Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në Kuvend:

Është e qartë se një propagandë, e shthurur sa më s’ka, ka arritur të dehë edhe personazhe që në pamje të parë nuk kanë lidhje me hashashin.

Kam këtu një fakt. Është folur shumë dhe flitet shumë në lidhje me një tezë, që ne shkatërruan Lazaratin, për të shkatërruar një monopol dhe për ta përhapur hashashin në të gjithë Shqipërinë dhe për t’i ndarë parcelat, sipas influencës së tyre. Kjo është pak a shumë teza bazë. Sot dëgjova që edhe Niko [Peleshi] disponon disa parcela në Pukë. Me siguri Pandi [Majko] është vënë në kontakt për disa parcela në Dibër, meqë ka qënë atje e kështu me radhë.

Fakti është ndryshe dhe nuk po i referohem asgjëje tjetër, vetëm komunikatave të Policisë së Shtetit, në kohën kur ministër i Brendshëm ishte shkëlqesia e tij, zoti Bujar Nishani, nga qershori në tetor të vitit 2008. Të mos harrojmë edhe që në atë kohë nuk kishte monitorim ndërkombëtar. Pra, nuk fotografohej sipërfaqja e mbjellë nga avionët e Guardia di Finanza dhe nuk monitorohej mënyra sesi reagonte policia ndaj këtij fenomeni. Çfarë rezulton, përtej Lazaratit? Nuk po i lexoj të gjitha, se janë pa ekzagjerim, qindra fshatra. Janë këtu të gjitha, janë komunikata të policisë, të deklaruara nga policia. Nuk po flas për ato të padeklaruarat.

Në qarkun e Beratit, gjithë ato fshatra. Në qarkun e Durrësit, po ashtu disa fshatra. Po ashtu në Krujë, disa fshatra. Në Fier, disa fshatra. Në Gjirokastër, pa Lazaratin, dhjetëra fshatra. Në Korçë, edhe këtu fshatra. Në qarkun Kukës, Tropoja, shikoni fshatrat ku sipas komunikatës së policisë janë asgjësuar bimë narkotike. Fshatrat e Shkodrës janë më shumë sesa në gjithë fshatrat e Shqipërisë.

E përsëris, flasim për komunikata të policisë, gjithmonë!

Vazhdojmë me Vlorën, e cila është në krye, shikoni deklaratën, vetëm fshatra.

Kjo është 2008-a e  hashashit që po na “xen ajrin”.

Sipas komunikatave të policisë rezultojnë të shkatërruar në atë kohë, 330.000 rrënjë. Ndërkohë që në vitin më të mirë të qeverisë së Partisë Demokratike, sipas të dhënave të Guardia di Finanza, është shkatërruar vetëm 7% e sipërfaqes së mbjellë.

Do shikoni sesi rritet hashashi një vit më pas, kur ministër është kryetari i Partisë Demokratike aktualisht. Berati, më shumë fshatra. Shikoni në Durrës, shtohet Kruja, nga 5-6 fshatra është gjithandej ku shtrihet bashkia. Në Fier, Mallakastra dhe në listë hyn edhe Lushnja. Gjirokastra ka më pak dhe ka disa më shumë në Tepelenë. Korça më shumë. Tropoja shoqërohet tanimë jo më me vetveten, por me Hasin dhe me Kukësin. – Gjithmonë flas bazuar në komunikata të Policisë së Shtetit. – Lezha, në vitin e mëparshëm, nuk e citova se nuk figuron, por shfaqet tani. Ja ku kemi në listë, Kurbin, Mirditë, Lezhë. Në Shkodër kemi përsëri një shtrirje të gjerë në gjithë qarkun dhe shfaqet dhe Puka, në 2009-n “plantacionet e Niko Peleshit”.

Vazhdojmë me Tiranën, të cilën nuk e preka se nuk kishte. Në 2009-n, këtu shfaqet Tirana. Vazhdojmë me Vlorën, e cila është disa faqe, në 2009-n gati 3 faqe.

