Puka, nga një qytet i braktisur është kthyer brenda 4 vitesh në një atraksion të vërtetë turistik. Falë një investimi të qeverisë shqiptare, prej afro 248 milionë lekë, infrastruktura brenda dhe jashtë qytetit ka pësuar një transformim rrënjësor. Konkretisht është punuar për rivitalizimin dhe rindërtimin e katër hapësirave kryesore, duke përfshirë edhe fasadat dhe çatitë e objekteve që shtrihen përgjatë sheshit, duke përdorur elementë të zonës, që ndërhyrjet të shkrihen sa më mirë me peizazhin rrethues.
Por ajo që i ka dhënë një impakt të menjëhershëm turistik këtij qyteti, deri dje të harruar dhe të rrethuar nga grumbuj plehrash, është pikërisht rehabilitimi i liqenit të vogël ku është bërë pastrimi tërësor i tij, me qëllim rritjen e sipërfaqes së pasqyrës ujore, si dhe është rindërtuar skarpata dhe është veshur me gurë me qëllim të mos dëmtimit nga gërryerjet e ujit. Në kurorën përreth liqenit është ndërtuar një shëtitore për qytetarët dhe vizitorët që mund të përdoret gjatë gjithë vitit, janë krijuar hapësira pushimi, një urë druri, është bërë ndriçimi me anë të shtyllave dekorative dhe së shpejti pritet të ndërtohet edhe një kënd lojërash për fëmijë.
Kryeministri Rama ka parë të gjithë transformimin e qytetit, ku fillimisht u ndal në liqenin e vogël të Pukës.
“Mbetja spitalore që ka qenë këtu e mbeturina të tjera të panumërta,” shprehet kryetari i Bashkisë, Gjon Gjonaj, pasi në të gjithë këtë vijë liqenore janë pastruar mbi 90 mijë metër kub dhe e mbeturina spitalore.
“Mrekulli! Është diçka fantastike. Po të zhvillohen edhe 2-3 agroturizme këtu bëhet një spektakël i paparë, që të hyjë në një epokë tjetër. Kjo është një pasuri e madhe e qytetit,” shprehet Kryeministri Rama.
Kryeministri ka parë edhe rikonstruksionin e hapësirave kryesore të qytetit ku është ndërhyrë në mbi 6 mijë metër katrorë sheshe dhe rrugë, si dhe janë rehabilituar fasadat dhe çatitë e ndërtesave përreth.
“Gjithçka nga zero ka filluar. Gjithçka është çmontuar,” pohon kreu i Bashkisë Gjonaj.
“Tani është momenti që këtu mund të vijnë realisht njerëz, se këtu është kryevepër, edhe klimë fantastike, edhe rindërtim i madh, edhe mikpritja edhe birra e Pukës. Tamam si ato qytezat gjermane,” shprehet Kryeministri Rama.
Sheshi para Bashkisë Pukë dhe ai para Hotel Turizmit janë transformuar në hapësira për këmbësorët dhe janë shtruar tërësisht me pllaka mermeri. Gjithashtu është punuar dhe me gjelbërimin, ndriçimin dhe mbjelljen e pemëve dekorative. Të dy sheshet do të lidhen nëpërmjet një shëtitoreje. Gjithashtu në të gjitha objektet që shtrihen përgjatë shesheve, si Pallati i Kulturës, Bashkia, Prefektura, Posta, Spitali, si dhe objekte te tjera banimi dhe social-kulturore, është ndërhyrë me rehabilitimin e fasadave dhe të çative.