Kryeministri Edi Rama zhvilloi në Fier një takim me drejtues të Ndërmarrjes së Ujësjellësit, për të diskutuar mbi reformën e ujit. Si një prej ndërmarrjeve me performancën më të mirë, në zbatim të kësaj reforme, brenda një periudhe dy mujore humbjet e ujit janë ulur në masën 2.5%, si dhe janë vendosur rreth 2050 matësa uji. “Kemi vepruar tepër intensivisht në vendosjen e matëseve të ujit. Jemi organizuar me disa grupe pune dhe për një periudhe 2 mujore raportohet se është vendosur rreth 2050 matës uji. Humbjet e ujit vetëm për këtë periudhë dy mujore janë ulur në masën 2.5%. Kemi edhe një rënie të konsumit të energjisë elektrike në kompani në masën 5%. Në vlerë totale, në muajin dhjetor është mbuluar kostoja për herë të parë në kompaninë e ujësjellësit në masën 100%,” raportoi drejtuesi i kësaj ndërmarrje.
Ndërkohë, Kryeministri Edi Rama kërkoi që ky muaj të jetë sa më intensiv në aspektin e komunikimit, për të nxitur abonentët, qytetarë apo biznese, të legalizojnë lidhjet e paligjshme në rrjet, pasi 1 shkurti shënon fillimin e një procesi ku çdo lidhje e paligjshme do të ndëshkohet sipas ligjit.
“Është shumë e rëndësishme që të kemi më shumë komunikim në këtë muaj, pasi, siç e kemi bërë të qartë, në 1 shkurt përfundon “koha e paqes” në kuptimin e mundësisë për çdo konsumator që përfiton nga lidhjet e paligjshme për t’u legalizuar falas dhe pa pasur më asnjë detyrim për ujësjellësin dhe fillon një proces ku pastaj, çdo lidhje e paligjshme do të ndëshkohet sipas ligjit. Është shumë e rëndësishme që t’iu bëhet e qartë të gjithë punonjësve të shtetit, të gjithë atyre që paguhen nga taksat e popullit, qoftë edhe në nivelin qendror, qoftë edhe në nivelin vendor duhet të paraqesin faturën. Të njëjtën gjë do të bëjmë edhe me bizneset, por kryesorja në këtë rast është që bizneseve t’u bëhet e qartë që nuk do të falen dhe do të kenë sanksione shumë të rënda për vjedhjen e ujit. Janë bizneset që bëjnë dëmet më të madha. Biznese që deklarojnë që furnizohen me pus dhe në fakt janë të lidhur në mënyrë të paligjshme rrjetin e ujësjellësit.Turp më të madh nuk ka. Është krim dhe si çdo krim duhet ndëshkuar. Kuptohet sfida më e madhe është fshati. Aty ku uji i pijshëm përdoret edhe për ujitje, që është një skandal më vete, por duhet një fushatë intensive këtë muaj komunikimi, për t’ju sqaruar dhe për t’ju thënë që kjo gjë nuk mund të vazhdojë të tolerohet më dhe për këtë arsye është mirë që të gjithë të legalizojnë lidhjet e tyre. Të gjitha këto bëhen që të kemi më pak shpenzime për të kompensuar humbjet dhe më shumë investime. Më shumë investime përkthehen në më shumë më tepër cilësi shërbimi, që do të përkthehet më shumë më tepër ekonomi, në fund të fundit.”