Fjala e Kryeministrit Edi Rama në seancë plenare në Kuvend:
Dëgjova parafolësen dhe është e pashmangshme të pyesësh veten se deri në ç’pikë, ju gjeni fuqinë t’i besoni atyre që thoni. Më duket sikur problemi juaj nuk është që recitoni në mënyrë robotike, një poemë të mjerimit që jua shkruan rapsodi, por që nuk keni asnjë gajle sesa qesharakë dukeni. Gënjeni, gënjeni dhe gënjeni!
Ne nuk presim që ju të lëvdoni asgjë, se kjo nuk është detyra juaj, por edhe që të baltosni absolutisht çdo gjë që ndodh, të merreni në mënyrën më të pabesueshme me çdo kompani, me çdo sipërmarrje e sipërmarrës që punon në këtë republikë, të ngrini akuzat më të habitshme për çdo projekt, çdo vendim, çdo nismë e ndërmarrje të qeverisë, jo vetëm që ju nxjerr jashtë çdo lloj kushti për t’ju marrë seriozisht, por edhe ju tregon në fakt, ashtu siç jeni, tërësisht të paaftë për të qënë alternativë, tërësisht të paaftë për të dhënë një ide, sado të përgjithshme, se për çfarë qëndroni ju, kush janë alternativat tuaja.
Nuk kishte sesi të ndodhtë ndryshe që edhe një, me demek, program të ri që nxori administratori i partisë, në fakt nuk ishte asgjë tjetër vetëm programi i qeverisë së shkuar, me një ndryshim të vetëm, që taksa e sheshte nga 10% do të bëhet 9% dhe se ata që fitojnë më pak, do të paguajnë edhe më shumë dhe ata që fitojnë më shumë, do të paguajnë edhe më pak.
Ndërkohë, i gjithë projeksioni i ndryshimit çon në dy konkluzione shumë të thjeshta, cilat, – ne mund t’jua u vëmë edhe në dispozicion, – janë nxjerrë jo nga ne, por nga organizmat financiarë me të cilat ne bashkëpunojmë; Do të thotë që ju doni ta çoni borxhin publik 91% në tre vjet dhe pretendoni ta rrisni ekonominë, as më shumë dhe as më pak, por 19%. Tipike e asaj që bëtë kur ishit në qeveri, tipike e asaj që bëtë kur drejtuat bashkinë e Tiranës, tipike e hendekut kolosal mes jush dhe realitetit.
Sa i përket Vlorës që ju përmendët, nuk e di se me çfarë kurajoje thoni që në këto 3 vite nuk është bërë asgjë në atë zonë. Faktikisht, në këto 3 vite, në atë zonë është bërë dhe po bëhet më shumë se në të gjitha vitet e qeverisë suaj, të marra sëbashku dhe përtej tyre. Ju e latë Vlorën një xhep fals, e çuat rrugën, – si të gjitha rrugët, në fakt, që i latë në mes të rrugës, – deri në mes te rrugës dhe për të hyrë në Vlorë, duhej hyrë fshehurazi, si nga mbrapa. Ndërsa ne e lidhëm Vlorën me rrugën kombëtare.
Ju e latë Vlorën tërësisht në mëshirë të fatit, pa asnjë mbështetje buxhetore në 8 vjet. Zero! Faktikisht në Vlorë, ne po bëjmë një investim të madh, që nga vija bregdetare deri tek aksesi dytësor që është strategjik për zhvillimin e mëtejshëm të turizmit dhe për të mos krijuar autokolona kilometrike në hyrje të atij tuneli, që e rindërtuat dhe nga një tunel që ishte më së miri i menduar, ndërtuat një tunel qesharak, të cilit në hyrje i vutë edhe flamurin e Shqipërisë sipër. I vetmi investim që keni bërë ju në Vlorë është ai tunel dhe është një vepër qesharake, nga të gjitha pikëpamjet.
