Projektligje të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 9 Qershor 2022:
P R O J E K T L I GJ
PËR
KRIJIMIN, ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E PARQEVE TEKNOLOGJIKE DHE SHKENCORE
Në mbështetje të neneve 78, 81, 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I:
KREU I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
Neni 1
Objekti i ligjit
Ky ligj rregullon krijimin, organizimin dhe funksionimin e parqeve teknologjike dhe shkencore (në vijim, parqet).
Neni 2
Përkufizime
Në këtë ligj, termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:
a) “Infrastrukturë e përgjithshme”, sistemet e punëve publike, që përfshijnë elemente të tilla, si: rrugët, linjat e telekomunikacionit, rrjetin e energjisë elektrike, kanalizimet etj., në përputhje me ligjin nr.9789, datë 19.7.2007, “Për krijimin dhe funksionimin e zonave të teknologjisë dhe zhvillimit ekonomik”, të ndryshuar;
b) “Inovacion në prodhim”, metodat e përdorura në prodhimin e produkteve të reja ose të përmirësuara, të cilat nuk mund të prodhohen në mjediset ekzistuese apo të cilat do të prodhohen me teknika apo metoda inovative;
c) “Kërkim dhe zhvillim”, aktivitetet, të cilat ndërmerren me qëllim përfitimin e njohurive të reja për zhvillimin e shkencës e teknologjisë dhe aplikimit të tyre nëpërmjet inovacionit në produkte ose shërbime;
ç) “Park”, një zonë me kufij të përcaktuar, ku integrohen struktura kërkimore e zhvillimore dhe në të cilën përfshihen entitete, të cilat përdorin teknologji të avancuar në zhvillimin e produkteve ose shërbimeve apo të cilat investojnë në kthimin e shpikjeve teknologjike në produkte finale, duke përfituar nga strukturat kërkimore të parkut dhe ka kuptimin e “zonës së lirë”, sipas Kodit Doganor;
d) “Përdorues”, personi fizik ose juridik, vendas ose i huaj, i cili ushtron veprimtari brenda parkut;
dh) “Produkt inovativ”, një produkt, i cili, po të krahasohet me gamën e mëparshme ekzistuese të produktit, paraqet ndryshime thelbësore teknologjike në material, pjesë apo funksion;
e) “Zhvillues”, personi fizik ose juridik, vendas ose i huaj, i cili ndërton dhe administron funksionimin e parkut.
Neni 3
Qëllimi i parqeve
Parqet kanë si qëllim nxitjen e një ose më shumë të këtyre objektivave:
a) Zhvillimi i industrive të teknologjisë së lartë dhe inovacionit;
b) Kërkim-zhvillimi për produkte dhe shërbime të reja, si edhe përmirësimi i atyre ekzistuese;
c) Krijimi i vendeve të kualifikuara të punës për profesionistë të fushave të shkencës e të teknologjisë.
Neni 4
Miratimi i parqeve
1. Këshilli i Ministrave miraton hapjen e një parku në bazë të një propozimi që vjen nga ministria përgjegjëse për ekonominë.
2. Propozimi për miratimin e parkut përfshin:
a) kufijtë e zonës;
b) llojet e veprimtarive të përfshira, sipas neneve 3 dhe 5, të këtij ligji.
3. Veprimtaria e parkut fillon pas përfundimit të ndërtimit të kufijve rrethues, të portave të hyrjes e të daljes dhe të funksionimit të pikës doganore.
Neni 5
Veprimtaritë e lejuara
1. Aktivitetet e lejuara në park janë të kufizuara në aktivitete kërkim-zhvillimi, në funksion të qëllimeve të përcaktuara në nenin 3, të këtij ligji, dhe jo në prodhimin në seri të produkteve apo të shërbimeve.
2. Veprimtaritë e lejuara në park përfshijnë aktivitete, që:
a) angazhohen në kërkim-zhvillim, me qëllim përfitimin e njohurive të reja teknologjike apo shkencore, të cilat mundësojnë zhvillimin e produkteve apo të shërbimeve;
b) krijojnë metoda të reja të prodhimit të produkteve apo të shërbimeve ose përdorin teknologji të avancuar në prodhimin e software-eve, në përpunimin e të dhënave apo në aktivitete të ngjashme;
c) përmirësojnë produkte dhe shërbime në një mënyrë që sjell ndryshim thelbësor, jo të një natyre estetike, në pjesë apo në funksion, krahasuar me produktet ekzistuese;
ç) fokusohen në trajnimin e ngritjen e kapaciteteve të profesionistëve, me qëllim angazhimin e tyre në prodhimin e produkteve dhe të shërbimeve inovative.
