Qeveria, 32 milionë euro për fuqizimin e rrjetit spitalor

Deklaratë e Ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqaj, pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave:

Qeveria miratoi sot një financim të rëndësishëm për fuqizimin dhe modernizimin e sistemit shëndetësor, me fokus kujdesin spitalor.

Janë 32 milionë euro, të cilat duke filluar nga mesi i këtij viti do të bëhen efektive.

Ne jemi angazhuar që do të çelim kantierin e shëndetësisë dhe ky financim do të jetë ilustrim i konkretizimit të angazhimeve tona.

Financimi do të mbështesë fuqizimin e rrjetit spitalor, kryesisht atë rajonal, me përmirësime në infrastrukturë, me zgjerim të kapaciteteve kuruese dhe diagnostikuese, me zgjerim të përdorimit të shëndetësisë elektronike. Kjo, sepse ne jemi të bindur se synimi ynë kryesor, që është dhe mbetet mbulimi universal, është i arritshëm nëse shoqërohet me aksesin universal.

Bashkë me financimet tashmë të miratuara për 17 milionë euro për fuqizimin e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”; 5 milionë euro për fuqizimin e Spitalit Universitar të Traumës, 10 milionë Franga zvicerane për mbështetjen e nismës “Shëndet për të gjithë”, ne zotërojmë një portofol të konsiderueshëm që do ta shndërrojnë ndjeshëm sistemin e kujdesit shëndetësor në vend.

Faleminderit!