Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave
Projektligje të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 9 mars 2016:
 
V E N D I M
PËR
 
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR FALJEN E DETYRIMEVE QË KANË ISH-USHTARAKËT NË SKEMËN E PENSIONEVE SUPLEMENTARE, NGA RILLOGARITJA E PENSIONEVE, NË ZBATIM TË LIGJIT NR.10142, DATË 15.5.2009, “PËR SIGURIMIN SHOQËROR SUPLEMENTAR TË USHTARAKËVE TË FORCAVE TË ARMATOSURA, TË PUNONJËSVE TË POLICISË SË SHTETIT, TË GARDËS SË REPUBLIKËS, TË SHËRBIMIT INFORMATIV TË SHTETIT, TË POLICISË SË BURGJEVE, TË POLICISË SË MBROJTJES NGA ZJARRI DHE TË SHPËTIMIT E TË PUNONJËSVE TË SHËRBIMIT TË KONTROLLIT TË BRENDSHËM NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË”, TË NDRYSHUAR”
 
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, ministrit të Mbrojtjes dhe ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave
 
V E N D O S I:
 
Propozimin e projektligjit “Për faljen e detyrimeve që kanë ish-ushtarakët në skemën e pensioneve suplementare, nga rillogaritja e pensioneve, në zbatim të ligjit nr.10142, datë 15.5.2009, “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura, të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit Informativ të Shtetit, të Policisë së Burgjeve, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit e të punonjësve të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.
 
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
     
K R Y E M I N I S T R I
 
EDI RAMA
 
Në mungesë dhe me porosi
 
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
 
NIKO PELESHI  
 
###
 
P R O J E K T L I GJ
 
PËR
 
FALJEN E DETYRIMEVE QË KANË ISH-USHTARAKËT  NË SKEMËN E PENSIONEVE SUPLEMENTARE, NGA RILLOGARITJA E PENSIONEVE, NË ZBATIM TË LIGJIT NR.10142, DATË 15.5.2009, “PËR SIGURIMIN SHOQËROR SUPLEMENTAR TË USHTARAKËVE TË FORCAVE TË ARMATOSURA, TË PUNONJËSVE TË POLICISË SË SHTETIT, TË GARDËS SË REPUBLIKËS, TË SHËRBIMIT INFORMATIV TË SHTETIT, TË POLICISË SË BURGJEVE, TË POLICISË SË MBROJTJES NGA ZJARRI DHE TË SHPËTIMIT E TË PUNONJËSVE TË SHËRBIMIT TË KONTROLLIT  TË BRENDSHËM NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË”, TË NDRYSHUAR
 
Në mbështetje të neneve 78, 83, pika 1, dhe 155, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
 
V E N D O S I:
 
Neni 1
 
Falen detyrimet e papaguara, që kanë rrjedhur nga rillogaritja e pensionit të parakohshëm, bazuar në përcaktimet e ligjit nr.10142, datë 15.5.2009, “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura, të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit Informativ të Shtetit, të Policisë së Burgjeve, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit e të punonjësve të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, sipas gjendjes së tyre në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji.
 
Neni 2
 
Detyrimet e ushtarakëve, që janë krijuar si pasojë e zbatimit të vendimeve gjyqësore të formës së prerë, për njohje të masës së përfitimit pas datës 1.7.2009, në kundërshtim me formulën e llogaritjes së pensionit të parakohshëm, të përcaktuar sipas ligjit nr.10142, datë 15.5.2009, “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura, të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit Informativ të Shtetit, të Policisë së Burgjeve, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit e të punonjësve të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, nuk falen. 
 
Neni 3
 
Falen detyrimet që do të krijohen si pasojë e rillogaritjes së pensioneve, sipas dispozitave të ligjit nr.10142, datë 15.5.2009, “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura, të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit Informativ të Shtetit, të Policisë së Burgjeve, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit e të punonjësve të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, për ata ushtarakë, për të cilët rillogaritja nuk është kryer deri në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji.
 
Neni 4
 
Brenda 3 muajve, pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, Ministria e Mbrojtjes dhe Ministria e Punëve të Brendshme të paraqesin dokumentacionin e nevojshëm për rillogaritjen e përfitimeve. Me përfundimin e këtij afati, detyrimet që rrjedhin nga rillogaritja nuk falen.
 
Neni 5
 
Ngarkohen Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë dhe Instituti i Sigurimeve Shoqërore për zbatimin e këtij ligji. Procedurat e zbatimit të faljes së detyrimeve të papaguara miratohen nga Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë dhe zbatohen nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore.
 
