Prezantohet modeli i ri i shërbimit ndaj qytetarëve në sportelet e shtetit shqiptar. ADISA, Qendra e ofrimit të Shërbimeve Publike të Integruara ka nisur menaxhimin e sporteleve të ZRPP Tiranë, sipas një modeli krejtësisht të ri, me standarde dhe procedura të përcaktuara qartë dhe me cilësi të lartë shërbimi. Në prezantim ishte i pranishëm Kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike, Milena Harito.
Menaxhimi i sporteleve të ZRRP Tiranë nga ADISA është një hap i rëndësishëm i reformës së Shërbimeve Publike, që qeveria shqiptare ka nisur prej mëse një viti përmes programit “Inovacioni kundër korrupsionit – Ngritja e një modeli shërbimesh me në qendër qytetarin”. Kjo reformë, e cila ka marrë tashmë edhe mbështetjen financiare të Bankës Botërore, synon të modernizojë Shërbimet Publike në vend, sipas parimeve të Kujdesit ndaj Klientit, që aplikojnë kompanitë më të mëdha në vend.
Thelbi i reformës është ndarja e sporteleve ku ofrohet shërbimi nga institucionet që prodhojnë shërbimin. Të gjitha sportelet e institucioneve shtetërore tashmë do të menazhohen nga ADISA. Ky standard do të arrihet përmes thjeshtimit dhe standardizimit të procedurave administrative, dixhitalizimit të shërbimeve dhe ngritjes së sistemeve teknologjisë së informacionit, zgjerimit të hapësirave për marrjen e informacionit të shpejtë dhe të saktë për shërbimet nga qytetarët dhe ngritjes së mekanizmave për mbledhjen e mendimeve dhe vlerësimeve të qytetarëve për shërbimet, për të siguruar përmirësimin në vazhdimësi të tyre.
Duke e konsideruar një reformë që transformon rrënjësisht modelin e shërbimeve që ofron shteti ndaj qytetarit, Kryeministri Rama veçoi disa nga aspektet themelore të reformës:
“Kjo reformë ka dy aspekte. Atë të dukshmin dhe atë të padukshmin. Ai i dukshmi është kjo që shihet sot. Një strukturë shërbimi e standardeve europiane.
Aspekti i padukshëm është ai pas këtyre mureve, ku vazhdon intensivisht puna për të pastruar të gjitha kanalet e komunikimit dhe për të transformuar të gjithë bazën e të dhënave, në një bazë të integruar, të qëndrueshme e të besueshme dixhitale.
Pjesë e kësaj reforme janë 9 ministri dhe 20 institucione varësie që ndërveprojnë me njëri-tjetrit, për ta transformuar të gjithë strukturën sporteleve të shtetit shqiptar, për ta transformuar shërbimin që jep shteti shqiptar, në një shërbim të integruar, me standarde, me kritere e me rregulla të unifikuara. Pra, nuk ka rëndësi nëse ti je në sportelin e hipotekës apo të ISKSH-së, apo në një sportel tjetër.
Një nga parimet bazë të kësaj reforme është që të arrijmë sa më shpejt në ditën që qytetarit të mos i kërkohet më të dorëzojë dokumente që i lëshon vetë shteti për marrjen e shërbimit. Pra, ka qytetarë që për nevoja të caktuara, kanë nevojë për një dokument, për të marrë të cilin, duhet të shkojnë deri në 21 pika të tjera, që të marrë 21 dokumente të tjera dhe të vijnë pastaj dhe të marrin dokumentin që kërkojnë. Ne duam ta zhbëjmë këtë praktikë nga rrënjët. Duam që të arrijmë, dhe do të arrijmë në një kohë të arsyeshme, në momentin që çdo shkresë që qytetarit i duhet e që e lëshon shteti, shteti ta bëjë gati për qytetarin, ta ketë detyrim. E njëjta gjë për sipërmarrjen. Kjo do të thotë kursim i miliarda orëve që shqiptarët konsumojnë prej 20 e kusur vitesh, derë më derë, e shteg më shteg e sportel më sportel.
Ne kemi bërë një transformim rrënjësor të shërbimeve online. Portali i shërbimeve të shtetit e-albania, ka sot 167 shërbime nga 12 që kishte dy vite më parë. Qendra për ofrimin e integruar të shërbimeve publike ADISA, do të menaxhojë 128 zyra dhe 177 shërbime.”
Ministria Harito u shpreh se reforma që nis nga ZRPP e Tiranës dhe do të shtrihet në të gjithë sportelet e vendit do të krijojë një kulturw të re në shërbimin ndaj qytetarëve.
“Reforma nuk është një shpikje që e kemi bërë ne. Reforma është një adaptim i praktikave më të mira ndërkombëtare, por edhe praktikave më të mira të sektorit privat. Kemi krijuar një agjenci që quhet ADISA, agjencia e shërbimeve publike të kujdesit ndaj qytetarit, e cila po zbaton në sportelet e shtetit shqiptar, duke filluar që këtu në ZRPP e Tiranës, këto standarde. Për herë të parë janë përcaktuar procedura të qarta, standarde të qarta, formularë shumë dinjitozë që informojnë në mënyrë precize qytetarët mbi të drejtat, mbi afatet, mbi kohën kur ata do të marrin përgjigje dhe në këtë mënyrë sigurisht krijojnë të gjithë infrastrukturën e duhur që qytetarët të marrin shërbimin në kohë, krijojnë kulturën e shërbimit ndaj qytetarit. Kjo reformë do të shtrihet në gjithë territorin dhe është rasti për të përgëzuar këtë agjenci, e cila brenda 10 muajsh ka ngritur kapacitetet, ka adaptuar gjithë këto metoda të reja, sigurisht edhe me ndihmën e partnerëve tanë ndërkombëtarë.”