Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Fjala e Kryeministrit Edi Rama:

Përshëndetje të gjithëve!

Kjo që sapo ka nisur është një javë me një rëndësi të caktuar, sepse nesër do të njihemi me Raportin e Progresit të Komisionit Europian, raport që vjen si rezultat i kërkesës së bërë nga Këshillit Europian për të parë në muajin qershor nëse këta muaj konfirmojnë prirjen e muajve të parë deri në dhjetor që u quajtën mbresëlënës nga ana e Këshillit Evropian, por që mbetet për t’u konfirmuar kjo prirje. Thënë ndryshe, Raporti i Progresit që vjen nesër do të tregojë nëse në këndvështrimin e Komisionit Shqipëria i ka përmbushur të gjitha kushtet e kërkuara për të marrë statusin e vendit kandidat për Bashkimin Europian.

Ju e dini pikëpamjen time, që është edhe pikëpamja jonë, që Shqipëria duhet që ta merrte statusin që në dhjetor. Besoj që mosdhënia e statusit në dhjetor nuk i bëri mirë as vendit tonë dhe as rajonit. E kemi thënë këtë atëherë, e përsëris edhe sot, siç jua kam përsëritur në sy, të gjithë autoriteteve dhe homologëve që kam pasur mundësinë të takoj.

Gjithsesi, kjo është Europa sotme dhe detyra jonë është të bëjmë një për një, detyrat tona të shtëpisë. Për ne, në rast se Raporti i Progresit do të konfirmojë prirjen e muajve të parë dhe do të konfirmojë se qeveria i ka përmbushur të gjitha kërkesat e shtruara për Shqipërinë qysh përpara dhjetorit, duke nënvizuar se trendi është ai i stabilizimit të bilancit pozitiv, do të thotë që e kemi kryer detyrën. Pastaj, vendimmarrja në Këshillin Europian i takon gjithë vendeve anëtare. Dhe, siç nuk lidhej në dhjetor, aq më pak lidhet në qershor, me vetë Shqipërinë, pas zgjedhjeve europiane që hapën një debat shumë të madh dhe e kanë vënë Europën dhe të ardhmen e saj si Bashkim Europian, përballë dilemash të forta.

Fatmirësisht, sot e gjithë ditën, forcat pro Bashkimit Europian janë ende mazhoritare dhe pavarësisht problemeve serioze që i janë hapur Europës, me disa forca ekstremiste që tanimë kanë marrë një mandat shumë më të fortë sesa ç’kishin, le të shpresojmë se kurajoja dhe përballja e drejtpërdrejtë me këto forca dhe me gjithë tundimet që ato përfaqësojnë, në emër të një Bashkimi Europian si ai i paraparë nga etërit themelues të BE-së, do të triumfojë.

Nga ana tjetër, unë besoj se ne nuk kemi asnjë arsye që të dyshojmë në faktin se Raport-Progresi do të flasë qartë, për atë që ne jemi të vetëdijshëm se kemi bërë në gjithë këta muaj, edhe pse do të përqendrohet vetëm në disa prioritete. Ndërkohë që, aksioni qeveritar ka qenë i shtrirë në të gjitha fushat dhe përzgjedhja jonë ka qenë që të jemi të vendosur për të bërë reforma të thella dhe hapa, të munguar prej shumë vitesh, në çdonjërën nga fushat.

Sigurisht, krimi i organizuar dhe korrupsioni janë një prioritet parësor, qoftë në përpjekjen për të integruar Shqipërinë në Bashkimin Europian, qoftë në qasjen e Komisionit Europian gjatë gjithë kësaj periudhe. Më lejoni t’ju them se nuk dyshoj se rezultatet që për ne janë të prekshme, janë po ashtu në sytë e të gjithëve dhe gëzojnë gjithë mbështetjen dhe do të sjellin gjithë përgëzimet e nevojshme në vijim, nga ana e gjithë miqve dhe partnerëve ndërkombëtarë.

