Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në takimin me drejtues të pushtetit vendor për fazën e dytë të reformës në sektorin e uji:

Ky është një takim që ka një rëndësi të veçantë për faktin se sot, qeveria shqiptare, në bashkëpunim me të gjithë drejtuesit vendorë çel fazën e dytë të Reformës kombëtare të Ujit. Është një nga reformat e mëdha që ka kërkuar një fazë relativisht të gjatë përgatitore nën drejtimin e Ministrit të Transportit dhe Infrastrukturës dhe me mbështetjen e Këshillit Kombëtar dhe Sekretariatit Kombëtar të Ujit, për të hyrë në këtë fazë të dytë, ku është e domosdoshme që sëbashku të fillojmë të jetësojmë këtë reformë, që njësoj si disa reforma të mëdha të qeverisë sonë është e vonuar prej 20 e kusur vitesh.

Në më shumë se 2 vjet qeverisje besoj që ia kemi dalë të shënojmë pikën e një kthese transformuese dhe një progres të prekshëm në lidhje me rritjen e përmirësimin e shërbimit të ujitjes dhe të kullimit për fermerët, në lidhje me ndryshimin strukturor të menaxhimit të shërbimit, për të rritur efektshmërinë dhe padyshim, edhe me rritjen e financimit që ka sjellë si rezultat zgjerimin e sipërfaqes së ujitur dhe impaktin më të madh tek fermerët të këtij transformimi.

Rritja e investimeve direkt nga qeveria për sistemin e ujitjes dhe kulimit në vitin 2016 shënon një hop të rëndësishëm sasior, që jemi të bindur që do të sjellë një hop të rëndësishëm cilësor. Faktikisht, investimet sot janë 8 herë më shumë sesa mesatarja e 20 viteve të fundit. Ka edhe këtu një trashëgimi shumë të rëndë, pasi në 20 vjet infrastruktura e ujitjes dhe kullimit ka degraduar çdo vit dhe ndërhyrjet e njëpasnjëshme, të reflektuara në letra dhe raporte financiare, burimesh të ndryshme, nuk kanë pasur si rezultat rritjen e sipërfaqes së ujitur.

Në 2 vjet të qeverisjes sonë, sipërfaqja e ujitjes shtohet me 42 mijë hektarë. Shqipëria ka pasur rreth 117 mijë hektarë tokë të ujitshme, ndërkohë që në përfundim të vitit 2016 do të kemi prekur 160 mijë hektarët dhe objektivi është që viti 2017 të mbyllet me 200.000 hektarë, që faktikisht është pak a shumë dyfishimi i sipërfaqes së ujitur brenda një mandati qeverisës.

Nga ana tjetër, rritja e investimeve dhe sidomos rritja e sipërfaqes së ujitshme impakton drejtpërdrejtë prodhimin dhe të ardhurat e rreth 160 mijë fermerëve dhe familjeve fermerë, brenda këtij viti.

Ky vit është viti i ndryshimit strukturor në menaxhimin e shërbimit të ujitjes dhe kullimit, duke shkuar me të njëjtin ritëm me reformën e territorit dhe me decentralizimin e mëtejshëm, për t’i kaluar bashkive më shumë përgjegjësi, shoqëruar edhe me më shumë financime; Për të afruar shërbimin e ujitjes dhe kullimit me nevojat e fermerëve në territor dhe orientimin e infrastrukturës së ujitjes dhe kullimit drejt qendrave të prodhimit bujqësor; Për të rritur numrin e operatorëve të shërbimit të infrastrukturës së ujitjes dhe kullimit, tashmë jo më në 13 borde rajonale, por vetëm në 4 të tilla dhe në 61 njësi bashkiake.

Një hap i rëndësishëm që në një anë thellon centralizimin, nga ana tjetër krijon mundësinë që duke filluar nga ky vit, siç ka nisur, bashkitë të jenë përgjegjëse për operimin dhe mirëmbajtjen e skemave të plota të ujitjes nga burimi ujor në kanalet dhe veprat e artit dhe padyshim, edhe në kullim njësoj si në ujitje.

Mbështetja e qeverisë për bashkitë ka qenë më e madhja e këtyre 25 viteve, përsa i përket paketës financiare të vënë në dispozicion të ujitjes dhe të kullimit. Shumë shpejt do të vihen në dispozicionin tuaj, edhe flota e re e mjeteve prej 61 ekskavatorësh të rinj dhe të standardeve më të larta teknike. Kjo i hap rrugë një transformimi rrënjësor të logjistikës, pas trashëgimisë absolutisht të papranueshme të një flote mjetesh tërësisht të amortizuar, të cilës në 15 vjet i është shtuar vetëm një ekskavator i ri.

Financimi nga buxheti për të zgjeruar flotën, që është e gjitha flotë bashkiake, nuk do të mbarojë me kaq. Në vitin e ardhëm, kjo flotë do të fuqizohet edhe më tej.

Ndërsa për punët e ditës, ne e kemi vënë në dispozicionin tuaj një financim të veçantë, për të mbështetur marrjen me qera të përkohshme të mjeteve. Në besojmë që vetëm në vitin 2016, financimi i shërbimit dhe projektet e investimit për rehabilitimin e kanaleve që do të rrisin sipërfaqen e ujitur me 35 mijë hektarë të rinj është në drejtimin absolutisht të duhur, për të impaktuar drejtpërdrejtë prodhimin dhe punësimin në gjithë hapësirën rurale të bashkive.

Nga ana tjetër, sigurisht që bashkëpunimi mes nesh nënkupton edhe detyrime të ndërsjella. Ne jemi të vetëdijshëm për detyrimet tona, jemi të vetëdijshëm për nevojat tuaja që janë gjithmonë më të mëdha se sa mundësitë tona, por edhe ju duhet të jeni të vetëdijshëm për detyrimet tuaja.

Ne kemi një objektiv që duam që të jetë i përbashkët dhe do të punojmë bashkë me ju në ekip, pa dallim partiak dhe pa dallim gjeografie, për të siguruar uniformitetin e këtij transformimi, me qëllim që ta çojmë sipërfaqen e ujitshme në 200.000 hektarë, të cilat të përfaqësojnë të gjitha zonat me intensitet të prodhimit bujqësor. Ajo që kërkohet prej jush është të fokusoheni në zonat më intensive të prodhimit bujqësor dhe të hartoni dhe të zbatoni projektet e mirëmbajtjes dhe të rehabilitimit, me mbështetjen e qeverisë, që ne të arrijmë objektivin e përbashkët.

Ashtu sikundër, njësitë bashkiake të shërbimit të infrastrukturës së ujit dhe kullimit, pa asnjë vonesë duhet të organizohen dhe të vihen në efektshmëri të plotë, në varësi me specifikat e tyre, natyrisht. Nga tjetër, performanca e bashkive mbi treguesit e ujitjes dhe kullimit do të jetë pikënisja e mbështetjes financiare për vitin tjetër. Nuk do të japim vitin e ardhshëm, të jemi shumë të qartë në këtë pikë, mbështetje uniforme të asnjë natyre. Çfarë rezultatesh do të bëni sot, do të jetë baza për të marrë financimin nesër. Jeni zgjedhur drejtpërdrejtë nga populli në të gjitha bashkitë tuaja, keni bërë premtimet tuaja. Përsa i takon qeverisë, qeveria do t’ju sigurojë të gjithë mbështetjen për realizimin e objektivave të përbashkëta, por askush nuk duhet ta marrë mbështetjen financiare të qeverisë si të padiskutueshme.