3. Brenda kuadrit të kërkim-zhvillimit dhe inovacionit, Këshilli i Ministrave mund të miratojë veprimtari të tjera të lejuara.
KREU II
ORGANIZIMI DHE FUNKSIONIMI I PARQEVE
Neni 6
Institucioni përgjegjës
1. Ministria përgjegjëse për ekonominë është institucioni përgjegjës, që ndjek të gjitha veprimtaritë e nevojshme për zbatimin e këtij ligji dhe, në veçanti, për nxitjen, identifikimin, shpalljen dhe kontrollin e mirëfunksionimit të parqeve.
2. Sipas nevojës, Këshilli i Ministrave mund të krijojë Agjencinë e Zonave të Teknologjisë dhe Zhvillimit Ekonomik dhe Parqeve Teknologjike dhe Shkencore (në vijim, agjencia), nën varësinë e ministrisë përgjegjëse për ekonominë, në zbatim të këtij ligji dhe të ligjit nr.9789, datë 19.7.2007, “Për krijimin dhe funksionimin e zonave të teknologjisë dhe zhvillimit ekonomik”, të ndryshuar.
Neni 7
Kompetencat e institucionit përgjegjës
Institucioni përgjegjës ka këto detyra kryesore:
a) Harton politikat për zhvillimin e parqeve;
b) Harton kriteret, rregullat dhe procedurat e nevojshme për krijimin e funksionimin e parqeve;
c) Identifikon parqet potenciale dhe përgatit procedurat për shpalljen e tyre nga Këshilli Ministrave;
ç) Përzgjedh zhvilluesin;
d) Nxit e ndihmon zhvilluesin dhe përdoruesit për krijimin, zhvillimin dhe funksionimin parqeve.
Neni 8
Zhvilluesi
1. Çdo person fizik ose juridik mund të paraqesë kërkesën për të zhvilluar një park, sipas kritereve dhe rregullave të parashikuara në aktet nënligjore përkatëse.
2. Institucioni përgjegjës përzgjedh zhvilluesin, në përputhje me aktet nënligjore përkatëse dhe palët nënshkruajnë marrëveshje, ku parashikohen angazhimet reciproke.
3. Zhvilluesi mund të lidhë kontratë administrimi të parkut me persona të tjerë fizikë ose juridikë, të huaj ose vendas. Në çdo rast, zhvilluesi mbetet përgjegjës për detyrimet e tij ndaj institucionit përgjegjës dhe organeve shtetërore.
4. Zhvilluesi ose menaxhuesi, me miratimin e zhvilluesit, përzgjedh përdoruesit e parkut, sipas procedurave që do të miratohen me aktet nënligjore, dhe hyn në marrëdhënie kontraktuale me ta.
5. Zhvilluesi i parkut duhet të sigurojë përfshirjen e një institucioni të arsimit të lartë, vendas ose i huaj, i akredituar ose që plotëson kushtet e përshtatshme për akreditim, sipas legjislacionit përkatës të vendit të origjinës.
6. Mosmarrëveshjet ndërmjet institucioneve shtetërore, zhvilluesit apo përdoruesit mund të zgjidhen në mënyrë administrative, me ndërmjetësim, me arbitrazh ose në rrugë gjyqësore.
7. Në rast se miratohet hapja e një parku, sipas pikës 1, të nenit 4 , të këtij ligji, zhvilluesi përfiton të njëjtat lehtësi si në nenin 21, të ligjit nr.55/2015, “Për investimet strategjike në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me përjashtim të shpronësimit sipas nenit 28, të tij.
