) shënimet e pasqyrave financiare.
2. Njësitë ekonomike të mesme, të mëdha dhe ato me interes publik, përveç sa parashikohet në pikën 1 të këtij neni, hartojnë edhe pasqyrat, si më poshtë:
a) Pasqyrën e të ardhurave gjithëpërfshirëse;
b) Pasqyrën e flukseve të mjeteve monetare;
c) Pasqyrën e ndryshimeve në kapitalet e veta.
3. Mikronjësitë, ndryshe nga sa parashikohet në pikat 1 dhe 2, duhet të hartojnë:
a) një pasqyrë të shkurtuar të pozicionit financiar;
b) një pasqyrë të shkurtuar të performancës (pasqyrën e të ardhurave dhe të shpenzimeve);
c) shënime të shkurtuara të pasqyrave financiare.
4. Rregullat për mikronjësitë, sipas pikës 3, nuk zbatohen kundrejt njësive ekonomike të investimeve ose njësive ekonomike financiare tip “holding”.
5. Njësitë ekonomike jofitimprurëse (OJF) hartojnë pasqyrat financiare, si më poshtë vijon:
a) Pasqyrën e pozicionit financiar;
b) Pasqyrën e aktiviteteve;
c) Pasqyrën e fluksit të mjeteve monetare;
ç) Shënimet shpjeguese.
Neni 14
Rregullime të veçanta për pasqyrën e pozicionit financiar
1. Kur lejohet që kostot e zhvillimit të përfshihen tek “Aktivet” dhe vlera e tyre nuk është amortizuar plotësisht, nuk lejohet shpërndarja e fitimit, nëse totali i rezervave dhe fitimit të pashpërndarë nuk është të paktën i barabartë me vlerën e paamortizuar të kostove të zhvillimit.
2. Kur fitimi i siguruar nga interesi në pjesëmarrje, njohur në pasqyrën e performancës, tejkalon shumën e dividendit të arkëtuar apo për t’u arkëtuar, diferenca që vendoset në rezerva, nuk u shpërndahet aksionarëve.
Neni 15
Inventari i aktiveve dhe detyrimeve
1. Njësitë ekonomike, subjekt i këtij ligji, duhet të kontrollojnë, të paktën një herë gjatë periudhës raportuese, ekzistencën dhe vlerësimin e aktiveve, të detyrimeve dhe të kapitaleve të veta, nëpërmjet inventarizimit të këtyre elementeve dhe dokumenteve kontabël përkatëse në përputhje me rregulloren e inventarizimit të hartuar nga Këshilli Kombëtar i Kontabilitetit.
2. Organi i drejtimit të njësisë ekonomike mban përgjegjësi për procedurat e ndjekura për inventarizimin e aktiveve dhe detyrimeve, me qëllim paraqitjen me vërtetësi dhe besueshmëri të elementeve të aktivit dhe detyrimeve në pasqyrat financiare.
Neni 16
Shënimet shpjeguese
1. Shënimet shpjeguese, si rregull, paraqiten sipas renditjes me të cilën janë paraqitur zërat në pasqyrën e pozicionit financiar dhe në pasqyrën e performancës.
2. Të gjitha njësitë ekonomike, përtej kërkesave të parashikuara në standardet kontabël të aplikueshme, në shënimet shpjeguese duhet të paraqesin edhe numrin mesatar të punëmarrësve gjatë periudhës raportuese.
3. Njësitë ekonomike të mesme, të mëdha dhe ato me interes publik, përtej kërkesave të parashikuara në pikën 2 të këtij neni apo në standardet kontabël të aplikueshme, në shënimet shpjeguese duhet të paraqesin:
a) shumën e pagave që u jepet për periudhën raportuese anëtarëve të organeve ekzekutive, drejtuese dhe mbikëqyrëse, për shkak të përgjegjësive të tyre dhe çdo angazhim që lind ose merret përsipër në lidhje me pensionet e ish-anëtarëve të këtyre organeve, duke treguar shumën gjithsej për çdo kategori të organit, nëse dhënia e këtij informacioni nuk do të bënte që të identifikohej gjendja financiare e një anëtari konkret të një organi të tillë;
b) numrin mesatar të punëmarrësve gjatë periudhës raportuese, të zbërthyer sipas kategorive dhe, nëse nuk janë paraqitur më vete në pasqyrën e të ardhurave dhe shpenzimeve, kostot e personelit në lidhje me periudhën raportuese, të zbërthyera sipas pagave, kostove të sigurimeve shoqërore dhe kostove të pensionit;
c) emrin dhe selinë për secilën prej njësive ekonomike, në të cilat njësia ekonomike, ose vetë, ose përmes një personi që vepron në emër të tij, por për llogari të njësisë ekonomike, zotëron një interes në pjesëmarrje, duke treguar përqindjen e kapitalit të zotëruar, shumën e kapitalit dhe rezervave dhe fitimin ose humbjen për periudhën më të fundit raportuese të njësisë ekonomike në fjalë për të cilën janë miratuar pasqyra financiare.