Në këtë sektor, mbështetja financiare do të kushtëzohet nga rezultatet.

Ne jemi të vetëdijshëm që ajo që ka ndodhur me ujitjen dhe me kullimin, por edhe me sektorin e ujit në përgjithësi, – u fokusova në fillim tek ky projekt i madh i ujitjes dhe kullimit, por do flas dhe për ujin e pijshëm, – është se paratë e hedhur në 20 e kusur vite do të kishin mjaftuar jo për të ristrukturuar infrastrukturën e trashëguar të ujitjes dhe kullimit, por për ta bërë atë nga e para, sikur Shqipëria mos të kishte asnjë kanal.

Fakti që ato para nuk kanë realizuar as objektivin e rikonstruktimit të plotë lidhet drejtpërdrejtë me një korrupsion të patregueshëm në këtë sektor dhe padyshim, me faktin që nuk ka pasur asnjë sistem të besueshëm kontrolli. Për këtë arsye, ne besojmë se dhënia e qartë e kompetencës tek bashkitë, duke i dhënë fund gjithë mbivendosjeve dhe nënvendosjeve me shoqata uji dhe histori tjera pafund, është hapi i parë.

Nga ana tjetër, qoftë në sektorin e ujitjes dhe kullimit, qoftë në sektorin e ujit të pijshëm, këto janë ndërmarrje dhe duhet të funksionojnë si ndërmarrje, me të njëjtat kritere dhe të njëjtën efektshmëri. Këto nuk janë lopë për t’u mjelë nga korrupsioni. Janë ndërmarrje që kërkojnë burime njerëzore të kualifikuara, që kërkojnë plane strategjike të qarta, që kërkojnë një funksionim financiar të rregullt dhe që do të vlerësohen në bazë të rezultateve.

Të gjithë duhet të jeni të bindur që mbështetja jonë do të jetë e pakufizuar dhe e pakushtëzuar, e përsëris, as nga ngjyrat politike, as nga gjeografia.

Vitin e ardhshëm, ju do të mbështesni kërkesën tuaj për më shumë mbështetje, me rezultate. Kush nuk do të bëjë rezultat, nuk do të marrë asnjë qindarkë nga qeveria për këtë projekt dhe do të përgjigjet atje, përpara popullit që e ka zgjedhur, pse nuk ka bërë rezultat. Kështu funksionon kudo, kështu do funksionojë edhe në Shqipëri.

Përsa i përket ujësjellës-kanalizimeve, Shqipëria është një nga vendet më të pasura në Europë për burimet ujore për frymë. Kapaciteti aktual i burimeve ujore të Shqipërisë e tejkalon me herë, nevojën që ka Shqipëria për ujë. Edhe këtu, trashëgimia është jashtëzakonisht e rëndë dhe furnizimi me ujë i qytetarëve ka ende probleme të madhe, sikundër ju të gjithë jeni dëshmitarë, megjithëse sistemi i furnizimin me ujë prodhon 28% më shumë ujë, sesa është nevoja për furnizim. Sot, ky sistem, me gjithë nevojat që ka, prodhon 28% ujë më shume sesa është nevoja për ujë e popullsisë. Për rreth 67% të prodhimit të ujit në vend nuk arkëtohen të ardhura, duke e rënduar çdo vit, gjendjen financiare dhe duke rritur çdo vit, humbjet. Më shumë se gjysma e humbjeve nuk janë teknike, por janë vetëm si pasojë e keqadministrimit dhe e vjedhjes. Në këto kushte, 20% e kostove totale operative të sistemit janë të pambuluara nga të ardhurat që gjeneron sot sistemi.

Ne kemi investuar në këto dy vite rreth 160 milionë dollarë në këtë sektor, nga Shkodra në Peshkopi, në Elbasan, Berat, apo në impiante të përpunimit të ujërave të përdoruara në Tiranë, Shkodër përsëri, Durrës, etj.. Investimet vazhdojnë edhe këtë vit. Është zgjeruar rrjeti i ujësjellësit me 680 kilometra dhe ai i kanalizimeve me 160 kilometra. Janë 50 mijë lidhje të reja në rrjetin e ujësjellësit në qytet dhe rreth 7 mijë lidhje të reja në fshat dhe 22 mijë lidhje të reja në rrjetin e kanalizimeve. 57 mijë matës konsumi janë vendosur.

Por të gjitha këto shifra nuk duan të thonë faktikisht asgjë, sepse në fund të ditës, gjithë ato kilometra investime nuk mund të përkthehen në një histori suksesi, nëse nuk administrohen. Mbi të gjitha, ky sektor nuk mund të dalë nga gjendja e falimentit ku është, nëse bashkitë, të cilat kanë marrë sot të plotë përgjegjësinë, nuk do të ndërtojnë ndërmarrje me efiçencë, nëse në sistemin e administrimit të ujësjellësve nuk do të bëhet e njëjta gjë që u bë më OSHEE-në, ku militantizmi absurd partiak i la vendin përpjekjes së përditshme për të rritur profesionalizimin dhe për të rritur kapitalin njerëzor me burime njerëzore të vlefshme.

Është një proces që nuk ka përfunduar dhe do kërkojë ende disa vite për të arritur aty ku duhet, por padyshim duhet filluar me urgjencë edhe në sistemin e ujësjellës-kanalizimeve. Nuk mund të jenë sisteme për parazitët e partive, nuk mund të jenë sisteme për të punësuar në letra njerëz dhe për të dhënë rroga për persona që nuk paraqiten fare në punë, ose që nuk kanë lidhje fare me punën që kërkon një ndërmarrje kaq komplekse, sa ç’është ujësjellësi. Prandaj, përmirësimi rrënjësor i sistemit të menaxhimit është kërkesa e parë. Investimet duhet të ndërtohen mbi një model të ri, të bazuar mbi performancën që duhet të jetë dhe boshti ku mund të ndërtohet përmirësimi i menaxhimit.

Është e domosdoshme të arrijmë një marrëveshje për të zbatuar një plan veprimi, ku ne do t’ju japim të gjithë mbështetjen tonë për të ndryshuar rrënjësisht situatën në menaxhimin e shërbimit, për të ndryshuar performancën financiare, për të rritur orët dhe cilësinë e furnizimit. Ka modele suksesi në Shqipëri, të cilat janë tregues që kjo është plotësisht e mundshme. Ka një model të shkëlqyer në Korçë, ka një model të shkëlqyer në zonën e Mbishkodrës, ku vetëm kapaciteti menaxherial ka bërë diferencën, ashtu sikundër ka edhe të tjera. Këto janë modelet mbi të cilat duhet të mbështetemi, për të ndërtuar historinë e suksesit.

Ndërtimi i modelit të përgjegjësisë për menaxhimin dhe shërbimin nga kryetari i bashkisë është baza parimore e kësaj reforme. Kryetari i bashkisë është përgjegjësi drejtpërdrejtë, për ta garantuar për qytetarët këtë shërbim jetik dhe si i tillë, ai është përgjegjësi i drejtpërdrejtë për cilësinë e organizimit, të menaxhimit dhe të shërbimit të ndërmarrjes së ujësjellësit.

Mbështetja për investime për bashkitë në këtë sektor do të bëhet mbi bazën e performancës individuale të shoqërive ujësjellës-kanalizimeve për çdo bashki. Çdo bashki do të konkurrojë për të përfituar nga granti i performancës, që ka një formulë të qartë shpërndarjeje, mbi bazë të së cilës do të ketë një kontratë performance në dy nivele, midis qeverisjes qendrore dhe bashkisë, midis kryetarit të bashkisë dhe drejtorit të shoqërisë së ujësjellës-kanalizimeve që do të caktohet aty, sipas kritereve.