Ky është fakti i bazuar tek vetëm çka ka komunikuar Policia e Shtetit, në kohën kur nuk kishte fotografim ajror dhe kur nuk kishte monitorim ndërkombëtar. Kujt ia tregoni Shqipërinë e hashashit, që ju paska zënë ajrin dhe diellin?!

Më lejoni t’ju bëj dhe një krahasim të fundit, bazuar në shifrat e Guardia di Finanza. 7% sipërfaqe e shkatërruar në vitin 2013.  96.4% sipërfaqe e shkatërruar vitin e kaluar.

Ndryshimi është se, nëse ne kemi shkatërruar në vitin për të cilin fola, disa herë më shumë, ka ndodhur vetëm një ndryshim, ne kemi hapur kutinë e Pandorës. Nuk e kemi mbajtur mbyllur, për të bërë atë për të cilën na akuzojnë, për të bërë menaxhimin politik të parcelave. Lazarati ka qënë i menaxhuar politikisht. Ka qënë banka e madhe e parasë së zezë, që ne e shkatërruam. Ishte i përqendruar. Ndërkohë që parcelat e tjera kanë qenë po ashtu të menaxhuara politikisht.

Së fundi, ndryshimi tjetër e dini kush është? Këto fakte tregojnë që kultivimi është spostuar në thellësi, nuk është më siç ka qenë, haptas kudo. Por nuk flitej për të, nuk bëhej debat për të, sepse mbahej mbyllur në këtë kuti Pandore që ne e kemi hapur.

Kemi bërë shumë mirë që e kemi hapur dhe e përballim sy më sy këtë fenomen, që është i lidhur me një sërë aspektesh, jo vetëm me një. Por pa as më të voglin dyshim është fenomeni që për herë të parë po luftohet seriozisht në Shqipëri, që kur erdhi kjo qeveri dhe që kur në krye të Ministrisë së Brendshme u vu ai ministër atje.

Edhe një këshillë. Nuk jeni të detyruar ta bëni. Flisni këtu për hashashin sa të doni, por kur vriten policë nga zona juaj, të paktën shikojini në varrim.

 

* * *

Zonja Topalli, pretendoj nga ju të më thoni një gjë; Sikur të kesh gënjyer sot, me rastin e vajzës që tregove në fotografi, apo sikur vajza, të cilën sot e more në krah dhe me të abuzove kaq shumë, mesataren ta ketë 9.18 dhe të gjithë ata, të cilët janë në listë përpara saj, ta kenë mesataren mbi 9.18, çfarë duhet të bësh?

I treguat ministres së Arsimit se çfarë duhet të bëjë, duke u nisur nga kjo vajzë. I kujtove edhe lotët e tu, kur për arsye krejt të tjera, të një sistemi tjetër, t’u privua shkolla. Ndërkohë që nuk të kam parë ndonjëherë të derdhesh jo lot,  po asnjë presje oratori, kur sistemi i universitetit në Shqipëri u bë mish për top dhe kur jo një vajzë, por mijëra e mijëra vajza, jo një djalë, por mijëra e mijëra djem, jo një prind, por dhjetëra mijëra prindër u çuan si mish për top në dyert e atyre universiteteve që i hapët ju, i mbajtët ju dhe prej të cilave përfituat ju të gjithë.

E fillove fjalën me Samitin e G20-s, por unë po vazhdoj me Këshillin e Stabilizim-Asociimit sot, në Bruksel, prej nga u ktheva shpejt, pikërisht sepse doja t’i tregoja të gjithë maturantëve të Shqipërisë, të gjithë prindërve të maturantëve të Shqipërisë se kush jeni ju. Të falënderoj se ma dhe mundësin në mënyrë plateale, me fotografinë e vajzës që e nxore këtu dhe e shpërdorove, me mesatare të maturës shtetërore 8.54.

