Fjala e Kryeministrit Edi Rama, sot në Kuvend:
I nderuar zoti Kryetar,
Të nderuar deputetë,
Nga data 4 deri në 5 shtator u zhvillua në Uells të Mbretërisë së Bashkuar, Samiti i NATO-s, takimi më i lartë i Aleancës, në nivelin e kryetarëve të shteteve dhe të qeverive.
Ky ishte takimi i 26-të në historinë e Aleancës dhe i dyti, në të cilin Shqipëria merr pjesë, pas anëtarësimit të saj, në vitin 2009. Njëri ndër folësit kryesorë të sesionit të mbylljes së Samitit të Uellsit ishte edhe Presidenti i Asamblesë Parlamentare të NATO-s, dhënia e podiumit për të cilin ishte shprehje kuptimplotë e vlerësimit që Aleanca i bën rolit të parlamenteve përkatëse. E, duke ndarë të njëjtin vlerësim të lartë për rolin e Kuvendit edhe në marrëdhëniet tona me NATO-n, e pashë të udhës që të ndaj me ju dhe me publikun disa prej çështjeve më të rëndësishme, të cilat ishin edhe thelbi i diskutimeve në forumin më të lartë të NATO-s, por që përbëjnë edhe pika të palëvizshme referimi për punën e këtij Kuvendi në vijim, në raport me sigurinë dhe padyshim, edhe me përgjegjësinë e lartë të anëtarësisë në Aleancën e Atlantikut të Veriut.
Së pari, marrëdhëniet e NATO-s me Rusinë dhe Ukrainën, të cilat ishin edhe pika e parë e rendit të diskutimeve të brendshme. Veprimet agresive të Rusisë ndaj Ukrainës, aneksimi ilegal dhe me dhunë i Krimesë, si dhe mbajtja ndezur e konfliktit të armatosur në lindje të Ukrainës kanë krijuar një precedent jashtëzakonisht të rrezikshëm dhe shqetësues, duke rënduar së tepërmi gjendjen e mjedisit të sigurisë në Europë. Për këtë arsye, kjo temë ishte një ndër shqetësimet prioritare të Samitit të Uellsit. Në pikën e parë të deklaratës së Uellsit theksohet se “Aksionet agresive të Rusisë kundër Ukrainës e kanë sfiduar në mënyrë thelbësore vizionin tonë për një Europë të plotë, të lirë dhe në paqe.”
Në linjë më vlerësimet e Aleancës, por edhe me specifikën e një vendi që ka pasur marrëdhënie të afërta dhe komplekse me paraardhësit juridikë, por edhe shpirtërorë të Rusisë së sotme zyrtare, ish Bashkimin Sovjetik, Shqipëria dënoi veprimet agresive të Rusisë kundër Ukrainës, të cilat në shumë pika ngjajnë me agresione të mëparshme të Bashkimit Sovjetik kundër Hungarisë apo Çekosllovakisë. Në përgjigje të rrezikut të shtuar në kufijtë jugorë dhe lindorë të saj, në Samitin e Uellsit, NATO miratoi edhe Planin e Veprimit për Gatishmërinë. Në mënyrë eksplicite, ky plan i rëndësishëm strategjik paraqet përgjigjen e NATO-s ndaj rreziqeve me burim nga Rusia. Ai synon të garantojë që Aleanca të mbetet e fortë, e gatshme, robuste dhe reaguese përballë çfarëdo situate dhe kanosjeje. Plani i Veprimit për Gatishmërinë përmban dy kategori të rëndësishme masash, ato të sigurimit dhe ato të përshtatjes. Masat e sigurimit parashikojnë prani të vazhdueshme në tokë, ajër dhe det, si dhe aktivitet ushtarak domethënës në pjesën lindore të Aleancës, sipas një sistemi rrotacioni. Masat e përshtatjes parashikojnë komponentët që do të sigurojnë përballimin e plotë të sfidave të sigurisë për të ardhmen, nga ana e Aleancës. Masat e sigurimit dhe të përshtatjes së Aleancës do të shoqërohen nga një seri e ngjeshur stërvitjes ushtarake. Në Samit u shpall edhe stërvitja e madhe “Trident Juncture 2015”, me shtrirje në Portugali, Spanjë dhe Itali, në të cilën do të marrin pjesë 25 mijë trupa, përfshirë edhe trupat tona. Këto masa, me rëndësi dhe kosto të madhe janë pasojë e një përshkallëzimi shumë serioz të situatës së sigurisë në lindje dhe në jug të NATO-s.