Për të mos diskutuar për rrugën e lumit të Vlorës, që nuk e morët ndonjëherë në konsideratë, kur në fakt është një rrugë që sjell integrimin e një rajoni të tërë, jo thjesht nga një pikëpamje infrastrukturore, jo thjesht sepse i jep mundësi gjithë komuniteteve në atë territor për të pasur një akses më të shpejtë, por sepse çon në një fazë tjetër, një raport të domosdoshëm mes turizmit dhe zhvillimit rural në zonat turistike. Gjë që, për ju, as që ka qënë ndonjëherë në horizontin e shqetësimeve tuaja, sepse për ju, turizmi ishte vetëm gjej tokë, zaptoje dhe ndërto. Ndërtimi, thoshit ju, është bereqet, të mirat vijnë mbrapa dhe kështu shkatërruat jo pak.
Dëgjova deputeten parafolëse, po ashtu, të citoi raportin e Freedom House dhe tha “pikiatë”. Me çfarë kurajo e bën këtë gjë! Nuk e dini, apo vazhdoni atë këngën e mjerimit në mënyrë robotike? Po jua lexoj unë. Për vitin 2016, raporti i Freedom House për vendet e Ballkanit Perëndimor thotë e zeza mbi të bardhë, nuk është opinion dhe nuk është interpretim, është përkthim literal: Me përjashtim të Shqipërisë, rezultatet e të gjitha vendeve të rajonit, kandidatë dhe kandidate potencialë për në Bashkimin Europian janë në rënie, nuk kanë përmirësim, me përjashtim të Shqipërisë, si dhe kanë tregues shqetësues të nivelit të tyre të angazhimit me standardet e BE-së.
Këtë “me përjashtim të Shqipërisë” e lexoni që është edhe më keq? Në qoftë se e lexoni që është edhe më keq, e lexoni gabim dhe mund ta korrigjoni duke shkuar më poshtë, ku, faktikisht, në lidhje me standardet e qeverisjes demokratike, vendi ka bërë progres nga viti 2013 në vitin 2015. Në vitin 2013 vlerësohej me 4.5, në 2015 vlerësohet me 5. Ky është përkeqësim!?
Nuk po zgjatem me vlerësimet e tjera, por po ju bëj edhe një sqarim të fundit, mbi bazën e këtij raporti, që Shqipëria shënon pikë më pozitive se mesatarja e rajonit. Ne nuk kemi thënë ndonjëherë që jemi të dytët pas Gjermanisë, apo që do bëhemi të dytët pas Gjermanisë. Këtë e thoshit ju.
Dëgjova njërin nga ju që tha se është fundi i botës se po vijnë ambasadorët të takojnë grupin parlamentar. Në fakt, reforma në drejtësi është një projekt tërësisht i përbashkët i Shqipërisë, i Bashkimit Europian dhe i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në këtë pikë, Shqipëria nuk bën përjashtim nga asnjëri prej vendeve që i janë bashkuar familjes europiane. Përsa i përket reformimit të sistemit të drejtësisë, në vendet që i janë bashkuar familjes europiane, projekti ka qënë i përbashkët. Thellësisht i përbashkët.
Ardhja e ambasadorëve për të takuar grupet parlamentare, nuk e di nëse ka ndodhur në vendet e tjera, por, nëse ndodh në këtë vend, ndodh vetëm për takim me grupin tuaj, se me grupin e Partisë Socialiste dhe grupin e Lëvizjes Socialiste për Integrim, ata janë të mirëseardhur, por nuk kanë asgjë, as për të kërkuar, as për të sqaruar, as për të sheshuar. Koalicioni ynë, Partia Socialiste dhe Lëvizja Socialiste për Integrim janë shprehur shumë qartë dhe kanë qenë të gatshëm ta votojnë paketën e ndryshimeve kushtetuese, dje. Ju nuk keni qenë të gatshëm.
