Deklaratë e përbashkët për media e Kryeministrit, Edi Rama, me Ambasadoren e Delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë, znj. Romana Vlahutin:
Kryeministri Rama: Mirëdita të gjithëve. Pata kënaqësinë që së bashku me Ministren e Integrimit ti urojmë mirëseardhjen Raportit dhe Ambasadores bashkë me Raportin, si dhe të ndajmë me Ambasadoren pikëpamjet lidhur me jo thjesht çka ka në Raport, por me hapat që duhet të hedhim sëbashku, dorë për dore me Komisionin Europian, në këtë rrugë që me statusin e kandidatit ka hyrë në një fazë të re.
Më lejoni që duke i uruar ambasadores, edhe një herë tjetër, një punë të mbarë, një qëndrim të mbarë dhe padyshim edhe rezultate të kënaqshme nga kjo punë e përbashkët këtu në Shqipëri, t’i jap fjalën për të bërë paraqitjen e saj.
Ambasadorja Vlahutin: Ju faleminderit. Sapo pata kënaqësinë që t’i dorëzoj zotit Kryeministër, Progres-raportin për Shqipërinë, i cili është pjesë e paketës së zgjerimit për vitin 2014, miratuar nga Komisioni Europian, sot.
Ky Raport është një raport i cili është degë e raportit të qershorit, të statusit kandidat dhe në të janë njohur fare qartë përpjekjet e reformave dhe ecuria e bërë në vend. Statusi i vendit kandidat do të thotë më shumë përgjegjësi, por edhe më shumë kërkesa kundrejt Shqipërisë. E një rëndësie shumë thelbësore është fakti që reformat duhet të përshpejtohen dhe që të ketë edhe një zbatim të mirë të ligjeve, në mënyrë që ne të shikojmë hapat që do të bëjë Shqipëria drejt Bashkimit Europian.
Ka tre elementë thelbësore, të cilat do të shikohen në të ardhmen.
Së pari, është sundimi i ligjit dhe është vërtet thelbësor, shumë kyç. Po ashtu, edhe reforma në gjyqësor, lufta kundër korrupsionit dhe lufta kundër krimit të organizuar.
Së dyti, kemi reformën e administratës publike. Është edhe kjo e një rëndësie tejet të veçantë, për të krijuar kapacitetet e duhura, në mënyrë që Shqipëria t’i përgjigjet të gjithë atyre kërkesave që do t’i bëhen dhe që të ketë kapacitet për të thithur të gjithë asistencën që do të japë Bashkimi Europian në të ardhmen.
Së treti, kemi të bëjmë me një koncept të ri, të mirëqeverisjes ekonomike, me të cilin Bashkimi Europian do t’i ndihmojë vendet që të vijnë në të njëjtën linjë, të shikohet sesi arrihet kjo mirëqeverisje ekonomike.
Një gjë, e cila është një shqetësim i veçantë për ne dhe kërkon rëndësi të veçantë, është gjithëpërfshirja, e sidomos dialogu politik mes qeverisë dhe opozitës. Ne si Bashkim Europian do të përpiqemi që të bëjmë çdo gjë, që të restaurohet ky dialog dhe të ketë një debat publik, të hapur e të çiltër, për të gjitha këto çështje për Shqipërinë. Bashkimi Europian është i gatshëm, siç ka qenë gjithmonë dhe ne jemi këtu tejet të angazhuar për të ndihmuar Qeverinë, por edhe të gjitha forcat në vend, për të ecur Shqipëria përpara.
Kryeministri Rama: Faleminderit. Po bëj edhe një përmbledhje të këndvështrimit tonë për Raportin, duke iu referuar tekstit dhe sigurisht, pastaj do të marrim edhe pyetjet tuaja.
Së pari, Raporti konfirmon vlerësimin shumë pozitiv të Komisionit Europian për arritjet konkrete të Qeverisë dhe ajo çka për ne vlen ende më shumë, për vullnetin tonë qeverisës për të dëshmuar me fakte thellimin e reformave modernizuese.
Në këtë aspekt marrim si inkurajim të fortë vlerësimin e Komisionit se Qeveria ka treguar vullnet për të vepruar në mënyrë vendimtare në parandalimin dhe luftën ndaj korrupsionit; se lufta kundër krimit të organizuar, me hapa seriozë, për të luftuar kultivimin e narkotikëve me operacionet e policisë në Lazarat dhe në veri të vendit, ndër të tjera është shprehje kuptimplotë e këtij vullneti; se janë shënuar hapa konkretë në reformën e gjyqësorit; se Shqipëria po ecën me harmonizimin e legjislacionit, sipas standardeve të Bashkimit Europian, në një sërë fushash, duke rritur aftësitë për të marrë përsipër detyrimet e anëtarësimit.
