Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

“Puno dhe jeto aty ku ke zemrën” – është ftesa e qeverisë shqiptare drejtuar emigrantëve që jetojnë dhe punojnë në Greqi, për të rigjetur veten me plot mundësi të reja, në atdheun, nga i cili u larguan dekada më parë.

Panairi i Punës, i pari i këtij lloji, u çel sot në Athinë, me pjesëmarrjen e qindra kompanive shqiptare nga fusha të ndryshme, shumë prej tyre lider të investimeve, agjenci punësimi, dhoma biznesi, sipërmarrës IT, inovatorë  të cilët do të paraqesin dhe shpjegojnë ofertat e punësimit për bashkëatdhetarët.

Kryeministri Edi Rama ishte sot në Panair, të cilin e  vizitoi pothuajse në të gjitha stendat, ku u takua dhe bisedoi me përfaqësues të kompanive, si dhe u interesua për mundësitë konkrete, lidhur me pagat e ofruara, vendet e lira të punës, dhe perspëktivën që sipërmarrjet parashikonin në të ardhmen.

“Kjo është pjesa që kemi vendosur të gjitha kompanitë shqiptare, të cilat kanë ardhur për të bërë ofertën e tyre. Kemi hoteleri-turizmin, bujqësinë, ndërtimin, infrastrukturën, madje dhe aeroporti i Rinasit ka ardhur për të bërë prezantimin e ofertave. Secili i tyre është i pajisur me kontratat.”- shpjegoi Zv/kryeministrja dhe Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku.

“Janë të gjitha ofertat turistike dhe të hoteleve. Kemi mbi 40 pjesëmarrës nga hoteleri-turizëm edhe nga territori dhe nga bregdeti. Kanë ardhur me kontrata, me oferta, me propozime për rroga drejtpërsëdrejti.” – informoi Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro. 

Ndërkohë, sipërmarrës të ndryshëm treguan lidhur mundësitë që ata ofrojnë në kompanitë e tyre.

“Jemi kompani e vajit të ullirit. Kemi ardhur me një ofertë komplete për fuqi punëtore. Ne realisht kemi nevojë për fuqi punëtore. Këtë vit mund të përpunonim 20% më shumë të produktit të ullirit, por për shkak të mungesës së fuqisë punëtore, ulliri ngeli i pavjelë dhe ne kemi dalë me kosto më të lartë. Pagat i kemi rritur.” – u shpreh drejtuesi i kompanisë, teksa një sipërmarrës tjetër tha se pagat janë edhe më të larta se në Greqi.

“E njëjta gjë është dhe për kantinën. Kemi shumë nevojë për njerëz. Mendoj se pagat i kemi më të mira sesa këtu. Normalisht që është punë e vështirë se vreshtat janë në tarraca, në kodra. Janë më të mira sesa këtu sepse janë në shtëpinë e tyre.” – u shpreh ai.

Kryeministri u ndal në stendën e një prej kompanive të suksesshme në fushën e bujqësisë, e cila ofronte paga konkurruese dhe sapo kishte marrë kërkesat e para nga të interesuarit.

“Është një nga kompanitë që krenohemi. Sapo mbaruam një panair në Gjermani të bimëve organike dhe është duke përpunuar produktin dhe ka marrë kërkesat e para për punësim sot.” – tregoi Ministrja e Bujqësisë Anila Denaj.

Rrogat e fermerëve i kalojnë 1500-2000 euro në vit, pasi janë punë sezonale. Puna jonë është që ne duhet t’u japim një gamë më të gjërë fermerëve, orjentimin se çfarë duhet të bëjnë.” – u shpreh sipërmarrësi drejtues

Kryeministri Rama tha se do të ketë të tjerë panairë në të ardhmen “Ideja është të kemi një panair të pranverës, një panair të vjeshtës në Greqi dhe pastaj do e bëjmë dhe në Itali. Po tani që ne kemi bindjen që me pagat jemi më mirë sesa këtu. Besoj që 1 vit e gjys 2 do të jemi pak a shumë si Italia.” – u shpreh ai. 

Panairi i Punës, i cili do të qëndrojë i çelur përgjatë gjithë ditës, deri në orët e para të mbrëmjes është i organizuar në panele, dedikuar fushave të ndryshme, konktretisht: Ndërtimi dhe Transporti; Mësuesit për Shqipërinë; Ekonomia, Punësimi & Familja; Hoteleria & Turizmi; Bujqësia dhe Zhvillimi Rural; Bashkitë, Investime & Punësim. Sipas fushave, panelet do të drejtohen nga ministrat përkatës, Belinda Balluku, Ogerta Manastirliu, Blendi Gonxhja, Mirela Kumbaro, Anila Denaj dhe Arbjan Mazniku.

 

 

 

 

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.