Në Këshillin e Stabilizim-Asociimit, dëgjova fjalët më të mira për Shqipërinë time dhe tënden. Dëgjova fjalët më të mira, jo vetëm për punën e bërë, – nuk ka rëndësi me hir apo pahir, – të gjithë sëbashku për reformën në drejtësi, por dëgjova fjalë të mira edhe për luftën kundër krimit, madje dhe për luftën kundër korrupsionit, për të cilin, unë personalisht e të gjithë ne në këtë shumicë qeverisëse jemi shumë të vetëdijshëm që është një luftë larg së qeni një luftë e fituar, siç është lufta me krimin, në kuptimin e proporcioneve. Për fat të keq, dikush me një mikrofon, i indoktrinuar plotësisht nga këto broçkullat tuaja, bëri një pyetje në publik, për raportet e inteligjencës italiane, gjermane, shqetësimin për kanabisin dhe e di çfarë? Mua më erdhi zor kur u bë pyetja, më erdhi zor mbasi mbaroi konferenca, se të gjithë ata që nuk ishin shqiptarë aty qeshnin. Dhe qeshnin me nivelin absurd të propagandës tuaj dhe me nivelin absurd të  shpifjeve dhe gënjeshtrave tuaja.

“Të gabosh, është njerëzore”, – thotë një fjalë e urtë, – “të insistosh në gabim, është djallëzore”. E nëse vazhdon të insistosh në gabimin që bëre, duke shpërdoruar atë vajzë që nxore fotografi, kjo është djallëzore. Por nuk ka rëndësi se çfarë bën ti, është djallëzore e gjithë ajo që bëni ju.

The ankth, stres, trishtim, dëshpërim dhe fole për prindërit. Çfarë bën ti zonja Topalli, që t’ua zbusësh ankthin e stresin, t’ua heqësh trishtimin, ti ndihmosh që të mos jenë të dëshpëruar? I referohesh fakteve, ligjit,  procedurave, listave, të vërtetave? Fare!

Të gjithë ju bashkë i referoheni pikërisht ankthit, stresit, trishtimit dhe dëshpërimit, të krijuar në këtë situatë, sepse është një reformë që për herë të parë, në vitin e parë po implementohet, sepse ty dhe partisë tënde nuk ju duhet të lehtësoni njerëzit, por njerëzit ju duhen viktima. Ju bëni politikë, duke gjetur viktima. Ju fërkoni duart, kur shikoni njerëz që mund t’i ktheni ju, me propagandën tuaj, në viktima. Të varfër, të sëmurë. Ju mjafton një video amatore për një keqtrajtim të një të sëmuri në një pritje në një spital, që të ngrini furtuna për gjithçka. Aq sa e bëni shumë evidente, që ju do të ishit të ankthosur, të stresuar, të dëshpëruar, nëse nuk do të kishit viktima.

Flisni për vjedhësit e energjisë, por ju as nuk doni të dini fare se ata ishin vjedhës dhe u dënuan si vjedhës. Juve ju duhen viktimat, për t’i thënë njerëzve se kush nuk paguan energjinë, futet në burg. Kjo është gjëja më e pavërtetë, më e shëmtuar, më e ulët që mund të thuhet, sepse askush, asnjëherë nuk është ndaluar, jo më të ndëshkohet pse nuk e paguan energjinë. Kush nuk paguan energjinë, i pritet energjia. Ndëshkohen ata që e vjedhin energjinë. Juve ju duhen viktima, ju duhen aksidente,  keni nevojë për njerëz që aksidentohen, që të dilni e të thoni akuzën e radhës e natyrisht që ti lidhni të gjitha me të gjithë ne që jemi këtu, kush t’ju dalë përpara.

