U prezantua sot paketa e re e masave ligjore, në kuadër të thellimit të reformës për mbrojtjen e pronës dhe të territorit, në një takim me përfaqësues të institucioneve dhe të grupeve të interesit, me pjesëmarrjen e Kryeministrit Rama, Ministrit të Drejtësisë Ulsi Manja, dhe drejtueseve të dy agjencive, përkatësisht Agjencisë së Zhvillimit të Territorit dhe Agjencisë Kombëtare të Planifikimit të Territorit.
Paketa në tërësi synon mbrojtjen e tokës, të territorit, të natyrës dhe të mjedisit nëpërmjet masave me karakter administrativ dhe masave me karakter penal.
Kryeministri Rama e vlerësoi paketën si një mundësi për krijimin e instrumenteve të reja për mbrojtjen e territorit, të cilat janë vijim i natyrshëm i betejës për çlirimin e hapësirave publike nga ndërtimet pa leje. “Kthesa e re që ne kemi marrë në rrugën e gjatë të vendosjes së rendit ligjor mbi territorin për çlirimin e hapësirave publike nuk do të mbarojë pa mbaruar njëherë e mirë, jo thjeshtë ato ngrehina që janë instrumente të zaptimit, por vetë fenomeni.” – u shpreh Kryeministri.
* * *
“Mirëdita! E organizojmë këtë takim me përfaqësues nga institucionet dhe nga grupet e interesit lidhur me një thellim të reformës për mbrojtjen e territorit përmes një paketë të re ndërhyrjesh ligjore të cilat do të jenë në tryezën e qeverise së re si një ndër vendimet më të para. Pa u zgjatur unë paraprakisht dua që t’i jap fjalën drejtores së Agjencisë Kombëtare të Planifikimit të Territorit Adelina Grecës, pastaj drejtores së Agjencisë të Zhvillimit të Territorit. Më pas ministrit të Drejtësisë i cili do bëjë një paraqitje përmbledhur të të gjitha masave të parashikuara por dua t’ju bëj me dije se për këtë pakete të re ligjore që do të prezantojmë është punuar shumë intensitet nga një grup i gjerë ekspertesh, juristësh dhe me ndihmën e disa deputetëve që kanë pasur një aktivitet të lidhur me komisionin e ligjeve.
Dua t’i falënderoj të gjithë ata që kanë marrë pjesë në këtë punë që është zhvilluar faktikisht pa ndalim gjatë gjithë periudhës së verës. Besoj shumë që duke bërë parantezën që pa diskutim siç nuk ka asgjë të përkryer, as kjo paketë nuk është e përkryer, por është një tërësi masash që do të na japin mundësinë të kemi në dorë instrumente të reja për të mbrojtur territorin duke filluar nga suksesi përfundimtar i një ofensive që do të zgjasë aq sa të jetë e nevojshme mbase gjatë gjithë mandatit të ri për ndalimin pa kthim të çdo frymëzimi për të ndërtuar pa leje. Dhe duke vazhduar me një sërë aspektesh të tjera deri tek mbrojtja e autorësisë së projekteve arkitektonike, të cilat gjatë gjithë kësaj periudhe kohe, qysh se në Shqipëri ka filluar të ndërtohet nga sipërmarrja e lirë, janë deformuar dhe nganjëherë “përdhunuar” në formën e tyre nga ndërhyja e ndërtuesve, gjë që sigurisht i kthen në praktikisht thuajse formale vendimmarrjen që bëjnë njësitë përkatëse të qeverise vendore, filtrat që vendosen për të garantuar që në procesin e vendimmarrjes, projekti plotëson standardet dhe një tjetër pasoje e konsiderueshme mashtrimi që iu bëhet blerësit duke iu shitur objektin që ka marrë leje me pamjen e lejes së marrë, ndërkohë që në fund fare ai objekt është si një kushëri shumë i largët i cili sapo ka dalë nga berberi i qethur dhe i rruar totalisht dhe me trupin gjithë vraga nga shkelmat dhe nga grushtet. Parafytyroheni një kushëri të largët që ju vjen këtë forme tek dera e shtëpisë, ja kështu janë dhe projektet që deformohen.
Megjithatë le ta fillojmë me prezantimin dhe pastaj do ta rimarr fjalën në fund.