Grisja e “librit të rregullave” nga Rusia, siç nënvizoi Presidenti i Shteteve të Bashkuara, ka detyruar NATO-n të rishikojë gjithë repertorin e vet strategjik, në shërbim të qëllimit themelor të saj. Në pikën 48-të të Deklaratës së Uellsit, në ritheksim të qëllimit themelor të NATO-s për mbrojtjen kolektive, sipas nenit 5 të Traktatit të Uashingtonit theksohet se: “Askush nuk duhet të dyshojë për vendosmërinë e NATO-s, nëse një anëtar i saj do të rrezikohet”.
Shqetësimi i dytë, jo sipas rëndësisë, por në rendin e diskutimeve të brendshme, ishte ai për rrezikun nga terrorizmi dhe ekstremizmi. Rritja e tensionit në jug të Aleancës, përgjatë gjithë harkut të krizës nga Tunizia në Libi, Siri dhe Irak, paraqet një sfidë absolutisht të re dhe një kërcënim të ri dhe serioz, jo vetëm për Sirinë, Irakun dhe vendet e tjera të prekura direkt, por për rajonin dhe për vendet e Aleancës.
Samiti i NATO-s i dënoi me forcë sulmet shtazarake të të ashtuquajturit Shteti Islam i Irakut dhe Levantit, të cilat drejtohen kundër të gjithë popujve. Në mënyrë të posaçme u dënua orientimi i sulmeve barbare të ISIL-it kundër grupeve të tëra fetare apo etnike. Shqipëria pati edhe këtu, një kontribut të rëndësishëm në analizën e rrezikut që buron nga veprimtaria e këtyre organizatave terroriste. Sidomos nga angazhimi i disa qytetarëve me origjine shqiptare, krahas me shumë qytetarë me origjinë nga vendet e tjera brenda Europës së Bashkuar, konsiderohet një fenomen, jo vetëm krejtësisht i ri, por edhe tepër shqetësues për vendet e origjinës. Të shtrënguar nga sulmet që do të vijnë në përshkallëzim dhe në rritje të koalicionit ndërkombëtar anti-terror, mercenarët terroristë do të përpiqen, siç janë të gjitha simptomat e deritanishme, të gjejnë strehë në kthim në vendet e origjinës, duke kërcënuar të eksportojnë prej andej në botën e lirë, barbaritë e demonstruara përditë në Siri dhe në Irak.
Qëndrimi shqiptar rreth kësaj çështje u përmblodh me nevojën për të përfshirë sa më shpejtë, përmes integrimit brenda mburojave euroatlantike, vendet e Ballkanit që nga Kosova, Mali i Zi, deri te Maqedonia. Integrimi i këtyre vendeve në NATO dhe në Bashkimin Europian është pa asnjë dyshim, sipas nesh, – këtë e kemi përsëritur me këmbëngulje, duke gjetur rezonancë të plotë, – masa më e përshtatshme për t’i bërë këto vende të paarritshme për ambiciet aluçinante të terrorizmit ndërkombëtar. Duke trajtuar me seriozitet të plotë rrezikun terrorist nga jugu, në Deklaratën e Uellsit, udhëheqësit e vendeve të Aleancës theksuan: “Ne dënojmë me forcën më të madhe aktet e dhunshme dhe frikacake të ISIL-it. Nëse kërcënohet siguria e ndonjë aleati, ne nuk do të hezitojmë të ndërmarrim të gjithë hapat e nevojshëm, për të garantuar mbrojtjen tonë kolektive”.
