Qeveria miraton linjën energjetike Shqipëri- Kosovë. “Radika” një spekulim

Deklaratë për media e Ministrit të Energjisë dhe Industrisë Damian Gjiknuri, pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave:

Kam kënaqësinë që të komunikoj me publikun, në lidhje me një nga vendimet e rëndësishme që miratoi sot Qeveria. Bëhet fjalë për shtesën e Marrëveshjes mes Operatorit të Sistemit të Transmetimit (OST sh.a) dhe KfW-së gjermane, për një projekt tepër të rëndësishëm, strategjik për këtë komb, siç është vazhdimi i financimit për linjën e transmetimit 400 kV ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës.

Kjo është një shtesë marrëveshje, me të njëjtat terma financiare, dhe po ndodh tani për shkak të vonesave, për të cilat publiku shqiptar është tanimë i njohur.

Vonesa disavjeçare, shpeshherë të qëllimshme, për të mos realizuar një nga projektet më të rëndësishme, që i vlen gjithë hapësirës shqiptare, por mbi të gjitha integron Shqipërinë në tregun rajonal energjetik, rrit kapacitetet e nevojshme për zhvillimin e mëtejshëm të tregtisë së energjisë mes dy vendeve tona dhe krijon premisat e nevojshme infrastrukturore për integrimin e Kosovës dhe Shqipërisë në një hapësirë të përbashkët energjetike.

Prandaj, unë jam krenar që jam pjesëtar i kësaj qeverie, dhe bëj me dije se kemi filluar zbatimin e një prej projekteve më të rëndësishme për vendin në vitet në vijim, lidhjen e Shqipërisë dhe Kosovës me atë që i është vënë edhe emri “autostrada energjetike”. Pikërisht, ky qe një nga vendimet, që shumë shpejt do të kalojë dhe në Kuvendin e Shqipërisë, dhe që unë e ndjeva të nevojshme t’ia komunikoj publikut shqiptar.

Edhe një informacion shtesë. Kjo kontratë është nënshkruar dhe procedurat e tenderimit kanë përfunduar nga të dyja anët e kufirit. Pritet vetëm disbursimi i parave dhe fillimi i punimeve në terren, pas asaj marrëveshje historike të nënshkruar mes dy vendeve tona në Prizren në muajin dhjetor, e që kishte të bënte pikërisht me fillimin e punimeve për këtë linjë.

Ju faleminderit!

 

Përshëndetje! Pavarësisht deklaratave tuaja dhe të homologëve tuaj në Maqedoni, ka pasur kritika të forta nga opozita se keni arritur një lloj marrëveshje me qeverinë maqedonase. A ekziston diçka e tillë për sa i përket lumit Radika?

 

Po e sqaroj edhe një herë.

Fatkeqësisht, kjo është furtunë në një gotë bosh! Nuk ka asnjë lloj marrëveshje. Ka vetëm një marrëveshje ndërkufitare, një marrëveshje të gjithëpranuar nga instrumentet ndërkombëtarë, që publiku duhet t’i dijë tashmë, për trajtimin e regjimit të përbashkët të ujërave mes Shqipërisë dhe Maqedonisë.

Do të thotë, që çdo lloj projekti që potencialisht do të ketë impakt në këto ujëra, mbrohet nga këto marrëveshje. Çdo gjë tjetër është spekulim!

Unë, nuk e di se kush kërkon të nxisë diçka që vetë pala maqedonase, vet ministrat e qeverisë së Maqedonisë thonë se nuk ekziston. Ajo që unë kam konstatuar edhe në nëntor, në takimin me Ministrin e Ekonomisë së Maqedonisë, ka qenë thjesht një projekt-ide, e cila nuk ka as projekt, as financim dhe kam mbajtur qëndrimin zyrtar.

Qeveria shqiptare ka qenë e angazhuar për ta ndjekur këtë proces. Në kohën që do të ketë një projekt, dhe në rast se ai projekt do të ketë ndikim mbi ujërat e Shqipërisë, mbi pasuritë jo vetëm në aspektin energjetik, por të gjithë elementët e tjerë që lidhen me regjimin e ujërave, patjetër që Shqipëria do të mbajë qëndrimin e saj bazuar në instrumente ndërkombëtare, bazuar në interesat jetike dhe kombëtare të këtij vendi. Çdo gjë tjetër është spekulim politik, i atyre njerëzve që kërkojnë të bëjnë çështje edhe aty ku nuk ka asnjë çështje.

Faleminderit!