* * *
Pas prezantimit të Paketës nga Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja, Kryeministri Rama rimori fjalën:
Mirë faleminderit, ministër. Faleminderit dhe drejtoreve. Do mundohem të bëj një përmbledhje pa u zgjatur, duke filluar me një kundërshti me çfarë u paraqit sepse kjo është puna e grupit të punës, por në këtë rast, është opinioni im që dënimet për zjarrvënësit, duhet të jenë shumë më të rënda se sa për ndërtuesit pa leje. Nuk mund të dënohet vendosja e një zjarri si në Gramsh, 3 deri 8 vjet dhe një ndërtim i paligjshëm në një zonë pylli, pra të mbrojtur, 5 deri në 10 vjet. Ndërtimin e paligjshëm një ditë mund ta prishësh, ndërsa rigjenerimin e pyjeve duhen vite e vite të tëra për ta bërë, kështu që besoj se duhet riparë dhe kam bindjen që zjarrvënësit duhet të trajtohen si vrasës dhe zjarrvënia e qëllimshme duhet të ndëshkohet njësoj si vrasja.
Në kushtet kur trashëgimia e shumë brezave, shkrihet brenda 2 apo 3 netësh dhe jetët e njerëzve vihen në rrezik, ndërkohë që bashkë me pyllin ikën dhe shtëpia. Kjo është tamam vrasje me paramendim.
Tani dua të theksoj së pari, që kthesa e re, që ne kemi marrë në rrugën e gjatë të vendosjes së rendit ligjor mbi territorin për çlirimin e hapësirave publike, nuk do të mbarojë pa mbaruar një herë e mirë, jo thjesht ato ngrehina që janë instrumente të zaptimit, por vetë fenomeni. E di që ka shumë njerëz që shpresojnë që kjo do të jetë si makthi i një nate vere por nuk do të jetë kështu, kjo do të vazhdojë pa u ndalur me këmbëngulje, sepse nuk ka Shqipëri 2030 në BE me ndërtime pa leje që arrijnë deri në pikën sa bllokojnë komunitete banorësh për të hyrë e për të dalë dhe hyjnë e dalin fëmijët, hyjnë e dalin prindërit, hyjnë e dalin gjyshërit e gjyshet nëpër lokale, që të kalojnë nga apartamenti tek rruga.
Nga ana tjetër, sigurisht që ne jemi shumë të qartë për faktin që jemi një vend mesdhetar, jemi një vend turistik dhe pa diskutim, do duhet të kemi tavolina dhe karrige edhe jashtë, por të gjitha me një sistem në bazën e një rregulloreje të përgjithshme, që siç tha ministri, është përgatitur dhe për çdo karrige që do vendoset jashtë, do kontribuohet me një pemë. Natyrisht për atë metër katror ku vendoset karrigia një herë e mirë, jo sa herë të nxjerrësh karrigen të mbjellësh një pemë. Kjo do ishte kryevepër, por nuk e kërkojmë dot.
Nga ana tjetër, pa diskutim që përveç rregullores, do të krijojmë edhe kushtet për të asistuar subjektet që do të duan të vendosin gjithmonë me leje dhe me norma dhe me kritere të qarta edhe strehë apo tendë apo çfarëdo qoftë, po nuk bën vaki më me platforma, e me hapje të platformave deri te rruga.
E dyta është ajo që u tha këtu për paligjshmërinë e ndërtimit të ligjshëm, që është një tjetër fenomen që ne do të bëjmë gjithçka që ta ndalim një herë e mirë. Ka përmirësim të ndjeshëm, por ne nuk na intereson përmirësimi. Mua personalisht nuk më intereson asnjë përmirësim në asnjë sektor. Më intereson vetëm çfarë nuk shkon dhe duke folur për çfarë nuk shkon, ne do të bëjmë të gjitha këto ndryshime duke i ngarkuar me përgjegjësi të gjithë njerëzit që janë hallkat e zinxhirit të ndërtimeve; nga arkitekti, tek supervizori dhe tek inspektorët përkatës sepse në një ndërtim ku projekti i miratuar transformohet, deformohet dhe shpërfytyrohet duke u kthyer nga një ndërtim me leje në një ndërtim abuziv, të gjithë janë pjesë e një zinxhiri fajësie, në qendër të të cilit pa diskutim, është ndërtuesi. Dhe për këtë arsye, ndërtuesit që do të zihen në këtë faj, do të hyjnë në listën e zezë dhe nuk do të mund ta marrim me asnjë leje ndërtuese dhe nuk do të mund të zhvillojnë më asnjë aktivitet ndërtimor për një numër vitesh që unë mendoj se duhet të jetë më i madh sesa numri i viteve që propozoi grupi i punës.
