Kryeministri Rama zhvilloi sot në mbrëmje në Tetovë, një takim të ngrohtë me kryetarin e Partisë Demokratike të shqiptarëve të Maqedonisë, Z. Menduh Thaçi.
Rama dhe Thaçi folën për zhvillimet në Maqedoni dhe Shqipëri. “Jemi të interesuar për suksesin e Shqipërisë,” – u shpreh Z. Thaçi, teksa e konsideroi një nder, të priste në takim Kryeministrin Rama.
Nga ana e tij, Kryeministri shprehu gjithashtu, kënaqësinë të ishte sërish në Tetovë dhe se ndjehej mirë sa herë që ndodhej këtu. Për Qeverinë e Shqipërisë, – u shpreh Kryeministri – është privilegj të jemi të mikpritur siç na mikpresin miqtë dhe vëllezërit në Tetovë.
Kryeministri Rama inkurajoi dialogun mes partive shqiptare, i cili siç theksoi Kryeministri, “mund të sjellë pozitivitet për të gjithë.”
Gjatë takimit, Rama dhe Thaçi risollën në vëmendje rolin e kontributin e ish liderit të PDSH-së Arbër Xhaferri, duke e konsideruar Z. Xhaferri një kujtim të jashtëzakonshëm, jo vetëm për shqiptarët e Maqedonisë, por për shqiptarët në tërësi.