Do të ketë një qasje të re ndaj mbështetjes me subvencion për shoqëritë e ujësjellës-kanalizimeve të bashkive. Subvencionet operative që jepen për të mbuluar kostot e operimit, për shkak të humbjeve, keqmenaxhimit etj, që sot janë falas, pra, e menaxhon apo nuk e menaxhon, çon ujë tek njerëzit apo jo, nuk mban asnjë përgjegjësi për zgjerimin e gropës së humbjeve financiare, por vazhdon merr subvencion.. Kjo histori mbaron!

Ne do ta zëvendësojmë këtë vetëm me subvencion social, asnjë qindarkë më shumë. Përfitues të subvencionit social do të jenë vetëm qytetarët në nevojë, të cilët nuk ia kanë për borxh askujt, mungesën e aksesit në ujin e pijshëm; qytetarët që kanë vështirësi të paguajnë ujin, për të cilët do të paguajë qeveria. Kjo do të bëjë që këta qytetarë të jenë në rregull si gjithë të tjerët dhe të mos bëhen barrë mbi shoqëritë bashkiake të ujësjellës-kanalizimeve, por edhe të heqin çdo justifikim për mospërfshirjen si abonent të çdo familjeje brenda zonës së shërbimit.

Unë nuk besoj se ka shumë zona në Shqipëri me vështirësitë, por dhe me nivelin e varfërisë së Mbishkodrës. Besoj që, nuk mund të thotë kush që aty janë të pasur, përkundrazi, por modeli i menaxhimit është i tillë që ka garantuar rritjen më të madhe të numrit të abonentëve dhe uljen më të madhe të humbjeve në rang vendi, në raport me gjithë ndërmarrjet e tjera të ujësjellës-kanalizimeve. Kjo, për një arsye shumë të thjeshtë që ne e kemi parë shumë qartë edhe tek beteja për të rivendosur ligjshmërinë në sektorin e furnizimit me energji elektrike. Nuk janë njerëzit e thjeshtë problemi. Problemi janë të paaftët dhe të korruptuarit, që drejtojnë struktura tërësisht primitive dhe të pareformuara. Problemi është sistemi i administrimit të burimeve. Të ndryshojmë sistemin, çka e parasheh gjithë kjo skemë, të vendosni njerëzit e duhur në krye të sistemit dhe jeni të sigurt që suksesi është i garantuar pa asnjë lloj rezistence, përkundrazi, me mbështetje dhe solidaritet nga njerëzit, të cilët sa më të thjeshtë, sa më të zakonshëm, aq më të gatshëm dhe të ndershëm, në raport me shtetin dhe me bashkinë. Të jeni të sigurt për këtë.

Brenda vitit, ne do të formalizojmë programin kombëtar të kapaciteteve dhe të certifikimit të stafit, si dhe kuadrin ligjor për të. Ne nuk do të lejojmë që ndërmarrjet e ujësjellësit të jenë fole parazitësh, hajdutësh dhe njerëzish pa profesionin e duhur për të punuar aty. Prandaj do vëmë në dispozicion të të gjitha bashkive këtë program kombëtar kapacitetesh e certifikimit të stafit dhe do mbështesim fuqimisht gjithë këtë proces, përmes Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës Kanalizimeve.

Vitin tjetër do të jetë viti i decentralizmit të plotë të fondit të ujësjellësve. Kjo do të thotë që qeveria vërtetë do të rrisë financimin direkt, por do të rrisë kontrollin mbi efiçencën e këtij financimi dhe sigurisht që këtë financim do ta rrisë mbi bazën e performancës. Ne nuk do mbështesim struktura të korruptuara dhe jo performante, që vetëm krijojnë humbje. Përkundrazi do t’i marrim në zotërim. Sipas ligjit dhe kuadrit të kësaj reforme, qeveria ka të drejtën të marrë një ndërmarrje në zotërim, në rast se bashkia nuk performon, sepse është një shërbim jetik për të cilin nuk mund të themi “nuk ka problem, le të ngelen njerëzit pa ujë fare”, me justifikimin se është një kryetar bashkie që nuk e kupton fare përgjegjësinë e vet, apo është i paaftë që ta nxisë ndërmarrjen në rrugën e transformimit dhe të performancës.

Skema e kësaj reforme e lejon bashkimin, pra, ujësjellës të suksesshëm mund të marrin ujësjellës më pak të suksesshëm. Po i kthehem shembullit të Mbishkodrës. Ju sugjeroj të gjithëve të çoni njerëz, të shkoni dhe vetë të shikoni në realitet sesi një gjendje komplet e pashpresë, me të gjitha problematikat që kanë zonat rurale të Shqipërisë, me ndërtimet pa leje, me prishje e të gjitha, po kthehet në një model menaxhimi. Nuk po ju them Korçën se është një situatë më kompakte dhe pak më e avancuar nga pikëpamja sociale, por po ju flas për një situatë sociale në Shqipëri që është shumë tipike. Nëse ajo ndërmarrje ujësjellësi performon, ka të drejtën me ligj dhe në kuadrin e kësaj reforme të marrë dhe të bashkohet me të tjera ndërmarrje. Ujësjellësi i Malësisë së Madhe, mund të bashkohet me ujësjellësin e Shkodrës, mund të blejë aksione të ujësjellësit të Lezhës, etj.. Pra, të funksionojnë si kompani në treg si në gjithë Europën. Nëse ujësjellësi i Kavajës performon, mund të shtrihet dhe të marrë aksione nga të tjerët. Kjo është mënyra se si gjërat mund të ndryshojnë, bazuar mbi performancën dhe mbi ligjësitë e funksionimit të ndërmarrjeve. Këto janë ndërmarrje, nuk janë çeta, as magazina dhe as streha për benefite e lëmosha politike. Qëllimi ynë është që bashkë me ju t’i kthejmë në ndërmarrje.

Bashkitë duhet të avancojmë shumë shpejt me organizimin dhe me agregimin, me bashkimin sipas ndarjes së re territoriale, ku ne kemi vendosur të nisemi nga principi i mosparagjykimit të askujt.

Ka pasur shumë diskutim në këtë fazë. Kemi konsultuar ekspertizën ndërkombëtare, kemi parë të gjithë diskutimet e mëparshme, kemi parë të gjitha studimet e mëparshme, raportet strategjitë, etj..

Sigurisht, 61 ndërmarrje ujësjellësi për një vend si Shqipëria janë jashtëzakonisht shumë. Kijeni parasysh që reforma e ujit në të gjithë Europën vazhdon dhe vetëm bashkon. Sot, Irlanda ka një ndërmarrje të vetme ujësjellësi për të gjithë territorin, për të rritur efiçencën, kompaktësinë e kështu me radhë. Arsyeja pse ne vendosëm këtë parim është që t’i japim mundësi çdo ndërmarrjeje e çdo bashkie që të performojë e të rritet vetë. Ka raste plot në Europë që mund të jetë një bashki shumë e vogël, që ka një shoqëri ujësjellësi që mbulon edhe qytete të mëdha dhe merr fitim më shumë sesa marrin të tjerët, sepse është pronare. Të tjerët marrin vetëm shërbimin, kurse bashkia pronare fiton. Pra, arrin të bëjë një shoqëri rajonale, një bashki që mundtë jetë shumë e vogël.

