Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Kryeministri Rama zhvilloi sot një takim të zgjeruar me inspektorë, ku merrte pjesë edhe Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit Delina Ibrahimaj dhe Inspektori i Përgjithshëm Dashnor Sula. Kryeministri theksoi nevojën për një qasje të re në procesin e inspektimit, të bazuar tek transparenca, korrektësia dhe mbështetja ndaj sipërmarrjes. 

Lidhur me këtë takim, Kryeministri Rama u shpreh: “Kontrollet e inspektimeve duhet të kalojnë testin e “Besës”. 

E para, nuk duhet të ketë më asnjë kontroll pa paralajmërim. Inspektori nuk vjen te dera e biznesit si në një skenë krimi, por si shteti që njofton, të mbikëqyr dhe të ndihmon të korrigjohesh. 

Qëllimi ynë nuk është t’i kapim subjektet në gabim, por t’i ndihmojmë të përmirësohen në zbatimin e ligjit dhe në përmbushjen e standardeve që janë interesi ynë i përbashkët dhe e dyta; gjoba mbi një biznes është arma e fundit, jo e para dhe kurrë një “shpatë” shantazhi në qafën e sipërmarrësit për të gjetur një mënyrë tjetër pastaj për ta shmangur gjobën dhe kush nxjerr gjobën përpara fjalës së mirë, nuk po e mbron shtetin, por po e turpëron atë.

E treta; kujt i vjen një inspektim pa paralajmërim për një kontroll rutinë nga cilido inspektorat, duhet ta denoncojë menjëherë tek Inspektori i Përgjithshëm.

Kjo nuk është ankese, kjo është e drejtë dhe këtë të drejtë, ne mund ta vendosim vetëm së bashku, qeveria dhe sipërmarrja.

Dhe së fundi, së shpejti, çdo inspektor që troket në emër të shtetit tek dera e një tatimpaguesi të kësaj republike, do të jetë i pajisur me kamerën inteligjente të trupit dhe i veshur me uniformë, që të dish kush është, çfarë përfaqëson dhe që ai vetë ta dijë se në çdo minutë të punës së tij është i mbikëqyrur nga Inspektorati i Përgjithshëm.

Shteti që hyn në derën e njerëzve, duhet t’i bëjë ata krenarë për taksat që ata i paguajnë këtij shteti.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.