Se kur do të jeni ju të gatshëm, kjo është një çështje që unë nuk dua ta diskutoj tani, por një gjë është e sigurt, përfaqësuesit e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Europian do t’i bien unazë parlamentit, grup më grup, që të takohen me ju, se jeni ju që nuk jeni të gatshëm të votoni. Ne, dje kemi qenë të gatshëm të votojmë, por jeni ju që thoni “jemi gati, por ta shikojmë”. Ajo çfarë shikoni ju, e thatë vetë. Ju shikoni një ëndërr me shqiptarë që marrin armët, që t’ju mbrojnë juve nga reforma në drejtësi. Por historia e ka zakon, përsëritet dy herë, njëherë si tragjedi, një herë si komedi. Nëse herën e parë i shkaktuat shqiptarëve dhe Shqipërisë një tragjedi të madhe, duke i armatosur, këtë herë bëni vetëm një gjë, tregoni sesa qesharakë jeni, me në krye rapsodin tuaj që ju përgatit gjithë këngët, në fakt, të njëjtën këngë që vini dhe e këndoni këtu. Dhe më vjen shumë keq, kur kjo ndodh edhe me brezin më të ri, i cili, për fat të keq, duket i ri vetëm në pamje sesa në fjalë. Në fjalë jeni të gjithë njësoj, robotë rapsodikë të një partie që ka ikur për atje ku nuk thuhet.
Shumë faleminderit.
***
Është shumë e vështirë që të jesh robot dhe të dalësh nga teksti. Kur duhet të përballesh me dikë që të vë përballë një teksti tjetër, bie në lapsuse, siç ratë ju. Ju nuk folët fare për median, por për raportin e Freedom House dhe e cituat në radhën e disa raporteve. Në përgjigje, unë ju citova dhe me shumë kënaqësi po jua ricitoj, sepse ka një shprehje që thotë: “Të gabosh është njerëzore, të këmbëngulësh në gabim është djallëzore”. Ju këmbëngulët në gabim. Po jua ricitoj: Me përjashtim të Shqipërisë, rezultatet e të gjitha vendeve të rajonit, kandidatë apo kandidate potencialë për në Bashkimin Europian janë në rënie. Me përjashtim të Shqipërisë.
Ndërsa referencën që bëtë me vitin 2004, nuk e di nëse e mbani mend ju, por në vitin 2004 ka qenë një tjetër qeveri socialiste. Kështu që nuk ka ndonjë problem për ne, problemi është për ju. Ju nuk jeni as referencë fare.
Përsa i përket rritjes ekonomike, unë, kur diskutojmë ju, e kam vendosur të mos citoj burime të brendshme, as burime të qeverisë, as burime të INSTAT-it, por vetëm burime ndërkombëtare, sepse aty, besoj, është më e vështirë për ju që t’i përfshini në kornizën e dekriminalizimit. Megjithëse, edhe në këtë pikë, akoma nuk u keni thënë shqiptarëve se ku janë kriminelët këtu në parlament. E angazhuat këtë parlament në një histori pa fund, duke thënë se ka 19 kriminelë, ndërkohë, nga që nuk ju del asnjë, tani nuk dini si të interpretoni tekstin tuaj. Asnjë nuk do dali, se s’ka.
Ne pranuam që të bëjmë bashkë me ju, barbarinë më të madhe antikushtetuese në planet. Aq barbari antikushtetuese është, sa ramë dakord bashkë me ju, që mos ta çojmë në Gjykatën Kushtetuese, sepse e dimë shumë mirë që po ta çojmë në Gjykatën Kushtetuese, nuk ka Gjykatë Kushtetuese të globit që e pranon si kushtetues, ligjin e dekriminalizimit. Megjithatë e pranuam ne, bashkë me ju dhe e vetmja gjë e udhës që u bë në atë ligj është ajo që shtuam ne, sepse ju nuk e kishit, që të përfshijmë edhe ata që janë në administratë. Po të rrinim vetëm në nivelin e të zgjedhurve, vrima në ujë do të ishte aq e madhe, sa me siguri brezat, që për këtë ligj, të jeni të sigurt, do na tallin të gjithëve, do na tallnin edhe më shumë, sepse nuk do të nxirrte asnjë produkt.
