Projektligje të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 8 Mars 2023:
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR PRANIMIN E PROTOKOLLIT PËR NDRYSHIMIN E MARRËVESHJES SË MARRAKESHIT PËR THEMELIMIN E ORGANIZATËS BOTËRORE TË TREGTISË, MARRËVESHJA PËR SUBVENCIONET E PESHKIMIT”
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, e 100, të Kushtetutës, dhe të nenit 18, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë dhe të ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin e projektligjit “Për pranimin e protokollit për ndryshimin e marrëveshjes së Marrakeshit për themelimin e Organizatën Botërore të Tregtisë, marrëveshja për subvencionet e peshkimit”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
###
P R O J E K T L I GJ
PËR
PRANIMIN E PROTOKOLLIT PËR NDRYSHIMIN E MARRËVESHJES SË MARRAKESHIT PËR THEMELIMIN E ORGANIZATËS BOTËRORE TË TREGTISË, MARRËVESHJA PËR SUBVENCIONET E PESHKIMIT
Në mbështetje të neneve 78, 83, pika 1, dhe 121, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I:
Neni 1
Pranimin e protokollit për ndryshimin e marrëveshjes së Marrakeshit për themelimin e Organizatës Botërore të Tregtisë, marrëveshja për subvencionet e peshkimit, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij ligji dhe është pjesë përbërëse e tij.
Neni 2
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E T A R I
LINDITA NIKOLLA
***
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR RATIFIKIMIN E MARRËVESHJES SË HUAS, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË (HUAMARRËSI), PËRFAQËSUAR NGA MINISTRIA E FINANCAVE DHE EKONOMISË, DHE KFW FRANKFURT AM MAIN (KFW) E FONDIT SHQIPTAR TË ZHVILLIMIT (FSHZH), (“AGJENCIA E ZBATIMIT TË PROJEKTIT”), PËR PROJEKTIN “ZHVILLIMI I INTEGRUAR RAJONAL””
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, e 100, të Kushtetutës, dhe të nenit 17, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave,
V E N D O S I:
Propozimin e projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë (Huamarrësi), përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, dhe KfW Frankfurt am Main (KfW) e Fondit Shqiptar të Zhvillimit (FSHZH), (“Agjencia e zbatimit të projektit”), për projektin “Zhvillimi i integruar rajonal””, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
###
P R O J E K T L I GJ
PËR
RATIFIKIMIN E MARRËVESHJES SË HUAS, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË (HUAMARRËSI), PËRFAQËSUAR NGA MINISTRIA E FINANCAVE DHE EKONOMISË, DHE KFW FRANKFURT AM MAIN (KFW) E FONDIT SHQIPTAR TË ZHVILLIMIT (FSHZH), (“AGJENCIA E ZBATIMIT TË PROJEKTIT”), PËR PROJEKTIN “ZHVILLIMI I INTEGRUAR RAJONAL”
Në mbështetje të neneve 78, 83, pika 1, dhe 121, pika 1, shkronja “ç”, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I:
Neni 1
Ratifikimin e marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë (Huamarrësi), përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, dhe KfW, Frankfurt am Main (KfW) e Fondit Shqiptar të Zhvillimit (FSHZH), (Agjencia e zbatimit të projektit), për projektin “Zhvillimi i integruar rajonal”, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij ligji dhe është pjesë përbërëse e tij.
Neni 2
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E T A R I
LINDITA NIKOLLA
***
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË LIGJIN NR.74/2014, “PËR ARMËT”, TË NDRYSHUAR”
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin e projektligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.74/2014, “Për armët”, të ndryshuar”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
###
P R O J E K T L I GJ
PËR
DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË LIGJIN NR.74/2014, “PËR ARMËT”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I:
Në ligjin nr.74/2014, “Për armët”, të ndryshuar, bëhen këto shtesa dhe ndryshime:
Neni 1
Shkronja “dh”, e pikës 1, të nenit 14, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“dh) licencë për tregtimin e armëve të kategorisë “B” dhe për import dhe tregtim të armëve të kategorisë “C” (gjahut) dhe “D” (sportive), pjesëve kryesore dhe municioneve të tyre.”.
