Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Përmirësimi i cilësisë së shërbimit shëndetësor në kujdesin parësor është në fokus të programit  dedikuar rehabilitimit tërësor të qendrave shëndetësore dhe ambulancave në të gjithë vendin. 

Nga ky program ka përfituar edhe poliklinika Ersekës, e cila është rehabilituar dhe pajisur me aparatura të reja falë një investimi prej 20 milionë lekësh nga buxheti i shtetit dhe ofron sot një standard të ri shërbimi të kujdesit parësor për 5 mijë banorët e Bashkisë. 

“Në këtë godinë kemi bashkë Poliklinikën dhe Qendrën Shëndetësore Ersekë. Në katin e parë është Qendra Shëndetësore e rehabilituar me Programin e 300 Qendrave Shëndetësore, që tashmë kemi përfunduar 80 dhe ofron të gjitha shërbimet,” u shpreh ndër të tjera ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, e cila së bashku me Kryeministrin Edi Rama panë nga afër transformimin e kësaj qendre shëndetësore. 

 “Po ta krahasosh është e paarritshme dhe e paimagjinueshme. Ju nuk e imagjinoni dot se si ka qenë,” theksoi një prej mjekëve. 

Edhe vetë pacientët dhe familjarët e tyre shprehen mjaft të kënaqur me investimin e ri, e veçanërisht me shërbimin e ofruar. “Në radhë të parë shërbimi është shkëlqyer,” thotë një prej tyre. “Kjo ka qenë si stallë. Tani është super,” pohon një tjetër pacient. 

Kryeministri shtoi se së shpejti do të marrë fund edhe problemi i mjekëve specialistë në rrethe, pasi me këtë vit pritet që të dalin specializantët e parë.

Ne gjetëm një boshllëk shumë të madh, sepse u ndërprenë specializimet 4 vjet përpara se të vinim ne. Tani është viti i parë që dalin specializantët. Në Korçë aktualisht janë 15 specialistë që janë sistemuar aty dhe ndërkohë të gjitha nevojat për specialistë do të plotësohen nga specializantët e rinj,” u shpreh Kryeministri.

Ndërkohë, për vitin 2019 do të vijojë edhe politika për shpërblimin e punës së mjekëve, sidomos në ato zona ku ka mungesë mjekësh. Për motivimin e dërgimit të mjekëve në këto zona, do të vijojë pagesa e bonusit me vlerë 200,000 – 250,000 lekë në muaj.​

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.