Qëndrimi i Kryeministrit për vdekjen tragjike të Klodianit

Qëndrimi i Kryeministrit për vdekjen tragjike të Klodianit:

 

Të dashur bashkëqytetarë,

Humbja e jetës së një djali 25 vjeçar, nga tejkalimi ekstrem i forcës së një efektivi polici, ishte një tragjedi për familjen dhe një lajm tronditës për të gjithë shoqërinë.

Pamundësia fizike për të qenë këtu i pranishëm, ma imponoi shtyrjen në kohë të këtij mesazhi. Sepse nuk mund ta bëja thjesht me gërma, pa zë, pa sytë drejtuar nga të gjithë ju.

Kështu, ky mesazh s’do të mund të mbetet pa prekur ngjarjet e dhunshme të pasdites së djeshme, të cilat nga tragjedia morën sebepin, për t’u shpalosur me të gjithë vulgaritetin brutal të frymëzuesve të tyre.

Por, në radhë të parë jeta e humbur nga akti fatal i efektivit të policisë.

Sapo kam zbritur në Tiranë, kam shkuar në familjen e të ndjerit. Jam prekur pamasë nga pritja e tyre dhe urtësia e fjalëve të babait të Klodianit. “Asnjë lule e vetme nuk mund të preket në Tiranë në emrin e tim biri! Ne duam drejtësi, jo zhurmë politike”,  – më tha ai.

Po dua t’ia drejtoj familjes, të afërmve e miqve të djalit jetëhumbur, edhe publikisht shprehjen e ndjesës e të keqardhjes sime të thellë, bashkë me ngushëllimet e mia të ndjera, për humbjen e tyre të patregueshme.

E kam fare të qartë se fjalët në këtë rast janë krejt të pafuqishme përballë dhimbjes e boshllëkut që përjetojnë baba, nëna, motra, vëllezërit e Klodianit, xhaxhallarët, dajat e djemtë dhe vajzat e tyre.

Por, përveç fjalëve të ndjesës e të ngushëllimit, drejtësisë për viktimën dhe reflektimit mbi ngjarjen, qëndrimit afër familjes e marrjes pjesë në dhimbjen e tyre, asgjë tjetër nuk mbetet fatkeqësisht pas një jete së humbur befasisht.

Efektivi i policisë ka vrarë një njeri, në mënyrën më të pashpjegueshme deri më tani dhe krejt pa asnjë lidhje me ndonjë mision, operacion apo objektiv të lidhur me aktivitetin e Policisë së Shtetit në atë vend e në atë orë shumë të vonë.

Por, pavarësisht faktit se vrasja e njeriut është kryer thjesht e vetëm nga një njeri tjetër, arma ishte e shtetit.

Prandaj edhe ndjesa i takon shtetit, bashkë me angazhimin e zbardhjes së plotë e të ndëshkimit ligjor të autorit.

Autori i ka kaluar menjëherë duarve të drejtësisë dhe me patjetër do të hetohet e do të gjykohet nga organet e drejtësisë, në pavarësi e paanësi të plotë.

Akti i tij ngjan fare i pakuptueshëm, përveçse krejt i paarsyetueshëm për aq sa dimë. Por sigurisht, nuk jemi ne, por drejtësia që ka barrën e fjalës së fundit, për shkallën e fajësisë së autorit përpara ligjit.

Sado i madh është në këtë rast padurimi për ta vënë në vend drejtësinë, drejtësia ka nevojë për të hetuar gjithçka.

Sado e padiskutueshme të jetë fajësia e efektivit të policisë në sytë tanë, drejtësia ka nevojë ta dëgjojë edhe atë.

Drejtësisë i duhet koha e saj.

Por në ndërkohë, sado e natyrshme është që në një rast të tillë, sa absurd, aq edhe ekstrem kur e dëgjon, emocioni të jetë i fortë dhe po ashtu ndjenja e revoltës e menjëhershme, është tejet e domosdoshme që të mos e humbasim kthjelltësinë, e të mos i lejojmë emocionet apo më keq akoma, kundërshtitë e shëmtuara politike, të ngatërrojnë rrugën e reflektimit tonë.