Besojmë se në territor ka eksperienca që mund të jenë shumë të suksesshme. Nuk kemi pse i themi, për shembull, shoqërisë së ujësjellësit në Malësinë e Madhe që ti nuk je tani, se ujësjellësi do jetë në Shkodër për gjithë veriun. Kjo mund të ndodhë nesër, por duhet të ndodhë si rezultat i më të fortit dhe më të mirit, që integron më të dobëtin dhe më pak performantin, për të rritur cilësinë e perfomancës në të gjithë territorin.

Duhet të përgatiteni që sot, për procesin e mbështetjes financiare, për financimin nga fondi i mbështetjes mbi bazë performance. Kriteret janë shumë të qarta. Drejtoria e Përgjithshme e Ujësjellës Kanalizimeve është në dispozicion për t’ju dhënë të gjithë bazën mbi të cilën do të bëhet vlerësimi i performancës. Ai do të jetë një vlerësim automatik dhe jo një vlerësim subjektiv që të mund të themi po i japim më shumë Shkodrës dhe më pak Lezhës. Absolutisht jo! Sipas performancës, çdo shoqëri do të marrë mbështetjen financiare.

Çdo bashki duhet të fillojë që sot të bashkëpunojë me Ministrinë, me Drejtorinë, për të përgatitur skemën e subvencionit social që është me përfitueshmëri të drejtpërdrejtë për qytetarët në nevojë.

Kjo është e lidhur e gjitha me lidhjet e paligjshme, por jeni ju që do të hartoni dhe zbatoni planin e veprimit si do veproni me lidhjet e paligjshme, për të ulur humbjet, për të rritur faturimin dhe arkëtimin, se cilat janë lidhjet që do “legalizohen”, apo cilat janë lidhjet që do këputen.

Është një punë kolosale. Mbështetja jonë është absolute. Ne e kemi prioritet këtë reformë dhe nuk do të rimë indiferentë, por do ndërhyjmë me ligj, në të gjitha rastet kur do shikojmë ndërmarrje që nuk performojnë dhe kemi të drejtën të ndërmjetësojmë, për t’i sugjeruar një bashkie të suksesshme të marrë një ndërmarrje të pasuksesshme dhe ta fusë në shoqërinë e vet. E këtë do ta bëjmë, do apo nuk do kryetari i bashkisë, sepse është një shërbim jetik. Kush e do ndërmarrjen e ujësjellësit, duhet ta mbajë dhe ta bëjë të suksesshme. Ky është qëllimi themelor, i përbashkët dhe jam i bindur që secili nga ju këtë do, por puna është jashtëzakonisht komplekse dhe kërkon realisht, ekspertë dhe vendosmëri shumë të madhe.

***

Kryetarja e bashkisë Shkodër, Voltana Ademi: I nderuar zoti Kryeministër, zotërinj ministra, kryetar të bashkive, kolegë, vlerësoj takimin e sotshëm. Kjo në vazhdën edhe të shqetësimeve që kryetarët e bashkive kanë dhe sidomos, territoret paraqesin. Problemet e furnizimit me ujit të pijshëm janë ndër problemet prioritare për t’u adresuar në nivel lokal. Mendoj kjo vlen për Bashkinë e Shkodrës, por për shumicën e bashkive në Shqipëri, për sa kohë që, duke përjashtuar ndoshta zonat urbane dhe në mënyrë të pjesshme disa zona të tjera rurale, pjesa tjetër, po i referohem territorit të Shkodrës, nuk furnizohet me ujë të pijshëm, apo shumë pjesërisht, duke përbërë një vështirësi të madhe të jetës dhe shërbimeve bazë të nevojshme për banorët.

Reforma është e vështirë dhe sidomos pas bashkimit territorial është e vështirë. Ajo që dua të vë në dukje është se ne kemi filluar tashme me këtë procesin e ristrukturimit, kemi miratuar statutin e ri, po bëjmë organizimin e ri të ndërmarrjes dhe jemi ne procesin e transferimit të aseteve, referuar territorit të ri bashkive. Dua të vë në dukje që nga ana e ministrisë, e qeverisë, ndoshta dhe përmes një koordinimi më të mirë, të bëhej e mundur që ky proces të mbaronte sa më shpejt. Kjo sigurisht lidhet me nevojën e marrjes së përgjegjësive nga kryetarët e bashkive, por lidhet sidomos me nevojën, përqasjen për ta ofruar më mirë shërbimin, përsa kohë që autoritete të ndryshme janë përgjegjëse në një territor, që në fakt në administrim është kryetari i bashkisë përgjegjës. Po marr rastin e Shkodrës, por besoj se është e njëjtë për të gjithë Shqipërinë, duke kërkuar që etapat e këtij transferimi të kalojnë sa më shpejtë, sepse ne përballemi me territoret ku ka difekte, ku ka nevojë për shërbim, ku për një arsye teknike apo shpesh herë edhe jo teknike nuk mund të ndërhyjmë, nëse e bëjmë jemi në nivelin informal, e bëjmë me dëshirën e mirë, por s’kemi mundësinë edhe ligjore për të alokuar financa dhe burime njerëzore dhe sigurisht, procesi i transferimit duhet të kryhet sa më shpejtë. Në këtë aspekt, unë dua ta kërkoj me ngulm në saj të një vullneti për të marrë përgjegjësi, por edhe për të shërbyer sa më shpejtë atje.

Duke iu referuar reformës dhe çfarë u prezantua sot, bie dakord. Po! Në bazë të performancës, por besoj edhe kriteret e tjera janë të vlerësueshme dhe duhet të përfshihen në pjesën që lidhet më investimet në territor. Kjo duhet të bëhet përmes një koordinimi të mirë me bashkitë. Vetëm vendorët e dinë, këshillat vendore e dinë se ku ka më shumë nevojë. Por nga ana tjetër duhet të kemi parasysh që përveç performancës të përfshihen edhe kritere të tjera si janë fizibiliteti, apo ulja e kostove të mundshme të një investimi të ri. Sikurse e përmendët edhe ju zoti ministër, çështja që lidhet me uljen e kostos së energjisë elektrike që janë ndër problemet kryesore që kemi në sot. Në momentin që diskutohet për një investim të ri, mbase një ndër kriteret që duhet të jetë parasysh dhe duhet të ketë peshën e caktuar është edhe çështja e vizibilitetit dhe e mundësisë së uljeve të këtyre kostove, që janë kosto të drejtpërdrejta të energjisë elektrike, domethënëse.

Kemi nevojë për subvencion, shpresoj që në kritere, përveç subvencionit që mendoj se është e drejtë që të marrin grupet në nevojë, familjet në nevojë, duhet të përfshihen edhe kriteret e tjera, përsëri që lidhen me performancën. Ishte e listuar e dyta, por shpresoj që të përfshihet ky kriter që po them, që lidhet përsëri me pjesën e subvencionit për shkaqe të tjera, ishte e shënuar. Për shkaqe të tjera që lidhen më së shumti, përsëri, me mbulimin e kostove të pamundshme shpeshherë për të mbuluar nga vetë ndërmarrjet dhe shpesh, edhe në Bashkinë Shkodër kemi raste subvencionimi të energjisë elektrike, si një kosto që në njëfarë mënyre është e domosdoshme për t’u mbuluar dhe nuk mund t’i ngarkohet qytetarëve, është e tepërt.