Nga ana tjetër, ne nuk mund të vazhdojmë të shohim se si disa ndërtues mashtrojnë qytetarët, të cilëve natyrisht, ne mund t’u themi që në një sistem si ky që kemi zgjedhur, marrëdhëniet kontraktuale janë marrëdhënie mesa palëve, nuk janë marrëdhënie ky qeveria mund të ndërhyjë dhe përsa kohë keni bërë kontratë me njëri-tjetrin, përsa kohë keni paguar duke parë piktura dhe keni marrë përsipër përgjegjësinë, ne nuk kemi ça të bëjmë. Po kjo nuk është zgjidhja sepse në fund fare, qytetarët kanë paguar dhe rrinë jashtë se ndodh siç ndodhte në atë pallatin ku shkuam bashkë me ministrin, që nuk i lënë as të futen brenda, ose faktikisht nuk marrin dot shtëpinë më, se arrihet deri në absurdin që një apartament shitet dy herë dhe për këtë arsye, masa do të jetë shumë e rëndë për ata që bëjnë diçka të tillë dhe përveç listës së zezë, do të jetë imediat konfiskimi i objektit. Pra nuk do ta administrojë më ai që e ka ndërtuar, do ta administrojë menjëherë shteti dhe do t’ua vërë në dispozicion atyre që kanë paguar për ta blerë, por nga ana tjetër, është jashtëzakonisht e rëndësishme që të bllokohet zinxhiri sepse ndërtuesit nuk operojnë në vetmi.
Ndërtuesit operojnë në bashkëpunim me arkitektët , të cilët nën stresin, presionin, nuk e di se çfarë, të ndërtuesve, pranojnë deformimet dhe nuk njoftojnë autoritetin përkatës shtetëror siç ndodh në gjithë botën. Ky mos njoftim do të konsiderohet vepër penale. Do të konsiderohet pjesëmarrje në një vepër penale dhe natyrisht që arkitekti do humbë gjithçka, sepse nëse një arkitekt e pranon deformimin e projektit dhe nuk ka as krenarinë dhe as karakterin që të thotë ‘’stop, se unë shkoj dhe denoncoj nëse ti lëviz jo 3000 metra katrorë, por lëviz 1 metër katror nga projekti im’’, kjo është në një anë fatkeqësia e tij, por ama nga ana tjetër nuk është një pikturë që ti pranon të vijë dikush dhe të fusë duart se në fund të ditës mbetet një pikturë, por është një pasuri të cilën e kanë blerë të tjerët dhe këtu nuk është çështje as thjeshtë dhe vetëm pasojash imediate, këtu është çështje pasojash me gjenerata sepse ne nuk mund t’i lëmë gjeneratave që vijnë godina të deformuara nga shija vulgare e atyre që numërojnë vetëm metrat katror që kanë më shumë vetura se çorape, nuk mundemi dot.
Në fund të ditës njerëzit nuk vishen thjeshtë se mbarohen nga i ftohti, njeriu përpiqet të vishet sa më me shijë. Si mund ti veshim godinave të qytetit si zhele, si mundet që fasadat të projektuara nga arkitektët apo dhe nga arkitektë ndërkombëtarë të merren dhe të transformohen në fasada të bëra shkel e shko nga ndërtues që jam i bindur, nuk dallojnë më shumë se 4 ngjyra. Është e pa tolerueshme!
Kështu që në çdo fazë të projektit kjo nuk duhet të lejohet, por një element tjetër që unë dua ta theksoj është që nuk do të lidhet më drita dhe ujë nëse objekti nuk do të marrë certifikatën e përdorimit, nuk do këtë më pallat që vazhdon ndërtohet nga një anë dhe nga ana tjetër futen njerëzit në apartament dhe pastaj pasi i fusin njerëzit në apartament e bëjnë si “Hamasi”, i marrin ata peng dhe ikin duke e bërë të pamundur që pallati të konfiskohet apo çfarëdo qoftë sepse njerëzit janë brenda, kjo nuk do të lejohet më. Përkundrazi deri në ditën që do të merret certifikata e përdorimit s’do ketë as ujë e as drita, ashtu sikundër edhe më aspektin e lokaleve që operojnë në situata pa leje, ne do të rishikojmë këtë komponentët sepse ti operon në situatë pa leje, ndërkohë unë kam paguar taksat, unë paguaj dritat, unë paguaj ujin. Natyrisht në këtë rast nuk është përgjegjësia e tyre, është përgjegjësia e shteti që: Jo! Ti nuk mund të zësh hapësirën publike dhe unë të të jap ujë, të të jap drita edhe ti më paguan me demek edhe taksat, që duke qenë biznes i vogël në fakt nuk paguan taksa, por paguan thjeshtë dhe vetëm sigurime shoqërore dhe shëndetësore, edhe ato gjysma-gjysma. Jo!