Shifrat flasin vetë. Nuk dua të përmend këtu shifra me radhë, por ulja  kriminalitetit është një prirje që do të shkojë duke u thelluar në vijim; rënia e numrit të vrasjeve, po ashtu; rënia e numrit të grabitjeve me dhunë, po ashtu; rritja eksponenciale e sasive të kapura të drogës dhe e të arrestuarve në kërkim kombëtar ose ndërkombëtar, po ashtu. Gjë që padyshim përbën një bazë solide, për të shtuar nga njëra anë, intensitetin e ndërveprimit me policitë e vendeve kufitare, në radhë të parë, që ka filluar e po jep rezultate të dukshme dhe nga ana tjetër, për të vazhduar më tutje, me paketën e reformës tërësore të policisë dhe të gjithë strukturave të sigurisë, brenda apo nën ombrellën e Ministrisë së Brendshme.

Patjetër, kur flasim për korrupsionin, jemi të vetëdijshëm që është një luftë që na takon ta udhëheqim kundër korrupsionit, por nuk e bëjmë dot plotësisht, ashtu si duhet, vetëm, pa një sistem drejtësie në lartësinë e sfidës. E sot, për fat të keq nuk e kemi një sistem drejtësie në lartësinë e sfidës, por kemi pa asnjë dyshim, të qartë, se çfarë reforme duhet të bëjmë në drejtësi, për të qenë në lartësinë e sfidës. Dhe grupi i punës, që e ka nisur prej kohësh punën për të përpunuar një bazë mbi të cilën pastaj, të hapet një diskutim i gjerë, besoj se së shpejti do të mund të vërë në dispozicion të të gjithë aktorëve dhe faktorëve të brendshëm e ndërkombëtarë, materialin, për të startuar një diskutim të madh e për të bërë një reformë të thellë në sistemin e drejtësisë.

Në ndërkohë që nuk janë ligjet dhe nuk është legjislacioni mbi të cilin vepron, që e ka penguar apo e pengon prokurorinë që të bëjë shumë më tepër sesa çka bërë deri më sot, lidhur me çështje që, për hir të së vërtetës, ia kemi vënë në dispozicion fare të shkoqura dhe të gatshme, për t’i çuar në rrugën e drejtësisë. Çështje, që lidhen me zyrtarë shumë të lartë e të lartë, çështje që lidhen me korrupsion në një sërë fushash me ndjeshmëri të madhe për publikun.

Sidoqoftë, në pritje që prokuroria, më në fund, të japë rezultate të hetimeve që disa herë ka përsëritur që po bën, të tjerë ish ministra do të përfshihen në rrugën e kërkesës për hetim nga ana e prokurorisë, në javët në vijim. Të tjerë ish zyrtarë të lartë do t’i ndjekin në po atë rrugë.

Ne nuk do të rreshtim me proceset  e auditimeve dhe të hetimeve të brendshme. Sigurisht, volumi është i jashtëzakonshëm. Problemet për t’u hetuar janë të jashtëzakonshme, por ne nuk mund t’i shmangemi kësaj përgjegjësie. Nga ana  tjetër, në rast se flasim për luftë ndaj korrupsionit, si një luftë për të modernizuar në radhë të parë sistemin dhe për të krijuar mekanizma që e ulin në mënyrë të ndjeshme deri në asgjësim korrupsionin si alternativë për njerëzit, kemi filluar të shohim rezultate të prekshme, duke filluar që nga ai i fundit i maturës shtetërore, që ishte një sukses i jashtëzakonshëm, për të cilin dua dhe njëherë tjetër ta përgëzoj ministrin e arsimit që ka bërë një punë mbresëlënëse, duke dëshmuar një lidership me vullnet shumë të fortë dhe me një dëshirë të vazhdueshme për një dialog me të gjithë aktorët dhe faktorët  e sistemit.

Jam i bindur që rezultati i maturës shtetërore flet qartë për mundësitë e jashtëzakonshme që ne kemi për të ndryshuar thellësisht sistemet e funksionimit të shtetit në të gjithë sektorët dhe për të provuar atë që kemi thënë gjithmonë se nuk janë njerëzit që i korruptojnë sistemet, por janë sistemet që i korruptojnë njerëzit. Sistemet e duhura i bëjnë njerëzit e një sistemi që të sillen në një formë krejt tjetër siç ndodhi me maturën shtetërore, për të cilën kam marrë mesazhe pa fund nga mësues, nga prindër, nga nxënës, nga i gjithë territori i Shqipërisë, thuajse të habitur se si mund të kalonte një provim në të cilin komuniteti fatkeqësisht u mësua që në vend të provimit të merrte pjesë në një teatër absurd që dirigjohej nga ministria e arsimit, aq pastër dhe në mënyrë aq bindëse sa kaloi.