Lejomëni ta ribëj reflektimin tim me zë të lartë, pasi e kam bërë disa herë me vete, qyshse mora lajmin e vdekjes tragjike të djalit 25 vjeçar nga arma e Policisë së Shtetit.

A është kjo ngjarje krejt e shkëputur nga vija e sjelljes së Policisë së Shtetit apo është vallë kulmimi i një devijimi të mëparshëm prej binarëve të ligjshmërisë nga Policia e Shtetit?

A ka qenë vërtetë Policia e Shtetit e prirur të tejkalojë të drejtën e ushtrimit të forcës në vitin a në vitet e fundit, sikundër u akuzua për shembull nga zoti President i Republikës – e jo vetëm nga ai për fat të keq?

A janë drejtuesit e sotëm të Policisë së Shtetit ose qoftë edhe Ministri i Brendshëm, personazhe të lidhur me krimin, individë të korruptuar apo të mbingarkuar politikisht në kryerjen e detyrës së tyre dhe a kanë shfaqur ata, shenja vetëkënaqësie, brutaliteti apo papërgjegjshmërie në detyrë, duke ndikuar negativisht në moralin e në sjelljen e trupës së uniformave blu?

Përgjigja objektive e këtyre pyetjeve ndihmon këdo që dëshiron të jetë objektiv; ose për të nxjerrë mësime nga ngjarja tragjike, nëse ajo lidhet negativisht me të paktën një nga tre pikëpyetjet që sapo ngrita, ose për të konfirmuar moslidhjen e kësaj ngjarjeje të rëndë, qoftë me kursin e Policisë së Shtetit, qoftë me integritetin moral e profesional të drejtuesve të saj më të lartë, përshirë edhe Ministrin e Brendshëm.

Kthehuni ju lutem pak në kohë me sytë e kujtesës suaj dhe shikojeni vajzën e Shqiponjave, Ina Nukën, studenten e shkëlqyer të Akademisë së Policisë, e cila humbi gishtat e dorës, sapo kishte nisur punën e shumë ëndërruar, nga goditja kriminale e një protestuesi të dhunshëm tek Parlamenti i Shqipërisë.

Shikoni kolegët e saj, plot 76 të plagosur, me kartelë spitalore, e mbi 100 të tjerë të lënduar e trajtuar me ndihmë të shpejtë mjekësore, nga goditjet me gurë e me sende të forta; pranë kryeministrisë, ministrisë së brendshme, Kuvendit e nëpër pika të tjera, përgjatë ofensivës seriale të protestave të dhunshme të dy viteve të fundit, të cilat e sprovuan pafundësisht maturinë e Policisë së Shtetit.

Shikoni edhe efektivin e uniformave blu, i cili sot rrezikon të humbë shikimin, nga një goditje kriminale gjatë protestës së dhunshme mbrëmë, që i ka shqyer kokërdhokun e syrit.

Shikojeni pak veten tuaj, bllokuar deri para pak kohësh me muaj e muaj, çdo pasdite, në hyrje e dalje të Tiranës, nga një tjetër ofensivë protestash, të cilat e sprovuan pafundësisht durimin e Policisë së Shtetit.

Shikoni edhe episode të tjera nëpër hartën e skenave të nxitura politikisht dhe më thoni ku, kur, si e sa, në tërë zinxhirët e ngjarjeve provokuese, dhunënxitëse e dhunëushtruese mbi uniformat blu, Policia e Shtetit e tejkaloi të drejtën e saj të ushtrimit të forcës që i jep ligji?

Qindra e qindra episode, mijëra e mijëra gurë e kapsolla, e shishe me benzinë, e dreqër me brirë mbi kokat e policëve, qindra prej të cilëve janë lënduar fizikisht dhe nga ana tjetër laj e thaj një rast i vetëm, ai tek parlamenti, ku Policia e Shtetit nuk bëri në fakt asgjë më shumë, se sa çdo polici e planetit demokratik, ndaj një provokatori famoz, antik dhe politik!