Nevoja për të ecur në afate kohore të mirëpërcaktuara është domosdoshmëri, nuk duhet t’ia lëmë kohës këtë. Vështirësitë që lidhen sidomos me aplikimin e normativave ligjore të reja kanë qenë një problematikë teknike që kemi hasur. Megjithatë unë besoj dhe duhet të besojmë që ky proces të ecë shpejtë, është e domosdoshme të ecim shpejt dhe lidhet jo domosdoshmërisht me menaxhimin apo nevojën për një menaxhim të mirë, por sidomos me nevojën e qytetarëve për shërbime. Këtë e vë re, sepse kemi problematika që lidhen shpesh me mungesën e një koordinimi në nivel lokal ndërmjet ndërmarrjeve, pavarësisht dëshirës së mirë, apo ndonjëherë edhe moskuptueshmëri apo ndarje e përgjegjësive. Prandaj, unë i mëshoj kësaj pikë.

Nga ana tjetër do të doja të vë theksin që, meqenëse janë realizuar disa projekte të rëndësishme në Shkodër, në saj të një bashkëpunimi ndërkombëtar, të financuara edhe nga BE, në rastin e impiantit të Velipojës, të kanalizimit të ujërave të zeza, është e domosdoshme që në prag të sezonit, impianti të funksionojë dhe të kalojë në administrimin e bashkive. Kjo lidhet me menaxhimin, me performancën dhe me atë që theksuam më përpara, që sa më shpejtë bashkia ta marrë në dorëzim, aq më shpejt do mund të ndërhyjë për të bërë lidhjet e duhura, faturimet dhe të marrë përgjegjësinë e duhur. Çdo vonesë do të impaktojë në mënyrë direkte në këtë sezon turistik, por edhe më pas, se çdo gjë e vonuar ka impaktin e vet negativ dhe sigurisht, edhe vlerësohet me nota jo të mira edhe nga donatorët.

Lidhur me pjesën e procesit, unë i mëshoj shumë nevojës për investime, investime të zgjuara dhe nga ana tjetër, rritjes e kapaciteteve menaxheriale. Është domosdoshmëri dhe duhet të jetë. Kjo është një nevojë e bashkive dhe ne po përpiqemi ta bëjmë, por për këtë do duhet jo vetëm të vihen indikatorë, jo vetëm të vihen kritere, por nga ana tjetër të mbështeten njësitë vendore me ekspertizë.

Kryeministri Edi Rama: Faleminderit kryetare! Dy ndërhyrje kam unë. E para, as nuk bëhet fjalë që ngarkesa e keqmenaxhimit t’i shkojë qytetarëve. E kundërta duhet të ndodhë, që është qartësisht e llogaritur që nëse bashkitë do të operojnë me vendosmëri kundër paligjshmërisë në sistemin e ujësjellësit, absolutisht, barra e atyre që paguajnë jo vetëm që nuk do të rritet, por, përkundrazi, në afat të mesëm mund të lehtësohet. Në të kundërt do të jeni të shtrënguar të bëni veprime krejt të papërshtatshme, duke rritur barrën e tyre. Besoj që nuk do jetë ky rasti, sepse edhe qeveria nuk do ta lejojë këtë gjë. Ajo që është e qartë, është se qytetarët duhet të marrin një mesazh të pastër dhe kuptimplotë nga çdo bashki se bashkia është në krahun e atyre që respektojnë kontratën, jo në krahun e atyre që vjedhin.

Ndërkohë, përsa i përket çështjes së Velipojës, unë jam në korrent dhe është thjeshtë një çështje formale që besoj se në kohë të shkurtër do zgjidhet, nuk është çështje vullneti. Ai është një impiant që qartësisht është i Bashkisë së Shkodrës dhe për kapërcimin e pengesës formale më ka informuar edhe ministri dhe është vetëm çështje afatesh, marrje në dorëzim. Por padyshim që ai është impianti i Bashkisë së Shkodrës, nuk ka si të jetë ndryshe dhe nuk mund të imagjinohet që të bëhet ndryshe.

Sekretari i Përgjithshëm i Bashkisë së Kukësit: Përshëndetje zoti Kryeministër! Të nderuar ministra dhe drejtues të bashkive. E shohim mjaft me vend këtë reformë, të iniciuar tashmë dhe të startuar, për të cilën gatishmëria jonë për të bashkëpunuar nuk do të mungojë.

Përsa i përket pikës së parë për të cilën u diskutua, për reformën e ujit dhe të sistemit të kullimit, me ato fonde që tani kemi në dispozicion, ne tashmë kemi proceduar dhe kemi nisur punën në terren që data 15 maj, të paktën një pjesë të konsiderueshme të veprave vaditëse në Kukës të jenë në funksion. Është proceduar me prokurimet, por realisht kërkohen mbështetje përsa i përket mjeteve dhe aseteve të tjera që do na ndihmojnë në vijim, për të rritur kapacitetin dhe vënien ne efiçencë të atyre veprave vaditëse në Kukës, të cilët ne një përllogaritje shkojnë në 180 kilometra linear, përfshirë rrjetet e treta, nga rrjetet e para vaditëse, të dyta dhe të treta.

Ndërsa për sistemin ujësjellës-kanalizimeve, Kukësi dihet tashmë me problemet që ka të mbartura dhe të trashëguara përsa i përket furnizimit të qytetarëve me ujë të pijshëm, është e mirëpritur edhe faza e dytë e ndërtimit të ujësjellësit të Kukësit, me një vlerë 187 milionë lekë të reja e cila tashmë është në punë e sipër, por vet si ndërmarrje është e zhytur në borxhe. Mendoj se jeni informuar që të gjitha llogaritë bankare të Ndërmarrjes së Ujësjellës-Kanalizimit të Kukësit janë të bllokuara në të gjitha bankat që operon, për shkak të borxheve të trashëguara që i kalojnë 1 milionë euro, këto i përkasin periudhave të mëparshme, të 8 viteve të shkuara në fakt në drejtim të mospagesave dhe moslikujdimeve karshi tatim-taksave, sigurimeve shoqërore dhe pjesë të tjera. Megjithatë, ne kemi vijuar punën, duke nisur që në fund të vitit të kaluar me ndërprerjet e lidhjeve të paligjshme, një aksion i cili në fakt pati edhe sukseset e tij dhe ky fundmuaji prill, nga rreth dy orë mesatarja që ka qenë në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar të furnizimit me ujë të pijshëm, sot, kjo mesatare shkon 6-7 orë. Mendojmë që në vijimësi të kemi një rritje graduale të orarit të furnizimit me ujë, me gjithë këtë situatë të cilën sa e përmenda.

Ku qëndrojnë vështirësitë? Ashtu siç e tha edhe kryetarja e Shkodrës, tek pjesa e riformatimit të ndërmarrjes me marrjen e aseteve të tjera, ku ne aktualisht nuk kemi akses në financime për shkak të territorit. Jo më larg se ditët e fundit kemi pasur efekte në disa elektropompa ku ka ujësjellës me ngritje mekanike, apo dhe ujësjellës të tjerë që kanë probleme. Mosaksesimi i ndërmarrjes si shoqëri në këto ujësjellës e bën të pamundur zgjidhjen e situatave emergjente që realisht krijohen ditë pas dite dhe hap pas hapi.

Faleminderit edhe një herë për këtë takim. Mendoj se ishte i vlefshëm dhe sigurisht jemi të gatshëm për të bashkëpunuar.

Jemi në proces e sipër të ndryshimit të statusit të shoqërisë. Duke qenë ujësjellësi i 14 fshatrave dhe bashkisë qendër, tashmë ujësjellësit ka secili pjesën e vet, duhet strukturë, fuqi punëtore.