Neni 6
 
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
 
K R Y E T A R I
 
ILIR META
 
* * *
V E N D I M
PËR
 
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR ADERIMIN E REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË NË MARRËVESHJEN E FINANCIMIT, NDËRMJET QEVERISË SË MALIT TË ZI DHE KOMISIONIT EVROPIAN,  PËR PROGRAMIN E VEPRIMIT TË BASHKËPUNIMIT NDËRKUFITAR MALI I ZI – SHQIPËRI 2014-2020, ALOKIMI  I VITIT 2014, NË KUADËR TË INSTRUMENTIT TË ASISTENCËS     SË PARA-ADERIMIT IPA II”
 
Në mbështetje të nenit 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Integrimit Evropian, Këshilli i Ministrave
 
V E N D O S I:
 
Propozimin e projektligjit “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në marrëveshjen e financimit, ndërmjet qeverisë së Malit të Zi dhe Komisionit Evropian, për programin e veprimit të bashkëpunimit ndërkufitar Mali i Zi – Shqipëri 2014-2020, alokimi i vitit 2014, në kuadër të Instrumentit të Asistencës së Para-Aderimit IPA II”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë,  sipas tekstit dhe relacionit bashkëlidhur këtij vendimi.
 
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
 
K R Y E M I N I S T R I 
 
EDI RAMA
 
Në mungesë dhe me porosi
 
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
 
NIKO PELESHI  
 
###
 
P R O J E K T L I GJ
PËR 
 
ADERIMIN E REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË NË MARRËVESHJEN E FINANCIMIT, NDËRMJET QEVERISË SË MALIT TË ZI DHE KOMISIONIT EVROPIAN, PËR PROGRAMIN E VEPRIMIT TË BASHKËPUNIMIT NDËRKUFITAR MALI I ZI – SHQIPËRI 2014-2020, ALOKIMI I VITIT 2014, NË KUADËR TË INSTRUMENTIT TË ASISTENCËS SË PARA-ADERIMIT IPA II
 
Në mbështetje të neneve 78, 83, pika 1, dhe 121, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
 
V E N D O S I:
 
Neni 1
 
Aderimin e Republikës së Shqipërisë në marrëveshjen e financimit, ndërmjet qeverisë së Malit të Zi dhe Komisionit Evropian, për programin e veprimit të bashkëpunimit ndërkufitar Mali i Zi – Shqipëri 2014-2020, alokimi i vitit 2014, në kuadër të Instrumentit të Asistencës së Para-Aderimit IPA II, bërëmë 28.12.2015.
 
Neni 2
 
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.  
 
K R Y E T A R I
 
 
ILIR META
 
* * *
 
V E N D I M
 
PËR
 
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË LIGJIN NR.8528, DATË 23.9.1999, “PËR NXITJEN DHE MBROJTJEN E TË USHQYERIT ME GJI”, TË NDRYSHUAR”
 
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e  ministrit të Shëndetësisë, Këshilli i Ministrave
 
V E N D O S I:
 
Propozimin e projektligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.8528, datë 23.9.1999, “Për nxitjen dhe mbrojtjen e të ushqyerit me gji”, të ndryshuar”,për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.
 
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
 
 
K R Y E M I N I S T R I 
EDI RAMA
 
Në mungesë dhe me porosi
 
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
 
NIKO PELESHI  
### 
P R O J E K T L I GJ
 
PËR
 
DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË LIGJIN NR.8528,  DATË 23.9.1999, “PËR NXITJEN DHE MBROJTJEN E TË USHQYERIT ME GJI”, TË NDRYSHUAR 
 
Në mbështetje të neneve 78 e 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
 
V E N D O S I:
 
Në ligjin nr.8528, datë 23.9.1999, “Për nxitjen dhe mbrojtjen e të ushqyerit me gji”, të ndryshuar, bëhen shtesat dhe ndryshimet, si më poshtë vijon:
 
Neni 1
 
Në nenin 2 bëhen këto shtesa:  
 
a) Në shkronjën “ç” shtohet një paragraf, me këtë përmbajtje:
 
“- shishet ushqyese dhe biberonat.” 
 
b) pas shkronjës “dh” shtohet shkronja “e”, me këtë përmbajtje:
 
“e. “Tregtim”, promovimi, shpërndarja, shitja, reklama, marrëdhëniet me publikun dhe informimi për zëvendësuesit e qumshtit të gjirit.”. 
 
Neni 2
 
Në nenin 4 bëhen këto ndryshime:
a) Pas fjalëve “… neni 2, shkronja “ç” shtohen fjalët “… edhe nëpërmjet internetit e mediave sociale…”;
b) Pas fjalës “… dhurata…” shtohen fjalët “… kampione të produkteve të caktuara…”. 
 
