Shijaku është një tjetër kantier ku punimet vijojnë çdo ditë për rindërtimin pas çdo pasoje që la pas tërmeti i 26 nëntorit. Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga ministri i Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj dhe nga kryetari i Bashkisë së Shijakut ishin në kantieret e hapura për të parë nga afër ecurinë e punimeve në këtë bashki, ku po punohet për akomodimin e familjeve në shtëpi të reja, me të gjithë infrastrukturën e nevojshme për furnizimin me energji dhe ujë të pijshëm, kanalizime, ndriçim e sinjalistikë rrugore, rrjetin e telefonisë e internet, krahas 6 shkollave të reja me standarde europiane.
Para dy muajsh në Bashkinë e Shijakut nisën demolimet e godinave të dëmtuara për të hapur sheshet për rindërtimin e pallateve të reja. “Sot jemi në fazën e infrastrukturës së brendshme. Ppasi të behët infrastruktura e brendshme, në javën e parë të tetorit do të vijojmë me themelet për këto pallate”, – u shpreh Kryetari i Bashkisë së Shijakut.
Kryeministri Rama nënvizoi se këtu dhe në çdo lagje të re që do të rindërtohet, çdo gjë do të jetë më e mirë sesa ishte para tërmetit të 26 nëntorit. “Ky është transformim epokal i Bashkisë Shijakut dhe është kalim në një nivel tjetër komplet të jetës në komunitet, të shërbimeve”, – u shpreh Kryeministri.
Ministri Ahmetaj informoi se në këtë bashki janë rreth 80 mijë metra katror infrastrukturë që i paraprin javës së parë të tetorit, ku do të hidhen themelet e pallateve të reja. Veç pallateve të reja dhe shtëpive individuale, në Shijak do të rindërtohen edhe shkollat e dëmtuara. Një nga gjashtë shkollat që do të rindërtohen është edhe shkolla e mesme “16 shtatori”, e cila do të ringrihet konform të gjitha standardeve të Bashkimit Europian. “Në gjithë Bashkinë e Shijakut, 3 shkolla do bëhen nga UNDP, me grantin e Komisionit Europian, që janë rindërtim dhe rikonstruksion”, – tha ministri Ahemtaj.
“Kjo është një mundësi e mirë për të sqaruar disa që komentojnë “ku janë paratë e botës”, “ku i çuat paratë e botës”, “bota dha paratë”, për t’u thënë që paratë e botës, bota i administron vetë. Nuk janë para thesi që vjen në Shqipëri dhe u jepet autoriteteve shqiptare, por janë fonde që administrohen nga vetë BE- ja përmes strukturave të veta, me procedurat e veta. Për të reaguar me sa më shpejt, ne kemi bërë procedura speciale dhe kemi shkurtuar në mënyrë drastike kohën e procedurave e për këtë arsye jemi sot, në gjithë këto kantiere, qoftë për shtëpitë, qoftë për shkollat”, – nënvizoi Kryeministri.
Kryeministri Rama foli edhe për debatin e këtyre ditëve mbi zgjerimin e Greqisë me 6 milje në det. “Që është për të vënë duart në kokë që ka njerëz që nuk besojnë se ata që e firmosën atë marrëveshjen e famshme, që ne e refuzuam dhe që Gjykata Kushtetuese e rrëzoi, na i kanë dalë tani detit në mbrojtje nga ne. Ajo që të gjithë duhet ta kuptojnë është që nuk ka një marrëveshje, nuk është arritur. Negociatat janë ndërprerë që kur ndryshoi qeveria në Greqi dhe madje, edhe vetë grupi negociator do duhet të riformatohet dhe riformatimi i grupit negociator kalon përmes edhe Presidentit të Republikës, që duhet ta aprovojë. Që do të thotë që të thuash sot bëj transparencë për diçka që nuk ekziston, është qesharake dhe e poshtër, shumë e poshtër. Megjithatë, unë jam i bindur vetëm për një gjë, që pikërisht pse ky popull është shumë i mençur dhe kush e merr për budalla e pëson, edhe kjo është një arsye pse do ta pësojnë shumë keq në raport me popullin, ata që po e bëjnë përsëri për budalla me këtë historinë e detit”, – u shpreh Kryeministri.