Duke u rikthyer tek organizmat ndërkombëtare, do i lutesha deputetes t’i referohet Bankës Botërore lidhur me rritjen ekonomike. Në raportin e Bankës Botërore do të lexoni se çfarë e ka sjellë rritjen ekonomike, si ka ndodhur dhe pse Shqipëria projekton një rritje edhe më të madhe ekonomike këtë vit, 3.4%. Sepse po ndryshon ajo, për të cilën ne jemi zotuar dhe kemi luftuar që në ditën e parë, struktura e ekonomisë, po ndryshon modeli i zhvillimit. Modeli juaj ishte “ndërto ku të duash, se ndërtimi është bereqet”, – për ju, edhe në mes të lumit të ndërtoje, nuk kishte problem, të erdhi lumi mbrapa, ke qeverinë përpara, -dhe sigurisht remitancat.
Ne e thamë që kur nxorëm programin tonë se ky nuk është një model zhvillimi, por një model rrënimi. Ky nuk është një model që garanton një rritje të qëndrueshme, por një model që sjell rritje të paqëndrueshme. Një rritje për rritje, që është njësoj si ideologjia e qelizave të kancerit. Një model zhvillimi që na ka sjellë shkatërrimin e burimeve natyrore, të pakrahasueshëm me asgjë që i bënë të gjithë zjarrvënësit dhe pushtuesit këtij vendi, të marrë së bashku, në shekuj: shkatërrimin e plazheve, shkatërrimin e lumenjve, shkatërrimin e pyjeve, shkatërrimin e burimeve ujore, shkatërrimin e çdo gjëje. Shyqyr që shqiptarët ju çuan aty ku e keni vendin, në këtë krah të kësaj salle, se shkatërrimi do të kishte marrë përmasa edhe më të frikshme.
A është e mjaftueshme për të përballuar të gjithë padurimin e shqiptarëve, që me shumë të drejtë presin më shumë? Absolutisht jo! A është e mjaftueshme për të shëruar plagët e tmerrshme që i hapët ju ekonomisë kombëtare dhe ekonomisë familjare? Absolutisht jo! Por nuk ka asnjë rrugë tjetër për ta rilindur këtë vend, përveçse e vetmja rrugë e drejtë e punës dhe e përballimit të të gjitha dhimbjeve dhe sakrificave që kërkojnë reformat, të cilat ju nuk guxuat t’i bëni asnjëherë. E vetmja reformë madhore e sistemit fiskal në Shqipëri që ju bëtë, ishte reforma që bëtë në Partneritetin Publik, Privat me Suden dhe me shokët e saj.
E vetmja vepër me rëndësi që ndërtuat, e para, sot kërkon dhe mbi 100 milionë euro për t’u përfunduar, sepse si çdo rrugë, edhe Rrugën e Kombit e latë rrugëve; e dyta, ka hapur një gropë, edhe për shkak se e gjithë pjesa tjetër ishte një katrahurë e vërtetë, të cilën sot e gjithë ditën, ne duhet ta mbushim, apo jo? Nuk mund të mos e mbushim.
Nëse ne do të kishim pasur mundësinë edhe të më shumë se 600 milionë dollarëve që ua kthyem atyre që ishin në borxh prej jush, sigurisht do kishim bërë ende më shumë. Por edhe kjo nuk është më pak; T’i kthesh më shumë se 600 milionë dollarë të gjithë zinxhirit të shërbimeve dhe të prodhimit për llogari të qeverisë, është padyshim një vepër me rëndësi të madhe, për të vendosur një standard etik mes qeverisë dhe gjithë sektorëve, individëve apo kompanive.