Neni 9
Parqet në truall shtetëror ose privat
1. Pasuritë e paluajtshme, në të cilat do të krijohet parku, merren në përdorim nga zhvilluesi pas lidhjes së kontratës së qirasë, për një periudhë kohe jo më pak se 20 (njëzet) vjet, e cila miratohet me vendim të Këshillit të Ministrave. Zhvilluesi gëzon të drejtën e dhënies së pasurisë së paluajtshme me nënqira te përdoruesit.
2. E drejta e përdorimit të pronës së paluajtshme shtetërore, nëpërmjet kontratës së qirasë, miratohet me vendim të Këshillit të Ministrave.
3. Në rastin kur trualli ose pasuritë e tjera të paluajtshme janë pronë private, kandidati për zhvillues paraqet pranë institucionit përgjegjës kërkesën për shpalljen e parkut, pasi të jetë përcaktuar marrëdhënia me pronarin e truallit apo të pasurive të tjera të paluajtshme.
KREU III
LEHTËSITË RREGULLATORE DHE FISKALE
Neni 10
Lehtësitë rregullatore
1. Institucionet, entet dhe autoritetet publike trajtojnë kërkesat për leje dhe licenca nga zhvilluesi ose përdoruesi brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditësh pune nga dorëzimi i kërkesës, sipas lehtësirave të ngjashme rregullatore të përcaktuara në ligjin nr.55/2015, “Për investimet strategjike në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.
2. Për shkaqe të arsyeshme, që lidhen me kompleksitetin e licencave dhe të lejeve, afati mund të shtyhet vetëm 1 (një) herë, për një periudhë kohore prej 15 (pesëmbëdhjetë) ditësh pune, sipas lehtësirave të ngjashme rregullatore të përcaktuara në ligjin nr.55/2015, “Për investimet strategjike në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.
3. Në rast se institucionet, entet dhe autoritetet publike nuk shprehen edhe pas këtij afati të dytë, atëherë aprovimi konsiderohet i dhënë.
4. Institucioni përgjegjës, me kërkesë të zhvilluesit ose të përdoruesit, mund të asistojë në aplikim pranë institucioneve, enteve apo autoriteteve publike, që lëshojnë lejet ose licencat përkatëse.
Neni 11
Infrastruktura ndihmëse
Shteti ndërton infrastrukturën e përgjithshme deri në kufijtë e parkut, sipas mundësive, dhe kjo miratohet me vendim të Këshillit të Ministrave. Në vendimin, ku miratohet ndihma me infrastrukturë, përcaktohen dhe organet e ngarkuara për realizimin e saj.
Neni 12
Lehtësitë fiskale
1. Zhvilluesi dhe përdoruesit në park përfitojnë lehtësitë fiskale, si më poshtë vijon:
a) Hyrja dhe dalja e mallrave në/nga park/u, të cilat do të shërbejnë për nxjerrjen e “produktit inovativ”, formalitetet dhe procedurat përkatëse kryhen sipas dispozitave të Kodit Doganor;
b) Furnizimi i mallrave shqiptare të destinuara për t’u vendosur në park, të cilat do të shërbejnë për nxjerrjen e “produktit inovativ”, konsiderohen si furnizim për eksport me shkallë 0 (zero), në përputhje me përcaktimet e ligjit për tatimin mbi vlerën e shtuar dhe të legjislacionit doganor;
c) Norma e tatimfitimit është 0 (zero) për 15 (pesëmbëdhjetë) vite të njëpasnjëshme për ato të ardhura që gjenerohen nga aktivitetet, të cilat zhvillohen në park;
ç) Pagat e personelit që punon në kërkim-zhvillim të përdoruesit në park dhe i gjithë stafi i zhvilluesit përjashtohen nga të gjitha taksat për një periudhë 10-vjeçare;
d) Përjashtohen nga TVSH-ja mallrat, pajisjet dhe shërbimet e përdorura në park, të cilat do të shërbejnë për nxjerrjen e “produktit inovativ”;
dh) Përjashtohen nga taksa e ndikimit në infrastrukturë;
e) Përjashtohen nga taksa e pasurisë së paluajtshme për një periudhë 10-vjeçare për ndërtimet e realizuara në park;
ë) Kostot e trajnimit për punonjësit shkencorë dhe teknikë në park mund të rimbursohen pjesërisht nga shteti, sipas kritereve, rregullave dhe procedurave respektive të miratuara me vendim të Këshillit të Ministrave.
