Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave
Projektligje të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 9 Prill 2024: 
P R O J E K T L I GJ
PËR
DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË LIGJIN NR.65/2014, “PËR AGJENCINË E INTELIGJENCËS DHE SIGURISË                                        SË MBROJTJES”
Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I:
Në ligjin nr.65/2014, “Për Agjencinë e Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes”, bëhen këto shtesa dhe ndryshime:
Neni 1
Në pikën 2, të nenit 3, pas fjalëve “… ose cenojnë … ” shtohen “… Ministrinë e Mbrojtjes, strukturat  në varësi të saj dhe … ”.
Neni 2
Pas pikës 15, të nenit 4, shtohet pika 16, me këtë përmbajtje:
“16. Disiplinat grumbulluese të inteligjencës” janë mënyra dhe sisteme të përdorura për të vëzhguar, kuptuar e regjistruar apo për të përçuar informacion mbi kushte, situata, kërcënime, mundësi dhe ngjarje.”.
Neni 3
Shkronja “a”, e nenit 11, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“a) të ketë përvojë pune jo më pak se 5 vjet në pozicione drejtuese në struktura të inteligjencës ushtarake ose në Shtabin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, në komandat e forcave, përfaqësitë apo në shtabet e NATO-s;”.
Neni 4
Neni 12 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Neni 12
Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes
1. Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes është civil.
2. Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes emërohet, lirohet ose shkarkohet nga detyra nga ministri i Mbrojtjes, me propozim të drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes.
3. Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm ka këto përgjegjësi:
a) Ndjek, zbaton dhe raporton detyrat e lëna nga drejtori i Përgjithshëm;
b) Ndihmon drejtorin e Përgjithshëm në kryerjen e funksioneve sipas fushës së veprimtarisë që mbulon;
c) Koordinon punën ndërmjet strukturave operacionale grumbulluese;
ç) Ndjek zbatimin e procedurave standarde të plotësimit të kushteve dhe të kritereve të sigurisë së personelit;
d) Drejton dhe ushtron kontroll të drejtpërdrejtë mbi punonjësit, sipas fushës së përgjegjësisë;
dh) Kryen detyra administrative, përfshirë planifikimin, organizimin, mbikëqyrjen dhe menaxhimin e veprimtarisë së Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes;
e) Kryen, me delegim të drejtorit të Përgjithshëm, detyrat e drejtorit të Përgjithshëm në mungesë të tij;
ë) zëvendëson drejtorin e Përgjithshëm në rast mungese në detyrë, për Një periudhë të pandërprerë, jo më shumë se gjashtë muaj;
f) Kryen çdo detyrë tjetër të ngarkuar nga akte ligjore dhe nënligjore.”.
Neni 5
Pika 1, e nenit 17, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“1. Agjencia e Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes, në përmbushje të misionit të saj, përdor dhe shfrytëzon për grumbullim informacioni disiplinat grumbulluese të inteligjencës.”.
Neni 6
Në nenin 18 bëhen këto ndryshime:
1. Pika 1 ndryshohet, si më poshtë vijon:
  “1. Agjencia e Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes, gjatë ushtrimit të veprimtarisë së saj, siguron informacionin e nevojshëm nëpërmjet metodave, mënyrave, sistemeve apo bazave të të dhënave në nivel kombëtar e ndërkombëtar.”.
2. Pika 2 shfuqizohet.
3. Pas pikës 4 shtohen pikat 5 dhe 6, me këtë përmbajtje:
“5. Agjencia e Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes përdor dhe shfrytëzon sistemin edpshtrr, vetëm për leximin e të dhënave të nevojshme, si dhe vetëm për përmbushjen e nevojës për informacionin që kërkohet prej saj, kur ky informacion është i nevojshëm për të përmbushur funksionet e saj. Mënyra e përdorimit dhe procedurat specifike përcaktohen me udhëzim të përbashkët ndërmjet ministrit përgjegjës për mbrojtjen dhe ministrit përgjegjës për transportin, me propozim të drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes, ku specifikohen masat organizative dhe teknike, në pajtueshmëri me rregullat për mbrojtjen e të dhënave personale, sipas legjislacionit në fuqi.
6. Agjencia e Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes përdor dhe shfrytëzon  bazat e  të dhënave të sistemit TIMS vetëm për leximin e të dhënave të nevojshme, si dhe vetëm për përmbushjen e nevojës për informacionin që kërkohet prej saj, kur ky informacion është i nevojshëm për të përmbushur funksionet e saj. Mënyrat e përdorimit dhe procedurat specifike përcaktohen me udhëzim të përbashkët ndërmjet drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes dhe drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, me propozim të drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes, ku specifikohen masat organizative e teknike, në pajtueshmëri me rregullat për mbrojtjen e të dhënave personale, sipas legjislacionit në fuqi.”.
