Qendra historike, atraksioni më i ri i Vlorës

Qendra e rilindur historike e Vlorës është atraksioni më i ri për bizneset e sapoçelura, të cilat e kanë shfrytëzuar më së miri vendndodhjen në këtë zonë për të tërhequr klientë dhe vizitorë të shumtë. “I gjithë transformimi që ka ndodhur në të gjithë zonën ka bërë që të shndërrohet gjithë ky territor në një atraksion për bizneset e reja që hapen çdo ditë”, – u shpreh kryetari i Bashkisë së Vlorës, Dritan Leli, gjatë vizitës që Kryeministri Edi Rama bëri sot në Qendrën Historike e më pas në një prej bizneseve të reja të emërtuar “Agora”. “Janë një çift të rinjsh nga Tirana, të cilët kanë zgjedhur vendin e tyre për të investuar pikërisht në zonën historike në Vlorë. Është atraksioni i ri i të gjithë bizneseve që japin shërbime”, -vijoi kryebashkiaku Leli.

Lokali i ri në godinën dykatëshe, për të cilin të rinjtë janë mbështetur edhe nga bashkia e Vlorës i është përshtatur më së miri frymës tradicionale të zonës, duke ofruar shërbime me cilësi, por edhe mundësi për promovim dhe punësimin e të rinjve.

“Atraksioni që jep për gjithë bizneset e reja, për të krijuar vende të reja pune dhe për të zhvilluar ekonominë është duke ndodhur ditë pas dite”, – u shpreh Leli.

Ndërkohë shumë shpejt do të hapë dyert në këtë zonë Muzeu Hebraik, ku në garë do të jenë edhe projektues të huaj, për t’i dhënë Vlorës një tjetër destinacion të turizmit kulturor. “Ajo që ne kemi zgjedhur të gjithë së bashku, me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës dhe Fondit Amerikan, ka qënë pikërisht kjo godinë, të cilën duam ta shndërrojmë në Muzeun Kombëtar Hebraik”, – u shpreh lidhur me këtë projekt, kryetari i Bashkisë Leli. Ky objekt dhe një tjetër objekt në vazhdimësi do të bëhen pjesë e trashëgimisë kulturore dhe pjesë e muzeumeve të Shqipërisë. Kjo godinë ekzistonte një e treta dhe dy të tretat janë rikonstruktuar falë këtij projekti, i cili e ka transformuar në tërësi.”

Ndërsa Ministrja e Kulturës Elva Margariti tha se muzeu do të jetë një vlerë që do t’i kalojë kufijtë. “Ne kemi përcaktuar me projektidenë të gjithë rikonceptimin e kësaj hapësire. Do të ketë dhe arkitektë të huaj që do të ftohen për të sjellë propozimet e tyre. Do të jetë një muze, i cili do t’i japë vlerë, jo vetëm Vlorës, jo vetëm Shqipërisë, por edhe në nivel rajonal.”

E pozicionuar diku më tutje është karabinaja e lashtë e “Sulos” që po transformohet falë një projekti për ta kthyer në një qendër inovacioni digjital për të rinjtë, kulture, arti e hapësirash për të gjitha moshat. “Do të kthehet në një objekt publik. Unë bëra një diskutim të gjatë me arkitektë që të jetë një qendër që të ketë disa komponentë. Një komponent të jetë për të gjithë proceset e IT-së për të rinjtë, në mënyrë që ta krijojmë rrjetin me bërthamën e nisur në Tiranë me “Tumo”-n, me Korçën që ka avancuar për ta patur këtë qendër për të rinjtë tek biblioteka e re. Me Vlorën kemi një aset fantastik këtu, që mund të transformohet dhe t’u japim të rinjve mundësinë që të kenë akses në këtë aktivitet me procese ultra inovative, trajnimi me aktorë që i kemi në kontakt dhe të hymë në botën e kodimit dhe të gjithë shërbimeve globale online, që i japin mundësi që pa lëvizur nga vendi, pa lëvizur nga Vlora, të jenë të punësuar në tregun global me kompjuterin e tyre dhe të mund të kenë paga që shkojnë nga 1 mijë euro në vitin e parë deri në 5, 6, 9 apo 10 mijë, në varësi nga aftësia dhe nga kapaciteti i shërbimeve që kryejnë. Kjo është e ardhmja në një pjesë të konsiderueshme të atyre që janë sot 14, 15 apo 16 vjeç, në sensin e punësimit. Përveç kësaj, sepse hapësira është fantastike, shumë e madhe, të ketë edhe hapësira për të moshuarit, për fëmijët, shërbime publike që janë të përqendruara dhe ofrojnë mundësi të drejtpërdrejta për qytetarët”, – u shpreh Kryeministri Rama lidhur me këtë projekt transformues.