Ratifikimi i marrëveshjes me Pfizer për 500 mijë vaksinat e para nga kompania

Fjala e Kryeministrit Edi Rama, sot në Kuvend, mbi ratifikimin e Marrëveshjes me Pfizer për 500 mijë vaksinat e para drejtëpërdrejtë nga kompania:

 

Siç e kemi paralajmëruar, sot Kuvendi do të votojë për finalizimin e Marrëveshjes me kompaninë Pfizer për sjelljen në Shqipëri të masës së parë të vaksinave. Ne kemi dakordësuar me Pfizer për 500 mijë doza dhe në kontratën e nënshkruar pak më pare, pas një negociate jo të lehtë, do thoja, është marrë parasysh edhe nevoja potenciale e mëtejshme. Pse them nevoja potenciale e mëtejshme?
Sepse qëllimi ynë ka qenë që të sigurojmë fillimisht një sasi vaksinash për një pjesë të procesit të vaksinimit, duke pasur parasysh raportin e sasisë me kalendarin e Planit Kombëtar të Vaksinimit dhe duke mos harruar se në ndërkohë janë një sërë vaksinash të tjera, qoftë ato që tanimë presin me ditë aprovimin, qoftë vaksina AstraZeneca që është aprovuar në Mbretërinë e Bashkuar dhe pret aprovimin në nivelin europian, qoftë dhe vaksinat që janë në dalje e sipër.

Është shumë e rëndësishme të kihet kjo parasysh, siç ne e kemi mbajtur parasysh, për faktin se do të ishte sipas nesh e nxituar dhe e gabuar që të kontraktonim menjëherë të gjithë sasinë e nevojshme të vaksinave për të gjithë periudhën e vaksinimit, duke pasur parasysh edhe çmimin, i cili është çmim fiks, i panegociueshëm për asnjë nga vendet që kanë marrë vaksinës Pfizer. Por duke pasur parasysh edhe procesin e vaksinimit përmes kësaj vaksine, që është një proces me dy doza, i përshkallëzuar në kohë dhe me një sërë elementësh të tjerë sigurie që ne i kemi garantuar, por që, gjithsesi, në tërësinë e vetë, kjo vaksinë ka shtrenjtësi në raport me të tjerat.
Pra, nga njëra anë, ne kemi siguruar me Marrëveshjen me Pfizer akses për doza të mëtejshme, në rast se kështu do të gjykohet në vijim dhe nga ana tjetër i kemi lënë vetes hapësirë për të bërë zgjedhjet e duhura në kohën e duhur, me potencialisht vaksina të tjera.

Jemi në negociata të vazhdueshme dhe në komunikime të vazhdueshme, qoftë në nivelin e komunikimit me kompanitë, qoftë në nivelin e komunikimit me një sërë shtetesh të tjera, pasi i gjithë procesi i shpërndarjes së vaksinës është një proces shumë më i ndërlikuar nga çfarë duket, edhe pse qoftë dhe në dukje nuk është një proces i lehtë. Besoj se e keni ndjekur deklarimin e fundit të OBSH-së që ka folur me një shqetësim jo të vogël për katastrofën e mundshme morale në nivel global, sigurisht, për shkak të mos garantimit të barazisë së aksesit në vaksinim. Kjo është një temë që për ne që jetojmë në mes të Europës, në një rajon që përbehet nga 6 vende që nuk janë anëtarë të Bashkimit Europian, nuk është e panjohur. Për fat të keq në konceptin e planifikimit të marrjes së aksesit në vaksinim përmes Pfizer-it, Bashkimi Europian nuk pa përtej kufijve të vetvetes dhe faktikisht, e la fatin e vaksinimit të njerëzve në rajonin tonë në atë që u quajt mundësi për marrëveshje bilaterale. Gjë që ka bërë që sot, përjashto Serbinë dhe Shqipërinë, asnjë vend tjetër në rajon nuk ka filluar me vaksinimin

Të gjitha vendet e rajonit, ashtu si dhe vendet e tjera, prej kohësh kanë parapaguar për të pasur akses në vaksinë përmes COVAX-it, një platformë e ndërtuar pikërisht për t’u dhënë mundësi të gjithëve që të aksesojnë vaksinën, pavarësisht statusit të tyre në aspektin ndërkombëtar, por një platformë që ende nuk është hapur. Që do të thotë, akoma nuk ka filluar furnizimi përmes COVAX-it. Flitet se do të nisë së shpejti, por askush nuk e di ekzaktësisht se kur së shpejti.