Me gjithë garancinë e plotë që gëzon siguria e vendit tonë, përballë rreziqeve që mund të burojnë nga terrorizmi i të ashtuquajturit Shtet Islamik, mbetet i arsyeshëm shqetësimi për sigurinë e vendeve të rajonit, të cilat ndajnë kufij tokësorë me vendin tonë, por janë jashtë kufijve të mbrojtjes kolektive të NATO-s. Është kjo arsyeja që ne vijojmë të mbetemi jo vetëm të shqetësuar, por edhe shumë të angazhuar për të dhënë të gjithë kontributin tonë për një rajon të sigurt dhe në paqe. Pra, për një rajon tërësisht të integruar.
Ndërkohë që, duke e mbyllur edhe këtë pikë, dua të ritheksoj bindjen e plotë se ajo që ne e shohim nga televizori si një luftë shtazësh kundër njerëzve nuk zhvillohet larg, por zhvillohet kudo dhe është një luftë brenda shtëpisë tonë. Brenda shtëpisë tonë në Europë, brenda shtëpisë tonë në Ballkan, brenda shtëpisë tonë në Shqipëri. E, për këtë arsye, është një luftë e cila na përket dhe për të cilën ne do të bëjmë gjithçka mundemi, krahë për krahë me aleatët tanë dhe nën lidershipin e Shteteve të Bashkuara, bazuar në strategjinë e shpallur nga Presidenti Obama, pak ditë më parë.
Më tutje, delegacioni shqiptar mbajti qëndrime shumë të qarta lidhur me rëndësinë që ka për NATO-n vijimi me vendosmëri i procesit të zgjerimit në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Nuk është më një nevojë e njëanshme e Kosovës, e Malit të Zi apo e Maqedonisë, por është një nevojë e dyanshme. Aq sa kanë nevojë këto vende që të jenë pjesë e NATO-s, aq nevojë ka NATO që t’i ketë pjesë të vetën. Në Samit, ne shprehëm edhe njëherë pikëpamjen tonë, të njohur tanimë, se paqja e arritur mes gjithë vendeve të rajonit, pas 100 vjetësh armiqësi, që nga Lufta e I-rë Botërore që filloi në këtë rajon dhe tensionesh e konfliktesh të pareshtura që nuk na janë ndarë në 100 vjet, është rezultat edhe i angazhimit të vendosur të NATO-s, ashtu si edhe Bashkimit Europian. Duke vlerësuar shumë atë që është arritur, ne shprehëm qëndrimin se vetëm vijimi konsekuent i procesit të integrimit euroatlantik të vendeve të rajonit tonë është rruga për të konsoliduar me të vërtetë kufijtë e lirisë dhe të paqes, si dhe për garantuar kështu, përfitime të jashtëzakonshme jo vetëm për rajonin, por për të gjithë vendet e përfshira në NATO dhe në Bashkimin Europian.
E, prej këtu, ne bëmë një thirrje të përsëritur në çdo sesion dhe në çdo diskutim, në të gjitha formatet, që nga formati i kryetarëve të shteteve dhe qeverive, deri te formati i Ministrave të Mbrojtjes, te formati i Ministrave të Jashtëm, ndaj gjithë vendeve anëtare të NATO-s që ende nuk e kanë njohur Kosovën, për të përmbyllur sa më shpejtë procesin e njohjes zyrtare të shtetit të Kosovës. E, thirrja jonë e fortë dhe e qartë buron nga konsiderata se vetëm përmbyllja e procesit të njohjes dhe e më tej, atij të integrimit të Kosovës në strukturat euroatlantike do të bëjë përfundimisht të qëndrueshëm dhe të pacenueshëm, atë investim të paimagjinueshëm politik, diplomatik, ushtarak dhe ekonomik të NATO-s dhe BE-së në këtë vend kyç për rajonin.