Nuk e mohoj që e para gjë që duhet të bëjë një njeri që merret me politikë është të ndjejë dhimbjen. Dhe sigurisht, e para gjë që duhet të bëjë një njeri që merret me politikë në opozitë është t’i japi zë dhimbjes. Por, nëse mbetesh vetëm aty, t’i japësh zë dhimbjes, duke rrotulluar thikën në plagët e njerëzve që e kanë dhimbjen, me gënjeshtra, me shpifje, me abuzime, kjo nuk është në fakt t’i japësh zë, dhimbjes së njerëzve. Kjo është t’i japësh zë, gulçimit të brendshëm dhe të pangushëllueshëm për pushtet. Kjo është t’i japësh zë, instinkteve më të ulëta të njeriut, kur nuk i shohin më sytë, por gjithçka i duket gjak, vetëm e vetëm për të mundur kundërshtarin e vet.

T’i japësh zë dhimbjes, sinqerisht do të thotë të kërkosh rrënjët e dhimbjes. Dhe tek rasti i maturantëve, unë e mirëkuptoj çdo maturant, e mirëkuptoj çdo prind, që në momentin e parë apo edhe tani. Për shkakun tuaj tani, që rrotulloni thikën në plagë dhe u thoni atyre se ngelën pa të drejtë studimi. Kush ngeli pa të drejtë studimi? Asnjë nuk ngelet pa të drejtë studimi, nga ata që kanë aplikuar dhe që plotësojnë kushtet.

Është thënë vazhdimisht që nuk do mbetet asnjë vend bosh. Janë kuotat e përcaktuara, janë dhe aplikuesit. Kur unë fola për 27 200 aplikues, fola për të gjithë aplikuesit për arsim të lartë. Unë nuk i ndaj, – ju vazhdoni të thoni çfarë të doni, unë nuk kompleksohem fare nga këto muhabetet tuaja, – universitetet në të nënës dhe të njerkës, pavarësisht se financohen nga shteti, apo financohen nga privatët. Reforma jonë e ka në themel këtë. Por ajo që është e sigurt është që universiteti publik ofron ekzaktësisht 25 000 vende. Ministrja dha shifrën 22 000 për aplikuesit në universitetin publik. Prandaj kërkojini falje ministres, pasi nuk është faji i saj që vjen e palexuar këtu, por kap një fotografi tek “Jeta osh qef” dhe kujton se me atë fotografi, të bësh qejf me dhimbjet, me streset, me dëshpërimet e njerëzve që ke për detyrë t’i sqarosh.

Nëse do të kishe vërtet ndjeshmërinë, – këtu ke një mjeshtëri që me siguri do të bënte xheloze dhe Tinka Kurtin ndonjëherë, se jeni të dyja aktore nga Shkodra, – do t’i referoheshe fakteve. E unë po të them fakte. Në Fakultetin e Mjekësisë, në degën Mjekësi e Përgjithshme janë 226 kuota dhe të gjithë ata që janë konsideruar fitues në njërën nga preferencat e kanë mesataren 9.96 e lart.

Po me atë që është me mesatare 9.95, të bëjmë si ty, t’i themi humbe të drejtën e studimit? Jo, ne i themi, ti do të presësh, sepse janë këta më të mirë se ty dhe e kanë të parët të drejtën të zgjedhin. Por edhe këta nuk do shkojnë në 10 degë. Ata që janë me nota kaq të larta, kanë fituar në  8, 9 apo 10 degë. Ata shkojnë në vetëm një degë dhe automatikisht, nga 226 kuota do të lirohen një numër i mjaftueshëm vendesh, për t’i futur edhe ata që janë me 9.5 dhe ata që janë me 9.4. Çfarë t’i bëjmë atyre që kanë mesataren 9.98, kur për degën Farmaci janë 86 kuota dhe të gjithë ata që kanë hyrë në raundin e parë e kanë mesataren 10 ose 9.99?

Ky është sistemi që kemi ndërtuar ne. Në sistemin tënd, ju i futnit se thoshit “ky është nga anët e mia, nuk ka problem se e ka 9.92”. Tjetri thoshte “këtë e kemi djalin e atij…” dhe futej edhe ai. Ndërsa ai që nuk ishte as nga anët e tua, as nga anët e atij, kapte anën e xhepit. Dhe e gjitha kjo zhvillohej në errësire dhe viktimat reale të sistemit që ne e përmbysëm me këtë reformë, jo  të dilnin tek “Jeta osh qef”, por as nuk merrnin vesh se çfarë bëhej me ta dhe kur shfaqej lista fundore, nuk kishin as të drejtë ankimimi.