2. Transferimi i një veprimtarie ekzistuese në territorin shqiptar në park, me qëllim kryesor përfitimin e lehtësive të parashikuara në këtë ligj, është i ndaluar. Çdo transaksion, që në thelb rezulton në transferimin e veprimtarisë ekonomike, sipas përcaktimit të mësipërm, është i ndaluar.
3. Këshilli i Ministrave miraton kriteret, rregullat dhe procedurat për përfitimin nga lehtësitë fiskale.
4. Lehtësitë fiskale pasqyrohen në kontratat respektive ndërmjet zhvilluesit dhe institucionit përgjegjës, si dhe zhvilluesit e përdoruesit dhe lajmërohen organet përkatëse të tatimeve për secilin rast.
Neni 13
Hyrja e dalja e mallrave dhe e shërbimeve
1. Në park hyjnë dhe dalin të gjitha mallrat e shërbimet, pavarësisht nga natyra, cilësia, origjina, prejardhja ose vendmbërritja e tyre, përveç mallrave dhe shërbimeve që ndalohen nga autoritetet përkatëse të importohen, të eksportohen apo të tranzitohen në territorin doganor të Republikës së Shqipërisë.
2. Shërbimet, që ofrohen nga pjesa tjetër e territorit doganor të Republikës së Shqipërisë për zhvilluesit dhe përdoruesit brenda parkut, përfitojnë të gjitha lehtësitë, që zbatohen për eksportin e shërbimeve.
3. Rregullat e procedurat për hyrjen dhe daljen e mallrave e të shërbimeve në/nga park/u, si dhe për mallrat për përdorim vetjak, sipas ligjit nr.9789, datë 19.7.2007, “Për krijimin dhe funksionimin e zonave të teknologjisë dhe zhvillimit ekonomik”, përdoren dhe në rastin e parkut.
Neni 14
Pagesat
Pagesat që lidhen me veprimtarinë e personave fizikë dhe juridikë, që veprojnë brenda parkut, mund të kryhen me monedhën e vendit ose me monedhë të huaj.
Neni 15
Pronësia intelektuale
1. Përdoruesit në park duhet të regjistrojnë pronësinë intelektuale për krijimet e zhvilluara në park edhe me autoritetet përkatëse të Republikës së Shqipërisë.
2. Zhvilluesi ndihmon përdoruesit me regjistrimin e krijimeve në Republikën e Shqipërisë.
3. Zhvilluesi ka të drejtë të përfitojë një pjesë të të ardhurave që gjenerohen nga pronësia intelektuale e krijimeve, që zhvillohen në zonë nga përdoruesit, për një periudhë 5-vjeçare, e cila reflektohet në marrëveshjen respektive ndërmjet zhvilluesit dhe përdoruesit.
KREU IV
DISPOZITA TË FUNDIT
Neni 16
Fitimi i tatueshëm
Fitimi i tatueshëm për periudhën tatimore përcaktohet në bazë të pasqyrave financiare, sipas ligjit për kontabilitetin, ligjit për tatimin mbi të ardhurat dhe përcaktimeve të bëra në këtë ligj. Subjektet e këtij ligji përdorin standardet ndërkombëtare të kontabilitetit.
Neni 17
Përdorimi i të ardhurave
Të ardhurat, që përfiton institucioni përgjegjës nga licencat dhe kontratat me subjektet e parqeve, përdoren në përputhje me aktet nënligjore që rregullojnë krijimin e administrimin e të ardhurave të krijuara nga institucionet shtetërore.
Neni 18
Aktet nënligjore
Ngarkohet Këshilli i Ministrave, brenda 6 muajve nga miratimi i ligjit, për nxjerrjen e aktit nënligjor, sipas pikës 3, të nenit 12, të këtij ligji.
Ky ligj hyn në fuqi 15 (pesëmbëdhjetë) ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E T A R I
LINDITA NIKOLLA
###
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR KRIJIMIN, ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E PARQEVE TEKNOLOGJIKE DHE SHKENCORE”
Në mbështetje të neneve 78, 81 e 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin e projektligjit “Për krijimin, organizimin dhe funksionimin e parqeve teknologjike dhe shkencore”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit, që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA