Deklaratë e Ministrit të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj, pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave:
Përpara disa muajsh, ne kemi miratuar disa Vendime të Këshillit të Ministrave që kishin të bënin me liberalizimin e tregut të punës, çka do të thotë që ne liberalizuam tregun e punës bashkë me Kosovën, duke krijuar mundësinë që oferta e punësimit të ishte e njëjtë, si për Shqipërinë dhe për Kosovën në një treg të përbashkët pune.
Sot kemi shkuar më larg me një Vendim të ri të Këshillit të Ministrave, edhe në kuadër të takimit edhe mbledhjes së dy qeverive në Prizren, ku kemi hequr komplet procesin burokratik të pajisjes me leje pune për qytetarët e Republikës së Kosovës.
Kjo do të thotë që nga sot e tutje të gjithë ata qytetarë të Republikës së Kosovës, nuk kanë nevojë as të paraqiten, as të fillojnë një proces burokratik aplikimi për leje pune apo për certifikata të regjistrimit për punësim, duke qenë se VKM-ja e sotme ia ofron këtë mundësi për të punuar në Republikën e Shqipërisë, çdo shtetasi të Kosovës.
Pika e dytë e Vendimit të Këshillit të Ministrave është se kjo e drejtë është tashmë edhe për të gjithë qytetarët e Luginës së Preshevës. Qeveria e Republikës së Shqipërisë i është përgjigjur pozitivisht një kërkese të një përfaqësie të shoqatave studentore të studentëve të Luginës së Preshevës që studiojnë në Tiranë. Qeveria e kaluar i trajtonte ata me një ligj që quhej ligji për punësimin e të huajve.
Qeveria jonë nuk i konsideron të huaj qytetarët me kombësi shqiptare në Luginën e Preshevës. Kjo është arsyeja pse me VKM-në e sotme, çdo student, vajzë e re apo djalë i ri, që gjen një vend pune dhe ka një mundësi të punësohet do ta bëjë këtë pa burokracinë e kërkimit të lejeve të punës ose përshtatjes me kuotat e punësimit që Shqipëria ka me vendet e tjera ose marrëveshjet bilaterale për kuotat e punëtorëve të huaj.
Ky është një lajm i mirë. Unë e di që ka ndoshta nga ata kritikë që thonë se në Shqipëri nuk ka vende mjaftueshëm për qytetarët e Shqipërisë, jo më për ata të Kosovës dhe të Preshevës.
Dua t’i informoj dhe kritikët që 80 % e kërkesave që ne kemi për leje pune në Shqipëri nga qytetarët e Republikës së Kosovës ose të Luginës së Preshevës, në fakt janë biznesmenë, pra njerëz që krijojnë vende pune dhe aplikojnë për leje pune që të krijojnë biznesin e tyre. Kështu që, në pjesën më të madhe 80 % e këtyre kërkesave për leje pune që përfitohen, apo anulohen nga ky Vendim i Këshillit të Ministrave, bën fjalë për ata që krijojnë punë, kryesisht biznese të vogla dhe të mesme, nga qytetarë të Republikës së Kosovës dhe të Luginës së Preshevës. Më vjen shumë mirë sot që pas një pune disamujore kemi bërë diçka konkrete.
Dua që t’ju uroj të gjithë qytetarëve të Kosovës dhe të Luginës së Preshevës: Punë të mbarë në Shqipëri!
Ju faleminderit!