Sa më sipër, nuk aplikohet nga njësia ekonomike mëmë në rastet kur:
i. njësia ekonomike, në të cilën njësia ekonomike mëmë zotëron interes në pjesëmarrje, përfshihet në pasqyrat financiare të konsoliduara, të përpiluara nga njësia ekonomike mëmë ose në pasqyrat financiare të konsoliduara të një grupi më të madh njësish ekonomike;
ii. ky interes në pjesëmarrje është trajtuar nga njësia ekonomike mëmë në pasqyrat financiare vjetore të saj;
ç) ekzistencën e ndonjë certifikate pjesëmarrjeje, borxhi të konvertueshëm, të drejte blerjeje aksionesh, opsionesh ose letrash me vlerë apo të drejtash të ngjashme, duke treguar numrin e tyre dhe të drejtat që japin ato;
d) emrin, selinë dhe formën juridike të secilës prej njësive ekonomike tek të cilat njësia ekonomike është ortake me përgjegjësi të pakufizuar;
dh) emrin dhe selinë e njësisë ekonomike që përpilon pasqyrat financiare të konsoliduara të grupit më të madh të njësive ekonomike tek i cili njësia bën pjesë si njësi e kontrolluar;
e) emrin dhe selinë e njësisë ekonomike që përpilon pasqyrat financiare të konsoliduara të grupit më të vogël të njësive ekonomike tek i cili njësia ekonomike bën pjesë si njësi e kontrolluar, e cila është e përfshirë gjithashtu në grupin e njësive ekonomike të përmendura në shkronjën “dh”;
ë) vendin ku mund të merren kopje të pasqyrave financiare të konsoliduara, të përmendura në shkronjat “dh” dhe “e”, me kusht që të jenë të disponueshme.
4. Njësitë ekonomike të mesme, të mëdha dhe ato me interes publik, përtej kërkesave të parashikuara në pikat 2 dhe 3 të këtij neni apo në standardet kontabël të aplikueshme, në shënimet shpjeguese duhet të paraqesin tarifat gjithsej për periudhën raportuese të kërkuara nga secili auditues ligjor apo firmë auditimi lidhur me auditimin ligjor të pasqyrave financiare vjetore dhe tarifat gjithsej të kërkuara nga secili auditues ligjor ose firmë auditimi për shërbime të dhënies së sigurisë, për shërbime këshillimore tatimore dhe për shërbime të tjera jo auditimi.
Neni 17
Raporti i ecurisë së veprimtarisë
1. Njësitë ekonomike, subjekt i këtij ligji, përgatitin raportin e ecurisë së veprimtarisë, i cili, nëpërmjet një analize gjithëpërfshirëse, paraqet në mënyrë të drejtë zhvillimin dhe performancën e njësisë ekonomike, shoqëruar me një përshkrim të risqeve dhe pasigurive kryesore me të cilat njësia mund të përballet. Me qëllim paraqitjen sa më të kuptueshme të zhvillimit, performancës dhe pozicionit të njësisë, raporti duhet të përmbajë treguesit kryesorë të performancës financiare dhe, nëse është e mundur, jofinanciare, të lidhur me aktivitetin, duke përfshirë informacion për çështjet e mjedisit dhe punonjësve. Analiza duhet, kur është e mundur, të përfshijë referenca dhe shpjegime shtesë për shumat e raportuara në pasqyrat financiare të periudhës raportuese.