Ju keni marrë përsipër të jeni partia e vetme, – në Europë pa diskutim, mbase keni ndonjë simotër në ndonjë vend nga ato të pazhvilluarit, – që sulmoni kompanitë, sulmoni sipërmarrësit. Nuk ndodh dhe nuk e gjen dot në asnjë anal, të asnjë historie, të asnjë partie europiane, jo sot, por që kur është krijuar, që stendën e konferencave të shtypit ta përdorë si foltore prokurorie kundër kompanive. Këtë ju e bëni! Vazhdojeni, por sa më shumë ecni në rrugën e “Poemës së Mjerimit”, që jua shkruan rapsodi juaj, aq më pak shanse keni që të merreni vesh, jo me ne, por me shqiptarët.
Ditën e hënë ejani të votoni reformën në drejtësi, që të paktën në këtë pikë të mos ju dalë fare boja, sepse është e rëndësishme, më shumë sesa për ne që jemi këtu, për ecurinë e përbashkët të vendit tonë dhe për integrimin tonë në Bashkimin Europian.
***
Kisha kohë që nuk rrija për të dëgjuar Saliun, se është e njëjta këngë, por sot qëndrova vetëm për një arsye, sepse kisha shumë interes të dëgjoja çfarë do thotë për reformën në drejtësi. Dëgjuat gjë?! Asnjë fjalë! Asnjë fjalë për reformën në drejtësi, ndërkohë që bëri një torolisje të gjatë, me një lumë fjalësh, me të cilin nuk ia vlen të merresh, përveçse për të vënë theksin në 2-3 gjëra që janë të rëndësishme për çka ne po bëjmë.
Mu duk sikur ishte anti Samiu që nuk thoshte: “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do bëhet”, por “Shqipëria ç’do bëhet, ç’është dhe ç’ka qenë”. “Ç’ka qenë” vinte përpara. I ka mbetur ora aty ku shqiptarët e morën me 1 milionë shuplaka dhe e nxorën nga zyra. Në fakt, ajo që nuk tha, por që është konkluzioni i gjithë panoramës së transformimeve epokale, është që populli shqiptar thjesht është budalla dhe nuk e kupton se çfarë ka humbur, duke nxjerrë nga zyra qeverinë e mëparshme.
Nuk duhet bërë gabimi që ta merrni seriozisht Saliun. Saliu nuk duhet çuar në prokurori, duhet çuar në Urgjencë. Sepse është në një fazë rrëshqitjeje të pandalshme. Arsyet janë nga më të ndryshmet, por nuk jemi ne që mund t’i gjejmë. Një rrëshqitje e pandalshme, e cila është në radhë të parë, problemi i partisë së tij, sepse për sa kohë ishte problemi i popullit, populli e zgjidhi në mënyrë perfekte, e çoi aty ku sot rri e këndon.
Çfarë është e rëndësishme në ato që u thanë?
E para, reforma në drejtësi është çka Saliu e ka absolutisht të vështirë ta përballojë me dinjitet dhe gjithë kjo torolisje e gjatë, gjithë alibitë, justifikimet, zvarritjet, tejzgjatjet, që vijnë gjithmonë vetëm nga njëra anë, nga partia e tij, janë shprehje kuptimplotë e faktit që – edhe sot u nënvizua- foli me heshtjen e tij. Asnjë fjalë për reformën në drejtësi.
Jo më larg se dje, Partia Socialiste, Lëvizja Socialiste për Integrim shprehën vullnetin të votojnë në parim draftin e dorëzuar përpara komisionit të posaçëm nga grupi i ekspertëve dhe të përkthyer nga Venecia, në anglishten euro-amerikane, jo me anglishten e SHQUP-it. Ne thamë jemi gati ta votojmë. Partia Demokratike kërkoi kohë, tha “të shikojmë!” E ka kërkuar kohën për ta votuar, apo vetëm për të gjetur alibinë e radhës, për të mos e votuar?