Kryeministri Edi Rama: Së pari, ajo që ju thatë është çelësi. Nëse me ato mundësi të kufizuara që ju keni dhe vetëm me pak më shumë vëmendje, energji dhe angazhim në drejtimin e duhur, keni kaluar nga 2 orë furnizim pranverën e shkuar në 6-7 orë këtë pranverë. Përfytyrojeni ju dhe të gjithë të tjerët se sa rezervë ka në këtë punë. Nëse në sektorin e energjisë, rezerva ishte X, në sektorin që po flasim rezerva është X herë disa. Domethënë mirëadministrimin në këtë sektor është çelësi i një ndryshimi të madh, pavarësisht se të gjithë ato problemet e tjera nuk diskutohet që janë pengesë dhe kërkojnë masa dhe mbështetje shtesë, por pika A është të mosthellojmë borxhet. E dimë shumë mirë situatën e borxheve dhe askush nuk pretendon dhe askush nuk kërkon nga bashkitë që borxhet e trashëguara t’i mbajnë në kurriz vetë, se kjo është e pamundur, faktikisht. Nuk ka asnjë bashki kapacitetin që të shlyejë jo gjithë borxhin e trashëguar, por as edhe një përqindje të konsiderueshme. Këtë nuk e pretendojmë, por nga ana tjetër është e domosdoshme që të mosakumulojmë borxh të ri. Të kufizojmë maksimalisht borxhin e ri dhe mundësisht ta bëjmë zero rritjen e borxhit, për të mundur pastaj të merremi me borxhet e këqija, që sigurisht do t’i adresojmë bashkërisht. Ne nuk kemi asnjë iluzion që mund ta lëmë këtë si përgjegjësi ekskluzive të bashkive. Ndërmarrjet duhen ngritur nga e para dhe ju jeni përgjegjës, por keni edhe një shans shumë të madh që t’i ngrini nga e para, me një koncept komplet tjetër, menaxhim komplet tjetër dhe performancë komplet tjetër.

Kurse përsa i përket borxheve, kjo është një temë komplet tjetër që ne nuk e futëm fare këtu, sepse nuk e konsiderojmë një temë që është e juaja dhe “mbajeni ju në kurriz dhe qeveria s’ka lidhje”. Përkundrazi! Është një temë që kërkon një trajtim të veçantë. Për këtë kemi ngarkuar Ministrinë e Financave të bëjë një skenar të arsyeshëm dhe të na japë një propozim konkret. Kjo vlen për borxhet e vjetra. Borxhet e reja janë përgjegjësi e drejtpërdrejtë e juaja dhe sigurisht e ndërmarrjeve tuaja.

Kryetari i Bashkisë së Pogradecit, Eduard Kapri: Meqenëse u nis, besoj se problemi i pjesës më të madhe të bashkive është edhe problemi i borxheve. Në lidhje me problemin e borxheve kemi qenë në kontakt dhe me Ministrinë e Financave, për të ndjekur hapat, të cilat po ndërmerren me borxhet e vjetra. Por problemet na dalin ditë pas dite dhe pavarësisht se borxhi që ka Bashkia e Pogradecit mbase nuk është më i madhi në lidhje më bashkitë e tjera, po në raport me buxhetin që ka, mbase mund të jetë në nivelet më të mëdha. Problemi më i madh që po na del këto ditë është se pavarësisht borxhit, i cili është evidentuar edhe nga projekti STAR, për të cilin Bashkia e Pogradecit ka qenë projekt pilot, apo edhe tani me bilancet e konsoliduara, tani po na vijnë përsëri dhe po na dalin fatura të vitit 2004, të cilat po na vijnë nëpërmjet përmbarimit për detyrime të prapambetura nga KESH-i i mëparshëm që ka qenë, që ato nuk i kemi as të evidentuara dhe njëkohësisht po detyrohemi nga organet përmbarimore, për arsye se kanë marrë ato, deri në bllokimin e llogarive. Të paktën ne si bashki Pogradeci po mundohemi të mos rrisim borxhet, por duke qenë se një nivel i madh i këtyre borxheve është lidhur me vendimet gjyqësore të marra, të cilat kanë dhe interesat apo gjobat e tyre në vazhdimësi, ky borxh nuk po ulet, pavarësisht përpjekjeve që ne kemi marrë si bashki për të ulur këtë borxh. Kjo ishte në lidhje me problemin e borxheve të vjetra që kanë pasur bashkitë.

Po flasim në rangun e bashkisë, meqenëse e kishim si pikë të parë. Kurse në ujësjellës, Pogradeci ka ato ujësjellësit të cilat kanë kryer investime, performanca është shumë e mirë. Problemi ishte se po na dalin disa detyrime nga KESH-i që ka qenë, i vitit 2004.

Në lidhje me bordin, ne si bashki Pogradeci na janë transferuar afërsisht 2.8 milionë lekë të reja për komplet bordin dhe janë transferuar 2 punonjës, të cilët na kanë ardhur me vonesë. Rreth një muaj më përpara, ne patëm mundësi të zgjidhnin nga specialistët që ishin në bordin e kullimit për të marrë dhe këta specialistë. Normalisht ne i marrim për eksperiencën dhe përvojën e tyre që kanë. Problemi është se duke qenë në një zonë në të cilën ka munguar plotësisht investimi në sektorin e ujitjes dhe një investim, i cili ka qenë nisur që në vitin 2012, përsëri nuk ka përfunduar, jemi në pamjaftueshmëri fondesh, duke mos trashëguar asnjë mekanizëm. Vetëm 2 punonjës. Jemi në pamjaftueshmëri për t’i kthyer pikërisht këto kanale në të shfrytëzueshme. Nga ana jonë janë marrë masat, po financojmë dhe nga fondet e bashkisë, nga buxheti i bashkisë, por është për të ardhur keq që një bashki që me rezervat e saj ujore mund të shkojë deri në mbulimin e 2 mijë hektarëve në ujitje, aktualisht mbulohen rreth 300 hektarë. Është një problem shumë i madh, që ne nuk mund ta përballojmë.

Gjithashtu duhet nxituar edhe nga Ministria e Bujqësisë për kalimin e aseteve, për faktin se të gjithë këto kompetenca që po na transferohen, ne nuk po na jepen as ambientet ku këto borde apo këto ndërmarrje të  ushtrojnë veprimtarinë e tyre. Ne na u kalua bordi i ujësjellësit, nuk kemi një ambient zyre. Na kalohet ndërmarrja Rruga Urës, nuk na kalohet asnjë ambient zyre. Na kalohet ndërmarrja pyjore, nuk na kalohet asnjë ambient zyre. Këto nuk i kërkojmë për luks, por i kërkojmë që vërtetë këto punonjës të cilët transferohen dhe këto ndërmarrje, ne të kemi mundësinë që t’u ofrojmë atyre komoditetin për të kryer funksionin e tyre. Ne detyrohemi tani që këto ndërmarrje, duke mos u transferuar asnjë aset në lidhje me zyra ku ata të ushtrojnë veprimtarinë e tyre, po i lëmë nëpër ambiente, po cungojmë ambiente të ndryshme, që po punojnë në kushte të pa përshtatshme. Njëkohësisht, duke qenë se më përpare nuk ka qenë funksioni i komunave, por ka qenë i bordit të kullimit, duke qenë se këto ambiente kanë qenë të mbyllura, ne akoma nuk kemi marrë as projektet ekzistuese që kanë qenë, në mënyrë që t’i rishikojmë dhe të kemi mundësi të aplikojmë në lidhje me këto projekte. Është një proces që besoj duhet të avancojë që të na jepet mundësia. Zyrat e bordit të kullimit përsëri nuk na janë kaluar, ndërmarrja Rruga Urë nuk na ka kaluar dhe nuk dimë ku të zhvillojmë aktivitetin. Janë probleme që ne i hasim përditë.