Ne kemi ndeshur në vetë të parë vështirësinë e marrëdhënieve bilaterale, në sensin e përcaktuar nga koncepti paraprak i Bashkimit Europian, për shkak se ka edhe një element tjetër që duhet ditur dhe mbajtur parasysh, që vendet, për të bërë marrëveshje me njëra tjetrën, qoftë për të dhuruar, qoftë për të shitur, qoftë për të shkëmbyer në kohë të ndryshme, duhet patjetër që të marrin leje nga kompania Pfizer, përndryshe ky transaksion është i pamundur. Kështu është e shkruar edhe në Marrëveshjen që ne sapo kemi përfunduar e që do ratifikojmë këtu, në Kuvendin e Shqipërisë. Përsa na takon, sigurisht, ne, në radhë të parë kemi nevojë të garantojmë të gjitha sasitë që na duhen për Planin Kombëtar të Vaksinimit, i cili ka tre skenarë.
Skenari më ambicioz është vaksinimi i të gjithë kategorive dhe i të gjitha moshave që përfshihen në Planin e Vaksinimit brenda 14 muajsh;
Skenari tjetër ose ai i mesmi ka një axhendë 18 mujore;
Skenari i tretë ka një axhendë 24 mujore.

Ne, sigurisht, do të bëjmë gjithçka për të shkuar sipas skenarit të parë, skenarit më ambicioz. Faktikisht, me votimin sot, të Kuvendit, hapet rruga për të marrë sipas Marrëveshjes së dakordësuar në parim, që unë e kam bërë edhe publike kur kam thënë se doza e parë e vaksinave do të vijë brenda muajit janar dhe mundësisht brenda javës së tretë të muajit janar dhe pastaj, shkallë-shkallë do të marrim të gjithë sasinë e dakordësuar dhe siç thashë, shkallë-shkallë mund të porosisim një sasi tjetër apo sasi të tjera edhe drejtpërdrejtë nga Pfizer-i, gjë që e kemi garantuar me Marrëveshjen që është firmosur përfundimisht dhe zyrtarisht nga të dyja palët e që Kuvendi do ta ratifikojë.

Dua ta nënvizoj këtu, që, siç mbase ju ka rënë në sy, edhe nga fakti se Pfizer-i bëri një deklarim publik që ka krijuar shumë pakënaqësi, gjerësisht, për shtyrjen me një javë të të gjitha angazhimeve të veta në raport me vendet ku është angazhuar, si rezultat i nevojës për të rritur prodhimin dhe për të krijuar kushtet që prodhimi të rritet duke bërë një frenim të përkohshëm për arsye të logjistikës, infrastrukturës e kështu me radhë. Që do të thotë që ky është një proces që ka të papriturat e veta. E rëndësishme është që ne, nga ana jonë jemi plotësisht të përgatitur dhe siç e kemi thënë, qendra e vaksinimit në Tiranë, e cila është hapur dhe po funksionon për pjesën e parë fare që janë mjekët, infermierët, epidemiologët, drejtpërdrejtë në kontakt me rrezikun potencial nga infektimi, të shtrihet në Shkodër, në Vlorë e pastaj me rradhë në të gjitha pikat e përcaktuara në Plan, në mënyrë që aksesi, jo vetëm i njerëzve të shëndetësisë, por edhe i moshave më të thyera, që do të hyjnë në proces së shpejti, të jetë sa më i lehtë. Sigurisht, në proces pastaj do të bëhet edhe degëzimi kapilar i gjithë linjave të infrastrukturës së vaksinimit, për ta çuar vaksinimin në çdo qark, në çdo bashki, në mënyrë që të realizojmë skenarin më ambicioz, atë të vaksinimit për 14 muaj.

Është shumë e rëndësishme të kihet parasysh gjithashtu, se vaksinimi ka dy efekte të menjëhershme; Njëri është efekti i drejtpërdrejtë tek personi që vaksinohet dhe tjetri është efekti i këputjes sistematike të zinxhirit të infektimit, sepse çdokush që vaksinohet është një hallkë e këputur nga efekti zinxhir i infektimit. Që do të thotë që, sipas studimeve të bëra, rritja e përqindjes së individëve të vaksinuar sjell një ulje të vazhdueshme, thuajse simetrike, të personave të prekur. Madje, kur them simetrike, kam parasysh jo numër për numër, por kam parasysh një numër të shumëzuar për 2, shpesh për 3. Kjo na jep mundësi që ta shikojmë me shumë optimizëm 6-mujorin e dytë të këtij viti, duke pasur parasysh që procesi do të ecë i patrazuar nga luhatjet e mundshme të kompanisë në furnizim.

Në momentin që kompania do të bëjë  furnizimin e parë, për të sjellë 10700 vaksinat e para në Shqipëri, ne do të ndjekim të njëjtin process, siç është ndjekur në të gjitha vendet e tjera, për të hequr edhe çdo sëkëlldi të krijuar nga gjithëfarë lloj tralala-sh nëpër media e rrjete sociale.

Po ashtu kam biseduar dhe me ministren që, sidoqoftë, në momentin kur pjesa që ka bërë vaksinën, do të duhet të rikthehet për të marrë dozën tjetër, cilido që është i gatshëm, unë po, por besoj që do ketë dhe të tjerë, – të bëjë një transparencë mbi antitrupat, për të parë që realisht vaksina është marrë ajo që thuhet dhe vaksina ka bërë të gjithë efektin e parashikuar.

Është e rëndësishme përsa më takon, meqë kam parë që ka pasur edhe analistë dhe opinionistë të rangut të lartë, që kanë hedhur idenë se në fakt, unë jam injektuar me ujë biologjik. Ky është një nivel analize shumë i lartë, me thënë të drejtën, për ne, njerëzit e zakonshëm, sidoqoftë është oportune që t’u jepet mundësia atyre që e ndjekin këtë nivel të lartë analize që të ndihen të garantuar nga faktet.

Përtej të gjitha vështirësive, përtej të gjitha momenteve, aspak të lehta në gjithë këtë përpjekje që tanimë po mbush vitin, Shqipëria mbetet një histori positive. Kur them histori positive, nuk kam parasysh thjesht e vetëm në raport me çfarë mund të ndodhte nëse, larg qoftë, ne do të kishim po ato spitale, do të kishim po atë infrastrukturë dhe logjistikë, do të kishim po atë kapacitet të mbrojtjes së mjekëve që gjetëm, jo 70, por 7 vjet më parë. Por kam parasysh edhe raportin e shifrave dhe fakteve mes vendit tonë dhe vendeve të tjera të rajonit apo në një kornizë më të përgjithshme, të Europës.