Neni 3
 
Në shkronjën “a”, të nenit 5, para fjalës “… shes…” shtohen fjalët “… dhuroj ose…”.
 
Neni 4
 
Në nenet 7, 8 e 9 shtohet, përkatësisht, një paragraf, me këtë përmbajtje:
 
“Mënyra e paraqitjes, formati dhe përmbajtja e etiketimit të produkteve të përcaktuara në këtë nen miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave.”. 
 
Neni 5 
 
Neni 11 riformulohet, si më poshtë vijon:
 
“Neni 11
 
1. Prodhuesit dhe shpërndarësit e produkteve të caktuara nuk lejohen të prodhojnë ose të shpërndajnë materiale informative ose edukative për ushqyerjen e foshnjës dhe fëmijës, përfshirë edhe informacionet që i adresohen publikut të gjerë.
  
2. Elementet kryesorë të përmbajtjes së materialeve edukative dhe informuese për ushqyerjen e foshnjës dhe fëmijës, përfshirë informacionet që i adresohen publikut të gjerë, miratohen me urdhër të ministrit përgjegjës për shëndetësinë.
 
3. Elementet kryesorë të materialeve informative, për produkte të caktuara, në adresë të profesionistëve të shëndetësisë, miratohen me urdhër të ministrit përgjegjës për shëndetësinë.
 
4. Çdo informacion edukues dhe informues miratohet, paraprakisht, nga struktura përkatëse e ministrisë përgjegjëse për shëndetësinë.”.
 
Neni 6
 
Neni 13 riformulohet, si më poshtë vijon:
“Neni 13
 
Shkeljet e dispozitave të këtij ligji, kur nuk përbëjnë vepër penale, përbëjnë kundërvajtje administrative dhe dënohen me gjobë, si më poshtë vijon:
 
a) Shkelja e nenit 3, shitja e produkteve që nuk janë regjistruar në përputhje me ligjet në fuqi, shitja e produkteve që kanë kaluar datën e skadimit ose shitja e produkteve që nuk janë në mbajtset e tyre origjinale, dënohen me gjobë 100 000 (njëqind mijë) lekë dhe, në rast përsëritjeje, propozohet heqja e licencës së dhënë nga organet kompetente;
b) Shkelja e nenit 4, nga ana e prodhuesve dhe shitësve, dënohet me gjobë nga 100 000 (njëqind mijë) deri në 200 000 (dyqind mijë) lekë;
c) Shkelja e nenit 5, nga ana e prodhuesve dhe shitësve, dënohet me gjobë nga 100 000 (njëqind mijë) deri në 200 000 (dyqind mijë) lekë, në varësi të shkeljeve të përcaktura në këtë nen.
ç) Shkelja e nenit 6, nga punonjësit e shëndetësisë që punojnë në institucione shëndetësore publike ose private, dënohet me gjobë 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë dhe, në rast përsëritjeje, propozohet masa “Largim nga detyra”;
d) Shkelja e neneve 7, 8 e 9, nga prodhuesit, shpërndarësit ose shitësit dënohet me gjobë 200 000 (dyqind mijë) lekë dhe, në rast përsëritjeje, propozohet heqja e licencës së dhënë nga organet kompetente.
 
Masa e gjobës është dënim kryesor, kur parashikohet si dënim më vete, dhe dënim plotësues, kur jepet njëkohësisht me masën e heqjes së licencës.
Ankimi ndaj vendimit të Inspektoratit Shëndetësor Shtetëror bëhet në përputhje me ligjin për inspektimin. Ekzekutimi i vendimeve bëhet sipas legjislacionit në fuqi për kundërvajtjet administrative.
 
Gjobat e vjelura sipas këtij neni derdhen në buxhetin e shtetit.”.
 
Neni 7 
 
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
 
 
K R Y E T A R I
 
ILIR META
 
* * *
V E N D I M
 
Për
 
NJË NDRYSHIM Në VENDIMIN NR.310, DATË 24.7.1992,  TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR KOMPENSIMIN PËR FRYMË TË SHPENZIMEVE NGA RRITJA E ÇMIMEVE TË DISA ARTIKUJVE USHQIMORË”, TË NDRYSHUAR
 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Këshilli i Ministrave
 
V E N D O S I:
 
Shkronja “b”, e pikës 1, të kapitullit I, të vendimit nr.310, datë 24.7.1992, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, shfuqizohet.
 
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
 
 
K R Y E M I N I S T R I:
 
EDI RAMA
 
Në mungesë dhe me porosi
 
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
 
NIKO PELESHI
 
 
*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.