Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Fjala e Kryeministrit Edi Rama gjatë ceremonisë së përurimit të qendrës së re rinore në Tiranë:

Mirëmbrëma të gjithëve!

Dëgjova nga organizatorët që kishin pak mërzi se kanë ftuar kryetarin e bashkisë dhe ai nuk ka ardhur, por me siguri kanë çuar ftesën tek Bashkia e Tiranës dhe kryetari nuk është aty. Kështu që nuk është se s’ka dashur të vijë, por nuk i ka arritur ftesa, sepse ka kohë që ka ikur nga Bashkia e Tiranës. Gjithsesi jam i bindur se kur ta dëgjojë përmes meje dhe përmes televizionit, falë jush, që u hap kjo qendër, ai përsëri nuk do të vijë, sepse nuk merret me Tiranën.

Ndërkohë që për Tiranën, kjo qendër është shumë e rëndësishme, si një dallëndyshe e parë që lajmëron pranverën, jo vetëm për të rinjtë në Tiranë, por për të rinjtë edhe në qytete të tjera, sepse është qendra e parë që do të pasohet shumë shpejt nga e dyta në Korçë, pastaj nga një tjetër në Vlorë dhe me radhë, me ambicien që brenda këtij mandati, ne të kemi qendra rinore në të gjitha bashkitë, të paktën në ato kryesore dhe pastaj mundësisht, në bashkëpunim me pushtetin ri vendor, ne do të ndërtojmë për çdo bashki një qendër të re rinore.

Sigurisht që një qendër e re rinore, as 20 apo 61 sa ç’ka njësi të reja vendore, nuk është se zgjidhin problemet e rinisë, por ama krijojnë hapësirën për të diskutuar mes jush dhe për të diskutuar sëbashku me më të rritur të gjithfarë kategorive për problemet dhe për të parë se si mund të kontribuoni për të zgjidhur disa prej tyre.

Çka më pëlqeu nga programi i Qendrës është se kjo nuk është një qendër vetëm për festë, nuk është një qendër vetëm për muzikë, as vetëm për shfaqe apo ekspozita të rinjsh, por është një qendër edhe për debate, është një qendër edhe për këshillim lidhur me punësimin, lidhur me sesi përmes të të mësuarit të projekteve dhe me projektet e tyre, të rinjtë mund të gjejnë financime në drejtime të ndryshme për idetë fituese dhe padyshim, edhe lidhur me fuqizimin e kapaciteteve të të rinjve për të diskutuar, për të debatuar, për të dialoguar me njëri-tjetrin. Në këtë aspekt besoj se ambicia që programi i Qendrës ka, është e mjaftueshme për të qenë të gëzuar sot. Por sigurisht që puna e përditshme do të na tregojë, nëse do të jemi gjithnjë të gëzuar me këtë qendër.

Unë besoj vetë personalisht që kështu do të ndodhë, sepse qoftë drejtorja e Shërbimit Kombëtar të Rinisë, qoftë drejtorja e Qendrës,  – që tha jam më e vjetra nga ju, por në fakt e kishte gabim, sepse këtu më i vjetri, megjithëse unë nuk jam i vjetër, jam i stërvjetër përpara jush, – do të bëjnë të mundur bashkë me ju dhe të tjerë që sigurisht do të bashkohen me ju, kjo Qendër do të kthehet nga një godinë e bukur, me mure të bukura, me ndriçim të bukur, në një hapësirë energjish pozitive dhe shkëmbimit të këtyre energjive. Me siguri do të prodhojnë ide, do të prodhojnë projekte, do të prodhojnë aktivitete dhe do të riprodhojë dëshirën për të bërë gjëra sëbashku. Sëbashku me njëri-tjetrin, sëbashku me ne.

Jo për formalitet por dua ta mbyll me falenderimin për Presidentin e Dhomës së Tregtisë, për dy arsye. E para, sepse me shumë dashamirësi u bë pjesë e këtij projekti dhe e dyta, edhe sepse me shumë mprehtësi prej sipërmarrësi zgjodhi të ketë pranë Dhomës së Tregtisë, komshinjtë më të mirë të mundshëm. E falënderoj për këto dhe nuk e falënderoj për kontributin që ka dhënë Dhoma në cilësinë e një dhome sipërmarrësish, sepse në këtë rast kanë bërë realisht një biznes shumë të mirë. Me shumë pak kanë fituar shumë. Kështu që sigurisht meritojnë respekt për mençurinë që kanë investuar që të bëhet kjo Qendër, sëbashku me Raiffeissen Bank, sëbashku me World Vision, por, në fund të fundit, ata kanë dalë më të fituarit. Sepse deri dje, të vijë te Dhoma e Tregtisë, duhet të takoje edhe komshinjtë që bënin tallava këtu dhe duhet të bashkëjetoje me idenë se sup më sup me tallavanë, sipërmarrja do të ecte përpara. Ndërkohë që sot, kjo ka ndryshuar rrënjësisht. Jam i bindur që edhe Dhoma e Tregtisë, edhe Banka Raiffeissen, edhe World Vision dhe banka të tjera dhe të tjera kompani do ta shohin me dashamirësi këtë qendër edhe për ta shfrytëzuar, për të identifikuar burime njerëzore cilësore mes të rinjve, për të bashkëpunuar me drejtuesit e qendrës për programe të ndryshme, të natyrës edukative për të rinjtë, lidhur me botën e biznesit, lidhur me sistemin bankar e kështu me radhë.

