Komunikimi me mediat i Kryeministrit Edi Rama pas takimit me naftëtarë të Ballshit:
Kryeministri Edi Rama: Ky është një nga ato momente kur privilegji për të shërbyer në këtë detyrë ndjehet i gjithi. E them me shumë kënaqësi që çka ne kemi vënë në dispozicion si mbështetje për 870 naftëtarë dhe punonjës e punonjëse të rafinerisë është pritur me shumë pozitivitet nga ana e tyre dhe natyrisht, në këtë kohë kaq të vështirë, kur duhet të kalkulojmë çdo ditë, si asnjëherë më parë në eksperiencën time në këtë detyrë për të qenë largpamës, sepse jemi në kushtet e një paparashikueshmërie për shkak të COVID-it. Nuk është e lehtë, por, sidoqoftë, jemi të bindur që kemi bërë gjënë e duhur, duke vendosur një pagë 55 mijë lekë bruto dhe 40 mijë lekë neto për 12 muaj, në mënyrë që këta njerëz të kenë sigurime të plota shoqërore dhe shëndetësore dhe ndërkohë të kenë garancinë e një page mjaft të arsyeshme, duke marrë parasysh dhe situatën e vështirë që kanë kaluar.
– Ku ndodhet qeveria, Zoti Rama, përsa i përket gjetjes së një investitori, siç ju thatë në takimin e parë, po punoni për gjetjen e një investitori në mënyrë që të rivendosë në punë rafinerinë e Ballshit?
Kryeministri Edi Rama: Ma lejoni që ta shijoj këtë moment kaq pozitiv dhe njerëzor, ku realisht kemi qarë hallin bashkarisht si një familje dhe kemi materializuar edhe njëherë tjetër moton tonë që askush nuk do të jetë vetëm dhe gjithçka që është e mundur nga ana jonë do të bëhet për këdo që është në nevojë. Natyrisht, ne nuk kemi të pakufizuara mundësitë, por ky grup njerëzish meriton një vëmëndje të veçantë për faktin se është një grup burimesh njerëzore të specializuar në një sektor të rëndësishëm dhe për faktin se ne nuk jemi dorëzuar përsa i përket perspektivës së rafinerisë, pavarësisht se është një rafineri që kërkon një investim të konsiderueshëm, me një teknologji të vjetër. Do doja që pjesën se çdo të bëjmë më pas t’ia lëmë të nesërmes. Mëgjithatë nuk i shmangem përgjigjes. Vazhdojmë intensivisht procesin. I kemi dhënë kohë të mjaftueshme, besoj unë, këtyre njerëzve për të marrë frymë lirisht dhe në momentin që do të jetë investitori dhe do të rindizet rafineria, ata nuk do të kenë nevojë për këtë mbështetje, sepse do të marrin pagat e punës së tyre, që janë paga të konsiderueshme.
–Ka pasur një interesim nga disa kompani për ta rindezur, është e vërtetë?
Kryeministri Edi Rama: Nuk dua të bëj komente konkrete. Ne jemi në kontakt me 3 kompani dhe janë kompani të mëdha, të rëndësishme, por koha ku jetojmë është problem. Është një problem që e kemi hasur me disa projekte tonat, siç po luftojmë në këtë drejtim po luftojmë edhe për aeroportin e Vlorës. Fatmirësisht kemi një lajm shumë të mirë për veprën e madhe, që do të jetë investimi më i madh i huaj i bërë në Shqipëri ndonjëherë, 1.2 miliardë për pjesën më të rëndësishme të Korridorit Blu, nga Miloti në Fier. Po ashtu jemi në proces për të realizuar, uroj, dy projekte të tjera, për të realizuar në kuptimin për të hapur një dritë jeshile për dy projektet e tjera, për portin e Durrësit dhe të Vlorës, plus për aeroportin e Sarandës. Të gjitha këto do të ishin shumë më të lehta, nëse nuk dotë kishte hyrë në mes COVID-i. Megjithatë kam shumë besim që në një kohë të arsyeshme, nuk dua të vë afate, rafineria do të rindizet. Faleminderit!