Reforma në drejtësi është zotimi i Aleancës për Shqipërinë Europiane. Nuk është zotim i Partisë Demokratike, e cila nuk e ka pasur prioritet as kur ishte në qeveri. Asnjë germë në programin qeverisës për mandatin ku shqiptarët na besuan ne. Këtyre ju duhet drejtësia në këtë katandi siç është. E nga ana tjetër vazhdojnë të flasin dhe të sjellin në mjedisin politik, lloj-lloj emra kriminelësh, lloj-lloj filmash. Ndërkohë që vazhdojnë të neglizhojnë një fakt të thjeshtë, që njerëzit e shohin dhe e kuptojnë që është Policia e Shtetit sot, protagonisti numër 1, siç i takon të jetë, në luftën me krimin, pasi u shkëput nga prehri i krimit, ku e gjetëm të ulur.
Dy fjalë për rrugët. Është tipike e diktatorëve afrikanë që të kenë “rrugë, rrugë, rrugë” në fillim, në mes dhe në fund të fjalimeve të tyre. Madje ishte njëri nga ato figurat atje që thoshte gjatë inaugurimit të një rruge: Tani që rruga u asfaltua, – kishte asfaltuar një rrugë ku kishte vrarë dhe qindra njerëz para se të bënte punimet, – do ta kemi më të lehtë të pastrojmë gjakun e tradhtarëve edhe kriminelëve.
Por si është e vërteta, e dokumentuar, jo e treguar.
Së pari, për të bërë një rrugë nuk duhet që kryeministri apo qeveria të kenë një fuqi të mbinatyrshme, nuk kërkohet një kreshnik që të zbresë e të ndërtojë rrugë. Kërkohen para, kërkohet një projekt, kërkohet një kontratë dhe kapacitet për të monitoruar kontratën. Nëse një qeveri, një shtet i ka këto të katërta, i bën rrugët pa asnjë problem dhe nuk ka nevojë për Mujin apo për Halilin.
Të bësh rrugë pa projekt, ose me projekte që janë faqja më e zezë, pa para, duke hapur në të katër anët tendera me 5 lekë, kur rruga kushton 1 milionë lekë, me kontrata që janë një faqe e zezë dhe me një kapacitet monitorues që është një faqe edhe më e zezë, duhet të kesh vetëm një kusht, të quhesh Sali Berisha. Po nuk u quajte Sali Berisha, nuk i hyn dot kësaj valleje, kushdo qofsh, kudo qofsh, në Europë, në Amerikë, në Australi. Por t’i hysh kësaj valleje, do të thotë të përgatisësh rënien në greminë të vendit dhe popullit tënd për një arsye shumë të thjeshtë, sepse thërret kompanitë për të investuar me para që nuk i ke, përfshihesh në kontrata që nuk të garantojnë asgjë në raport me kompanitë dhe kapacitete monitoruese zero.
Ky numëroi rrugë. Të gjithë deputetët e qarkut të Vlorës i dëgjuan. Çfarë numëroi ky dhe çfarë ka atje, janë dy botë që nuk kanë lidhje me njëra-tjetrën.
Kjo është lista e rrugëve të trashëguara. Është listë zyrtare që e ka Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore. 102 rrugë të hapura dhe të lëna rrugëve, bashkë me një faturë, jo për t’i përfunduar, por në radhë të parë, për të bërë që kompanitë të rifillojnë punë. Fatura 280 milionë dollarë. Pra, 102 rrugë, rrugëve dhe kompanitë e përfshira në këto ndërtime, të gjitha të bllokuara nga bankat dhe qeveria në borxh 280 milionë dollarë ndaj tyre, jo për të vazhduar, por për të paguar çka kishin bërë deri në atë moment.
Ky e thotë, e rimarrin disa të tjerë, e rrotullojnë ca të tjerë se nuk keni bërë një kilometër rrugë. E përsëris, të bësh rrugë, nuk është asgjë e jashtëzakonshme, duhen para, duhen projekte, duhet kontratë, duhet monitorimi i kontratës. Ja ku janë këtu, 44 rrugë të lëna rrugëve nga ky, për të cilat kemi paguar mbrapsht një më një, qindarkë për qindarkë, borxhet që ti i lë, për t’i hapur ato kantiere pa lekë.