Neni 2
Në nenin 18/2 bëhen ndryshimi dhe shtesa e mëposhtme:
1. Titulli i nenit ndryshohet dhe zëvendësohet me “Licenca për tregtimin e armëve të kategorisë “B” dhe për import dhe tregtim të armëve të gjahut, sportive, pjesëve kryesore dhe municioneve të tyre.”.
2. Pas pikës 1 shtohet pika 1/1, më këtë përmbajtje:
“1.1 Për veprimtarinë e tregtimit të armëve të kategorisë “B”, pjesëve kryesore dhe municoneve të tyre, që përfshihen në fushën e veprimit të këtij ligji, lëshohet licencë nga komisioni përgjegjës në Policinë e Shtetit.”.
3. Në pikën 2, fjala “… këtë …” zëvendësohet me “… këto …”.
Neni 3
Në pikën 1, të nenit 19, pas fjalës “… transportit …” shtohet “… tregtimit …”.
Neni 4
Hyrja në fuqi
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E T A R I
LINDITA NIKOLLA
***
P R O J E K T L I GJ
PËR
DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË LIGJIN NR.80/2020, “PËR POLICINË E BURGJEVE”
Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I:
Në ligjin nr.80/2020, “Për Policinë e Burgjeve”, bëhen këto shtesa dhe ndryshime:
Neni 1
Në nenin 14 bëhen ndryshimet e mëposhtme:
1. Pika 1 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“1. Punonjësi i Policisë së Burgjeve ka të drejtë të mbajë armë dhe pajisje të tjera kufizuese. Llojet e armatimit, të lëndëve neuroparalizuese dhe të mjeteve të tjera të përdorimit të forcës nga Policia e Burgjeve përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.”.
2. Pika 2 shfuqizohet.
Neni 2
Pas nenit 18 shtohet neni 18/1, me këtë përmbajtje:
“Neni 18/1
E drejta për përfitim kredie me kushte lehtësuese
1. Punonjësi i Policisë së Burgjeve përfiton kredi për strehim me kushte lehtësuese.
2. Kriteret dhe procedura për përfitimin e kredisë me kushte lehtësuese dhe masa e saj përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.”.
Neni 3
Në pikën 1, të nenit 29, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
1. Shkronja “d” ndryshohet, si më poshtë vijon:
“d) të mos jetë dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë:
i. për një vepër penale të kryer me dashje, për të cilën nuk është rehabilituar;
ii. për një vepër penale të kryer me pakujdesi, për të cilën nuk është rehabilituar dhe që cenon figurën dhe integritetin Policisë së Burgjeve;
iii. për një vepër penale të kryer me dashje, për të cilën është rehabilituar, kur vepra penale cenon figurën dhe integritetin e Policisë së Burgjeve;”.
2. Pas shkronjës “d” shtohet shkronja “d/1”, me këtë përmbajtje”:
“d/1) ndaj tij nuk është caktuar masa e sigurimit personal “arrest në burg” ose “arrest në shtëpi” për kryerjen e një vepre penale ose nuk ka marrë cilësinë e të pandehurit për një krim të kryer me dashje.”.
3. Shkronja “ë” shfuqizohet.
Neni 4
Pas pikës 2, të nenit 42, shtohet pika 2/1, me këtë përmbajtje:
“2/1. Përjashtimisht, punonjësi i rolit bazë, pavarësisht gradës, mund të marrë gradën “nënkomisar” kur plotëson kushtet e mëposhtme:
a) Zotëron një diplomë të ciklit të dytë, të lëshuar nga institucionet e arsimit të lartë të licencuara dhe të akredituara sipas dispozitave në fuqi në kohën e lëshimit të diplomës ose të zotërojë një diplomë të të njëjtit cikël, të lëshuar nga një institucion i huaj i arsimit të lartë, të njohur e të njësuar pranë ministrisë përgjegjëse për arsimin;
b) Është punonjës i rolit bazë për jo më pak se 2 vjet;
c) Ka përfunduar me sukses trajnimin profesional për marrjen e gradës “nënkomisar”;
ç) Ka vlerësim vjetor pozitiv të punës për periudhën që ka qëndruar në gradën që mban;
d) Është shpallur fitues në procedurat konkurruese për ngritjen në gradë “nënkomisar”.”
