Pas Vermoshit dhe Valbonës, Korça është destinacioni i radhës që do të ketë një qendër turizmi dhe si një nga qytetet më të frekuentuara të Shqipërisë shfaq mundësi për zhvillimin e hotelerisë në aspektin e turizmit dhe të zhvillimit të guidave turistike. Godina që dikur ka qenë materniteti i qytetit do të kthehet në një qendër për turistët.
Kryeministri Rama u ndal edhe në këtë investim të Fondit Shqiptar të Zhvillimit, që synon kthimin e kësaj godine në një qendër që promovon zhvillimin e turizmit dhe vlerave kulturore të zonës. “Kjo është e treta në radhë, pas qendrës në Valbonë dhe në Vermosh. Do transformohet totalisht, nga një godinë e abandonuar do kthehet në një qendër për zhvillimin e turizmit, e cila do të ketë në thelb koordinimin midis operatorëve turistikë, rritjen e kapaciteteve, promovimin e turizmit”, – shprehet drejtori i FSHZH-së, Dritan Agolli.
Kryetari i Bashkisë së Korçës, Sotiraq Filo e vlerëson këtë iniciativë të FSHZH-së, duke qenë se turizmi është një sektor shumë i rëndësishëm për Korçën. “Kemi një numër në rritje të vizitorëve që zgjedhin Korçën si destinacion dhe besoj që me këtë projekt, ne do t’i shtojmë infrastrukturës turistike një aset të ri”, – thotë Filo.
Kjo godinë moderne do të ketë jo vetëm dhoma ku vizitorët mund të qëndrojnë, por edhe zyra workshop-i, sallë konferencash si dhe një restorant. “Është shumë i nevojshëm një operator që të jetë mbi operatorët privatë, sepse ka disa produkte apo shërbime që duan bashkëpunim. Bashkëpunimi nuk është aq i kollajtë të arrihet përmes operatorëve, kështu që ky model biznesi, që është në fakt operator publik shtetëror, ka mundësi ta mbushë këtë boshllëk. Të ndërtojë guida apo shërbime të përbashkëta të bizneseve”, – thotë ministri dhe deputeti i qarkut, Niko Peleshi.
Ndërkohe në pjesën e prapme të godinës është parashikuar edhe një bar-kafe, i cili shtrihet edhe në ambientin e jashtëm. “Duke pasur një qendër të tillë, krijon sinergji dhe jep mundësi për ta sofistikuar ofertën më shumë dhe është edhe një strukturë më shumë. I kam parë ato të veriut, qoftë në Vermosh, qoftë në Valbonë dhe janë fantastike edhe nga pikëpamja e komoditetit për të qëndruar aty, por janë fantastike edhe si pika graviteti. Natyrisht që këtu në Korçë janë bërë shumë struktura e mesa unë shoh, vazhdojnë bëhen. Të gjitha shtëpitë këtu e kanë atë perspektivë, kështu që qendra do t’i japi një adresë, do t’i japë një pikë referimi”, – shprehet Kryeministri Rama.
***
Korça, së shpejti do të ketë terminalin e ri të autobusëve. Një zhvillim që transformon jo vetëm shërbimin e transportit të udhëtarëve, por edhe periferinë e qytetit, ku është vendosur terminali. Në vijim të vizitës në Korçe, Kryeministri Rama u ndal edhe në kantierin e terminalit të ri të, i cili pritet të mbarojë brenda pak kohësh, për t’u kthyer më pas në një perspektivë të re zhvillimi për periferinë e Korçës.
Kryebashkiaku i Korçës, Sotiraq Filo e konsideron këtë investim, me impakt të madh jo vetëm për ekonominë, por dhe në lehtësimin e trafikut brenda në qytet. ‘Është një investim modern që do të garantojë një cilësi më të mirë të shërbimit. Falë këtij terminali, edhe gjithë zona përreth është zhvilluar dhe aktivitetet ekonomike e kanë transformuar komplet si zonë”, – shprehet Filo.
Terminali modern i autobusëve do të vendosë një standard të ri për transportin e udhëtarëve, por edhe vizitorëve vendas e të huaj në qytetin mikpritës të Korçës.