Ministri i Shtetit për Çështjet Vendore Bledi Çuçi zhvilloi sot një takim pune me përfaqësuesit e donatorëve që veprojnë në fushën e decentralizimit dhe qeverisjes vendore në Shqipëri. Ministri Çuçi falenderoi donatorët për mbështetjen e tyre dhe i njohu ata me programin dhe prioritetet e qeverisë së re në fushën e qeverisjes vendore dhe decentralizimit për katër vitet e ardhshme.
U diskutua në këtë takim mbi prioritetin kryesor të qeverisë në këtë fushë, reformën administrative territoriale, duke theksuar nevojën e madhe që ka kjo reformë për gjithë vendin. Ai shprehu vizionin dhe vullnetin e qeverisë për përfshirjen në kryerjen e kësaj reforme të rëndësishme të të gjithë aktorëve politikë në vend, veçanërisht të përfaqësuesve të opozitës parlamentare, si dhe kryerjen e saj në konsultim e dialog të hapur me përfaqësuesit e qeverisjes vendore, komuniteteve lokale, shoqërisë civile dhe ekspertë vendas dhe të huaj. Çuçi kërkoi angazhim dhe kontribut specifik të donatorëve në mbështetje të reformës administrative territoriale.
Donatorët falenderuan Ministrin për organizimin e këtij takimi dhe shprehën mbështetjen për qeverinë e re në arritjen e prioriteteve dhe objektivave të shpallura në programin e saj katërvjeçar.
Në përfundim të takimit, Ministri Çuçi dhe donatorët ranë dakord për hapat konkretë të bashkëpunimit mes tyre dhe qeverisë me qëllim hartimin dhe vënien në jetë në kohë dhe me efektivitet të reformës administrative territoriale.