Natyrisht, nuk mund të llogaris këtu farsat me aktorë e me provokatorë, që kanë luajtur para kamerave rolin e viktimave imagjinare të dhunës policore mbi trupat e tyre, pasi e kanë qëlluar, shtyrë e sharë policinë sa u ka dashur qejfi…

E pra, kjo e jona, e Shqipërisë së sotme, prej plot shtatë vjetësh, nuk është një polici që e ka kollaj të të tregojë shkopin edhe kur ia sjell në majë të hundës, e jo më një trupë e yshtur që ta çojë nëpër mend të të tregojë armën e zjarrit, kur ti nuk i ndalon një patrulle lagjeje!

Tragjedia e natës së para dy ditëve është një episod krejt i shkëputur, fatal, i dënueshëm e i pafalshëm, por pa asnjë lidhje me frymën dhe punën e Policisë së Shtetit Shqiptar.

Kush thotë të kundërtën ka thjesht një opinion të ndryshëm, rëndom politikisht të motivuar, po fatmirësisht nuk ka fakte që të provojë atë që thotë. Dhe Presidenti i Republikës, që është në fakt prova më ulëritëse e përdorimit disproporcional të forcës së inatit politik e personal në dëm të etikës institucionale dhe vetë ligjit, është i parafundit që duhet të hapë kamaren e gojës për sjelljen e Policisë së Shtetit; jo thjesht sepse është qysh në krye të herës, njëri ndër nxitësit e organizatorët e atyre serialeve të dhunshme që kujtova më lart, as sepse qoftë sa për sy e faqe, nuk e ka thënë kurrë një fjalë të vërtetë solidariteti për efektivat e policisë nën presionin e dhunës, po sepse është njëri ndër shembujt më të këqinj të sjelljes shoqërore e institucionale në historinë e Shqipërisë. Sidoqoftë është i parafundit në këtë rast.

Sepse i fundit që mund të japë gjykime morale e leksione karakteriale, për se si duhet të sillet Policia e Shtetit apo se si duhet të reagojë ministri i brendshëm, pas ngjarjes tragjike të natës së 8 dhjetorit, është kryetari kukull i opozitës, Lulzim Basha. Ai në fakt është shembëlltyra e pafuqisë morale dhe e dobësisë karakteriale, jo thjesht sepse është udhëheqësi i disa revolucioneve të mbetura në tentativë, të cilat të vetmen arritje kanë pasur plagosjen e policëve, as sepse është ndotësi numër dy i Policisë së Shtetit me baltën e pafundme të shpifjeve e të akuzave, pas kutërbuesit numër 1 të historisë së Shqipërisë që ka mbi kokë, ai bashkë me Partinë Demokratike, por sepse është ministri i brendshëm i masakrës së 21 janarit, ku nuk ishte një polic patrulle që vrau një njeri në mes të natës në një rrugicë periferike, në rrethana krejt absurde, po ishte qeveria, kryeministria e kthyer në një bunker, me dhjetra grykë zjarri, që vrau katër protestues krejt paqësorë, kur protesta po shpërndahej – pa llogaritur sakatimin kafshëror të qindra të tjerëve.

Policia e Shtetit sot nuk ka asnjë krahasim me dje. Rezultatet e saj sot, nuk kanë asnjë krahasim me dje. Gjendja e rendit dhe sigurisë sot, nuk ka asnjë krahasim me dje. Sjellja e efektivëve të policisë sot nuk ka asnjë krahasim me dje. Faktet, shifrat, opinioni i publikut, flasin kokëfortësisht për pamundësinë e këtyre krahasimeve.

Por gjithashtu, nuk ka asnjë diskutim se si çdo pyll që ka derrat e vet, ka edhe Policia e Shtetit të padenjët e saj.

Dhe askush, asnjëherë nuk ka pretenduar të kundërtën. Përkundrazi, vijimësisht, pastrimi i radhëve të Policisë nga të padenjët, ka qenë pjesë e reformimit e transformimit të saj të vazhdueshëm, në këto 7 vite.

Drejtuesit më të lartë të Policisë së Shtetit sot, përfshirë edhe ministrin e brendshëm, nuk janë as të rënë nga qielli, as pa gabime në këto vite të stërngarkuara pune, pa orar e pa u ankuar kurrë për vështirësitë e përditshme.

Ama askush nuk mund të ngrejë akuza në drejtim të tyre – me fakte e prova, – flas -se me llafe rrugësh e dokrra mediatike kollaj fare – as se janë të lidhur me krimin, as se janë të korruptuar a të mbingarkuar politikisht dhe as se me sjellen e veprimet e tyre, ndikojnë negativisht mbi trupën e Policisë së Shtetit.

