Qeveria, rritje reale të pensioneve

Deklaratë e Ministrit të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë Erion Veliaj, pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave:

Përshëndetje të gjithëve,

Jemi këtu për tu njoftuar se sapo kaluam Vendimin e Këshillit të Ministrave për rritjen e pensioneve.

Ndonëse rritja e indeksit të çmimeve të konsumit, siç është deklaruar këto ditë nga INSTAT, ka qenë në masën 1.6 %, qeveria vendosi të pranojë propozimin e Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë që pensionet të rriten në masën 2 %, pra më shumë sesa inflacioni.

Në këtë mënyrë, nuk do të kemi më vetëm indeksim, pra rritje nominale të pensioneve, por edhe një rritje reale të pensioneve që në vitin tonë të parë.

Ky vendim parashikon që të rriten në masën 2 % pensionet e plota, pensionet e pjesshme, pensionet e reduktuara, pensionet e parakohshme të pleqërisë, pensionet e invaliditetit dhe familjare, pensionet për vjetërsi shërbimi, si në qytet ashtu dhe në fshat.

Ne vendosëm gjithashtu që të rriten në të njëjtën masë edhe pensionet suplementare për ushtarakët; Policinë e Shtetit; punonjësit e Gardës;  Shërbimit Informativ të Shtetit; Policisë së Burgjeve; zjarrfikësve dhe Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm; të punonjësve me tituj shkencorë, si dhe trajtime të veçanta financiare të pilotëve; të ish detarëve; të ish punonjësve të industrisë ushtarake; trajtime të veçanta financiare, të ish minatorëve gjithashtu.

Nga rritja e pensioneve dhe përfitimeve të tjera përfitojnë rreth 606 mijë qytetarë shqiptarë, nga të cilët 427 mijë janë pensionistë të qytetit, 150 mijë janë pensionistë të fshatit dhe 29 mijë janë përfitime të tjera, për kategoritë që përmenda më sipër.

Siç jeni në dijeni, ne jemi thuajse gati të kalojmë reformën e re të pensioneve dhe kjo rritje e pensioneve është në kohezion me këtë reformë, e cila fillon diskutimet në parlament, javën tjetër.

Ne kemi deklaruar që reforma do të ruajë të drejtat e fituara dhe në varësi të hapësirës financiare që ka vendi ynë, do të ketë vazhdimisht indeksim dhe rritje të pensioneve ekzistuese, ashtu siç po bëjmë sot.

Reforma që po ndërmarrim bazohet në tre shtylla.

Së pari, që nga 1 janari i vitit 2015, pensionet e reja do të  lidhen, duke u varur drejtpërdrejtë nga masa e kontributeve dhe nga vitet e siguruara, çka do të thotë se do të kemi pensione më të larta për ata që kontribuojnë më shumë.

Kjo reformë do të jetë reforma e rritjes së pensioneve për të gjithë qytetarët shqiptarë, pasi jemi kujdesur që pensioni për ata me pagë minimale, të jetë jo vetëm në nivelet e sotme, por dhe më i lartë se ai në nivelet e sotme. Kurse për ata që nuk janë me pagë minimale, pra për pagat e mesme dhe të larta, rritja do të jetë akoma dhe më e ndjeshme, në varësi të kontributit të tyre.

Arrijmë kështu sot tek aspekti i dytë i reformës, arritja e një drejtësie sociale. Kjo reformë bazohet në postulatin tipik tradicional shqiptar, ”Haka tek i zoti”, ku do ti jepet fund praktikës së deritanishme, ku pensioni maksimal arrihej që me pagën 380 mijë lekë të vjetra dhe nuk kishte asnjë incentive, sepse çdo qindarkë që paguhej më sipër nuk reflektohej në pension.

Nga 1 janari kjo do të ndryshojë dhe çdo qindarkë që do të paguhet sigurime do të reflektohet në një pension më të lartë.

Gjithashtu ne kemi menduar dhe për kategoritë me vulnerabil dhe për ata që janë në nevojë dhe që në 23 vitet e tranzicionit, nuk munden të plotësonin vitet e tyre të pensionit. Për ata që janë qytetarë që rrezikojnë të mos përfitojnë fare pension, ne kemi vendosur  pensionin social për këtë kategori.

Vitin që vjen, me reformën e re, duke filluar nga data 1 janar, 5 mijë qytetarë që në kushte aktuale do të mbeteshin pa pension do të përfitojnë pension social.

Përveç pensionit social, ne po përpiqemi të realizojmë marrëveshje dypalëshe, në favor të emigrantëve tanë që jetojnë jashtë, me vendet e tjera ku ka emigrantë, me synimin që gjithë mundi e djersa e tyre, kontribuar në vendet ku ata punojnë e jetojnë, t’u njihet për efekt pensioni, duke shtuar shumën e pensionit e të viteve që ata kanë pasur në Republikën e Shqipërisë.

Ne kemi intensifikuar punën dhe përveç marrëveshjes që kemi me Belgjikën, që u ratifikua këtë vit nga Kuvendi ynë, kemi përfunduar marrëveshjet edhe me Kanadanë, me Hungarinë, me Rumaninë dhe me Luksemburgun. Ndërkohë jemi në fund të negociatave me Maqedoninë dhe Çekinë dhe parashikojmë që deri vitin tjetër të kemi përfunduar edhe marrëveshjet për pensionet e emigrantëve me Austrinë, Gjermaninë, Spanjën dhe disa vende t tjera.

Shtylla e tretë e reformës sonë është rritja e shkallë së mbulimit ose garantimi që askush të mos jetë i pambrojtur. Një element, e përmenda më sipër, është pensioni social. Një tjetër është bërja e skemës atraktive për të gjithë të punësuarit, që të bëhen pjesë e saj dhe të kontribuojnë mbi pagat e tyre reale, për të marrë një pension real. Kjo do të ndikojë në uljen e informalitetit dhe të punës së zezë, pasi do të kemi aleatë të drejtpërdrejt, ata që janë vetë të punësuar.

Por ne jemi të vendosur dhe nuk do të heqim dorë nga forcimi i masave administrative përmes Institutit të Sigurimeve Shoqërore, Drejtorisë së Tatimeve, Inspektoratit të Punës dhe gjithë strukturave shtetërore, që çdo punëdhënës të paguajë detyrimin për pagesën e sigurimeve shoqërore.

Vlen të theksohet se efikasiteti i reformës ka filluar që të ndihet që tani, pasi heqja e pensionit tavan dhe lidhja e kontributeve me benefitin real, që kanë bërë njerëzit është interesi i vetë atyre që janë të punësuar dhe ka bërë pjesë të skemës, vetëm në këtë vit, 43879 persona, kryesisht në sektorin privat. E përsëris sërish, nga statistikat e Institutit të Sigurimeve Shoqërore, fundi i tremujorit tonë të parë, krahasuar me fundin e tremujorit të parë të vitit 2013 me qeverinë e kaluar, ka një diferencë shtesë të të punësuarve të rinj me 43879 persona në sektorin privat.

Ne jemi shpresëplotë që në të ardhmen të bëjmë gjithçka, që jo vetëm të rritet numri i të siguruarve, jo vetëm të rriten pensionet, por të sigurohemi që asnjë qytetari të Republikës së Shqipërisë të mos i mohohet haka e vet, djersa e vet dhe puna e vet, nëse jetojnë në Shqipëri, ose nëse jetojnë jashtë Shqipërisë.

Faleminderit!