2. Raporti i ecurisë së veprimtarisë duhet të tregojë gjithashtu edhe:
a) zhvillimet e mundshme, të ardhshme, të njësisë ekonomike;
b) aktivitetet në fushën e kërkimit dhe zhvillimit;
c) informacionet që kanë të bëjnë me marrjen e aksioneve të veta;
ç) ekzistencën e degëve të njësisë ekonomike;
d) për përdorimin e instrumenteve financiare nga ana e njësisë ekonomike dhe kur është materiale për vlerësimin e aktiveve, detyrimeve, pozicionit financiar, fitimit dhe humbjes:
i. politikat dhe objektivat e menaxhimit të riskut financiar;
ii. ekspozimin e njësisë ekonomike ndaj riskut të çmimit, riskut të kreditit, riskut të likuiditetit dhe riskut të flukseve monetare.
3. Përjashtohen nga detyrimi për përgatitjen e raportit të ecurisë së veprimtarisë:
a) mikronjësitë;
b) njësitë e vogla ekonomike, me kushtin që të japin në shënimet shpjeguese të dhënat mbi blerjen e aksioneve të veta;
c) njësitë ekonomike jofitimprurëse, për të cilat shifra e aktivit ose e të ardhurave në pasqyrat financiare nuk tejkalon vlerën 30 milionë lekë.
Neni 18
Raporti jofinanciar
1. Njësitë e mëdha ekonomike, të cilat janë me interes publik dhe e tejkalojnë kriterin e numrit mesatar prej 500 të punësuarish gjatë periudhës raportuese, duhet të përfshijnë në raportin e ecurisë së veprimtarisë një raport jofinanciar, i cili përmban informacionin e nevojshëm për një kuptim më të mirë të zhvillimit të vetë njësisë ekonomike, performancës, pozicionit dhe ndikimin e aktivitetit të saj lidhur me mjedisin, çështjet sociale dhe ato të punësimit, respektimin e të drejtave të njeriut, antikorrupsionin dhe çështje të ryshfetit, duke përfshirë:
a) një përshkrim të shkurtër të modelit të biznesit të njësisë ekonomike;
b) një përshkrim të politikave të ndjekura nga njësia ekonomike në lidhje me këto çështje, përfshirë zbatimin e procesit të kërkimit dhe verifikimit sistematik të saktësisë së pasqyrave financiare (due diligence);
c) përfitimet e këtyre politikave;
ç) riskun kryesor lidhur me çështjet që kanë të bëjnë me aktivitetin e shfrytëzimit të njësisë ekonomike, duke përfshirë, kur është e nevojshme, lidhjet e biznesit, produktet ose shërbimet, të cilat kanë të ngjarë të shkaktojnë ndikim të ndërsjellë dhe se si njësia ekonomike e manaxhon riskun e tyre;
d) treguesit kryesorë të performancës jofinanciare në lidhje me biznese të veçanta.
2. Kur njësia ekonomike nuk ndjek politika në lidhje me një ose disa nga çështjet e mësipërme, raporti jofinanciar duhet të japë një shpjegim të qartë dhe të arsyeshëm se përse është vepruar kështu.
3. Raporti jofinanciar, referuar pikës 1, nëse është e mundur, duhet të japë referenca dhe shpjegime shtesë të vlerave të raportuara në pasqyrat financiare vjetore.
4. Një njësi ekonomike, e cila është njësi e kontrolluar, do të përjashtohet nga detyrimi i parashikuar në pikën 1, nëse kjo njësi ekonomike dhe njësitë e saj bija janë të përfshira në raportin e konsoliduar të ecurisë së veprimtarisë të një njësie tjetër ekonomike.
5. Audituesi ligjor apo shoqëria e auditimit duhet të verifikojnë, në përputhje me Standardet Ndërkombëtare të Auditimit, nëse është hartuar raporti jofinanciar/raporti i konsoliduar jofinanciar.
