Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në hapjen e konkursit për masterplanin e Qytetit Studenti:

Një mirëseardhje të përzemërt anëtarëve të jurisë, arkitektëve, urbanistëve dhe akademikëve që janë pjesë e kësaj gare, të cilën qeveria shqiptare e ka çelur për të thithur propozimet më tërheqëse, në funksion të domosdoshmërisë së transformimit rrënjësor të hapësirës së Qytetit Studenti.

Kjo hapësirë është shëmbëlltyra e një degradimi spektakolar prej shumë e shumë vitesh. Është në një mënyre, një laborator i të gjitha eksperimenteve demokratike në periudhën e një lirie pa rregulla dhe të një anarkie në sjelljen me territorin dhe në trajtimin e territorit. Por ne jemi shumë të bindur, që në të njëjtën kohë është një hapësirë që ka një potencial shumë madh, për t’u transformuar në një kampus të vërtetë universitar dhe në shembullin e parë të krijimit të një hapësire private dhe publike në dispozicion të studentëve, të të rejave dhe të rinjve, por edhe të talenteve dhe flukseve inovative.

Edhe ky konkurs është pjesë e një zinxhiri konkursesh ndërkombëtare, që qeveria shqiptare ka çelur, apo është duke çelur, për të vazhduar me programin tonë kombëtar të Rilindjes Urbane, duke këmbëngulur në krijimin e atyre shembujve të transformimit urban, që në këndvështrimin tonë kanë një efekt të jashtëzakonshëm energjizues dhe shërues për realitete urbane të degraduara dhe për komunitete që prej vitesh kanë humbur shpresën. Shembujt më kuptimplotë, ndër shumë shembuj që mund të merren, i këtij programi është nga njëra anë Korça, ku efektet e këtyre ndërhyrjeve po sjellin rezultate të drejtpërdrejta në ekonominë lokale; Durrësi nga ana tjetër, ku po ndodh e njëjta gjë dhe një sërë qytetesh të tjera.

Ne kemi bërë tanimë, një sërë garash në dy nivele. Në këtë nivel ku jemi edhe në këtë rast, që është niveli i parë apo niveli më i lartë i kërkesës për të marrë propozime inovative, në funksion të krijimit të këtyre shembujve të transformimit dhe në nivelin e Fondit të Zhvillimit të Rajoneve, që ka çelur një program të tërë për Rilindjen Urbane.

Sot, ne kemi në dispozicion një sërë dosjesh vërtet frymëzuese, por në të njëjtën kohë, edhe instrumente realë zhvillimi, që presin vetëm të financohen dhe ne jemi të gatshëm që t’i financojmë. Kam parasysh këtu, dosjen e disa projekteve për Bregun e Jonit; dosjen e projektit më të ri apo idesë më të re për ishullin e ri në Berat; Projektin e Parkut të Liqenit; Projektin e vijës së re të Liqenit të Pogradecit  dhe me radhë, pa i përmendur të gjitha.

Ndërkohë jemi duke u përgatitur për disa konkurse të tjera. Më i pari, pas rreth 10-15 vitesh, është ai për hyrjen e Parkut të Liqenit, ku synimi është t’i japim mundësi rinisë universitare që të ketë disa hapësira publike që sot i mungojnë. Njëkohësisht të plotësojmë edhe nevojën e Fakultetit të Gjeologjisë për t’u akomoduar në një mjedis të ri, me standarde tërësisht bashkëkohore, duke bërë të mundur kështu, akomodimin përfundimtar të Gjykatës së Lartë dhe të Shkollës së Magjistraturës në godinën aktuale të Fakultetit të Gjeologjisë.

Konkursi tjetër është konkursi për Parkun e Besimit, që ka në qendrën e vet piramidën, por që përfshin të gjitha hapësirat e gjelbra të zemrës së qytetit, ku ne synojmë të krijojmë një imazh të prekshëm, mjedis të jetueshëm, të harmonisë fetare në vendin tonë, në të cilën padyshim nuk janë përjashtuar, por absolutisht janë përfshirë edhe të gjithë ata që nuk besojnë në asgjë. Ky Park do të sjellë në zemër të qytetit të gjitha lulet, bimët, pemët që janë të përmendura në librat e shenjtë të të gjitha besimeve.

Është edhe konkursi për Teatrin e Operës. Rindërtimi i plotë i Teatrit të Operës, në të cilin nuk është ndërhyrë prej kush e di sesa vitesh, ndërkohë që prej kush e di sa vitesh, edhe në kushtet më të vështira është prodhuar realisht kulturë e nivelit më të lartë.

Po ashtu, konkursi për sallën e re të Teatrit të Dramës.

Në të njëjtën kohë kemi edhe një konkurs të posaçëm për rikonceptimin e funksionit të një sërë godinave, të cilat prej mbi 20 vjet qëndrojnë në kushtet e kërcënimit nga një degradim i vazhdueshëm nga përdorimi i tyre shumë i pjesshëm, ose nga mospërdorimi. Ky do të jetë një bllok i veçantë, duke filluar që nga Vila e Enver Hoxhës tek Muzeu Historik Kombëtar, tek godina e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Pallati i Brigadave. Këto hapësira, ne kemi gjithë dëshirën që t’ua japim qytetarëve dhe t’i kthejmë në hapësira me një përdorim shumë më të madh publik.

Sot, ky konkurs shënon një moment kthese në jetën universitare. Sigurisht, nga vizatimet deri tek implementimi nuk është një kohë sa hap e mbyll sytë, por është koha për ta rikonceptuar gjithë kampusin, jo vetëm nga pikëpamja urbanistike dhe arkitektonike, por edhe nga pikëpamja e logjikës financiare, duke krijuar një model të ri funksionimi që të garantojë nivelin më dinjitoz të shërbimit për studentët dhe studentet që e frekuentojnë, por njëkohësisht, edhe një nivel dinjitoz cilësie jete komunitare.

Qyteti Studenti është sot, një grumbullim fjetoresh të degraduara nga vitet, në të cilat janë bërë ndërhyrje sporadike, por pa asnjë ambicie dhe pa asnjë synim afatgjatë. Ne besojmë që territori ka një potencial shumë të madh, për të qenë jo vetëm një zanafillë e një transformimi të të gjithë rrjetit të shërbimeve universitare jashtë auditorëve, por për të qenë një tjetër pikë e fuqishme referimi nga pikëpamja urbane dhe sociale në kryeqytet.

Është shumë e nevojshme të ritheksohet nevoja jonë që këtë projekt mos ta shikojmë të shkëputur nga gjithë zhvillimet që kanë ndodhur rreth e rrotull, por ta shikojmë si një instrument shërues nga pikëpamja urbane dhe për të nxitur shërimin social të të gjithë territorit që rrethon qytetin studenti.

Unë jam i bindur, që siç na ka ndodhur në të shkuarën, edhe ky konkurs do të jetë një tjetër dritare, për të parë më tutje dhe pa diskutim, në drejtimin e duhur.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.