Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Kryeministri Edi Rama ndodhet në Izrael, në një vizitë zyrtare dy ditore.

Kryeministri Rama u prit sot, në selinë e qeverisë në Jerusalem, nga Kryeministri Benjamin Netanyahu, ku për mbi dy orë u diskutua për forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve dhe bashkëpunimit në fusha të interesit reciprok, me theks në energji dhe në sektorin e ujit. Në fokus ishte edhe rritja e ndërveprimit në çështjet e sigurisë dhe luftës ndaj ekstremizmit të dhunshëm, në mbrojtje të vlerave dhe popujt tanë nga ky kërcënim.

“Është një nder i madh i madh për mua dhe një privilegj që të jem këtu si Kryeministër i Shqipërisë. Ju jam mirënjohës për ftesën. Ashtu siç edhe ju e thatë zoti kryeministër, ky vit shënon 25 vjetorin e marrëdhënieve tona diplomatike, por miqësia jonë është e bazuar në një histori fantastike të shpëtimit të hebrenjve nga shqiptarët gjatë luftës së pushtimit nazist dhe ne jemi krenarë që kemi qenë një vend ku asnjë hebre nuk ra në duart dhe nazistëve dhe ku ata gjetën strehë dhe mbështetjeje mes shqiptarëve të feve të ndryshme. Ka shumë histori të familjeve myslimane në Shqipëri, të cilat morën në mbrojtje familjet hebreje.

Gjithashtu ndihem shumë i nderuar, sepse jemi këtu të nënshkruajmë Deklaratën e Miqësisë, në një moment kur marrëdhëniet tona kanë nevojë të forcohen, kjo edhe për shkak të sfidave të përbashkëta.

Ne jemi shumë të qartë dhe të prerë në qëndrimin tonë ndaj terrorizmit dhe akteve ekstreme të dhunës. Së fundmi, ne kemi themeluar në Shqipëri një qendër rajonale për të ndaluar ekstremizmin e dhunshëm. Ne jemi të vendosur të punojmë së bashku me ju, përkrah popullit izraelit, për të mbrojtur vlerat tona dhe njerëzit tanë nga rreziku i terrorizmit dhe i çdo forme tjetër të ekstremizmit, në një vend, i cili është krenar për harmoninë dhe bashkëjetesën fetare.

Në fund, por jo e fundit, ne jemi shumë të lumtur që së bashku të parashikojmë një rritje të bashkëpunimit tregtar, një rritje të bashkëpunimit në të gjitha fushat. Përsa i përket ujit, dy vendet tona janë shembulli më i mirë i asaj se vendet ndryshojnë jo nga ajo që kanë, por nga ajo që dinë të bëjnë. Ju nuk keni burime ujore, por e keni menaxhuar më së mirë. Ndërsa ne kemi shumë pasuri ujore, por nuk jemi më të mirët në përfitimet prej tyre.

Jam shumë i lumtur që jam këtu dhe ju faleminderit për këtë mundësi të madhe,” – u shpreh Kryeministri Rama, gjatë prononcimit përpara mediave me Kryeministrin Netanyahu.

Kryeministri Netanyahu çmoi miqësinë midis dy popujve, e cila ka spikatur veçanërisht në periudha kyçe të historisë dhe i shprehu Kryeministrit mirënjohjen ndaj popullit shqiptar për kontributin në shpëtimin e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore. “Ne nuk i harrojmë kurrë miqtë”, – u shpreh Kryeministri Netanyahu, gjatë prononcimit të përbashkët pas takimit.

“Kryeministër Rama, mirëserdhët në Jerusalem. Jemi shumë të lumtur që ju takojmë. Ne e dimë se Shqipëria është mike e mirë e Izraelit. Ne celebrojmë 25 vjet marrëdhënie dhe e dimë, populli shqiptar nuk është i lidhur me popullin izraelit vetëm sot, por gjatë periudhës së vështirë të Holokaustit, shqiptarët kanë qëndruar krah më krah me popullin hebre që u persekutua në Europë.