Neni 19
Raporti i drejtimit të brendshëm
1. Njësitë ekonomike me interes publik përfshijnë në raportin e ecurisë së veprimtarisë një raport për drejtimin e brendshëm të njësisë ekonomike. Ky raport përmban, të paktën, informacionet e mëposhtme:
a) Referimin, si më poshtë, sipas rastit:
i. rregullat/kodet për drejtimin e brendshëm të njësisë ekonomike, objekt i të cilave është njësia;
ii. rregullat/kodet për drejtimin e brendshëm të njësisë ekonomike, që njësia ka vendosur vullnetarisht të zbatojë;
iii. të gjitha informacionet përkatëse për praktikat e drejtimit të brendshëm të njësisë ekonomike që zbatohen përtej kërkesave të legjislacionit.
b) Një përshkrim të tipareve kryesore të sistemeve të kontrollit të brendshëm dhe menaxhimit të riskut të njësisë ekonomike lidhur me raportimin financiar;
c) Përbërjen dhe funksionimin e organeve ekzekutive drejtuese dhe mbikëqyrëse dhe të komiteteve të tyre;
ç) Një përshkrim të politikave të ndryshme të zbatuara lidhur me organet ekzekutive drejtuese dhe mbikëqyrëse të njësisë ekonomike për aspekte të tilla, si: mosha, gjinia apo prejardhja arsimore dhe profesionale, objektivat e këtyre politikave të ndryshme, si janë zbatuar dhe rezultatet për periudhën raportuese.
2. Kur njësia ekonomike nuk vepron sipas rregullave/kodit të drejtimit të brendshëm të shoqërisë që përmendet në pikën 1, shkronja “a”, nënpikat “i” dhe “ii”, njësia ekonomike duhet të japë një shpjegim se cilat janë pjesët e kodit të drejtimit të brendshëm, të cilat nuk i zbaton dhe arsyet për këto shmangie; kur njësia ekonomike ka vendosur të mos bëjë lidhjen me dispozitat e një kodi të drejtimit të brendshëm të përmendur në pikën 1, shkronjën “a”, nënpikat “i” dhe “ii”, ajo shpjegon arsyet për këtë.
3. Njësitë e vogla dhe të mesme ekonomike me interes publik janë të përjashtuara nga detyrimet e parashikuara në pikën 1, shkronja “ç”, të këtij neni.
4. Informacioni i kërkuar nga pika 1 e këtij neni paraqitet si rubrikë më vete e raportit të ecurisë së veprimtarisë dhe publikohet së bashku me raportin e ecurisë së veprimtarisë.
Neni 20
Raporti i konsoliduar i ecurisë së veprimtarisë
1. Njësia ekonomike mëmë, në rastet kur ka për detyrim të hartojë pasqyra financiare të konsolidura, duhet të hartojë edhe raportin e konsoliduar të ecurisë së veprimtarisë, bazuar në kërkesat e neneve 17,18 dhe 19, duke mbajtur në konsideratë rregullimet thelbësore, në mënyrë të atillë që të mundësojë vlerësimin e pozicionit në tërësi të njësive ekonomike të përfshira në konsolidim.
2. Në raportin e konsoliduar të ecurisë së veprimtarisë, rregullimet e informacioneve që kërkojnë nenet 17, 18 dhe 19 duhet të jepen në mënyrën e mëposhtme:
a) Gjatë raportimit të të dhënave për aksionet e veta të rimarra, raporti i konsoliduar i ecurisë së veprimtarisë bën të ditur numrin dhe vlerën nominale ose, në mungesë të vlerës nominale, vlerën kontabël të të gjitha aksioneve të njësisë mëmë që i mban kjo njësi mëmë, njësitë e kontrolluara të saj ose një person që vepron në emër të tij, por për llogari të këtyre njësive. Dhënia e këtyre informacioneve duhet të jepet në shënimet e pasqyrave financiare të konsoliduara;
b) Gjatë raportimit për sistemet e kontrollit të brendshëm dhe menaxhimit të riskut, raporti për drejtimin e brendshëm të njësisë ekonomike përmend karakteristikat kryesore të sistemeve të kontrollit të brendshëm dhe menaxhimit të riskut për njësitë ekonomike të përfshira në konsolidim, të marra në tërësi.
Neni 21
Raportimi i pagesave që u bëhen institucioneve shtetërore
1. Njësitë ekonomike të mëdha dhe të gjitha njësitë ekonomike me interes publik që janë aktive në industrinë nxjerrëse ose shfrytëzimin për lëndë drusore të pyjeve duhet të hartojnë dhe të publikojnë një raport për pagesat që u bëhen institucioneve shtetërore në mënyrë vjetore. Ky raport do të dorëzohet së bashku me raportet e tjera të kërkuara nga dispozitat e këtij ligji.