Është e rëndësishme të theksohet kjo, sepse, nëse sot, Shqipëria ka një numër fatalitetesh që nuk ka shkuar përtej skenarëve të parashikuar dhe që nuk i është afruar për asnjë moment skenarit më katastrofik, skenar që ka ndodhur në vende shumë më të zhvilluar e shumë më të fortë se i yni për 1001 arsye të tjera. Ashtu sikundër, e njëjta gjë mund të thuhet edhe për kapacitetin e gjithë trupës së angazhuar në vijën e zjarrit, për të pritur dhe për të trajtuar me sukses ata, të cilët kanë pasur nevojë për trajtim spitalor. E po ashtu, e njëjta gjë mund të të thuhet për gjithë zinxhirin e ndërtuar në të gjithë rrjetin e shëndetit tonë public, deri tek mjeku i familjes.
Ndërkohë të mos harrojmë që në aspektin e masave shtrënguese, ne kemi arritur të krijojmë një ekuilibër që është pozitiv për shëndetin e që është pozitiv dhe për ekonominë. Për këtë mjaftojmë të shohim kalendarin krahasimor mes shumë vendesh, duke përfshirë vende, të cilat edhe tani që flasim në Europë kanë masa shtrënguese të forta në fuqi dhe flasin për t’i shtrënguar ato edhe në vijim shumë më tepër sesa masat tona shtrënguese. Ndërkohë që me siguri strategjia e masave dhe të gjitha lëvizjet e bëra kohë pas kohe, me shtrëngimin dhe lehtësimin e tyre, por mbi të gjitha përgjigja përgjithësisht fantastike e qytetarëve na ka dhënë mundësinë që deri më sot dhe sot për sot, të kemi një bilanc shumë pozitiv. Një bilanc shumë pozitiv që sigurisht duhet konsoliduar në vijim, pasi vaksinimi do të kërkojë kohën e vet, nuk është po aq i lehtë sa vaksinimi nga gripi i stinës në aspektin e volumit, në aspektin e procesit dhe nga ana tjetër, po të shohim edhe vendet më të zhvilluara, projeksionet e periudhave për të përmbyllur gjithë procesin e vaksinimit, janë pak a shumë të ngjashme me projeksionet tona, sidomos në skenarin e mesëm dhe në skenarin më afatgjatë.
E gjithë përpjekja e të gjithë strukturave tona të shërbimit shëndetësor do të përqëndrohet për të realizuar skenarin më ambicioz.
Fatmirësisht, ne nuk humbëm kohë, patëm një vonesë, krahasimisht me vendet e BE, që ishin vendet që patën akses të menjëhershëm vetëm prej pak javësh dhe mbi të gjitha jemi përgatitur më së miri për të pasur gadishmërinë që cilido qoftë numri i dozave në dispozicion, ne as të mos të mbetemi në një ritëm të ulët për shkak të mbingarkesës së nevojës, as të mos mbetemi në një ritëm të ulët për shkak të pasjes në dispozicion të një numri shumë më të madh dozash sesa mundësia për të vaksinuar çdo ditë.
Besoj që në këtë proçes mund ta themi me plot gojën që, sistemi ynë shëndetësor ka dëshmuar qëndrueshmëri, aftësi performuese dhe mbi të gjitha ka dëshmuar, falë në radhë të parë ekspertëve tanë të Komitetit Teknik, largpamësi. Nga ana tjetër, e rëndësishme po ashtu është që drejtimi i gjithë sektorit nga ministrja jonë e shëndetësisë dhe ekipi i saj në Ministrinë e Shëndetësisë, së bashku me ata, të cilët operojnë në pozicionet drejtuese në territor, ka qenë larg së qeni problematik dhe me të vërtetë plotësisht i respektueshëm. E mira nuk ka fund! Ka patjetër probleme për të zgjidhur në kohë reale, ka patjetër çështje për të adresuar, duke përmirësuar procesin në vijimësi. Ka patjetër dhe momente të trishtueshme siç ishte për të gjithë momenti i shfaqjes së një harbutërie dhe babëzie të pashembullt nga një personazh që ishte vërtet i neveritshëm në spitalin “Shefqet Ndroqi”. Por nga ana tjetër, aq sa i trishtueshëm ishte një moment i tillë, aq edhe pozitive ishte që një qytetare denoncoi, që një media investigative e mbështeti qytetaren dhe i shkoi deri në fund procesit, që personazhi abuziv është prapa hekurave dhe që mesazhi u dha shumë i qartë, edhe në këtë rast.