Neni 5
Neni 51 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Neni 51
Pezullimi
“1. Punonjësi i Policisë së Burgjeve pezullohet nga detyra kur:
a) ndaj tij caktohet masa e sigurimit personal “arrest në burg” ose “arrest në shtëpi” për kryerjen e një vepre penale; ose,
b) merr cilësinë e të pandehurit për një krim të kryer me dashje.
2. Gjatë periudhës së pezullimit, punonjësi përfiton 50% të pagës për gradë.
3. Kur punonjësi i Policisë së Burgjeve shpallet i pafajshëm me vendim gjyqësor të formës së prerë, rikthehet në punë dhe kompensohet për pjesën e mbetur të pagës, që duhej të përfitonte nëse nuk do të ishte pezulluar.”.
Neni 6
Neni 55 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Neni 55
Rikthimi dhe përparësia për pranim në strukturat e Policisë së Burgjeve
1. Rikthimi në Policinë e Burgjeve mund të bëhet në çdo kohë vetëm për nevoja të Policisë së Burgjeve dhe nëse personi plotëson kërkesat e mëposhtme:
a) Është liruar nga Policia e Burgjeve me kërkesën e tij, për shkak të shkurtimit të funksionit ose për shkak të punësimit në struktura të tjera të administratës publike;
b) Plotëson kriteret ligjore dhe profesionale të pozicionit të punës.
2. Kriteret për rikthimin në Policinë e Burgjeve vlerësohen nga struktura përgjegjëse për burimet njerëzore në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve, e cila përgatit raportin përfundimtar mbi përshtatshmërinë ose jo të kandidatit.
3. Punonjësi kandidat rikthehet në Policinë e Burgjeve në gradën që ka pasur para lirimit. Në rast të mungesës së vendit vakant me gradën e mëparshme dhe me pëlqimin e tij, ai pranohet në pozicion pune me gradë më të ulët.
4. Kanë përparësi për pranimin në Policinë e Burgjeve shtetasit që kanë përvojë pune në Policinë e Shtetit, Gardën e Republikës, Forcat e Armatosura dhe që plotësojnë kriteret e mëposhtme:
a) Janë liruar nga detyra me kërkesën e tyre ose janë liruar nga detyra për shkak të shkurtimit të funksionit;
b) Plotësojnë kriteret ligjore dhe profesionale të pozicionit të punës.
5. Kriteret për përparësinë në pranimin në Policinë e Burgjeve vlerësohen nga struktura përgjegjëse për burimet njerëzore në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve, e cila përgatit raportin përfundimtar mbi përshtatshmërinë ose jo të kandidatit.
6. Punonjësi kandidat pranohet në Policinë e Burgjeve në gradën që ka pasur para lirimit. Në rast të mungesës së vendit vakant me gradën e mëparshme dhe me pëlqimin e tij, ai pranohet në pozicion pune me gradë më të ulët.
7. Punonjësit e rolit bazë dhe të mesëm emërohen nga drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve mbi bazën e propozimit të drejtorit të Policisë së Burgjeve dhe punonjësit e rolit të lartë drejtues emërohen nga ministri i Drejtësisë, bazuar në propozimin e drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve.
8. Këshilli i Ministrave, me propozim të ministrit të Drejtësisë, ministrit të Mbrojtjes dhe të ministrit përgjegjës për çështjet e rendit dhe të sigurisë publike, miraton ekuivalentimin e gradave të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, Policisë së Shtetit dhe Gardës së Republikës me Policinë e Burgjeve.”.
Neni 7
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E T A R I
LINDITA NIKOLLA
###
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË LIGJIN NR.80/2020, “PËR POLICINË E BURGJEVE””
Në mbështetje neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin e projektligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.80/2020, “Për Policinë e Burgjeve”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse e tij.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA