Një përpjekje e fortë në ndihmë të prodhuesit bujqësor është edhe formalizimi i sektorit bujqësor, pasi informaliteti godet direkt fermerin prodhues, duke i hequr atij mundësinë për të përfituar rimbursimin e TVSH-së, gjë që përfitohet nga ato subjekte që janë formalë. Kryeministri Edi Rama i bëri thirrje fermerëve për t’u pajisur me NIPT, çka nuk ngarkon me asnjë taksë fermerin, por thjesht e formalizon atë.
“Është shumë e rëndësishme të merrni NIPT-et, dhe mos dëgjoni horrat që ju tregojnë përralla me gogol që po morët NIPT-in do paguani taksa. Po morët NIPT-in do të hyni në sistemin formal dhe do të mund të merrni rimbursimin nga TVSH-ja që sot e merr grumbulluesi, sepse ju jeni të pa formalizuar. Duke u formalizuar, në momentin që ti i jep grumbulluesit një sasi prodhimi në bazë të çmimit i kërkon mbrapsht edhe përqindjen e TVSH-së. Pra, nuk e merr më grumbulluesi, por e merrni ju. Me NIPT-in, jo që nuk do paguani më shumë, por do fitoni atë që në fakt sot e merr grumbulluesi, sepse ai është i formalizuar. Nuk kemi dhe nuk do të kemi asnjë taksë për prodhimin e fermerit që prodhon. Asnjë taksë. Mos dëgjoni kukuvajkat që duan vetëm natë dhe që ju shqetësojnë natën,” – u shpreh Kryeministri në një bisedë me fermerët.
Krahas mbështetjes për rritjen e investimeve në ciklin e prodhimit, do të vazhdohet edhe me investimet në infrastrukturë, për të siguruar daljen e shpejtë të produkteve bujqësore në treg. Kryeministri inspektoi një nga këto investime, ndërtimin e segmentit rrugor Mertisht – Tre Urat”, që përshkon një rajon thellësisht bujqësor, që është një pjesë e rëndësishme, e munguar deri më sot, e Unazës Bujqësore që lidh qendrat e banuara me Fushën e Myzeqesë. Projekti është financuar përmes Fondit për Zhvillimin e Rajoneve. Ky segment përbën një potencial zhvillimi ekonomik për të gjithë zonën dhe rajonin.
“Ne kemi filluar një projekt të ndërtimit dhe rindërtimit të të gjitha unazave bujqësore të kësaj zone, për t’i lehtësuar maksimalisht të gjithë fermerët, sepse kemi parë një ndryshim të madh dhe të rëndësishëm në këtë periudhë, me prodhimin, me eksportet, me pikat e grumbullimit. Tani është e domosdoshme që të transformojmë infrastrukturën për t’ju lehtësuar maksimalisht.” – garantoi Kryeministri.
Një investim me vlerë të jashtëzakonshme për zonën e konsideroi edhe deputeti i zonës Erjon Braçe. “Është pothuajse zona më prodhuese, nga dalin pothuajse 400 kuintalë produkte në ditë. Ka gati 70 hektarë serra. Këto janë të gjitha ferma. Është e gjithë zona bujqësore e Myzeqesë së kësaj ane, e cila lidhet me rrugë, krijon mundësinë që toka të punohet me mekanikë bujqësore e gjitha.”