Në deklaratën e Uellsit gjeti reflektim të qartë qëndrimi ynë lidhur me rajonin. Citoj: “Aleanca mbetet plotësisht e angazhuar për stabilitetin dhe sigurinë e rajonit dhe ne do të vazhdojmë të mbështesim aktivisht aspiratat euroatlantike të vendeve të këtij rajoni”. E thotë pika 40-të e Deklaratës, por ende më tutje, vlerësimet shumë inkurajuese që u bënë për Kosovën dhe përshëndetja e qartë për arritjet e gjithanshme të Kosovës, posaçërisht vlerësimi për zgjedhjet e arrira parlamentare të këtij viti, inkurajimi për vazhdimin e mëtejshëm të dialogut Kosovë-Serbi, si dhe angazhimi për të mbështetur forcat e sigurisë së Kosovës dhe për të vijuar angazhimin e KFOR-it, deri në plotësimin përfundimtar të misionit, pavarësisht kalendarit kohor, ishin çështje që gjetën të gjithë dritën e merituar në deklaratën e Uellsit.
Samiti i Uellsit dha sinjale inkurajuese edhe për përpjekjet e Maqedonisë drejt integrimit në Aleancë. U përsërit premtimi i bërë në Samitin e Bukureshtit, për ta ftuar këtë vend t’i bashkohet NATO-s, sapo disa kushte të jenë përmbushur. Duke e shprehur hapur dhe qartë interesin tonë për një Maqedoni demokratike, të stabilizuar, të sigurt dhe të integruar në NATO, ne u shprehëm pa asnjë ekuivok, se këto standarde të larta janë të mundshme vetëm kur ky vend t’i qaset seriozisht zbatimit të plotë Marrëveshjes së Ohrit, Marrëveshje e cila përbën truallin solid të bashkëjetesës dhe të prosperitetit të një shoqërie multietnike dhe multifetare, siç është ajo e Maqedonisë.
Dëshiroj ta theksoj se duke kërkuar që krahas çështjeve të tjera, çështjes së njohur që e mbajti peng dhe do të vazhdojë ta mbajë peng, procesin e integrimit të mëtejshëm të Maqedonisë, që është ajo e emrit në konfliktin e pazgjidhur me Greqinë dhe duke kërkuar që të përfshihet edhe çështja e pazgjidhur, sipas nesh, e Marrëveshjes së Ohrit, Shqipëria nuk synon ta vështirësojë rrugën e integrimit në NATO, të këtij vendi të rëndësishëm fqinj. Absolutisht jo, përkundrazi. Ne besojmë se vendosja e standardeve demokratike në marrëdhëniet me popullin shqiptar të Maqedonisë, përmes zbatimit rigoroz të marrëveshjes së Ohrit, do të krijojë kushtet për një të ardhme të qëndrueshme të Maqedonisë si një vend multietnik dhe multifertar, i integruar në bashkësinë Euroatlantike dhe përbën edhe një hap shumë të rëndësishëm në drejtimin që fola më parë, për të konsoliduar rajonin në raport me kanosjen e ekstremizmit islamik.
Duke trajtuar Maqedoninë, deklarata e Uellsit theksoi dhe e citoj: “Ne inkurajojmë dhe mbështesim vijimin e përpjekjeve për reforma në vend, posaçërisht ato që synojnë dialogun e efektshëm demokratik, lirinë e medias, pavarësinë e gjyqësorit dhe një shoqëri plotësisht funksionale dhe multietnike, të bazuar në zbatimin e plotë të Marrëveshjes Kuadër të Ohrit. Ne inkurajojmë gjithashtu, përpjekje të mëtejshme për të zhvilluar marrëdhënie të mira me fqinjët.” Dhe po të krahasohen qëndrimet e shprehura në deklaratën e Samitit të mëparshëm të NATO-s, pas atij të Bukureshtit, si në Lisbonë apo në Çikago, vihet re se Aleanca i ka shtuar këtë herë kërkesat ndaj Maqedonisë, ku spikat kërkesa e kërkuar me insistim prej nesh, për zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit.