Unë mendoj se Shqipëria është vendi i vetëm ku popullata hebreje u rrit për shkak të mikpritjes së refugjatëve dhe falë miqësisë që populli shqiptar tregoi. Ne nuk i harrojmë kurrë miqtë tanë dhe vlerësojmë ndjenjën e njerëzimit dhe qytetërimit dhe kurajën që treguat gjatë kohës sonë më të zymtë.

Ndaj dhe është kënaqësi e veçantë për mua që sot të zgjerojmë marrëdhëniet në shumë fusha konkrete, të cilat mbulojnë një spektër shumë të gjerë; Mbulojnë tregtinë, investimet, industrinë, ujin. Ne kemi të gjithë nevojë për ujë që të jetojmë dhe Izraeli ka eksperiencë në fushën e burimeve ujore; Këto marrëdhënie mbulojnë gjithashtu çështjen e sigurisë, e cila përfshin dhe shqetëson vendet anembanë. Sot terrorizmi na kërcënon të gjithëve. Izraeli lufton kundër terrorizmit përditë dhe nuk e ul asnjëherë vëmendjen. Por besoj se popujt sot i kuptojnë gjithnjë e më shumë se problemet e sigurisë ndërkombëtare janë të ndërlidhura. Kërcënimi terrorist është ndaj kujtdo, ai është në nivel ndërkombëtar, ndaj dhe përgjigjja duhet të jetë e tillë.

Këto janë disa nga argumentet e diskutimeve. Gjithashtu do të firmosim disa marrëveshje për të përforcuar dhe pasqyruar miqësinë tonë dhe me këtë frymë miqësie, unë Kryeministër Rama, ju uroj mirëseardhjen në Jeruzalem,” – u shpreh Kryeministri Netanyahu në deklaratën e tij.

Kjo vizitë celebron edhe 25 vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve. Takimi mes dy Kryeministrave dhe delegacioneve respektive konkludoi me nënshkrimin e Deklaratës së Miqësisë mes dy vendeve, ku shprehet angazhimi i mëtejshëm mes dy vendeve për të thelluar marrëdhëniet në të gjitha fushat me interes reciprok, por sidomos në atë të sigurisë, përfshirë sigurinë energjetike, luftës kundër terrorizmit, krimit kibernetik, si dhe në energji, bujqësi, kulturë, turizëm dhe arsim. Kjo deklaratë synon të nxisë edhe më tej bashkëpunimin ekonomik dhe tregtar, si edhe i hap rrugën negociatave për Marrëveshjen e eliminimit të taksimit të dyfishtë.

Nëpërmjet kësaj Deklarate, pala izraelite shpreh edhe njëherë mirënjohjen ndaj popullit shqiptar për kontributin në shpëtimin e hebrenjve gjatë Luftës së dytë Botërore.

Gjithashtu u nënshkrua edhe:

– Marrëveshja në fushën e shëndetësisë dhe shkencave mjekësore, ku palët angazhohen të nxisin shkëmbimin e informacionit dhe dokumentacionit mbi tema që lidhen me shëndetësinë në fusha me interes të përbashkët; Shkëmbimin e vizitave të specialistëve me qëllim përmirësimin e kualifikimeve dhe konsultimeve; Shkëmbimin e informacionit mbi pajisjet mjekësore, aparaturat mjekësore, produktet farmaceutike dhe zhvillimet teknologjike që lidhen me mjekësinë e shëndetin publik; Shkëmbimin e informacionit mbi konferenca kombëtare, takime dhe evente të tjera që do të zhvillohen në secilin vend; Forma të tjera bashkëpunimi në fushën e mjekësisë dhe shëndetit publik.

– Memorandumi i Bashkëpunimit mes Ministrisë së Arsimit dhe Sportit dhe Yad Vashem, Autoriteti i Përkujtimit të Martirëve dhe Heronjve të Holokaustit, për të bashkëpunuar në promovimin e edukimit dhe përkujtimit të Holokaustit.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.