Njësi ekonomike aktive në industrinë nxjerrëse konsiderohen njësitë që ushtrojnë veprimtari në eksplorimin, kërkimin, zbulimin, zhvillimin dhe nxjerrjen e mineraleve, naftës, gazit natyror apo të tjera, të parashikuara si të tilla nga legjislacioni në fuqi.
2. Në zbatim të këtij neni, njësia ekonomike me interes publik trajtohet si njësi ekonomike e madhe, pavarësisht nga të ardhurat e veprimtaria, aktivi ose numri mesatar i punëmarrësve gjatë periudhës raportuese.
3. Nuk është nevoja që në raport të merret në konsideratë çdo pagesë, qoftë në formë pagese të vetme apo në formë vargu pagesash të lidhura, nëse është nën vlerën 13,5 milionë lekë brenda një periudhe raportuese.
4. Raporti i pagesave jep informacionet e mëposhtme lidhur me veprimtaritë ekonomike, në periudhën raportuese përkatëse:
a) shumën, gjithsej, të pagesave që u bëhen institucioneve shtetërore;
b) shumën, gjithsej, për lloj pagese të mëposhtme:
i. të drejta prodhimi;
ii. tatime sipas legjislacionit tatimor në fuqi;
iii. renta minerare;
iv. dividendë;
v. shpërblime për nënshkrimin, zbulimin dhe prodhimin;
vi. tarifa, taksa dhe pagesa të tjera në lidhje me licenca dhe/ose koncesione;
vii. pagesa për përmirësime të infrastrukturës.
5. Kur një institucioni shtetëror i bëhen pagesa në natyrë, ato raportohen në vlerë dhe, sipas rastit, në vëllim. Jepen shënimet përkatëse për të shpjeguar se si është përcaktuar vlera.
6. Çdo njësi ekonomike e madhe ose çdo njësi ekonomike me interes publik, që është aktive në industrinë nxjerrëse ose në shfrytëzimin për lëndë drusore të pyjeve, nëse është objekt i detyrimit për të përgatitur pasqyra financiare të konsoliduara, duhet të përpilojë edhe një raport të konsoliduar për pagesat që u bëhen institucioneve shtetërore, në përputhje me pikat e mësipërme të këtij neni.
Njësia mëmë konsiderohet se është aktive në industrinë nxjerrëse ose shfrytëzimin e pyjeve, nëse ndonjëra prej njësive ekonomike të kontrolluara prej saj është aktive në industrinë nxjerrëse ose shfrytëzimin e pyjeve.
Raporti i konsoliduar përfshin vetëm pagesat që janë rezultat i operacioneve nxjerrëse dhe/ose operacioneve që lidhen me shfrytëzimin e pyjeve.
7. Detyrimi për të përpiluar raportin e konsoliduar të përmendur në pikën 6 nuk zbatohet për njësinë ekonomike mëmë të një grupi të vogël apo të mesëm, me përjashtim të rastit kur ndonjëra prej njësive ekonomike pjesëmarrëse është njësi ekonomike me interes publik.
8. Në raportin e konsoliduar të pagesave, që u bëhen institucioneve shtetërore, nuk është nevoja të përfshihet një njësi ekonomike, përfshirë edhe një njësi ekonomike me interes publik, kur përmbushet të paktën njëri prej kushteve të mëposhtme:
a) Kufizime të rënda afatgjata e pengojnë ndjeshëm njësinë ekonomike mëmë në ushtrimin e të drejtave të saj mbi aktivet ose administrimin e kësaj njësie ekonomike;
b) Në raste tejet të rralla, kur informacioni i nevojshëm për hartimin e raportit të konsoliduar për pagesat, që u bëhen institucioneve shtetërore në përputhje me këtë nen, nuk mund të merret pa shpenzime joproporcionale ose vonesë të parregullt;
c) Aksionet e kësaj njësie ekonomike mbahen vetëm për rishitjen më pas të tyre.
Përjashtimet e mësipërme zbatohen vetëm nëse janë përdorur në funksion të pasqyrave financiare të konsoliduara.