Sic nuk krahasohen nata me ditën, nuk krahasohen dot jo vetëm puna dhe sjellja e policisë së shtetit dje e sot, po as shkalla e tolerancës dhe niveli i dëgjimit të qytetarëve nga qeveria dje, me qeverinë sot.

Unë jam krenar që në këto shtatë vjet e dy muaj qeverisje, protesta e ka rifituar qysh në krye të herës të drejtën e humbur të qytetarisë në vitet e zymta të qeverisjes së vrasësve të saj me presionet e deri edhe armët e shtetit.

Kur ne sapo e kishim nisur rrugën e qeverisjes së vendit, tamam shtatë vjet më parë, u zhvillua në Shqipëri protesta më e madhe e më qytetare e viteve të pluralizmit demokratik; ajo e refuzimit ndaj armëve kimike, ku nuk u thye asnjë xham, nuk u plagos asnjë polic, nuk u dogj asnjë fije bari e nuk u shfaq asnjë grimcë nga rrugaçëria e halabakëria tipike, e protestave të nxitura dhe organizuara prej pushtetarëve të rënë nga vakti, që duan të rikthehen në pushtet me pahirin e mosarsyes, me inskenimet e pambarimta e me dizinformimin sistematik të opinionit publik, deri edhe për të vdekurit në spitale!

Në atë protestë masive atëherë, fitoi populli dhe reflektoi qeveria, e cila dëgjoi popullin e iu nënshtrua jo shembullit të forcës, po forcës së shembullit të protestuesve të panumërt, të të gjitha moshave, shtresave dhe krahinave.

Po ashtu në protestën e studentëve, dy vjet më parë si sot, ku përjashtuar ndonjë ekses i disa ndotësve të mjedisit demokratik të futur si kallauzë të partive të shëmtisë e të gjullurdisë antiqytetare, asnjë xham nuk u thye e asnjë fije bari nuk u dogj dhe përsëri, fituan studentët dhe reflektoi qeveria!

E qysh nga ai fillim i para shtatë vjetëve e më pas dhe deri më sot, s’ka bërë vaki asnjëherë që qeverisja jonë të degradojë në arrogancën, brutalitetin, shëmtinë e tejkalimit të së drejtës së ushtrimit të forcës mbi qytetarët, për të imponuar çfarëdoqoftë në rrugën e zbatimit të vendimeve të veta. Ndërsa Policia e Shtetit në asnjë rast nuk i ka shërbyer pushtetit, po ligjit dhe popullit shqiptar.

Pavarësisht se nuk kanë qenë të pakta herët kur jemi ndeshur me inskenime kërcënuese, përballur me provokime të rrezikshme, ballafaquar me agresione brutale e të shëmtuara, ne kurrë nuk e kemi keqpërdorur policinë, kurrë nuk e kemi yshtur atë politikisht, kurrë nuk e kemi kërkuar nga ajo atë çka kurrë nuk e kemi dëshiruar në fakt: Përplasjen me forcë me ata që mendojnë ndryshe dhe që protestojnë!

As kur protestuesit kanë qenë jo qytetarë, as popull, po militantë e fanatikë partish kundështare, të mbledhur me autobuzë, të paguar nga njësitë komunale, mes të cilëve ka spikatur në të gjithë shëmtinë e vet, dora e huliganëve pa atdhe, pa din e as iman, si ata që mbrëmë i vunë flakën pemëve të Krishtlindjeve e të Vitit të Ri, për turpin e frymëzuesve të tyre të paturpshëm, policia ka qenë e shtetit jo e pushtetit, e ligjit jo e Maliqit, e mundimit dhe e durimit, jo e hurit dhe e litarit!

Prandaj sot dua t’u them të gjithë efektivëve të Policisë së Shtetit, në radhë të parë atyre që edhe mbrëmë u përballën me gurët, me zjarrin e me gojën e pistë të tufës së hienave që donin të shqyenin dritare e dyer institucionesh, në emër të Klodianit të shkretë, po për llogari të katërshes së valltarëve të shpatave e të sherreve, që të ndjehen krenarë për uniformën, për sakrificën, për shërbimin e palodhur ndaj ligjit, vendit dhe popullit të tyre.