Deri në datën 12, të gjithë, edhe vajza që ke ti në fotografi, mund të bëjnë ankimim, nëse mund të ketë ndodhur një gabim me të, ose nëse ajo apo ai pretendon se me të është vepruar gabim.

Në respekt të mundit, të djersës,  të sakrificave të të gjithë këtyre prindërve që ti nuk ua qan hallin, por vetëm i rrotullon thikën në plagë, Ministria e Arsimit do t’i japi përgjigje një për një. E ndjesën nuk ta kërkon Lindita Nikolla as ty, as Lulit. Ndjesën do t’ua kërkojë, qoftë dhe në një rast të vetëm, nëse sistemi ka bërë një gabim për dikë. Një ndjesë e detyruar dhe plotësisht e mirëkuptuar.

Po ata që kanë aplikuar me mesataren 9.99 në Mjekësinë Dentare dhe nuk kanë hyrë dhe e dini pse? Sepse janë 45 kuota dhe e kanë të gjithë mesataren 10. T’u themi atyre me 10-të, ju jeni me 10-të, por nuk ka problem se kemi njërin që vjen nga parcelat? Se kur kishit Gaten ju, Gatja mund ta bënte çorap këtë sistem, me telefon nga Lazarati.

Keni folur shumë këto ditë dhe unë nuk kuptoj vërtet sesi mund të keni kurajon, – ju jeni në halle të mëdha dhe ju bie të thoni shumë gjëra që nuk i besoni, – deri aty sa të thoni se flisni “jo vetëm si politikane, por edhe nënë, edhe qytetar, edhe njeri…” Por çfarë njeriu, nëne, qytetareje, kur abuzoni kështu!

Mund edhe të qesh, ashtu si Saliu, kur, pasi thotë gjëmën më të madhe, qesh duke thënë “politikë është kjo, s’ka problem. Këtu jemi të gjithë bashkë. Nuk kam gjë unë me atë, por politikë është.”

Pas 10 ditësh, pasi të jetë mbaruar gjithë kjo përpjekje për protesta, të paktën ata drejtorët e korruptuar të drejtorive arsimore mos i vini organizatorë për protestat e maturantëve. Ti ke fotografi të “Jeta osh qef”, ndërsa unë pashë disa fotografi të “jetës që nuk është qef”. Dhe tek “jeta që nuk është qef”, drejtorët e emëruar si militantë partie, që e bënë sistemin arsimor shqiptar një çorap, njësoj si Partinë Demokratike, janë organizatorë të këtyre lloj mashtrimeve. Mashtrime, pikërisht me ankthin, me stresin, me trishtimin, dëshpërimin e të tjera fjalë të dhimbjes që i ke në seri kur të duhen.

Ky sistem është sistemi i meritës. Dhe meritën nuk e garanton dot njeriu, por e  garanton sistemi. Kjo është bindja ime, kjo është bindja jonë. Të gjitha këto mesatare që ju i tundni, ju nxjerrin blof, jo se bëjmë ne kalkulime, por se kalkulimet janë kompjuterike, me kode dhe për çdo person jep kodin, që të marrë përgjigjen.

Në zyrën time, unë kam ngritur një Task-forcë që merret me verifikimin e të gjitha rasteve që shfaqen në publik, ose që ankohen njerëzit. Është kollaj t’i japësh dhimbjes, zërin tënd. Puna është që zërit të dhimbjes t’i japësh përgjigje. T’i japësh zërin tënd, dhimbjes së tjetrit është kollaj. Apo të bësh sikur ke një dhimbje të madhe, ndërkohë që jam 100 % i sigurt që as nuk do të dish fare, madje po të të pyesin, nëse je dakord të bëhet ndonjë tërmet që të shemben gjithë godinat, vetëm që Shqipëria të jetë më mirë pa Edi Ramën, ti do ishe për tërmetin, kjo nuk diskutohet. Dhe jo vetëm ti, fatkeqësisht!