Neni 22
Depozitimi dhe publikimi i pasqyrave financiare
1. Njësitë ekonomike, brenda 7 muajsh nga data e raportimit, depozitojnë për publikim pranë autoritetit përkatës ku janë regjistruar, pasqyrat financiare vjetore, raportin e ecurisë së veprimtarisë/raportin e konsoliduar të ecurisë së veprimtarisë, raportin e auditimit, në rastet kur përgatitja e këtyre dokumenteve është e detyrueshme, sipas kërkesave të legjislacionit në fuqi.
2. Njësitë ekonomike të mesme, të mëdha dhe ato me interes publik duhet të publikojnë pasqyrat financiare vjetore, raportin e ecurisë së veprimtarisë/raportin e konsoliduar të ecurisë së veprimtarisë, raportin e auditimit, në rastet kur përgatitja e këtyre dokumenteve është e detyrueshme, edhe në faqet e tyre zyrtare të internetit, jo më vonë se 7 muaj nga data e raportimit.
3. Njësitë ekonomike jofitimprurëse, subjekt i këtij ligji, nëse nuk parashikohet ndryshe nga ndonjë dispozitë ligjore, detyrohen të publikojnë pasqyrat financiare vjetore, në faqet e tyre zyrtare të internetit, nëse shifra e aktivit ose e të ardhurave në pasqyrat financiare tejkalon vlerën 30 milionë lekë. Këto njësi duhet të përgatitin një raport të performancës në lidhje me veprimtarinë e tyre, i cili do të publikohet së bashku me pasqyrat financiare vjetore. Formati i këtij raporti dhe udhëzimi për plotësimin e tij hartohen dhe miratohen nga Këshilli Kombëtar i Kontabilitetit.
Neni 23
Përgjegjësitë
1. Organi i drejtimit ekzekutiv të njësisë ekonomike dhe organi mbikëqyrës, në varësi të kompetencave që u njeh ligji, janë përgjegjës solidarë për të siguruar që pasqyrat financiare vjetore dhe raporti i ecurisë së veprimtarisë/raporti i konsoliduar i ecurisë së veprimtarisë të njësisë ekonomike, të hartohen dhe të publikohen në përputhje me kërkesat e këtij ligji, aktet në zbatim të tij dhe standardet e miratuara të kontabilitetit.
2. Auditimi ligjor i pasqyrave financiare nuk e çliron organin e drejtimit ekzekutiv dhe atë mbikëqyrës të njësisë ekonomike nga përgjegjësitë, të parashikuara në pikën 1 të këtij neni.
3. Pasqyrat financiare nënshkruhen nga përfaqësuesi ligjor i njësisë ekonomike dhe personi përgjegjës për hartimin e pasqyrave financiare.
KREU IV
KËSHILLI KOMBËTAR I KONTABILITETIT
Neni 24
Statusi dhe detyrat
1. Këshilli Kombëtar i Kontabilitetit është organizëm profesional publik i pavarur dhe gëzon personalitet juridik.
2. Këshilli Kombëtar i Kontabilitetit ka për detyrë:
a) të hartojë standardet kontabël kombëtare, në përputhje me kërkesat e këtij ligji dhe në koherencë me Standardet Ndërkombëtare të Raportimit Financiar.
