Në Tetovë, Kryeministri Rama pati edhe një takim miqësor me një tjetër përfaqësues politik të shqiptarëve në Maqedoni, Kryetarin e Bashkimit Demokratik për Integrim Z. Ali Ahmeti.
Kryeministri Rama dhe z. Ahmeti e cilësuan takimin shumë të dobishëm për të diskutuar mbi çështje të interesit të përbashkët. Theksi u vu në intensifikimin e bashkëpunimit ekonomik, angazhimin në projekte të përbashkëta infrastrukturore dhe veçanërisht në fushën e arsimit. Rama dhe Ahmeti, partia e të cilit është pjesë e koalicionit qeverisës në Maqedoni, ndanë mendim të njëjtë për të përshpejtuar implementimin e marrëveshjeve mes dy vendeve.
Më tej, Z. Ahmeti e njohu Kryeministrin me problematikat në zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, sidomos për çështjen e gjuhës shqipe, duke u shprehur për nevojën e përfshirjes në Kushtetutë të nenit 5 të Marrëveshjes së Ohrit për gjuhën shqipe.
“Gjatë kësaj vizite”, – u shpreh Kryeministri, – “dëgjova me vëmendje opozitën e shqiptarëve dhe partinë e tyre në Qeveri dhe jemi në një mendje për jetësimin e Marrëveshjes së Ohrit”. Ndërsa u shpreh optimist se sot, rajoni është në paqe dhe kemi më shumë mundësi t’i japim krah zhvillimit.