Efektivi i policisë që shkrehu armën kundër Klodianit, është vetëm një përjashtim tragjik që përforcon rregullin e konsoliduar në tërë këto vite, se Policia e Shtetit është mbrojtësja e qytetarëve, jo kërcënim për jetën, për të drejtat e lirinë e tyre.

Menjëherë pas marrjes së njoftimit për ngjarjen, ministri i brendshëm më ka informuar dhe vënë në dispozicion dorëheqjen e tij. Dhe jo vetëm për të larë gojën, po duke më shpjeguar pse tërheqja e tij nga posti i lartë, ishte rruga e duhur për të personalisht, për mua që i kam besuar atë detyrë dhe për qeverinë e për shumicën tonë qeverisëse.

I kam thënë të më presë të kthehem, sepse kam dashur ta shoh në sy, ta dëgjoj e të më dëgjojë, e të jem bashkë me të në momentin e hedhjes së këtij hapi të rëndësishëm.

Jemi takuar sot dhe jam shumë krenar për sensin e përgjegjshmërisë qytetare dhe kuotën morale me të cilën e mat veten e detyrën e tij Sandër Lleshaj. Unë e kam ditur, sot le ta mësojnë të gjithë ata që duan të besojnë tek fakti se në këtë vend nuk janë të gjithë njësoj. As politikanët nuk janë njësoj.

Ai s’ka asnjë lidhje me aktin e rëndë të efektivit të policisë. As direkt, as indirekt. Por është vrarë një djalë 25 vjeçar dhe është hapur një varr në shpirtin e një familjeje shqiptare, e është krijuar një brengë në shpirtin e një populli të tërë. Tjetër të ndash dhimbjen me fjalë, tjetër ta adresosh brengën me një gjest njerëzor, qytetar, si shqiptar i mirë, duke përcjellë për të gjithë një mesazh ndjese që vlen sa një milionë fjalë.

E di, zëre se i kam dëgjuar gojët e shthurrura të atyre, të cilët nuk mungojnë kurrë të na turpërojnë si popull, si vend, si bashkësi njerëzish, që do të thonë ç’nuk do të thonë paskëtaj.

Po le të thonë cfarë të duan, sepse fundja çfarë e sotmja nuk e thotë dot të gjithën për asnjë prej nesh, koha do ta tregojë dhe historia do ta thotë pa i lënë mangut asgjë, askujt.

Kur kam hyrë në këtë godinë, kam thënë se zyra është e imja, ndërsa pushteti është i juaji.

Me siguri shpeshherë nuk kam ditur ta tregoj si duhet se njerëzit dhe vendi janë arsyeja pse jam unë këtu, jo zyra. Padiskutim që nuk është i askujt përveç meje, faji që mund të dukem arrogant, i vetëmjaftueshëm, i padëgjueshëm ndaj të tjerëve, ndërkohë që dëgjoj e komunikoj me aq shumë njerëz, aq shumë…

Padyshim kam bërë edhe unë gabimet e mia. Por nuk e mbaj mend, mbase e ka fajin kujtesa ime, një tjetër kohë e një tjetër qeveri, që të përpiqet të jetojë me sensin e përgjegjësisë qytetare dhe të synojë kuotën e duhur morale, pa i bërë bisht asnjëherë nevojës për reflektim, sidomos në momentet më të vështira; pa u trembur nga nevoja për të kërkuar ndjesë, e mbi të gjitha, pa e ndarë veten nga ndjeshmëria popullore. Jo sepse nuk ka rrugë tjetër, po sepse nuk duam një rrugë tjetër.

Motra dhe vëllezër,

jo gjithnjë ia dalim dot, nganjëherë edhe gabojmë, rrëzohemi, dështojmë, po jini të sigurtë që gjithnjë përpiqemi me mish e shpirt që t’ia dalim.

Për të qenë sa më shumë në lartësinë e besimit tuaj dhe të ambicies sonë për Shqipërinë që duam të gjithë dhe që të gjithë e duam më të mirë për fëmijët tanë.

Faleminderit! Zoti ju bekoftë të gjithëve!