Një tjetër reformë që meriton vëmendje si një tjetër instrument që na nxit të vazhdojmë të besojmë tek procesi i reformimit tërësor të sistemeve është reforma e bërë në shëndetësi, lidhur me gjithë mënyrën se si është trajtuar deri dje dhe si po ritrajtohet çështja e ilaçeve. Kemi një proces nga ku po fiton publiku, po fitojnë qytetarët dhe po fiton sistemi i shërbimit publik në shëndetësi. Sigurisht, që është një proces ende në vazhdim. Sigurisht, që jemi ende disa kohë larg plotësimit të kuadrit, brenda të cilit mbahen pastaj të drejtuara marrëdhëniet mes shtetit dhe gjithë operatorëve të kësaj fushe për të garantuar ilaçe, jo më të shtrenjta se sa vendet e origjinës dhe për të garantuar furnizim normal me ilaçe në çdo spital publik, por tanimë provat se jemi në rrugën e duhur i kemi të qarta dhe të prekshme, siç i kanë të qarta dhe të prekshme dhe ata të cilët kanë nevojë për ilaçe dhe sot nëpër farmaci gjejmë më shumë se një alternativë dhe kanë mundësi të paguajnë shumë më pak sesa ç’paguanin deri dje padrejtësisht.

Ashtu sikundër reforma kundër abuzimeve skandaloze të një korrupsioni të kudondodhur në shërbimet sociale po jep rezultate shumë mbresëlënëse, për të cilat dëshiroj t’u them se kemi marrë edhe një besim më të madh nga institucionet financiare ndërkombëtare dhe një shtesë të mbështetjes financiare në këtë fushë, me opsionin për të vazhduar të financojmë me mbështetje të huaj reformat që lidhen me mirëqenien sociale, pasi është e qartë që po ngremë një sistem që ul në mënyrë drastike abuzimet me ndihmën ekonomike, abuzimet me të gjithë aspektet e tjera të mbështetjes sociale. Mjafton t’u them se janë 12 mijë njerëz, të cilët nuk janë më të përfshirë në mbështetjen sociale, për shkak se ishin të përfshirë në mënyrë abuzive.

Ashtu sikundër mjaftojmë të shtojmë se kemi 30263 të regjistruar të rinj në punë që paguajnë taksa, paguajnë kontribute shoqërore, sic kemi 4400 biznese të regjistruar më shumë, në janarin e këtij viti. Përveçse shprehje të një ekonomie që po rifillon të marrë frymë, unë do t’u ftoja që t’i shikojmë këto si rezultate të drejtpërdrejta të luftës kundër korrupsionit dhe informalitetit. Luftë, e cila ka bërë që edhe muaji maj, muaj i parashikuar bashkë me qershorin, si më i vështiri për mbledhjen e të ardhurave, të realizohet plotësisht nga doganat dhe nga tatimet, ku praktikisht kemi sot një shifër tanimë të pakrahasueshme me një periudhë të një viti më parë. E përsëris, në radhë të parë sepse po luftohet në mënyrë bindëse korrupsioni. Ashtu sikundër po luftohet në mënyrë bindëse korrupsioni me skemën e re të rimbursimit të TVSH-së tek bizneset ku askush nuk ka nevojë tanimë të paguajë për marrë TVSH-në e rimbursuar sepse gjithçka bëhet në mënyrë mekanike. Pra, kush ka hyrë i pari, del i pari -dhe nuk ka më kapërcime- në një listë që ekzekutohet automatikisht, thjesht dhe vetëm duke marrë dhe përputhur datat e kontributeve.

