41 shërbime të shëndetësisë dhe mbrojtjes sociale ofrohen online nga 1 Janari, duke eliminuar burokracitë dhe radhët në sportele për qytetarët. Nga karta e shëndetit, tek referimi elektronik dhe ripërcaktimi i vizitës, apo ekzaminimit online, tashmë aksesohen nëpërmjet platformës e-Albania, duke shmangur burokracitë dhe sorollatjet e qytetarëve.
Qendra e re shëndetësore në shërbim 24 orësh e Vorës, e transformuar tërësisht, është një prej Institucioneve të shëndetit, pjesë e revolucionit digjital, që do të lehtësojë maksimalisht shërbimet e ofruara ndaj qytetarëve. Kryeministri Edi Rama së bashku me ministren e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu vizituan sot këtë qendër, ku qytetarët po prekin realitetin e ri dhe po asistohen nga personeli për mënyrën e marrjes së shërbimit online.
Kështu vetëm për Kartën e Shëndetit, 30 mijë qytetarë duhet të merrnin rrugën e mbanin radhë dy herë, një herë për aplikimin dhe njëherë për marrjen e kartës. Ndrësa sot nuk ka më nevojë të harxhojnë asnjë minutë dhe asnjë lek.
“E para që shmang burokracitë dhe ecejaket është karta e shëndetit, që në fakt ka qënë online, aksesohej online, por që duhej të aplikohej në 40 sportele apo këtu në Vorë ku jemi ne, qytetarët vinin një herë në javë për të bërë këtë veprim. Tashmë nuk ka nevojë që qytetari të vijë të aplikojë, pasi 40 sportelistët në 40 sportele, do t’i ndihmojnë qytetarët ta kryejnë këtë veprim vetë. Kemi shmangur çdo burokraci në lidhje me kartën e shëndetit. Mbi 30 mijë shërbime kryheshin në vit vetëm për aplikime, riaplikime kartash.” -shprehet ministrja e Shëndetësisë.
“Janë lehtësuar shërbimet. Radhët janë eliminuar,” pohon një nga mjeket e qendrës.
Ministrja Manastirliu u shpreh se nëpërmjet portalit e-Albania, të gjitha rezultatet e kontrollit mjekësor bazë mund të shihen online, ndërsa risia nga 1 Janari është ripërcaktimi i datës së vizitës, apo ekzaminimit nga vetë qytetari, nëse nuk i volit, apo ka nevojë të ndryshojë datën e përcaktuar tek mjeku.
“Prej një viti e pak ekzaminimet elektronike, referimi elektronik bëhet direkt nga mjeku i familjes te mjeku specialist, por ajo çfarë është shtuar tani në paketën e re të shërbimeve online është ripërcaktimi i vizitës, apo i ekzaminimit. Janë 6000 veprime në ditë, apo 1.2 milionë veprime në vit që kryhen në total për skedulime, vendosje date konsulte, apo ekzaminimi, ndërkohë që rreth 2 mijë në ditë që nuk realizohen për arsye objektive. Vetë qytetari nëse e humb e ka këtë mundësi nëpërmjet riskedulimit që tashmë është vendosur nëpërmjet portalit e-Albania,” theksoi ministrja.
Ndërsa drejtorja e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, Linda Karcanaj deklaroi se deri në fund të vitit do të shtohen edhe 24 shërbime të tjera online në institucionet e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.
“Ne jemi duke ecur me shërbimet e reja te Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale. Kemi 10 shërbime të reja që shtojmë deri në qershor të këtij viti. Dy janë shërbime të rëndësishme me vulë elektronike: masa e ndihmës ekonomike dhe masa e pagesës së aftësisë së kufizuar. Janë 24 shërbime të tjera pastaj deri në fund të vitit. Të gjitha autorizimet do i kalojnë aplikimet vetëm online dhe ministrja ka vendosur që edhe për akreditimin e institucioneve shëndetësore aplikimi të jetë vetëm online brenda vitit,” deklaroi drejtorja e AKSHI-t, Karcanaj.
Kryeministri tha se asnjë vend pune nuk do të preket, pasi të gjitha shërbimet që ato kryenin më parë tashmë do të jepen online. “Ju e keni kuptuar këtë gjë, se, në fillim u krijua ideja që recepsionistë e sportelistë do ikin nga puna se do bëhet online. Jo. Ju do jeni këtu online që t’u shërbeni atyre që nuk do vijnë më këtu. D.m.th., nuk ka më t’i thuash atij që vjen, “shko se të mungon kjo”, apo “ta kanë bërë gabim këtë”. Çfarë ka dokumente që janë të shtetit do t’i merrni ju për personin,” tha Kryeministri.
Qendra shëndetësore e Vorës është transformuar tërësisht, me një investim prej 60 milion lekësh, pjesë e programit kombëtar të rindërtimit të 300 qendrave shëndetësore, me mbështetjen e qeverisë zvicerane nëpërmjet projektit “Shëndet për të Gjithë”. Nga ky investim i ri përfitojnë shërbime me standard të lartë rreth 36,000 banorë të Vorës dhe zonave përreth.
“Kjo qendër është e 180-ta e përfunduar, ndërkohë që 120 të tjera do të fillojnë këtë vit, ku kemi planifikuar gjithashtu edhe qendrat e prekura nga tërmeti të rehabilitohen,” shprehet ministrja Manastirliu.
Kryeministri Edi Rama duke vlerësuar ndryshimin cilësor që ka pësuar kjo godinë, deklaroi se një transformim të tillë do të pësojnë në Vorën e prekur nga tërmeti i 26 Nëntorit, të gjitha banesat e dëmtuara.
“Kur kam qenë këtu përpara ka qenë një katastrofë. Në Vorë mrekullia e vërtetë do jetë rindërtimi. Janë shumë godina për t’u shembur. Do bëjmë një gjë shumë të bukur në Vorë,” u shpreh Kryeministri.