Nga ana tjetër, Raporti tregon sipas nesh, në mënyrë shumë të qartë, udhën drejt hapjes së negociatave për anëtarësim nëpërmjet 5 përparësive kyçe, që i nënvizoi edhe ambasadorja. Për ne, rekomandimet e Komisionit Europian përputhen plotësisht me programin dhe me vullnetin e Qeverisë sonë, për të vendosur sundimin e ligjit, për t’i dhënë fund një historie kanceri në sistemi gjyqësor dhe këtu do të përfshij edhe administratën shtetërore që është një korrupsion sistemik, i trashëguar dhe i rënduar vit pas viti, për të vijuar luftën pa asnjë kompromis kundër krimit të organizuar dhe sigurisht, për të forcuar gjithë shtyllat mbajtëse të ngrehinës së lirive dhe të drejtave të njeriut.
Pesë përparësitë kyçe janë kthyer në një plan pune për Qeverinë dhe udhërrëfyesi dhe ndjekja që i bëhet masave, të parashikuara nga grupet e përbashkëta të punës me Komisionin Europian, na vendosin në një fokus të vazhdueshëm në zbatim.
Një gjë dua ta them në fund të kësaj paraqitjeje, se nuk janë të gjitha këto hapa dhe masa që ne i ndërmarrim, sepse na thotë Komisioni, se na i kërkon BE-ja. Por sepse për ne është vendimtare që në Shqipëri të vendoset sundimi i ligjit, që në Shqipëri, drejtësia të mos jetë sinonim i korrupsionit, administrata të mos ketë pika përputhjeje me korrupsionin dhe jeta e qytetarëve të mos jetë penguar nga korrupsioni. Ashtu sikundër, jo sepse e kërkon Bashkimi Europian, jo sepse e thotë Komisioni, apo e nënvizon Raporti, por sepse pesë përparësitë kyçe janë edhe pesë instrumente të patjetërsueshëm për modernizimin e vendit. Ne do t’i ndjekim këto përparësi, edhe më me shumë vullnet, edhe më me shumë ritëm.
Ju lë radhën pyetjeve tuaja, duke mos e harruar atë element që nënvizoi edhe ambasadorja, që e thotë edhe Raporti lidhur me dialogun politik, lidhur me gjithëpërfshirjen, lidhur me kthimin e opozitës aty ku opozita ka vendin, në rastin kur nuk është në mërgim, në parlament. Ne jemi të vendosur të mos jemi pjesë e përgjegjësisë për përsëritjen e historisë, në asnjë aspekt. E kam thënë që ditën e parë dhe kjo është vija jonë e sjelljes, nga dita e parë deri më sot. Opozita, gjatë periudhës së qeverisjes sonë nuk do të vuajë asgjë nga ato që kemi vuajtur ne, kur ishim në opozitë, gjatë qeverisjes së tyre.
Çfarë ne e kemi konsideruar të drejtë të opozitës dje, e konsiderojmë të drejtë të opozitës sot. Çfarë ne kemi kërkuar dje nga Qeveria, jemi të gatshëm ta ofrojmë sot, një më një, për opozitën në çdo rast dhe sa herë që kjo të shprehet si nevojë nga opozita.
Thënë të gjitha këto, përsëris që ne presim që opozita të thotë çfarë mund të bëjmë ne, çfarë kërkojnë. Kur ne braktisëm Parlamentin, kërkonim hapjen e kutive. Ishte një kërkese legjitime sipas nesh, jo legjitime sipas tyre, por ishte një kërkesë konkrete, me një argumentim konkret dhe përcaktonte kushtëzimin e marrëdhënieve tona me Parlamentin. Akoma nuk e dimë se çfarë kërkon opozita, përveç, kuptohet, largimit të Qeverisë, por këtë nuk jemi ne që duhet t’ia plotësojmë, por është populli shqiptar, që duhet t’ua plotësojë me votë.
Zoti Kryeministër, në dokumentin e strategjisë së zgjerimit që KE i ka dërguar sot Parlamentit Europian thuhet, citoj: “Shqipërisë i duhet në mënyrë rigoroze të vazhdojë me këtë proces, pra, reformën në drejtësi përmes një bashkëpunimi konstruktiv të të gjithë aktorëve, si dhe bashkëpunimin me Komisionin e Venecias”. Në këndvështrimin tuaj, zoti Kryeministër, kush duhet ta udhëheqë këtë reformë, Presidenti i Republikës, Parlamenti apo ekspertët ndërkombëtarë?