Edhe për këto arritje nuk është e tepërt të përgëzohen qoftë ministri i shëndetësisë, qoftë ministri i financave, qoftë ministri i mirëqenies sociale. Ashtu siç do të do të doja të përgëzoj edhe ministrin e energjisë që po bën një punë të konsiderueshme në kushtet më të vështira që mund të gjendet sot një dikaster, me një gropë të madhe të trashëguar dhe me një sërë problemesh që duhen zgjidhur që sot. Por, mjafton ndoshta t’u them se për herë të parë në historinë e vet kushedi prej sa vitesh AlbPetrol ka filluar t’i japë shtetit shqiptar para. Është vetëm një nga shumë shembujt e shkëputur që mund të merren në sektorin e energjisë dhe minierave, por që tregon se përsëri edhe këtu sistemet po fillojnë të vendosen nëpër vendet e duhura. Ashtu sikundër ka ndryshuar tërësisht skema e financimit të bujqësisë, duke kaluar nga skemë e thërrmimit të fondeve për të financuar mbijetesën dhe për të siguruar mbijetesë elektorale në një skemë financimi për të financuar zinxhirin e vlerave në sektorin bujqësisë, blegtorisë, agropërpunimit e kështu me radhë.

Ne jemi shumë të bindur se kjo skemë, jo vetëm që do të sjellë një ndryshim në mënyrën sesi e kemi kuptuar deri më sot zhvillimin e bujqësisë dhe të fshatit, por do të sjellë vlerë të shtuar pasi do të kemi mbështetje të mëtejshme financiare edhe me institucione financiare, të cilat janë shprehur shumë të interesuara për t’u përfshirë në sistemin e financimit të bujqësisë.

I përmenda të gjitha këto, jo për t’ju marrë kohë, por thjesht për të nënvizuar se fronti i punës është shumë më i gjerë sesa tematika e ditës, e cila ka qenë, fatkeqësisht, e dominuar shumë më tepër sesa ç’duhet nga një axhendë e ndryshme nga axhenda e Qeverisë. E ndryshme nga axhenda e Qeverisë, por krejt e ndryshme nga axhenda e shqiptarëve, për shkak të një qasjeje opozitare, tërësisht kundërproduktive. Kundërproduktive për opozitën, po ky është problemi i opozitës, por kundërproduktive edhe për punën e përbashkët që duhet të bëjmë, qoftë në Parlament, qoftë jashtë Parlamentit, ku secili, kuptohet, ka rolin e tij. Dhe, si dy alternativa të mundshme kemi detyrën që t’i japim njerëzve mundësinë që të gjykojnë dhe të zgjedhin.

Duke e mbyllur këtë pjesë, për të bërë vetëm një shtesë në një pjesë të dytë, shumë më të shkurtër, të fjalës time dua të falënderoj Ermonelën dhe të gjithë grupin e deputetëve që u përfshinë në Komisionin Hetimor për trafikun e drogës. Besoj, që për herë të parë një Komision Hetimor bën Komisionin Hetimor. Për herë të parë një Komision Hetimor arrin të justifikojë paratë e taksapaguesve për deputetët e përfshirë në Komisionet Hetimore, me një produkt konkret, bazuar mbi fakte, bazuar mbi një hetim profesional dhe bazuar mbi një objekt të Komisionit Hetimor që nuk ka për qëllim as të përbaltë njeri dhe as të shpërndajë mjegull në të katër anët, siç ka ndodhur me të tjera Komisione Hetimore të kthyera në farsa propagandistike.

Edhe këtu, dëshiroj që të vazhdoj të jem shpresëplotë se prokuroria do të bëjë pjesën e saj të punës, pasi si një Komisioni Hetimor kushtetues dhe mirëfilli profesional, Komisioni ka prodhuar një dokument që nuk ezauron problematikën duke marrë rolin e prokurorit, por që përmbush objektivin në rolin e një grupi deputetësh.