Besoj se është shumë e rëndësishme që të gjithë sëbashku të përpiqemi që tek të rinjtë të shkulim një mendësi të mbrapshtë, por edhe shumë regresive, të rrënjosur se e vetmja e ardhme e sigurt dhe e ndritur është të punosh në shtet. Në fakt kemi një boshllëk shumë të madh, që sëbashku do ta mbushim, për të nxitur të rinjtë që të bëhen pjesë e sipërmarrjes dhe për të nxitur të rinjtë që të zbulojnë brenda vetes aftësitë dhe energjitë që mund t’i bëjnë ata sipërmarrës. Sepse jo për fajin e tyre, të rinjtë mendojnë se sipërmarrësit janë një bashkësi njerëzish me hije të rënda dyshimi për punën që bëjnë. Në fakt e vërteta është që të jesh një sipërmarrës i suksesshëm është njësoj si të jesh një këngëtar i suksesshëm, si të jesh një artist i suksesshëm, si të jesh një njeri i suksesshëm në të gjitha fushat ku krijohen modele për t’u ndjekur. Kështu që unë dua të shpresoj që falë këtij bashkëpunimi, kjo Qendër do të jetë edhe një hapësirë ku do të lindin ambicie, do të lindin dhe projekte jete për t’u bërë sipërmarrës dhe duke u bërë sipërmarrës, për të qenë në gjendje të punësoni edhe njerëz të tjerë dhe të mos rrini në kafe duke pritur që t’ju vijë nga qielli, një punë në shtet.

Nuk mund të rri pa e mbyllur me një vërejtje për Marian. I kam thënë disa herë, por nuk po heq dorë dhe do tani do t’ia bëj vërejtje publike. Si socialiste e flaktë që je duhet ta harrosh “zoti”, “zonja”, mjafton të thuash drejtorja filan, drejtori filan, kryeministri filan apo kryeministri filan. Ajo “zonja” dhe “zoti” nuk shkon për ne socialistët.

Faleminderit!

***

Nga sot, të rinjtë e kryeqytetit kanë një hapësirë të dedikuar, ku përveç mundësisë për të shprehur talentin në fusha të ndryshme, mund të shndërrohet në një forum dialogu e debati i të rinjve. Kryeministri Edi Rama dhe Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj përuruan sot Qendrën e parë Rinore në Tiranë, mundësuar edhe me mbështetjen financiare të “World Vision” dhe Raiffeisen Bank. Si e vetmja hapësirë për të rinjtë kryeqytetas, Qendra do të jetë edhe një promotor i programe specifike me fokus rininë.

Kryeministri Rama e cilësoi këtë qendër si dallëndyshen e parë që lajmëron pranverën, pasi, sipas tij, qeveria synon që të hapë një qendër rinore për çdo bashki.

Ndërkaq, ministri Veliaj u shpreh se kjo është një hapësirë që është projektuar për të shpërndarë kulturë.“Ne të majtët besojmë se më shumë hapësira publike duhet ti kthehen publikut dhe jo privatit. Ne besojmë që të rinjtë nuk kanë nevojë për kafe dhe klubin e 1001. Por kanë për të qendrën e parë rinore. Dhe më vjen mirë që me vendimin e djeshëm të kryeministrit dhe qeverisë do kemi qendrën e dytë rinore në qytetin e Korçës, ku një tjetër klub do kthehet në qendër rinore. Veprat tona janë ashtu siç themi, ne besojmë tek kazinotë që kthehen në zyra pune, në klubet që kthehen në qendra rinore. Dhe ne besojmë te energjia e të rinjve tanë”, – tha ministri Veliaj. Ai ftoi drejtuesit e kësaj Qendre që të organizojnë një axhendë të tillë, ku çdo javë të ketë një grup të rinjsh që e shfrytëzon për të promovuar talentin, pasionin dhe aftësitë që ata kanë për të bërë gjera të bukura.

Nga ana e tij, drejtori kombëtar i “World Vision” në Shqipëri dhe Kosovë, Reinder Dekker, tha se bashkëpunimi me Shërbimin Kombëtar të Rinisë për hapjen e qendrave të tjera rinore në Shqipëri do të vazhdojë, sepse është shumë e rëndësishme që të rinjtë të kenë hapësira ku të takohen me njëri-tjetrin dhe të zhvillojnë talentet e tyre.“Mezi presim që kjo Qendër Rinore t’u shërbejë të rinjve të Tiranës. Kemi parë shndërrime të mrekullueshme të të rinjve, kur atyre u jepen mundësitë e duhura, siç është kjo qendër sot,” – nënvizoi ai.

Themelimi i Shërbimit Kombëtar për Rininë në korrik të vitit 2014, si institucion varësie i MMSR-së në zbatim të politikave dhe strategjive për Rininë, parashikon funksionimin e tij nëpërmjet qendrave rajonale rinore. Qendra e Tiranës është e para syresh. Përveç se është hapësira e vetme për të rinjtë e Tiranës, simbolikisht përfaqëson një ndërrim faqeje në filozofinë e përdorimit të hapësirave publike.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.