Objektet e kultit, edhe dy dekada pas rindërtimit nuk u legalizuan. Janë 1028 objekte kulti prej vitesh në pritje të legalizimit, një proces që, ashtu si edhe për shtëpitë, është përshpejtuar në këto dy vite. Kryeministri Edi Rama vizitoi xhaminë në Bicaj të Kukësit, ku i dorëzoi myftiut të Kukësit certifikatën e legalizimit të kësaj xhamie dhe katër xhamive të tjera të zonës. Kryeministri nënvizoi se kjo është një problematikë e trashëguar dhe së cilës po i jepet zgjidhje, duke i kthyer në prona të ligjshme të komuniteteve fetare.
“Ndër të tjera trashëguam edhe kisha e xhami që janë ndërtuar, ose që janë rindërtuar mbasi janë prishur e janë të palegalizuara, pra nuk janë prona të komuniteteve fetare, kështu që tani t’i pronësojmë komunitetet fetare. Kemi edhe një masë tjetër që do marrim që për kishat e xhamitë energjia do paguhet si për familjarët, sepse deri më sot nuk ka qenë e njëjta tarifë, kështu që do t’i ulim dhe shpenzimet. Deri tani janë bërë 400 kisha, xhami e teqe që janë legalizuar. Kemi akoma shumë për të bërë. Saktësish janë 1028,” – u shpreh Kryeministri.
“Me drejtorinë rajonale të legalizimeve kemi një bashkëpunim shumë të ngushtë. Dëshiroj t’i falënderoj për punën që kanë bërë dhe gjithmonë kanë qenë të hapur për të bashkëpunuar në lidhje me legalizimin e objekteve të kultit në rrethin e Kukësit, po flas si myfti dhe falas. Kanë bërë një punë të vyer dhe meritojnë një lavdërim, nga ana jonë, për bashkëpunimin,” – u shpreh myftiu.
Kryeministri Rama u dorëzoi edhe certifikatat e legalizimit të xhamisë së Kolshit, xhamisë të Mamzit, xhamisë së Bardhocit dhe xhamisë së Mustafait.
***
Kryeministri Edi Rama i ka dorëzuar mitropolitit të Gjirokastrës, lejen e legalizimit kishës më të re në qytet, e cila u hapi dyert vetëm një javë më parë, të dielën e Pashkëve.
Gjatë dorëzimit të dokumentit të legalizimit të kishës, sëbashku me shkollën pranë saj, Kryeministri Rama nënvizoi se ka nisur një proces tërësor i legalizimit të pasurive të komuniteteve fetare. “Është kënaqësi e veçantë sot, që vij këtu për të dorëzuar dokumentin e legalizimit të kishës dhe të shkollës pranë që i jep fund një historie të gjatë. Më vjen shumë mirë të kujtoj se kemi bërë të mundur ndërtimin e kësaj kishe. Po ashtu më vjen shumë mirë të nënvizoj që kemi ndërmarrë një proces tërësor të legalizimit të pasurive të komuniteteve fetare, ku me shumë kënaqësi po i dorëzoj përfaqësuesit të Zotit këtu, në këtë kishë, këto dokumente.”