Neni 7
Pas pikës 1, të nenit 20, shtohet pika 1/1, me këtë përmbajtje:
“1/1. Agjencia e Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes pranon donacione nga vendet anëtare dhe agjencitë e NATO-s, persona fizikë e juridikë, vendas apo të huaj, me përjashtim të personave që janë në konflikt interesi me veprimtarinë e agjencisë. Donacionet në vlerë monetare bëhen pjesë e fondit për veprimtari specifike operative të Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes dhe përdorimi e kontrolli i tyre bëhet sipas pikës 3, të këtij neni.”.
Neni 8
Pika 5, e nenit 28, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“5. Punonjësi i Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes, sipas përcaktimeve në rregulloren e brendshme të funksionimit të Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes, i nënshtrohet procesit të arsimimit, trajnimit dhe kualifikimit pranë Shërbimit Informativ të Shtetit apo në institucionet arsimore ushtarake dhe civile, brenda dhe jashtë vendit.”.
Neni 9
Pikat 2 dhe 3, të nenit 29, ndryshohen, si më poshtë vijon:
“2. Funksione të nivelit të lartë drejtues janë:
a) drejtor i Përgjithshëm;
b) zëvendësdrejtor i Përgjithshëm.
3. Funksion i nivelit të mesëm drejtues është drejtor drejtorie.”.
Neni 10
Në pikën 3, të nenit 31, fjalët “… në dy gazeta me qarkullim të madh                  kombëtar …” zëvendësohen me “… në faqen zyrtare të Ministrisë së                  Mbrojtjes …”.
Neni 11
Në pikën 2, të nenit 32, shtohet shkronja “c”, me këtë përmbajtje:
“c) çdo formë tjetër të përshtatshme të verifikimit të aftësive brenda fushës së përgjegjësisë dhe veprimit të Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes.”.
Neni 12
Në pikën 1, të nenit 33, bëhen këto ndryshime:
1. Në fjalinë e parë hiqen fjalët “… , ushtarak dhe …”;
2. Pas fjalisë së dytë shtohet fjalia, me këtë përmbajtje:
“Gjatë kësaj periudhe, punonjësi duhet të kryejë trajnime familjarizuese dhe profesionale pranë strukturës përgjegjëse për trajnimet në Agjencinë e Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes, me objekt njohjen me procedurat e punës në këtë agjenci.”.
Neni 13
Neni 34 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Neni 34
Emërimi, lirimi ose shkarkimi nga detyra i punonjësit
1. Emërimi, lirimi ose shkarkimi nga detyra i punonjësit ushtarak oficer ose i punonjësit civil ekuivalent me të, sipas tabelës së organizimit dhe pajisjeve, bëhet nga ministri i Mbrojtjes, me propozim të drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes.
2. Emërimi, lirimi ose shkarkimi nga detyra i punonjësit ushtarak nënoficer, ushtar, ose i punonjësit civil ekuivalent me ta, sipas tabelës së organizimit dhe të pajisjeve, bëhet nga drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes.
3. Punonjësi i Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes lirohet nga detyra në rastet kur:
a) jep dorëheqjen;
b) mbush moshën për pension të plotë pleqërie;
c) bëhet i paaftë për punë në mënyrë të përhershme, vërtetuar nga komisioni kompetent mjekësor;
ç) nuk mund të ushtrojë detyrën për një periudhë kohore më të gjatë se 6 muaj për pamundësi fizike e shëndetësore;
d) ka ristrukturim ose shkurtim funksioni organik;
dh) vlerësohet dy herë rresht “jo mjaftueshëm”;
e) nuk pranon të emërohet në një detyrë tjetër;
ë) përfundon kontratën e punës;
f) ka konflikt interesi me detyrën që kryen;
g) nuk pajiset ose i hiqet certifikata e sigurisë;
gj) konstatohet pavlefshmëria e aktit administrativ të pranimit;
h) humbet shtetësinë shqiptare;
i) i kufizohet apo i hiqet zotësia për të vepruar me vendim gjyqësor të formës së prerë.
4. Punonjësi i Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes shkarkohet nga detyra në rastet kur:
a) dënohet me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një vepre penale;
b) kryen shkelje të rënda disiplinore;
c) kryen akte dhe sjellje, që diskreditojnë rëndë pozitën e figurën e tij dhe të institucionit.
5. Punonjësi ushtarak i Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes nxirret në rezervë apo në lirim nga shërbimi ushtarak, sipas legjislacionit në fuqi për gradat dhe karrierën ushtarake në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë.
6. Punonjësi i Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes, në momentin që lirohet ose shkarkohet nga detyra, dorëzon menjëherë detyrën.”.
Neni 14
Pika 3, e nenit 37, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“3. Punonjësi i Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes, për të përparuar në karrierë dhe për t’u ngritur në detyrë në një pozicion të një niveli më të lartë, duhet të ketë këtë përvojë pune:
a) jo më pak se 3 vjet, kur është punonjës në funksion ekzekutues;
b) jo më pak se 3 vjet, kur është drejtues i nivelit të ulët;
c) jo më pak se 4 vjet, kur është drejtues i nivelit të mesëm.”.
Neni 15
Neni 40 shfuqizohet.
Neni 16
Pas nenit 48 shtohet neni 48/1, me këtë përmbajtje:
“Neni 48/1
Ndalimi i ushtrimit të veprimtarive të dyta
Punonjësi i Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes nuk mund të punësohet ose të kryejë veprimtari tjetër publike ose private, me përjashtim të mësimdhënies. Përpara se punonjësi të kryejë veprimtari mësimdhënieje, duhet të marrë më parë miratimin me shkrim të drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë.”.
Neni 17
Pika 2, e nenit 49, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“2. Elementet përbërëse të pagës bruto mujore të punonjësve civilë të Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes janë të njëjta me elementet përbërëse të pagës bruto mujore të të punësuarve në institucionet në varësi të ministrave. Vlerat për secilin element përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave, sipas legjislacionit në fuqi për kompetencat për caktimin e pagave të të punësuarve në institucionet e administratës publike.”.
Neni 18
Në pikën 2, të nenit 54, fjalët “… në masën e gjysmës së pagës mujore …” zëvendësohen me “… në masën e një pagë mujore …”.
Neni 19
Në nenin 61 bëhen këto shtesa:
1. Në fund të pikës 2 shtohet fjalia, me këtë përmbajtje:
“Rregullat për mënyrën e raportimit të shkeljes disiplinore dhe ngritja e komisionit disiplinor përcaktohen në rregulloren e disiplinës së Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes.”.
2. Pas pikës 3 shtohet pika 3/1, me këtë përmbajtje:
“3/1. Masat disiplinore jepen, si më poshtë vijon:
a) Për shkronjat “a” dhe “b”, të nenit 60, jepen nga drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes;
b) Për shkronjat “c” dhe “ç”, të nenit 60, jepen nga autoriteti, i cili ka emëruar punonjësin në detyrë.”.
Neni 20
Në nenin 65 bëhen ndryshimet, si më poshtë vijon:
1. Në pikën 1, fjalët “… 10 ditëve …” zëvendësohen me “… 30 ditëve …”;
2. Në pikën 2, fjalët “ … 30 ditëve …” zëvendësohen me “… 45 ditëve …”.
Neni 21
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E T A R I
LINDITA NIKOLLA
###
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR DISA SHTESA   DHE NDRYSHIME NË LIGJIN NR.65/2014, “PËR AGJENCINË                        E INTELIGJENCËS DHE SIGURISË SË MBROJTJES”
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, e 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin e projektligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.65/2014, “Për Agjencinë e Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR RATIFIKIMIN                                   E MARRËVESHJES PËR BASHKËPUNIMIN EKONOMIK, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS                      SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS                                         SË AZERBAJXHANIT”
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, dhe të nenit 17, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin e projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes për bashkëpunimin ekonomik, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Azerbajxhanit”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
###
P R O J E K T L I GJ
PËR
RATIFIKIMIN E MARRËVESHJES PËR BASHKËPUNIMIN EKONOMIK, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE                                     TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS                        SË AZERBAJXHANIT
Në mbështetje të neneve 78, 83, pika 1, dhe 121, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I:
Neni 1
Ratifikimin e marrëveshjes për bashkëpunimin ekonomik, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Azerbajxhanit.
Neni 2
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E T A R I
LINDITA NIKOLLA
***
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR RATIFIKIMIN                                   E MARRËVESHJES, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË                        DHE REPUBLIKËS SË ITALISË NË FUSHËN E SIGURIMEVE SHOQËRORE”
Në mbështetje të  neneve 81, pika 1, e 100, të Kushtetutës, dhe të nenit 17, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin e projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Italisë në fushën e sigurimeve shoqërore”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit, që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
 EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
###
P R O J E K T L I GJ
PËR
RATIFIKIMIN E MARRËVESHJES NDËRMJET REPUBLIKËS                     SË SHQIPËRISË DHE REPUBLIKËS SË ITALISË NË FUSHËN                       E SIGURIMEVE SHOQËRORE
Në mbështetje të neneve 78, 83, pika 1, dhe 121, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I:
Neni 1
Ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Italisë në fushën e sigurimeve shoqërore, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij ligji dhe është pjesë përbërëse e tij.
Neni 2
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E T A R I
LINDITA NIKOLLA
***
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR RATIFIKIMIN                             E  TRAKTATIT TË MIQËSISË DHE BASHKËPUNIMIT, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE UKRAINËS”
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, dhe të nenit 17, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin e projektligjit “Për ratifikimin e traktatit të miqësisë dhe bashkëpunimit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Ukrainës”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
###
P R O J E K T L I GJ
PËR
RATIFIKIMIN E TRAKTATIT TË MIQËSISË                                            DHE BASHKËPUNIMIT, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE UKRAINËS
Në mbështetje të neneve 78, 83, dhe 121, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I:
Neni 1
Ratifikimin e Traktatit të Miqësisë dhe Bashkëpunimit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Ukrainës, që i bashkëlidhet këtij ligji dhe është pjesë përbërëse e tij.
Neni 2
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E T A R I
LINDITA NIKOLLA 
*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.