Nga ana tjetër, ne përsëritëm në Samit dhe e bëmë me këmbëngulje, atë që ka qenë qysh në fillim bindja jonë se Mali i Zi duhet të behet pjesë e Aleancës Euroatlantike, një orë e më parë. Duke u bashkuar me të tjerët që e mbështetën progresin e bërë nga Mali i Zi për anëtarësim në NATO dhe duke shprehur mbështetjen e plotë për ta përshpejtuar maksimalisht rrugën e anëtarësimit të Malit të Zi, edhe për arsyet e reja që janë krijuar dhe që i përmenda më lart, lidhur me nevojën për ta konsoliduar rajonin si pjesë e Aleancës dhe për ta bërë të plotë kundërvënien ndaj ‘botës së kafshëve’ që e kërcënon botën tonë, ne insistuam në përfshirjen sa më shpejt të Malit të Zi në këtë Aleancë. Dhe në lidhje me Malin e Zi deklarata e Uellsit theksoi: “Në njohje të progresit të Malit të Zi drejt anëtarësimit në NATO, Aleanca ka pranuar të hapë bisedime intensive dhe të fokusuara me Malin e Zi dhe ka pranuar që ministrat e Jashtëm të vlerësojnë progresin e Malit të Zi, jo më vonë se fundi i vitit tjetër 2015, me synim për të vendosur nëse Mali i Zi do të ftohet për t’ju bashkuar Aleancës.”
Është një hap i konsiderueshëm dhe vendosja e një date, që ndodh për herë të parë në raport me Malin e Zi, për të konsideruar vendimmarrjen paraprake të Aleancës, është një zhvillim shumë inkurajues për fqinjin tonë verior.
Edhe dy fjalë për Afganistanin, ku udhëheqësit e vendeve të Aleancës vlerësuan me nota të larta, arritjet e jashtëzakonshme të shënuara në Afganistan gjatë misionit të udhëhequr nga NATO dhe në mënyrë të veçantë, zgjedhjet e fundit në Afganistan që mund të konsiderohen si produkti i parë, shumë inkurajues, i një përpjekjeje shumëvjeçare për të transformuar Afganistanin nga një peng i gjithë asaj errësire barbare ku ishte zhytur përpara ndërhyrjes, në një vend ku aspiratat demokratike dhe barazia mes gjinive janë të qëndrueshme.
Gjatë Samitit të NATO-s u arrit të merrej dhe deklarata e përbashkët e dy kandidatëve për presidentë të Afganistanit, për të bashkëpunuar së bashku dhe për ta zgjidhur në mënyrë tërësisht demokratike dhe paqësore, përfundimin e procesit zgjedhor, ku ka pasur një pjesëmarrje të jashtëzakonshme dhe të paparashikuar as nga më optimistët. Por ajo që mbetet për ne, është se përfundimi i misionit në dhjetor 2014-të nuk është fundi i angazhimit të NATO-s në Afganistan, por një ndryshim i rëndësishëm në përmasa dhe në natyrën e angazhimit dhe nga misioni i quajtur ISAF do të kalohet në misionin e ri “Rezolut Support”. Dhe orientimi i ri do të jetë nga trajnimi dhe asistenca për autoritet afgane dhe do të ketë një numër shumë më të vogël pjesëmarrësish. Gjithsesi, zvogëlimi i pjesëmarrjes me trupa ushtarake do të plotësohet nga një angazhim më i madh ndërkombëtar në drejtim të mbështetjes financiare për këtë vend. Si dhe deri tani, Shqipëria do të vazhdojë të japë kontributin e saj proporcional në të gjitha planet, në kuadër të angazhimit të NATO-s në Afganistan.
Të nderuar deputetë,
Ndryshimet e theksuara në mjedisin e sigurisë ndërkombëtare dhe veçanërisht sigurisë europiane, me burim kryesor sjelljet e rrezikshme, agresive, të Rusisë në lindje dhe barbarinë shtazarake të sulmeve terroriste në jug të territorit të NATO-s, janë faktorët kryesorë që kanë ndikuar në përgjigjen e vendosur të Aleancës përmes Planit të Veprimit për Gatishmëri. Masat komplekse të parashikuara në këtë Plan, si në aspektin afatshkurtër dhe në atë afatgjatë janë të shoqëruara dhe me kosto shumë të konsiderueshme. Çështja e kostove ka qenë dhe pjesa e fundit e Samitit, jo për nga rëndësia, por një nga temat kryesore.