Nëse për arsye të legjislacionit dhe të praktikave kontabël, brenda vendit, Këshilli Kombëtar i Kontabilitetit e shikon të nevojshme që të shmanget nga zbatimi i disa standardeve ndërkombëtare, ai e ka autoritetin që ta bëjë një gjë të tillë, vetëm pasi të shpjegojë dhe të justifikojë arsyet e këtij veprimi, pa cenuar kërkesat e përcaktuara në nenin 3, pika 4;
b) të përpunojë një sistem kontabël, ku përveç standardeve kombëtare të kontabilitetit, të përcaktojë rregullat për mbajtjen e kontabilitetit, si dhe formatet për pasqyrat financiare;
c) të evidentojë nevojat dhe të propozojë zgjidhjet për përmirësimin e metodave kontabël për mbajtjen e kontabilitetit dhe për kualifikimet;
ç) të interpretojë dhe të përgjithësojë problemet që dalin nga praktika dhe standardet kontabël, të cilat i paraqet në formën e udhëzimeve kontabël;
d) të shqyrtojë dhe të japë mendime për të gjitha projektligjet dhe projektaktet nënligjore, rregulluese, të cilat përmbajnë dispozita për kontabilitetin, për përgatitjen e llogarive, që lidhen me njësitë ekonomike, subjekte të këtij ligji, si dhe me profesionet me bazë kontabilitetin;
dh) të vendosë marrëdhënie me organizata profesionale vendase e të huaja dhe të marrë pjesë në veprimtaritë kombëtare dhe ndërkombëtare për kontabilitetin;
e) të publikojë në faqen zyrtare të institucionit standardet kombëtare të kontabilitetit dhe standardet ndërkombëtare të raportimit financiar, të detyrueshme për zbatim. Gjithashtu, ka të drejtën të publikojë edhe materiale të tjera, jo të detyrueshme për zbatim, me karakter dhe qëllim informues, në funksion të mbajtjes së kontabilitetit dhe hartimit të pasqyrave financiare;
ë) të botojë standardet kombëtare të kontabilitetit dhe materiale të tjera për zbatim në lidhje me këto standarde;
f) të monitorojë zbatimin e standardeve të kontabilitetit dhe raportimit financiar;
g) të organizojë tryeza të rrumbullakëta, seminare, konferenca dhe të tjera të ngjashme me to, me qëllim rritjen e transparencës përmes përfshirjes së palëve të interesit në procesin e përmirësimit të raportimit financiar, informimin e palëve të interesit për zhvillimet në këtë fushë, si dhe nxitjen e zbatimit korrekt të SKK-ve/SNRF-ve nga njësitë ekonomike.
Neni 25
Përbërja dhe mandati
1. Këshilli Kombëtar i Kontabilitetit përbëhet nga 7 anëtarë, prej të cilëve:
a) një anëtar propozohet nga organizata profesionale e auditimit ligjor;
b) një anëtar propozohet nga shoqatat profesionale të kontabilitetit;
c) një anëtar propozohet nga dhomat e tregtisë (përfaqësues të njësive ekonomike të mëdha ose njësive ekonomike me interes publik) ose nga shoqata e bankave;
ç) tre anëtarë propozohen nga ministria përgjegjëse për financat, ku njëri prej të cilëve është përfaqësues i strukturës përgjegjëse për administrimin e të ardhurave;
d) një anëtar propozohet nga Bordi i Mbikëqyrjes Publike.
2. Anëtarët e Këshillit Kombëtar të Kontabilitetit mandatohen me urdhër të ministrit përgjegjës për financat.
3. Anëtarët e Këshillit Kombëtar të Kontabilitetit kanë mandat 4-vjeçar dhe mund të rimandatohen vetëm një herë me miratimin e ministrit përgjegjës për financat.
4. Kandidatët për anëtarë të Këshillit Kombëtar të Kontabilitetit duhet të jenë persona me edukim në fushën e kontabilitetit dhe/ose financës, si dhe ekspertë në teorinë dhe metodologjinë e kontabilitetit ose praktikues në fushën e kontabilitetit.
5. Anëtarët e Këshillit Kombëtar të Kontabilitetit, për realizimin e detyrave, angazhohen me kohë jo të plotë pune.
6. Veprimtarinë e Këshillit Kombëtar të Kontabilitetit e mbështet një strukturë administrative me personel të punësuar. Struktura, organika, pagat për të punësuarit dhe honoraret e anëtarëve të këtij këshilli miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
7. Anëtarit të Këshillit Kombëtar të Kontabilitetit i hiqet mandati para përfundimit të tij, me propozimin e Këshillit Kombëtar të Kontabilitetit, me urdhër të ministrit përgjegjës për financat, vetëm në rastet kur ai:
a) vdes;
b) jep dorëheqjen;
c) bëhet i paaftë për shkak sëmundjeje;
ç) kryen një vepër penale;
d) nuk përmbush kërkesat e caktuara në rregulloren e brendshme të Këshillit Kombëtar të Kontabilitetit.
Neni 26
Organizimi dhe funksionimi
1. Organizimi dhe funksionimi i Këshillit Kombëtar të Kontabilitetit, kërkesat e posaçme që duhet të përmbushë një kandidat për të qenë anëtar i këshillit, procedurat e përzgjedhjes dhe rastet e shkarkimit të anëtarëve, procedurat për hartimin e standardeve kontabël kombëtare dhe të produkteve të tjera, të realizuara nga anëtarët e këtij këshilli ose të tretët, përcaktohen në rregulloren e funksionimit të tij, e cila miratohet nga Këshilli i Ministrave.