Por ky është sistemi i meritës dhe të gjithë nxënësit që do të jenë në maturë vitin tjetër, do ta marrin vesh që ai që është më i miri, ka të drejtë të zgjedhë i pari. Pasi më të mirët të mbarojnë punë në raundin e parë, nga 10 degë do të lirojnë 9, se do të zgjedhin vetëm 1. Sa njerëz nga ata që shpërdoroni ju, faktikisht do të kenë shansin e dytë? Pothuajse të gjithë.

Unë nuk do ju lexoj këtu falënderimet e shumë maturantëve të vjetshëm për këtë sistem. Nuk do ju them këtu as se çfarë thonë mësuesit. Por do ju them vetëm një gjë. Kur u bënë zgjedhjet për universitetin, ju bëtë shumë konferenca shtypi, ku pa e thënë drejtpërdrejtë, në fakt thatë që disa rektorë, ndër kryesorët, i përkasin krahut që voton për ju. E këtë, ju e quajtët një fitore të demokracisë studentore. Madje një nga ata që më kujton gjithnjë Lucianio Pavarotin, një deputet, të cilin nuk e di pse e lidh me Luciano Pavarotin, tha fitore e idealeve të Lëvizjes së Dhjetorit ’90-të. Ai me siguri, kushedi ku spiunonte në ’90-n, për ata që ishin në Lëvizje, gjë për të cilën nuk mund të akuzoj ty p.sh, por e tha këtë gjë.

Si nuk gjetët një rektor, nga ata që votojnë haptas për ju, që të thotë se ju keni të drejtë. Një të vetëm. – Se këta këtu, vetëm titullin kanë profesorë e profesoresha, sepse kur i dëgjon thua “ukubet”. – Janë të konformuar edhe ata?  Për çfarë  arsye?

Në fakt e vërteta është shumë e thjeshte. Ky sistem është transparent dhe nga një anë i çliron plotësisht rektorët nga barra e telefonatave, e ndërhyrjeve, e ulërimave e kërcënimeve, sepse nuk bëjnë dot asnjë gjë. As rektorët, as dekanët.

Ishte edhe një shakaxhi i përparimit që foli këtu dhe tha “rilindja nuk të fut për meritën, por të fut për aplikimin”. Në fakt është vetëm merita dhe asgjë tjetër. Secili ka në dorë fatin e vet. Ta mësojnë këtë, ata që hyjnë në vit të parë dhe kur të jenë në këtë ditë, të mos merren me ju, sepse ju këtu prapë do të jeni. Edhe kur ata që hyjnë sot në vit të parë do të zgjedhin për maturën, ju këtu prapë do të jeni dhe prapë kushedi me çfarë do të kapeni. Kushedi se kush do jetë viktima e radhës, por me siguri nuk do të jenë maturantët, sepse deri atëherë do të kenë mësuar se do jetë merita dhe vetëm merita.

Në rast se më thua se ajo vajzë e ka merituar me qenë në raundin e parë, atëherë nuk do të bëj replikë, por të siguroj se nuk do ta lë me kaq. Sepse më mirë ta lemë me kaq, zonja Topalli, që t’i gënjeve sot dhe unë po ta jep një bonus që gënjeve nga injoranca, nga padija, nga mungesa e plotë e informacionit. Por, nëse do të dalësh prapë këtu, pa e verifikuar këtë që po të them unë, atëherë do të thotë se ajo shprehja “të gabosh është njerëzore, kurse të insistosh është djallëzore”, për ty nuk mbetet tjetër veçse të marrim fotografinë dhe të bëjmë ilustrimin e kësaj shprehje.

