Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Qendra shëndetësore Nr. 6 në Durrës është rehabilituar tërësisht, zgjeruar dhe e pajisur me aparatura të reja si pjesë e programit të 300 qendrave shëndetësore që do të rikonstruktohen dhe rindërtohen në të gjithë vendin. Qendra i shërben rreth 20 mijë qytetarëve të kësaj zone.

Për stafin mjekësor dhe pacientët, ky investim ishte i jo vetëm i nevojshëm, por edhe i shumëpritur. “Kushtet janë dukshëm më të mira. Nuk kanë qenë asnjëherë në këtë nivel” – tha një nga pacientët e kësaj qendre. Ndërsa një nga mjekët që punon në këtë qendër thotë se këtë ndërhyrje nuk e ka parë asnjëherë gjatë gjithë viteve të punës në shërbimin mjekësor. “Kam 35 vjet punë dhe nuk ka pasur asnjëherë ndërhyrje të tillë. Jemi shumë të kënaqur. Kemi kushte dhe mundësi për të punuar”, – u shpreh mjeku.

Kryeministri Rama, i shoqëruar nga ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu panë nga afër këtë qendër të rikonstruktuar, e cila gjatë sezonit të verës kthehet në një qendër 24 orëshe për t’i shërbyer edhe turistëve. “Kjo është një ndër qendrat që mbulimin me kontroll mjekësor bazë e ka 100% dhe besoj që do vijojë të përmirësojë shërbimet, jo vetëm ato të kontrollit mjekësor bazë por dhe ato të planifikimit nëpërmjet i-referimit”, – tha ministrja e Shëndetësisë.

Tashmë kontrolli bazë mjekësor ofrohet falas për të gjithë qytetarët e për të gjithë moshat. Po ashtu, të gjithë pacientët e diagnostikuar me sëmundje kronike, barnat mund t’i marrin me rimbursim të plotë. “Në shërbimin tonë mbulohet gjithë pjesa e sëmundshmërisë kronike dhe tashmë është futur mundësia për të marrë barnat me rimbursim të plotë, qoftë të siguruar, ose të pasiguruar”, – tha një nga mjeket e qendrës shëndetësore. “Në këtë nivel është falas çdo gjë. Më përpara, qytetarët e pasiguruar duhet të paguanin kostot e bashkëpagesës. Tani nuk ka më bashkëpagesa. Alternativa për barnat e rimbursueshme është falas dhe gjithmonë orientohen nga mjekët”, – tha ministrja Manastirliu.

Nëpërmjet sistemit online, tani bëhet jo vetëm planifikimi i vizitave mjekësore, por kjo ndihmon dhe në krijimin dhe ruajtjen e një historiku për çdo pacient. “Nëpërmjet sistemit online tani vetë mjeku i familjes realizon dhe bën të mundur vizitën tek specialist dhe përveç kësaj dhe planifikimin e ekzaminimeve që do bëjë pacienti. Kjo pakëson dhe orët e pritjes së pacientëve dhe të gjitha të dhënat janë në sistem për të pasur dhe një kartelë shëndetësore elektronike të pacientëve”, – tha deputetja e zonës, Klodiana Spahiu.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.