Dhe unë dua që ta përsëris mesazhin. Ne jemi në gadishmëri të plotë për të bërë atë që na takon dhe për të reaguar siç na takon ndaj cdo shfaqjeje abuzive kudoqoftë, por sidomos në sistemin tonë shëndetësor. E për këtë, dua të përsëris për të gjithë qytetarët qe të mos heshtin, të mos struken, të mos tërhiqen dhe të denoncojnë, të denoncojnë çdo rast të çfarëdo niveli abuzimi. Se mbase raste të një shëmtie të tillë mund të mos jenë të përditshme, por në të përditshmen, edhe një vonesë e shkaktuar për pak mijë lekë të vjetra, është abuzim. Është e patolerueshme që një numër, gjithsesi pakicë e pakicës në sistemin tonë shëndetësor, të njollosë bluzat e bardha të Republikës së Shqipërisë, të njollosë sakrificat e atyre që edhe jetën e humbën në këtë luftë për të shpëtuar jetë, të atyre që çdo ditë e kalojnë me rrezikun e kërcënimit të jetës së tyre dhe që vazhdojnë papushim të rezistojnë në vijën e zjarrit apo në cilindo pozicion, ku kjo luftë e bën shumë më të mundur marrjen e virusit dhe infektimin edhe të personave më të dashur të familjeve të tyre. Është e patolerueshme që gjithë kjo punë kolosale që është bërë, e cila vazhdon dhe do të vazhdojë për të bërë edhe më shumë, të njolloset nga elementë të tillë. Por nga ana tjetër, është po kaq e patolerueshme dhe po kaq e pajustifikueshme dhe e pamoralshme që kushdo që bie viktimë e këtij lloji abuzimi, të heshtë. Nëse ka ende vështirësi dhe ne e kemi parë këtë në të gjitha anketimet e opinionit publik në të gjitha sektorët e ndryshëm për të denoncuar drejtpërdrejtë në organet ligjzbatuese. Nëse ka akoma mungesë besimi tek organet e drejtësisë, është plotësisht e justifikueshme. Është plotësisht e justifikueshme që dikush ta ketë më të lehtë të shkojë tek një media investigative, të shkojë tek “Stop” apo Fiksi apo të tjera dhe ta bëjë këtë gjë. Kjo është puna më e mirë që një qytetar mund të bëjë sot për ta forcuar sistemin tonë të shëndetësisë edhe më shumë dhe për ta ndihmuar sistemin tonë të shëndetësisë të përparojë edhe më shpejt.
Është një punë vërtetë atdhetare që të japësh kontributin tënd individualisht për të ekspozuar një individ që ka veshur bluzën e bardhë apo flet në emër të bluzave të bardha si një sanitare dhe që në cdo moment, me të gjithë ata që i dalin përpara, i njollos dhe i përdhos ato bluza të bardha.
Unë dua t’i shpreh ngushëllimet e mia për humbjen, – e cila nuk lidhet me faktin në vetvete – nga Covid të njeriut të dashur,  por dua t’i shpreh dhe gjithë mirënjohjen dhe respektin qytetares, që mori përsipër të hedhë hapin e denoncimit. Dua t’i shpreh mirënjohje dhe respekt gazetarëve dhe në rastin konkret emisionit në fjalë, por edhe të gjithë emisioneve që merren me këtë pjesë sepse ky është një kontribut i madh dhe i munguar në një masë të madhe i medias dhe gazetarisë sonë. Një goditje e tillë, përmes shtypit dhe lirisë së shprehjes përmes një medie, ka shumë vlerë sesa miliona llafe, analizash e opinionesh të dhëna kuturu në hava. Patjetër që nëse ne do të arrijmë sëbashku me qytetarët dhe mediat e me gjithçka tjetër disponon shteti, që nga ekzekutivi tek gjyqësori të krijojmë një frymë trysnie mbi ata të cilët abuzojnë me detyrën e sidomos kur vjen puna tek shëndeti i njerëzve, – do të kemi bërë një nga gjërat më të rëndësishme dhe më të vyera për t’i kthyer të gjitha këto investime të mëdha që kemi bërë dhe do vazhdojmë të bëjmë për të pasur spitale dhe qendra shëndetësore, si kudo në Europë për nga pikëpamja e standarteve; të gjitha këto investime të mëdha që kemi bërë  e do vazhdojmë t’i bëjmë për bluzat e bardha, të cilave sot, shteti shqiptar, buxheti i shtetit u jep një pagë 40% më të lartë sesa deri dje, do të krijojmë kështu edhe një fuqizim të madh të gjithë sistemit imunitar brenda gjithë kësaj organizate të madhe që mbron shëndetin e njerëzve.
Shumë faleminderit!