Më vjen shumë keq, por këtu mu desh t’i them të gjitha këto për hir të atyre prindërve dhe fëmijëve, me të cilët ti dhe partia jote keni kaq ditë që talleni dhe vetëm talleni. Turpi është i juaji. Pas 10 ditësh nuk e di se çfarë do t’u thoni. Ata të gjithë do të jenë në shkollë dhe ju si gjithmonë do të jeni “ngelësit në klasë” të kësaj salle, sa kohë do të jem unë në këtë sallë.

 

* * *

Nuk e imagjinoja që në vend se të paktën të merrje kohë e të verifikoje rastin, u ngrite dhe the “kam frikë të flas për atë vajzën, se do e copëtosh”.

Kanti thotë se kur e akuzon dikë për diçka që nuk është fakt, kujdes se je në gjendje ta bësh vetë.

Nuk e prisja të ishe kaq e dobët në përgjigje përballë fakteve. Përsëri persiston dhe thua si ka mundësi që ata nuk hyjnë në universitet, ndërkohë që procesi nuk ka mbaruar dhe unë ta shpjegova me shumë dëshirë, në fakt, edhe pse me pasionin polemik, që raundi i parë ka mbaruar, sepse kjo është reforma jonë për të ndërtuar një sistem arsimor të meritës.

Dhe sistemi arsimor i meritës do të thotë që më të mirët kanë të drejtë të zgjedhin më të parët dhe ne kemi detyrë të mbrojnë çdonjërin prej tyre që të mos “ta hajë ujku” i korrupsionit, i tarafit, i partisë etj., siç i hante deri dje, në sistemin tuaj.

Mbas këtij raundi, ata në radhë të parë dhe sigurisht të gjithë të tjerët do të bëjnë ankimimet dhe të gjitha ankimimet do të trajtohen. Ky është sistemi ynë, përkundër sistemit juaj që, kur duhej të ankoheshe, duhet të gjeje derën e partisë apo të dekanit, për të dhënë lekë.

Pastaj, kur ata të lirojnë vendet, edhe vajza që tregove ti në fotografi, i ka të gjitha mundësitë që të hyjë në shkollë, nëse deri në fund të listës, do të jetë me një notë më të mirë, sesa ai tjetri që vjen pas.

E përsëris, ju sfidoj, sillni një rast. Deri tani, unë nuk e kam gjetur. Sistemi mund të ketë edhe gabime teknike, mund të ketë një rast, dy, tre, nuk po ju them 10, por po ju them një rast. Por ju krahasoni mollët me dardhat. Janë dy gjëra të ndryshme, nëse në fakultetin e farmacisë, ata që kanë hyrë, janë me të gjitha 10-ta, ju thoni që maturantja që aplikoi e ka 9.9-të. Nuk hyn dot, sepse të tjerët janë me të gjitha 10-ta, në ato kuota që nuk i përcakton as reforma, as qeveria, por universiteti. Dhe kuotat nuk janë më të ulëta, seç ishin kur ju e bëtë rrumpallë universitetin. Pa llogaritur ata me “part time”. Ju krijuat universitetin “part time”. Debaton dhe flet për ankthin e stresin e prindërve, një nga figurat kryesore të parisë që shpiku universitetin “part time”! Ju keni dhënë diploma të Edukimit Fizik, pa praninë fizike të personit, d.m.th. e keni matur sa vrapon, kërcen apo sa e mban frymën në ujë, pa e parë fare. Edhe gjatësinë ua çonin me letër. E kuptoni se çfarë sistemi kishit ndërtuar!

Unë rimora fjalën për t’ju thënë të gjithë prindërve e maturantëve të Shqipërisë, që në 10 ditë, gjithçka do të jetë e qartë dhe të gjithë do të kenë kuptuar se ky është një sistem i ri, nga i cili përfitohet sipas meritës. Por, njëkohësisht, mos i harroni këta, sepse janë këta që një moment ankthi e stresi të natyrshëm, që krijohet në këtë proces, jua shumëfishojnë me shpifje, me gënjeshtra, me abuzime dhe me shpërdorime si ky që bëri tani zonja e nderuar.