Me Saliun e kemi me “ti” të dy [referimin], është marrëveshje mirëkuptimi, me ndryshimin që ai më thotë kryekriminel, unë thjesht e konsideroj në rrëshqitje të vazhdueshme.
Pra, për t’i hapur ato kantiere që të bëje vetëm këtë, të dilje rrugë më rrugë me foltoren, me atë këngën rrugë, rrugë, rrugë dhe t’ua lësh faturën të gjithëve nga pas; t’ia lësh faturën qeverisë që vjen pas, t’ia lësh faturën kompanive që i përfshin në këtë aventurë, t’ia lësh faturën popullit që duhet të shlyejë borxhet e kësaj aventure.
Pse erdhi në Shqipëri, me urgjencë, “zjarrfikësja” e Fondit Monetar Ndërkombëtar? Nuk e them unë, por e thonë ekonomistët e lartë të Bankës Botërore. Nëse qeveritë gjykohen përgjithësisht nga ajo që bëjnë, ekonomistët kanë edhe një gjykim tjetër të veçantë, i gjykojnë qeveritë nga ajo që qeveritë pengojnë, ndalojnë të ndodhë për keq. Ne, në fund të nëntorit 2013, nëse nuk do të kishim hyrë në atë marrëveshje, nuk do të paguanim dot rrogat e pensionet. Kjo është e vërteta. Kjo është gropa e mini superfuqisë, se ke shpikur edhe një term, mini superfuqi. O je mini, o je superfuqi! Ti hyn tek mini, nuk hyn tek superfuqia.
Por nuk mbaron këtu historia. Janë në vazhdim 58 rrugë. Kjo sepse duan para dhe paratë shkuan në radhë të parë, për të shlyer borxhet, 280 milionë dollarë. Nëse do t’i kishim 280 milionë dollarë të lira, do i kishim mbaruar të gjitha këto rrugë. Ju thoni ishin detyrim për punë të bërë. “Është detyrim për punë të bërë”, domethënë, t’u themi kompanive, atë që u thoshin këta, e keni detyrim ndaj atdheut, punoni me lekët tuaja. E në fakt punuan me lekët e tyre, derisa bankat jua mbyllën derën dhe jo vetëm rrugët nuk u ndërtuan, por i çuan edhe kompanitë drejt falimentit. Tani u tregojnë shqiptarëve jo rrugët, por listën e tenderave që kanë bërë me 1% të fondit, 3%, 5% të fondit në maksimum, një aventurë falimentare, që mund ta bëjë vetëm kush ka kurajën t’u thotë shqiptarëve çojini lekët tek Sudja, se janë djersa juaj, janë gjaku juaj dhe Sudja është rruga jonë, për ta bërë Shqipërinë si Zvicra. E njëjta histori, shtet piramidë!
Çfarë kemi bërë ne?
Ne kemi marrë përsipër të mos futemi në asnjë projekt, po të mos i kemi paratë. E kemi marrë përsipër dhe është pjesë e marrëveshjes me Fondin dhe sot, qeveria shqiptare nuk ka asnjë borxh ndaj kompanive dhe nuk punon me akumulim borxhesh, se është shumë e lehtë. Vijnë kompanitë na thonë, na lini ta mbarojmë me lekët tona, por është kollaj t’u themi vazhdoni me lekët tuaja, që të dalim ne në tribuna dhe të themi ja sa shpejt e bëmë edhe këtë, por kjo lloj politike, që është shprehja më adekuate e barbarisë fiskale, të sjell pastaj aty ku na solli.
Në total janë 102 rrugë, të gjitha të lëna rrugëve, nga të cilat ne kemi përfunduar 44 dhe janë në proces 58, por duke shlyer të gjitha borxhet.