Pjesa e dytë, lidhet me Europën, me zgjedhjet e ditëve të fundit në Europë dhe me rastin se sot duhet të jemi gjithmonë e më të vetëdijshëm se Europa nuk është më ajo që ishte deri përpara disa kohësh dhe se cila do të jetë, kjo i takon kohës së afërt që vjen. Vendime shumë të mëdha, strategjike, janë në tryezë për t’u marrë nga liderët europianë, padyshim, por ne, modestish, për vendin dhe rolin që kemi do të vazhdojmë të evokojmë domosdoshmërinë që Shqipëria dhe Ballkani të bëhen pjesë e projektit europian dhe që, pa as më të voglin dyshim, Shqipëria dhe Ballkani kanë nevojë për Europën, por edhe Europa ka nevojë për Shqipërinë dhe Ballkanin. Madje, kjo nevojë po bëhet gjithmonë e më shumë reciproke dhe e tillë do të shkojë duke u bërë, me patjetër, në muajt dhe në vitet në vijim. Sepse Shqipëria dhe Ballkani, apo Ballkani dhe Shqipëria po ashtu, si pjesë e saj, po bëhen gjithmonë e më të rëndësishme për konfigurimin e ardhshëm të Europës së Bashkuar. Kjo është një vetëdije që s’është vetëm e imja, s’është vetëm e jona, por është një vetëdije që dalëngadalë po zë vend edhe në këndvështrimin e atyre autoriteteve dhe atyre institucioneve europiane që duan një Europë më të bashkuar dhe sigurisht që nuk duan shkatërrimin e Europës, apo daljen e vendeve të tjera nga Europa.

Gjithsesi, ajo që ne na takon dhe që duhet ta ndajmë me të gjithë shqiptarët është që ne të vazhdojmë të bëjmë detyrat tona për të bërë Shqipërinë Europiane; për të bërë Shqipërinë e institucioneve; për të bërë Shqipërinë e sundimit të ligjit; për të bërë Shqipërinë e mirëqenies, me sa më shumë barazi mundësish për njerëzit; për të bërë Shqipërinë ku njerëzit mund të pasurohen përmes talenteve dhe punëve të tyre dhe për të bërë Shqipërinë ku njerëzit nuk mbeten vetëm, kur nuk kanë mundësi të bëjnë më shumë për veten dhe për familjen e tyre. Përtej kësaj detyre, sigurisht, pastaj jo gjithçka është në dorën dhe në vullnetin tonë. Ne na takon, më zë të lartë, të kërkojmë atë që Shqipëria dhe shqiptarët meritojnë, shqiptarët në Shqipëri, në Kosovë, shqiptarët kudo në Ballkan, vendin e tyre në Bashkimin Europian.

Në këtë këndvështrim besoj duhet parë edhe vendimi i qershorit. Ne pasi ta quajmë të kryer detyrën tonë, bazuar në çka do të thotë Komisioni Europian dhe pasi vendimi të mos jetë më i bazuar tek objektiviteti i një procesi, të cilin e përcakton Komisioni Europian, të bëjmë ç’është e mundur, në ditët dhe në javët e mbetura, me vendet anëtare, sidomos me dy prej tyre, ku zgjedhjet në Europë kanë dhënë tronditje të forta, për të shpjeguar dhe për të mbështetur pozicionin tonë, se e vetmja rrugë për Europën është rruga e kurajës dhe e shpresës, jo rruga e frikës dhe e mungesës së shpresës.

Zgjedhja tanimë është shumë e qartë, është ajo që Romano Prodi e paralajmëronte përpara disa muajsh, që njerëzit që jetojnë në Europë janë të vendosur përballë një zgjedhjeje; Ose me Europën e shpresës, ose me Europën e frikës. Fatkeqësisht, në zgjedhjet e shkuara europiane, Europa e frikës mori një terren më të madh se ç’pritej dhe shumë të pamerituar. Ndërkohë që i takon Europës së shpresës të kundërpërgjigjet. Nëse do të kundërpërgjigjet ashtu siç i takon, me patjetër e ardhmja do të jetë ajo e parashikuar nga etërit themelues. Nëse do të kundërpërgjigjet ashtu siç është kundërpërgjigjur këto vitet e fundit, e ardhmja bëhet gjithmonë e më e paqartë për të gjithë, për ata që janë brenda dhe për ata që ende nuk janë bërë pjesë e Europës së Bashkuar.

Faleminderit!

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.