 

* * *

Zonja Topalli, unë e shpjegova, e rishpjegova dhe po e marr fjalën prapë, për të dëgjuar ata që duan të dëgjojnë. I qave hallin dikujt dhe prapë ia rrotullove thikën në plagë. The “me 9.4 në Arkeologji nuk fiton këtu, por fiton në Turqi.” Merre listën e atyre që kanë dalë fitues në Arkeologji dhe të siguroj që ky që e ka mesataren 9.4, e ka më të ulët se të gjithë ata që kanë fituar. Nuk e di sesa është lista, nuk e di sesa është kuota, por ta jap me garanci. Nëse ky maturant nuk ka fituar dhe dikush që e ka 9.39 ka fituar, atëherë ky është problem. Verifikoje, nëse i do të mirën.

Përsa i përket 300 mijë lekshit, prapë bën një abuzim të madh me një rast të denoncuar për arsimin profesional, që nuk ka lidhje me këtë sistem. Përpara se ta thoshit ju, e thashë unë. Jam shumë i vetëdijshëm, unë dhe ne të gjithë si qeveri, si koalicion, për luftën kundër korrupsionit. Ajo që po bëjmë është pikërisht që po ndërtojmë sisteme që nuk mund të korruptohen, sepse sistemet nuk korruptohen nga njerëzit. Nuk i korruptojnë dot njerëzit, sistemet, kur ato janë në rregull. Sistemi që ndërtuat ju korruptonte çdo njeri. Ndërsa ju kërkoj të gjeni një rast, ju tregoni përralla. Sistemi nuk e lejon një person me mesatare më të ulët, që të kapërcejë dikë me mesatare më të lartë.

Thatë “fiton në Turqi” dhe patjetër që fiton në Turqi dhe mund të fitojë edhe në vende të tjera, sepse ka plot të rinj që aplikojnë edhe në vende të tjera. Por ç’do të thotë që fiton në Turqi dhe nuk fiton në Shqipëri! Shqipëria ju duket vendi ku realizuat një epokë, ku çdo njeri merrte një diplomë. Ju ndërtuat sistemin “një frymor, një diplomë”. Ky ishte sistemi juaj.

Çdo njeri që flet gjuhën tonë amtare mund të marrë diplomë, mund të marri dhe aq diploma sa do. Këta janë nxënësit e Shqipërisë.

Vitin e ardhshëm e më vonë, ky sistem do të shkojë duke u forcuar, për të forcuar universitetin, për të forcuar nëpërmjet meritës, cilësinë.

Ju pretendoni se keni nxjerrë inxhinierë. Ju thoni “kemi pasur korrupsion, por kishim vullnet”. Çfarë vullneti kishit ju?! Për 18 universitetet që iu merrnit lekët njerëzve dhe nuk i jepnin një orë mësim! Mos rrotulloni thikën vazhdimisht në plagët e njerëzve, por mundohuni t’i kuptoni njëherë nga vijnë ato plagë dhe si shërohen.

Unë nuk mendoj se në 3 vite, ne do ta transformonim arsimin nga një fushë llumi, mediokriteti, parazitizmi, korrupsioni dhe një mungese të plotë të meritës, në një sistem kompetitiv me vendet e tjera të Europës. Është e sigurt që kjo reformë hedh bazat që Shqipëria të jetë kompetitive, në një hark kohor të arsyeshëm.

Nëse ka një problem arsimi sot, është problemi moral, i trashëguar prej shumë vitesh dhe nëse moralin e arsimit mendoni se do ta shëroni me imoralitetin e skajshëm të politikës tuaj, që vetëm abuzon duke shpifur, për t’i shpërdoruar, duke i përdorur dhimbjet e njerëzve, atëherë jemi shumë larg. Problemi themelor i atij morali për të cilin ju flisni gjithë ditën, jeni ju që e shpërndani përditë, me të gjithë mjetet e informacionit, këtë imoralitet të skajshëm me të vërtetën.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.