Konferencë për shtyp e ministrit Arben Ahmetaj:
Rritja e forcave të punës e publikuar sot nga INSTAT, konfirmon se punësimi ka vijuar trendin e tij rritës edhe në tremujorin e parë të 2018-ës. Pra, lajmi i mirë për shqiptarët punësimi është rritur në të gjithë sektorët e ekonomisë me një kërcim pozitiv serioz prej gati 5% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Lajmi tjetër shumë i mirë është ulja e papunësisë në nivelin më të ulët historik në 12.5 % ose me një rënie prej gati 1.7% në bazë vjetore. Pra, është ulja rekord e papunësisë për të gjitha vitet e tranzicionit, pra 12.5%. Që kur mbahet mend statistika e uljes së punësimit e rekorduar, e shënuar në mënyrë të saktë, sot jemi në nivelin më të ulët historik të papunësisë në Republikën e Shqipërisë.
Sikurse vlerëson edhe raporti i fundit i Bankës Botërore, Shqipëria është vendi i parë në rajon përsa i përket punësimit të forcës së aftë për punë. Pjesëmarrja në forcën e punës ka arritur në 59.2%, 51.9 tek gratë dhe 66.5% tek burrat. Për publikun kam sjell edhe një grafik të kombinuar, për të treguar uljen historike të papunësisë në 27 vitet e fundit dhe sigurisht pjesëmarrjen në forcën e punës.
Po kështu Shqipëria mbetet vendi me normën më të ulët të papunësisë tek të rinjtë dhe shifra vjetore vazhdon zbresë, sigurisht që debati në publik, në shoqërinë, apo edhe në Parlament është dhe normalisht do duhet të ishte e të jetë: A është e mjaftueshme? A është e mjaftueshme kjo ulje e papunësisë. A është i mjaftueshëm krijimi i të gjithë atyre vendeve të reja të punës? Sigurisht që, jemi larg asaj që kemi si ambicie, por është e rëndësishme të ndalojmë për një sekond të vetme dhe të shënojmë që jemi në nivelin më të ulët historik të papunësisë në Republikën e Shqipërisë. Ajo që vazhdon të vijojë dhe ulja e papunësisë tek të rinjtë është në zbritje dhe është më e ulta në rajon me nivelin 24.5%.
E fundit që dua t’iu sjell në vëmendje, është se në pesëmujorin e vitit 2018, pra Janar-Maj, janë shpallur 26 mije e 543 vende të lira pune dhe vetëm në muajin Maj, janë shpallur 8 mijë e 442 vende të lira pune. Ndërkohë që janë realizuar 11 mijë e 88 punësime, pra ndërmjetësime nga Shërbimi Kombëtar i Punësimit në pesëmujor dhe vetëm në muajin Maj janë realizuar 3 mijë e 439 punësime me ndërmjetësim.
Në të njëjtën kohë dua të theksoj politikat tona fiskale, sikurëse e kemi bërë për publikun prezente, vijojmë të mbështesim lehtësimin e sipërmarrjes dhe garantimin e rritjes së qëndrueshme që më në fund prodhon punësim.
Koha kur kishte rritje ekonomike gati virtuale e shoqëruar pa punësim ka mbaruar. Modeli i ri ekonomik, ai që ne nisëm së bashku në 2013-ën po funksionon. Pikë së pari rritje ekonomike me rritje punësimi, rritje ekonomike me ulje papunësie, rritje ekonomike me rritje të numrit të ndërmarrjeve, rritje ekonomike cilësore me rritje të fuqisë blerëse.
Faleminderit dhe besoj që do të kemi akoma lajme më të mira për ekonominë dhe në muajt që vazhdojnë.
Faleminderit.