Por dallimi dhe zgjidhjet e përbashkëta, në kuadër të mbrojtjes kolektive, kërkon sigurisht, një pjesëmarrje të ndershme të vendeve anëtare në mbajtjen e barrës së shpenzimeve përkatëse. Në të njëjtën kohë kur pjesa më e madhe e vendeve anëtare i përkasin kontinentit europian, shenjat e lodhjes së të cilit janë të ndjeshme tek të gjithë vendet anëtare, kur vjen puna tek mundësitë financiare dhe buxhetore. E, megjithatë, udhëheqësit e vendeve të Aleancës ranë dakord që ta ndryshojnë krahun e tendencës së deritanishme, të rënies sistematike të shpenzimeve të mbrojtjes në disa vende dhe të balancojnë më mirë ndarjen e barrës së shpenzimeve dhe të përgjegjësive, si dhe të synojnë një përdorim më efektiv të buxheteve.
Në tekstin e deklaratës së Konferencës së Uellsit për këtë çështje, që ishte një nga temat qendrore që përmenda, u vu theksi, citoj: ”Siguria jonë e përgjithshme dhe mbrojtja varet nga ajo sesa ne shpenzojmë dhe sesi ne shpenzojmë.” Dhe si një anëtar i ri dhe i përgjegjshëm, Shqipëria do t’i bëjë të gjitha përpjekjet, për të mbajtur pjesën e barrës së saj në të gjitha aspektet. Kjo do të thotë që kurba e buxhetit tonë të mbrojtjes, e cila pas anëtarësimit në Aleancë ka pasur një tendencë të qartë sistematike rënieje, do të ndalojë uljen dhe në përputhje me rritjen e Prodhimit të Brendshëm Bruto do të fillojë gradualisht një zhvillim pozitiv. Por çka duhet të mbetet në vëmendjen dhe në konsideratën e Kuvendit është ndalimi i uljes.
Së fundi, në përputhje me prioritet e vendosura në Strategjinë e re të Sigurisë Kombëtare, ne duhet t’i balancojmë më mirë të gjitha shpenzimet e mbrojtjes, duke arritur përdorimin me efektiv të tyre.
Deklarata e Uellsit është një dokument voluminoz me 113 pika, që në mënyrë të veçantë, deputetët e këtij Kuvendi që janë drejtpërdrejtë të ngarkuar me trajtimin paraprak të çështjeve të sigurisë duhet ta njohin në detaje, pasi është një deklaratë thellësisht e ndryshme nga deklaratat e samiteve të zhvilluar në dekadat e fundit.
Deklarata e Uellsit dhe strategjia e re e sigurisë kombëtare, e cila e bëri vendin tonë, më në fund, me busull orientimi në fushën e sigurisë, pas shumë vitesh endjeje improvizuese, përbën një kuadër të plotë, tani komplementar, strategjik, për të udhëhequr përpjekjet e popullit tonë drejt standardeve më të larta për siguri dhe mirëqenie.
Në këtë kontekst, prej Kuvendit të Shqipërisë dhe prej të gjitha institucioneve të tjera të vendit kërkohet me plot të drejtë, një studim dhe vlerësim i thellë, si dhe një përpjekje e mirëkoordinuar kombëtare, për të plotësuar me rigorozitet të gjitha detyrimet tona përballë Aleancës, por me vetëdijen se bota ka ndryshuar. Ndryshimi është shumë i shpejtë dhe me shpejtësi gjërat mund të ndryshojnë ende, në një drejtim jo të dëshiruar prej nesh. Ndërkohë që, pavarësisht se cili është drejtimi që synojnë t’i japin botës, forca kundërshtare me botën që ne përfaqësojmë, mbeten të padiskutueshme të gjitha përpjekjet në drejtim të forcimit të Aleancës. Nuk janë shpenzime, por janë investimi më themelor për të siguruar të ardhmen dhe për të mos lejuar cenimin e botës ku ne kemi zgjedhur të jetojmë dhe ku ne kemi fatin të jetojmë.
Faleminderit!