Unë nuk hyj në garë me ty, Sali, se kush është rrugëve. Ti je rrugëve. Unë nuk pretendoj të jem rrugëve. Ti je njeriu i rrugëve, ti je kompetent për punët e rrugëve, ti i di të gjitha punët e rrugëve, kjo nuk diskutohet. Ndaj dhe sot je i pari dhe i fundit ish burrë shteti, ish kryeministër i vendit, po ta jap me garanci, në Europë, në Australi, në Amerikë, në Afrikë, që po ndërton mbretërinë e shpifjes virtuale. Ke hapur faqen tënde dhe të gjithë shpifësit i mbledh, ke gjetur edhe një emër për shpifësit, qytetari dixhital dhe o burra! Mbretëria jote po rritet. Ke krijuar një mbretëri në shpellën e shpifësve dhe shpella jote po zgjerohet, se ti dhe shpella ke një raport intim dhe unë e kuptoj. Por që të arrijë një ish kryeministër dhe të bëhet mikpritësi i të gjithë shpifësve, t’i ftojë të gjithë shpifësit dhe të gjithë shkruesit e lloj-lloj pocaqive ti drejtohen atij dhe të bëhesh edhe publikues, je thjesht, Sali, një tabelë emulacioni për shpifësit. Rri aty dhe afishon gjithë llojet e prurjeve të ujërave të zeza, por kjo është zgjedhja jote.
Ajo që unë jam i bindur që shqiptarët kuptojnë, ti dil këtu dhe thuajua atyre në Vlorë se rrugën e keni atje; Thuaju atyre në Gjirokastër se rruga është atje; Thuaju atyre në Delvinë, Tepelenë se rruga është atje; Thuaju atyre në Lumin e Vlorës e keni rrugën atje; Thuaje që TEC-i që ndërtove ti po prodhon energji. Thuaji të gjitha këto, sepse në këtë foltore flet me njerëz që kanë sy dhe që i prekin vetë, për t’i verifikuar të gjitha ato që tregon ti. Thuaju beratasve dhe gjithë njerëzve të zonës atje, që e ndërtove ti rrugën Lushnje-Berat; Thuaju atyre në Pogradec që ti e ndërtove rrugën; Thuaju atyre në Divjakë se ti ndërtove magjistralin; Thuaju që ti ke bërë investime të mëdha për bujqësinë. Fol në emër të Partisë Demokratike dhe thuaju se çfarë është Partia Demokratike, një forcë që beson se ndërtoi një mrekulli dhe se e u ndëshkua nga shqiptarët në mënyrën më të padrejtë. Vazhdo!
Ke lënë Shqipërinë rurale me kanale që nuk ishin pastruar 20 e kusur vite dhe ju thua ju bëra magjistralin. Fol për ujërat e zeza. Je kryeministri i vetëm që mund të krenohesh që në plazhin kryesor të vendit tënd mbijnë lloj-lloj fidanësh në rërë. Ke parë ndonjë plazh të kthehet në kopsht botanik, siç ti ktheve plazhin e Durrësit dhe dihet se nga e marrin ushqimin bimët poshtë rërës, ngaqë ke bërë ti, sistemin e kanalizimeve.
Thuaji këto të gjitha, je në rregull me vete tënde. Kështu qosh! Vetëm na thuaj një gjë, – Sali ngrejë pak kokën e më shih – këtë reformën në drejtësi do ta bëjmë apo jo, do ta votosh reformën në drejtësi, apo nuk të lë Shullazi; do ta votosh reformën në drejtësi, apo nuk të lë qytetari dixhital; do e votosh reformën në drejtësi, apo nuk të lënë ëndrrat që sheh me Shqipërinë mini superfuqi kur e qeverisje? Ti i di më shumë se ne se mbi çfarë drejtësie, mbi çfarë transparence, rregullash, ligjesh, barazie në tendera, në të drejtat e pronës e kështu me radhë u ngrit ajo mini superfuqi. Sali, do e votosh reformën në drejtësi? Përgjigju këtu!
Na duhesh i fortë, na duhesh këtu, që shqiptarët mos ta harrojnë kurrë se nga çfarë kanë shpëtuar.