Prononcimi i Kryeministrit Edi Rama në dalje të Kuvendit, pas përfundimit të seancës:
Zoti Rama a jeni i kënaqur që Parlamenti votoi pjesën më të madhe të pikave të marrëveshjes që arritët me Zotin Basha?
Është folur për Vetting-un shumë, e kam përsëritur papushim. Kemi punuar dhe kemi luftuar shumë për t’ia dalë dhe dua t’ju them se e kam pritur shumë këtë moment, kur do dilja nga dera e Parlamentit dhe do t’ju thoja shqiptarëve që Vetting-u do të fillojë, që gjykatësit dhe prokurorët e korruptuar i kanë ditët e numëruara dhe që tanimë reforma në drejtësi nuk ndalet.
Është një moment, edhe personalisht shumë emocionues, sepse të bën të thuash me plot gojën se politika është vërtet një forcë për mirë kur përdoret për qëllime të mira dhe ato që bën politika në të mirë të njerëzve nuk i bën asgjë tjetër. Natyrisht, kur politika mendon për të mirën e njerëzve.
Si do të jetë dita juaj nesër, me gjysmën e kabinetit të opozitës?
Ju e keni dëgjuar që opozita është betuar se kurrë nuk do ta votonte Vetting-un dhe kurrë shumë gjëra të tjera dhe që opozita të votojë Vetting-un sot, bashkë me ne, me ‘çmimin’ që të ketë askes në qeveri me një grup ministrash që do jenë kujdestarë të etikës zgjedhore, kjo ishte më e pakta që unë do kisha bërë, për të bërë Vetting-un. Është një moment vërtetë fantastik në jetën time politike, pas të sotmes fillon beteja finale. Por me të njëjtin pasion, kokëfortësi që luftuam dhe fituam Vetting-un, do luftojmë dhe fitojmë për të rritur ekonominë, punësimin dhe për ta ulur Shqipërinë në tryezën e BE.
A ka vend për xhelozi, siç e tha doktor Berisha, përsa i përket marrëdhënies PS-PD?
Nuk dua të bëj komente, por sot mund të shihej më qartë ajo që unë kam thënë se Blushi është një version i dobët i Saliut. Nuk ia vlen të merremi me Blushin, ishte dita kur ai do të duhej t’i gëzohej seancës së fundit në Parlament.
Sa do e diktojë reforma në drejtësi fushatën tuaj, a do të përdoret ajo si një kartë elektorale? Meqenëse ju përmendët se do të punoni po kaq fortë për ekonominë, a mendoni se do të jeni fitues në zgjedhjet e 25 qershorit?
Ajo që unë nuk e kam diskutuar asnjëherë dhe që s’mund ta diskutoj as sot, jo sepse nuk mundem, por sepse nuk ka diskutim, është se PS është e para. Ne do bëjmë betejë shumë të fortë për të marrë 71 mandate, që të sigurojmë autonomi të plotë në timonin e reformave. Ndërkohë që gjëja që unë nuk e kam shpresuar është ajo që ka ndodhur, që para se të fitojë PS zgjedhjet, ka fituar Shqipëria falë Partisë Socialiste që ka treguar vendosmërinë për të mos u lëkundur në raport me Kushtetutën, ligjin, në raport me filozofinë e të bërit shtet, ku të gjithë duhet të jenë të barabartë dhe ku partitë duhet të sillen si qytetarë të mirë përpara ligjit dhe jo si padronë që mund të bëjnë çfarë të duan me ligjin, pra, zgjedhjet të bëhen brenda kornizës kushtetuese dhe ligjore. Akoma më e rëndësishme është që pas zgjedhjeve do të kemi një fitues dhe një jofitues dhe rezultati do të jetë i pakontestueshëm. Kjo është një gjë që shqiptarët e kanë ëndërruar më shumë, sa mund të kenë ëndërruar fitoren e partisë që votojnë.
Angazhimi i marrëveshjes është që garantimi i këtyre zgjedhjeve dhe bërja e përpjekjeve të përbashkëta që të minimizohen ato fenomene që na kanë stërmunduar në të shkuarën, por në fakt kanë stërmunduar Shqipërinë, sepse periudhat post-zgjedhore kanë qenë dramatike, është pjesë e angazhimit për të çelur negociatat me BE. Për herë të parë, qeveria dhe opozita do flasin para Brukselit me zë të unifikuar për të mbrojtur Shqipërinë. Kanë ndodhur gjëra fantastike në këto ditë dhe net dhe është prova që shumë shpesh, ne kemi qenë në gjendje të bëjmë gjëra të pamundura, gjëra tërësisht të mundura. Në këtë moment, ne kemi qenë në gjendje të bëjmë të mundur një gjë që dukej tërësisht e pamundur.
Sot është zhbllokuar Vetting-u dhe të mos harrojmë se i gjithë procesi i zbatimit të reformës nuk është një proces që bëhet thjesht dhe vetëm nga shqiptarët. Është një proces që e bëjnë shqiptarët, duke filluar nga përfaqësuesit e partive politike, duke vazhduar me ekspertët tërësisht të pavarur që do të zgjidhen, por e monitorojnë nga afër me mandat kushtetues, miqtë dhe partnerët ndërkombëtarë, një grup prokurorësh dhe gjykatësish amerikanë dhe europianë që do t’i rrinë në kokë Vetting-ut dhe të gjithë procesit.
Ju siguroj se shqiptarët do të shikojnë rezultatet e shumëpritura në shumë vite, jo vetëm për të marrë hak ndaj të gjitha padrejtësive të ndodhura në 25 vite, në kuptimin moral, por do të shikojnë dhe sesi, kur të hynë në dyert e gjykatave, duke filluar nga shtatori i ardhëm, do të ndihen shumë më tepër të respektuar dhe shumë më pak të shantazhuar nga ata që e mbajtën këtë popull peng në kthetrat e tyre plot 27 vite.