Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Deklaratë për shtyp e Ministrit të Shtetit për Çështjet Vendore, njëkohësisht Koordinator Kombëtar për Anti-korrupsionin, Bledi Çuçi:

Sot morëm një tjetër lajm pozitiv për Shqipërinë, ndonëse jo entuziast, por gjithsesi, një lajm pozitiv nga Transparency International , e cila publikoi Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit për 2014, ku Shqipëria ka filluar ngjitjen në këtë Indeks kaq të rëndësishëm dhe është ngjitur pikërisht me 6 vende.

Sigurisht që kjo nuk e kënaq objektivin tonë për ta nxjerrë vendin përfundimisht nga zona e kuqe dhe sot jam këtu për të evidentuar se reformat që janë ndërmarrë po tregojnë efektin e tyre pozitiv.  Dhe nuk jam vetëm për këtë, por jam për të lexuar më me kujdes këtë Raport, i cili konfirmon edhe një herë shqetësimin tonë se korrupsioni në sistemin e drejtësisë po bëhet një pengesë serioze për zhvillimin e vendit.

Ndërkohë që Qeveria ka shprehur dhe ka një vullnet të qartë dhe të palëkundur për të kryer reforma rrënjësore për të luftuar korrupsionin, nga një analizë më e thelluar e studimeve ku bazohet indeksi për korrupsionin nga Transparency International del qartë se ajo çka e bën Shqipërinë të mos ketë hop cilësor në këtë indeks, lidhet me nivelin e lartë të korrupsionit në drejtësi.

Më specifikisht, nga 7 studimet të cilat përbëjnë bazën e Indeksit, ku përfshihen Indeksi i Transformimit i Fondacionit Bertelsmann, i Freedom House, Projekti Botëror i Drejtësisë, Studimi i Forumit Botëror Ekonomik mund të shihet qartazi se Shqipëria vuan nga një korrupsion në sistemin e drejtësisë civile dhe penale, nga ndërhyrjet në proceset gjyqësore, etj.

Ky trend negativ minimizon vlerën e arritjeve që vërehen në fusha si zhvillimi ekonomik apo reformat rregullatore të konfirmuara tashmë edhe nga raportet paraardhëse për treguesit e qartë të rritjeve të Qeverisë shqiptare në këto fusha.

Gjithashtu, përfitoj nga rasti që në emër të Qeverisë t’i bëj thirrje edhe një herë Kuvendit për të nisur sa më parë reformimin rrënjësor në sistemin e drejtësisë.

Sa për ilustrim, se ku e lexojmë ne diferencën që kanë treguesit që përbëjnë apo tregojnë korrupsionin në sistemin e drejtësisë me atë të ekzekutivit, po ju përmend këtu vetëm një shembull, të marrë në një nga raportet që analizon Transparency International, atë të Indeksit të Shtetit të së Drejtës, të Projektit Botëror të Drejtësisë. Në këtë studim, vlerësimi më i ulët përsa i përket luftës kundër korrupsionit është ai i korrupsionit në drejtësi, ku Shqipëria merr vetëm 25 % të pikëve, krahasuar me 45 % që merr pikërisht ekzekutivi dhe degët e ekzekutivit.

Ky është një tregues shumë i qartë i diferencës së madhe që ka midis perceptimit që ka për korrupsionin për sa i përket ekzekutivit, Qeverisë dhe perceptimit të korrupsionit që ka sistemi i drejtësisë.

Gjithashtu, një tjetër indikator është ai i Drejtësisë Penale, ku sistemi ynë mbledh vetëm 32 % nga pikët e mundeshe, ndërsa ai i Drejtësisë Civile mbledh vetëm 37 % të pikëve të mundshme.

Ky ishte vetëm një ilustrim, i cili vjen nga një lexim i detajuar i Raportit për Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit për 2014, që na bën të reflektojmë edhe njëherë për nevojën imediate që Shqipëria ka për të reformuar sistemin e drejtësisë.

Faleminderit!

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.