2. Kryetari dhe nënkryetari i Këshillit Kombëtar të Kontabilitetit zgjidhen nga anëtarët e këshillit, sipas procedurave të përcaktuara në rregulloren e brendshme.
Neni 27
Raportimi
1. Këshilli Kombëtar i Kontabilitetit raporton me shkrim pranë ministrit përgjegjës për financat, brenda 3-mujorit të parë të vitit pasardhës, në lidhje me veprimtarinë vjetore të tij.
2. Raporti, sipas pikës 1 të këtij neni, ku trajtohen me hollësi edhe problemet e konstatuara gjatë monitorimeve në lidhje me përgatitjen e pasqyrave financiare, si dhe zgjidhjet e sugjeruara, i dërgohet për informacion Bordit të Mbikëqyrjes Publike, brenda afatit të pikës 1.
3. Raporti vjetor publikohet në faqen zyrtare të Këshillit Kombëtar të Kontabilitetit brenda afatit të përcaktuar në pikën 1 të këtij neni.
Neni 28
Burimet e financimit
1. Veprimtaria e Këshillit Kombëtar të Kontabilitetit financohet nga buxheti i shtetit. Ai ka të drejtë të përdorë edhe të ardhurat që realizon nga punët që kryen.
2. Këshilli Kombëtar i Kontabilitetit mund të përdorë financime, donacione apo sponsorizime nga subjektet dhe organizmat financiarë dhe profesionalë vendas e të huaj, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Neni 29
Shkeljet dhe dënimet
Mosrespektimi i kërkesave të këtij ligji, në varësi të dëmit të shkaktuar, është objekt i masave administrative, civile ose penale, sipas legjislacionit në fuqi.
KREU V
DISPOZITA KALIMTARE DHE TË FUNDIT
Neni 30
Aktet nënligjore
Ngarkohet Këshilli i Ministrave që, brenda 6 muajve nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji, të miratojë aktet nënligjore të përcaktuara në nenet 25, pika 6, dhe 26, pika 1, të këtij ligji.
Neni 31
Dispozita kalimtare
1. Pavarësisht nga përcaktimet e bëra në nenin 25, pikat 1 dhe 2, hyrja në fuqi e këtij ligji nuk cenon mandatet e papërfunduara të anëtarëve të Këshillit Kombëtar të Kontabilitetit, të cilët vazhdojnë të jenë pjesë e tij deri në miratimin e rregullores së funksionimit të tij sipas nenit 26, pika 1, dhe nxjerrjes së urdhrit të ministrit përgjegjës për financat sipas nenit 25, pika 2.
Në rast rimandatimi, sipas nenit 25, pika 3, të këtij ligji, kufizimet e ripërtëritjes së mandateve të anëtarëve të Këshillit Kombëtar të Kontabilitetit llogariten që nga koha kur organi përkatës është ngritur dhe ka funksionuar për herë të parë.
2. Pavarësisht nga përcaktimet e bëra në nenin 25, pika 6, hyrja në fuqi e këtij ligji nuk cenon/ndërpret marrëdhëniet e punësimit të strukturës administrative që mbështet Këshillin Kombëtar të Kontabilitetit.
3. Me hyrjen në fuqi të këtij ligji, Këshilli Kombëtar i Kontabilitetit merr masat e nevojshme për rishikimin e standardeve kontabël, sipas kërkesave të këtij ligji.
Neni 32
Shfuqizime
Ligji nr.9228, datë 29.4.2004, “Për kontabilitetin dhe pasqyrat financiare”, i ndryshuar, si dhe aktet që bien në kundërshtim me dispozitat e këtij ligji, shfuqizohen.
Neni 33
Hyrja në fuqi
Ky ligj hyn në fuqi në datën 1 janar të vitit 2019.
K R Y E T A R I
GRAMOZ RUÇI
###
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR KONTABILITETIN DHE PASQYRAT FINANCIARE”
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin e projektligjit “Për kontabilitetin dhe pasqyrat financiare”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.