Kryeministri Rama: Nuk do grindemi me askënd, se kush do të mbajë flamurin. Ne kemi pjesën tonë të përgjegjësisë dhe atë do ta mbajmë plotësisht. Që do të thotë se jemi shumicë e votuar në radhë të parë, besojmë ne, sepse Shqipëria dhe shqiptarët ishin të mbingopur deri në fyt nga padrejtësia, në tërësi dhe nga drejtësia që nuk jep drejtësi, në mënyrë të veçantë. Presidenti i Republikës organizoi një konferencë. Dua t’ju risjell në vëmendje se ajo konferencë e organizuar nga Presidenti i Republikës ishte fryt i një bashkëpunimi me ne si shumicë qeverisëse, që ndërkohë ishim përgatitur për të lançuar Konferencën Kombëtare të Drejtësisë dhe me të marrë njoftimin se Presidenti po përgatitej për një aktivitet lidhur me drejtësinë, që nuk përfshinte në draftin e parë, partitë politike, por përfshinte të gjithë aktorët e tjerë, i jemi drejtuar Presidentit me kërkesën që t’i përfshije dhe partitë politike, duke ndarë me të, idetë tona të Konferencës Kombëtare dhe duke i garantuar pjesëmarrjen tonë në konferencë, besojmë si shprehje kuptimplotë të vullnetit për gjithëpërfshirje dhe të domosdoshmërisë që ne shohim tek gjithëpërfshirja.
Përsëri do të jemi të gatshëm të marrim pjesë në çdo lloj aktiviteti që Presidenti, aktorë të tjerë, përfshirë dhe Partinë Demokratike do të duan të organizojnë dhe do të na ftojmë për të marrë pjesë. Ju rikujtojmë, nuk do të bëjmë asgjë nga ato që na bënë kur ishim në opozitë. Kur ishim në opozitë kemi organizuar një konferencë pikërisht për reformën në drejtësi. E kemi ftuar shumicën e asaj kohe. Nuk ka ardhur asnjë njeri. Ne do të shkojmë, nëse na ftojnë dhe sa të na ftojnë. Por thënë kjo, gjithë ky proces që mund të shtrihet në konferenca, në tryeza, në forume, në workshop-e nuk është alternativ i Parlamentit, por është komplementar me Parlamentin. Si shumicë qeverisëse, ne e kemi thënë dhe do ta çojmë më tutje projektin e fillimit të punës për reformën në drejtësi, nëpërmjet një komisioni parlamentar të reformës në drejtësi, ku pa as më të voglin dyshim, mirëpresim jo vetëm praninë e opozitës, por edhe propozimet konkrete të opozitës për formatimin etj., etj.. Pjesëtarët tanë në këtë komision, të cilët do të koordinojnë të gjithë punën e kësaj shumice qeverisëse, sepse Qeveria është vetëm njëra anë e shumicës, ana tjetër është Kuvendi, por janë dhe aktorët e tjerë, do të jenë të gatshëm, e përsëris, që të ndajnë gjithçka komisioni do të përgatisë apo do të bëjë gati në fund për Kuvendin, me të gjithë aktorët në çdo instancë tjetër. Pra, nuk kemi këtu, një garë se kush e udhëheq. Secili bën atë që ndjen si përgjegjësi dhe që i takon me Kushtetutë, me ligj dhe me mandat popullor.
Zonja ambasadore, ju thatë se jeni gati të negocioni që palët politike në Shqipëri të arrijnë dialogun. Por, ndërsa në Raport thuhet se opozita duhet të kthehet në Parlament, çfarë nënkuptohet kur thuhet se maxhoranca duhet të krijojë kushtet e duhura që opozita të ndërmarrë këtë veprim?
Ambasadorja Vlahutin: Njerëzit kanë votuar dhe kanë zgjedhur Parlamentin për t’i përfaqësuar ata, por është përgjegjësia e atyre që janë zgjedhur që të përfaqësojnë ashtu siç duhet, zgjedhësit e tyre. Prandaj varet në duart e të dyja palëve, në fakt, që të gjejnë mënyrën për t’u kthyer në një situatë ku ka dialog të duhur politik, për të mirën e vendit. Ajo që mund të bëjë BE, është që të përpiqet që të asistojë, të ndihmojë për të krijuar atmosferën e duhur, apo për të krijuar më shumë hapësirë për gjithëpërfshirjen, duke folur me të gjithë dhe duke krijuar një atmosferë dialogu, i cili do ta çojë Shqipërinë në pozicionin ku Shqipëria do të quhet dhe do të shihet si një vend me një demokraci shumë të përgjegjshme përsa i përket dialogut. Nuk është sikur ne jemi këtu të pranishëm dhe prania jonë, sigurisht që do asistojmë, por ne nuk jemi në Shqipëri që të udhëheqim vendin. Ata që janë zgjedhur, kanë përgjegjësinë për ta bërë këtë.
Kryeministri Rama: Ju faleminderit shumë. Fakti që kishte vetëm dy pyetje tregon që me Progres-raportin jemi të gjithë dakord dhe të kënaqur.
***
Ambasadorja e Delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë, znj. Romana Vlahutin i dorëzoi sot, Kryeministrit Edi Rama, Raportin e Progresit 2014 të Komisionit Europian për Shqipërinë. Pas takimit mes tyre, Kryeministri Rama dhe ambasadorja Vlahutin dolën në një konferencë të përbashkët për shtyp, mbi gjetjet dhe rekomandimet e Komisionit Europian për Shqipërinë.