Njëkohësisht do të kërkoja që me ligjin e ri të pushtetit vendor kuptohet që kryetarët e bashkive marrin në administrim gjithë territorin e tyre, por po vihemi përballë faktit që nëpërmjet vendimeve që dalin nga Këshilli i Ministrave, pa qenë në dijeni dhe vetë bashkia, e cila është në administrim të territorit dhe kalimit, merren vendime të cilat i heqin nga përdorimi. Bashkisë Pogradec faktikisht në dhjetor është marrë një vendim që i janë hequr 1000 hektarë. Ndërkohë që bashkia nuk është në dijeni dhe ndërkohë që për këto toka ka probleme me banorë të ndryshme të zonave dhe për faktin e thjeshtë se disa, duke qenë se vendimet e kthimit të pronave janë marrë në mënyrë të vazhdueshme, njerëzit janë pajisur me certifikata, ka përplasje me banorët. E mira është se para se të merren vendime të tilla të konsultohemi edhe nëpërmjet bashkisë. Ndërkohë që në një komunë lëshohen 220 hektarë dhe këto të ardhura i merr dukë qenë territori i fshatit dhe banorët nuk kanë marrë një sasi të madhe toke, por kanë minimumet e tyre dhe këto të ardhura për qiradhënien e saj i shkojnë përsëri Ministrisë Bujqësisë, ndërkohë që ata atje janë në kushte shumë të vështira.

Kryeministri Edi Rama: Kryetar, të lutem mos ik fare nga axhenda, se nuk është një mbledhje për vajtimet e gjithë bashkive, se arsye për të vajtuar ju mund të keni shumë dhe do na duhet pastaj të bëjmë seanca të veçanta me secilin. Këtu që ne këtu jemi mbledhur për ujin dhe reformën e ujit.

Ndërkohë, për sa ju thatë, e para mbase ka dhe të tjerë që nuk janë informuar, ne me vendim qeverie e kemi rikthyer administrimin e të drejtës për të marrë propozime dhe për të vënë në dispozicion toke bujqësore për zhvillime bujqësore tek bashkitë. Pra, jeni ju tani, nuk është më ministria dhe qeveria që japin me qera tokë bujqësore, por janë bashkitë.

Kur e kemi marrë vendimin për t’i hequr nga njësitë vendore, e kemi marrë si një vendim të përkohshëm, për shkak të veprimtarisë kriminale të shumë kryetarëve të njësive vendore që tokat bujqësore i trajtuan si troje, i tjetërsuan, i bënë histori nga më të çuditshmet. Ka qenë një vendim i ndërmjetëm, me qëllimin e vetëm që të kemi më në kontroll një situatë që kishte dalë komplet jashtë kontrollit. Tani është rikthyer tek ju.

Ministria e Bujqësisë do të ketë vetëm një person përgjegjës përfaqësues, në çdo rast kur ju do të trajtoni me komisionin përkatës, kërkesat e subjekteve të ndryshme për të shfrytëzuar tokë bujqësore dhe ka thjeshtë dhe vetëm detyrimin të bëjë një oponencë konstruktive, për të shmangur abuzimet dhe trajtimin e tokës së bukës si truall ndërtimi apo për arsye të tjera. Pra, e keni ju dhe të jemi të qartë në këtë gjë. Është vendim i qeverisë që e kemi marrë përpara pak kohe.

Përsa i përket të gjithë procesit që ju ankoheni, të burokracisë së brendshme, është problemi juaj, nuk është problemi ynë. Se si i bëni ju agregimin, bashkimin e aseteve të ujësjellësit, etj, është çështja juaj. Nuk jeni kryetarë njësish vendore vetëm për të kërkuar lekë nga qeveria, por jeni për të administruar pasuritë dhe asetet dhe ndërmarrjet tuaj. Nuk ka asnjë problem të kësaj natyre të shkaktuar nga qeveria, apo ku të jetë pengesë qeveria. Ne, sigurisht që, nuk mund t’ju transferonim ju njerëz që nuk i kishim. Ne kishim një strukturë të pyjeve dhe e transferuam. Kemi transferuar burimet njerëzore dhe paratë tek ju. Në rast se Pogradecit i kanë rënë 2, aq kishim ne. Po të kishim 40, do t’ia jepnim 40. Totali i punonjësve të strukturës është ndarë në mënyrë proporcionale për të gjitha bashkitë. Dikush ka 4, dikush 3, dikush 2, dikush 1, se kaq janë. Po ju them se nga një vështrim që ju kemi bërë organikave të bashkive, janë organikat më të fryra në Europë dhe rajon. Keni drejtori dhe sektorë parazitë që mund t’i shkurtoni dhe forconi strukturën që ju duhet për punë. Keni drejtori strategjish që janë komplet pa asnjë përmbajtje. Shkurtoni ato, shtoni të tjera. Në qoftë se ju e përdorni fondin, buxhetin e Bashkisë, për të krijuar artificialisht vende pune dhe për të marrë në punë kushërinjtë dhe militantët e zemrës tuaj, kjo është një zgjedhje që e bëni ju dhe nëse këshillat bashkiakë ju mbështesin, është puna e tyre. Por kjo nuk mund dot të jetë një arsye për t’u ankuar nga qeveria, pse nuk ju jep ju më shumë njerëz dhe më shumë fonde për të paguar njerëz.

E njëjta gjë përsa i përket bordit. Ne kemi ruajtur një bërthamë për të 4 bordet rajonale, që do jenë edhe ato në shërbimin tuaj, pra, në shërbim të ekonomisë kombëtare dhe tuajën dhe gjithë të tjerët janë vënë në dispozicionin tuaj. Por ne nuk mund të të dorëzojmë dokumentet e bordit, nëse nuk ke krijuar akoma njësinë. Duhet të krijosh njësinë e ujitjes dhe të kullimit në bashki dhe ajo njësi merr në dispozicion dokumentet, siç i kanë marrë plot të tjerë këtu nga Ministria. Kujt t’ia dorëzojmë? Duhet t’ia japim njësisë.

Përsa i përket zyrave, unë nuk e di si mund të ndahen zyrat! Një godinë të ndahet në copa dhe një zyrë t’ia çojmë Pogradecit, një zyrë Korçës, një zyrë tjetër Kolonjës. Unë nuk di si mund të bëhet një ndarje e tillë, si mund të sharrohen zyrat dhe të ndahen në mënyrë proporcionale. Ato struktura që kemi mundësi, patjetër që ne do t’ua kalojmë. Jeni ju që duhet të bëni kërkesë, jo ne. Jeni ju që mund të thoni që kjo apo ajo godinë është bosh, apo është gjysmë e përdorur, ndaj ju lutem konsideroni vendimin që të na e kaloni si aset i bashkisë.

Tani po bëjmë vendimin që të gjithë konviktet në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë do t’ua kalojmë bashkive. Po ashtu do vazhdojmë të kalojmë te bashkitë dhe do t’u japim mundësi bashkive të regjistrojnë pronat e tyre. Ka bashki sot që nuk kanë të regjistruar as godinën e tyre, jo më të kenë të regjistruara gjëra të tjera. Nesër mund të çohet një parti dhe mund t’ju bëjë ju si bashki, atë që i ndodhi SHQUP-it. Por, po të jetë e regjistruar, është prona e bashkisë dhe të tjerat të bëhen kolaterale dhe mund të bëni gjëra që bëjnë sot bashkitë. Sot, bashki të tëra në Europë, nga Gjermania në Holandë dhe në Angli, edhe godinën e tyre e vënë në dispozicion për të nxjerrë para. Jo se ikin nga godina, por e japin në administrim privat. Këto janë gjëra që duhet t’i bëni ju, nuk mund t’i bëjmë ne. Ajo që ne të jeni të bindur 100% që duam të bëjmë është që të fuqizojmë maksimalisht këtë model qeverisjeje. Por nuk mund të fuqizohet, nëse vetëm jep dhe s’ka detyrim perfomance mbrapsht.

Tani ju po bëni inventarët tuaj dhe do të shikoni sesa probleme keni të trashëguara nga kryetarët e komunave me tokën bujqësore, me kontrata, tjetërsime, abuzime, që të gjitha kanë ardhur si rezultat i një pseudodecentralizimi dhe i një pseudokompetence, pa asnjë kontroll. Sot, ju faktikisht keni qytetin qendror, por kur të merrni edhe gjitha të tjerat, do ta shikoni vetë se me çfarë do ndesheni. Tani keni edhe tokat bujqësore. Doni të dilni për të mbështetur investime private për sera, për prodhim bujqësor, për agropërpunim e keni ju në dorë, me oponencë nga Ministria e Bujqësisë për t’iu shmangur atyre që kanë ndodhur në të kaluarën.

Përsa i përket mjeteve, në 15 vjet është blerë vetëm një ekskavator i ri për gjithë bujqësinë shqiptare për 28 mijë metra katrorë. Flota e trashëguar është e kohës së dashurisë shqiptaro-kineze dhe me ndonjë akt tjetër heroik për të marrë edhe ndonjë ekskavator tjetër, kur ngelëm vetëm. Asgjë të re, zero! Pas pak muajsh, ne do ju japim 61 ekskavatorë të standardeve më të larta teknologjike, që ju t’i keni për kanalet ujitëse dhe kulluese. Unë e kuptoj që 61 prapë nuk do mjaftojnë dhe do duhet prapë vitin tjetër t’ju mbështesim dhe ne do ju mbështesim. Por kini parasysh se nga po nisemi. Treçereku i flotës që ne do transferonim tek ju ishte i papërdorshëm, thjesht inventar fizik për skrap, që po ta vije në punë, do harxhoje naftë pafund vetëm që ekskavatori të kollitej në vend. Kjo është situata, por shumë shpejt do keni këtë kontribut të parë për flotën e re. Por duhet t’i bëni dhe ju llogaritë tuaja. Një kryetar bashkie mund të thotë se do të fokusohem te bujqësia dhe do t’i vë të gjitha fondet tek bujqësia, ndërsa një tjetër mund të thotë ky nuk është fare problemi. Ne thjesht do garantojmë që secili të ushtrojë kompetencat e veta. Pastaj, si i ndani ju fondet, është puna juaj, është puna e Këshillit dhe e keni me popullin, nuk e keni me ne.

Kryetari i Bashkisë së Vaut të Dejës, Zef Hila: Përshëndetje zoti Kryeministër. Ne sapo kemi përfunduar kalimin e inventarizimit të gjithë rrjetit vaditës dhe kullues pranë Bashkisë së Vaut të Dejës. Ne kemi rreth 12 mijë hektarë tokë bujqësore, nga e cila mbi 8 mijë hektarë janë në sistemin e vaditjes. Ne kemi filluar nga puna me ato të ardhura, megjithëse ato janë normalisht të vogla. Por gjatë kësaj periudhe, ne nuk kemi pasur asnjë lloj mbështetje nga Ministria e Bujqësisë, qoftë për kanalet vaditëse apo dhe për kanalet kulluese. Janë mbi 8 mijë hektarë sot, që është tokë bujqësore që duhet të jetë në plan të parë për t’u ardhur në ndihmë fermerëve. Faleminderit!

Kryeministri Edi Rama: Po është e vërtetë Zef, bashkia juaj dhe disa bashki të tjera nuk kanë marrë mbështetje financiare dhe arsyeja është shumë e thjeshtë; Ne kemi vënë në dispozicion një shumë të konsiderueshme për herë të parë, por jo të mjaftueshme për të plotësuar kërkesat e të gjithë bashkive. Ndarja është bërë duke pasur parasysh në fillim zonat me prodhimin më intensiv, sepse edhe ndarja me thërrime nuk do sillte asnjë efekt. Ju do të kishit pak më shumë sesa hiçi, por nuk do t’ju jepte ndonjë impakt. Ndërkohë që impaktin që presim të marrin në zonat më intensive nuk do e merrnim dot. Të jeni të bindur që arsyeja është kjo. Ne, sigurisht që do të vazhdojmë, duke pasur parasysh që të bëjmë edhe kompensimet e nevojshme.

Kini parasysh që ka një vëmendje dhe interes të madh nga Komisioni Europian, USAID dhe nga organizma të tjerë, për të mbështetur këtë proces modernizimi të qeverisjes vendore, drejtpërdrejt me bashkitë. Në qoftë se bashkitë do të jenë në gjendje, jo thjesht të bëjnë projekte, por edhe t’i mbështesin ato me besueshmërinë e nevojshme të mekanizmave të tyre, pra, nëse ju do të bëni një projekt për të pasur mbështetje për ujitjen dhe kullimin dhe ky projekt do mbështetet me besueshmëri, duke treguar inventarin dhe ai të jetë model; duke treguar territorin dhe se kush janë arsyet pse rritja e kapaciteteve ujitës do të sjellë ulje të varfërisë, rritje të punësimit etj, të jeni të sigurt që do të mund të angazhoni fonde ekstra, edhe më shumë sesa ka angazhuar qeveria shqiptare.

Ne kemi marrë në mënyrë të vazhdueshme shprehje interesimi që nga KE, USAID dhe të tjerë për ecurinë e reformës dhe të gjithë presin që ju të filloni të kërkoni mbështetje prej tyre. Por kini parasysh edhe në ujësjellës, në rast se ju do të krijoni ndërmarrje të besueshme, do të gjeni patjetër partneritete edhe me organizmat ndërkombëtare financiare, me BERZH, që në programin e ri që do bëjë me qeverinë në fokus ka ujësjellësit dhe mbështetjen e bujqësisë. Ata e kanë strategji në të gjithë Europën, kontributin financiar në ndërmarrjet e ujësjellësve. Sigurisht që ata janë bankë dhe futen në ndërmarrje që do nxjerrin lekë dhe jo aty ku duhen mbushur gropa. Kjo është prapë çështje besueshmërie e sistemit që ju do krijon

Nuk e kuptova pse asnjë socialist nuk kërkoi fjalën.

Ne jemi në dispozicion dhe siç ju kam thënë, për probleme që janë konkrete të bashkive, dera është e hapur, sidomos për demokratët.

Historia e mesazhit në fushatë ka bërë efekt fantastik. I ka dhënë një nxitje të madhe gjithë bashkëpunimit me të gjithë kryetarët e bashkive të Partisë Demokratike. Së fundi kam pasur një takim fantastik me kryetarin e bashkisë së Tropojës, të cilit do t’i japim një mbështetje shumë të rëndësishme për një transformim të rëndësishëm urban edhe në Tropojë. Nën shembullin e Tropojës do të vazhdojmë ta bëjmë gjithë këtë bashkëpunim, një shembull suksesi, për herë të parë në kaq shumë vite ndërveprim, mes qeverisë dhe pushtetit vendor. Për fat të mirë, kolegët socialistë të dy partive të koalicionit, nuk janë xhelozë për këtë bashkëpunim.

Shumë faleminderit!

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.