Duhet në këtë fazë ku jemi dhe në vitet që kemi për të hyrë në familjen e Bashkuar Europiane të ndajmë mirë se çfarë është e publikut, çfarë është e individit, çfarë është e komunitetit, çfarë është e tregtarit, çfarë është e brezave që vijnë dhe brezave që sot punojnë. Këto duhen ndarë, sepse ndryshe nuk shkojmë larg dhe natyrisht ne e kemi bërë këtë vend, një vend shumë më të jetueshëm me shumë më tepër rregull, por për ta bërë Europën e Ballkanit duhet të hedhim një hap shumë të rëndësishëm përpara. Për këtë arsye edhe duke adresuar një pyetje shumë thjeshtë që njerëzit bëjnë, megjithëse unë nuk jam dakord fare me atë pjesë njerëzish që thonë: “Pse i la shteti? Tani duhet të vazhdojnë këta”, jo, nuk ka. Shkelja është shkelje në çdo kohë, vepra penale është vepër penale në çdo kohë, nuk ka pse i la shteti. Domethënë, pse polici nuk e pa kur ai e vrau? Ai tani nuk duhet kapur, se kështu i bie. Nuk jam dakord me këtë pjesë, por nga ana tjetër jam shumë dakord me njerëz që thonë: Po mirë mo, dakord nuk jam dakord me këtë pjesë, po ata tjerët që i panë, ku janë, që i lanë, ku janë, dhe nuk bëhet këtu fjalë për ndërtesa që mund të jenë në fund të botës, bëhet fjalë për ndërtesa që janë kudo. Ata të tjerët që i panë dhe që i lanë siç tha ministri, do të jenë pjesë e një zinxhiri përgjegjësish të ndara dhe çdo zonë do të ketë përgjegjësi të drejtpërdrejtë mbi inspektorët përkatës dhe për çdo ndërtim me leje do të ketë inspektor përkatës dhe të gjitha ato paçavuret që janë për t’u çuar nëpër shkolla riedukimi, për t’iu thënë njerëzve: Shiko çfarë të bën analfabetizmi të ca inspektorëve në Vlorë atje, që certifikojnë çdo lloj shkelje të mundshme, nuk do të jenë më të mundura, sepse do të dënohet inspektori drejtpërdrejtë dhe të gjitha raportimet nuk do të jenë më raportime mes injorantësh, por do të jenë raportime online që do t’i shohin të gjithë.
Unë besoj që këto janë masa të cilat kanë ardhur nga një domosdoshmëri e madhe për të bërë dhe hopin e madh dhe të fundit në lënien pas të këtyre fenomeneve dhe çdo zyrtar i shtetit, çdo punonjës i shtetit që do të gjendet në kushtet që shfrytëzon një ndërtim pa leje, familja e tij për qëllim fitimi, do penalizohet. Nuk mund të jesh punonjës i shtetit të paguhesh nga taksat e shqiptarëve dhe të kesh një ndërtim pa leje kioskë atje dhe me demek familja, kjo është e pamundur. Shko te kioska atje, por mos puno në shtet, s’punon dot në shtet.
Zaptimi dhe këtu e mbylla, i hapësirës publike lidhet edhe me një keqkuptim shumë të madh të një numri të madh njerëzish edhe në administratë dhe për këtë kemi pas diskutime shumë të forta edhe gjatë kësaj vere.
Hapësira publike nuk është domosdoshmërish një hapësirë që është pronë shtet. Hapësira publike është një hapësirë që mund të jetë pronë private përsa kohë është një pronë private e pazhvilluar, në çdo Kushtetutë të botës, ajo është një pronë e cila mirëmbahet nga shteti, si hapësirë publike. Nuk mundet dot ti të thuash që: Unë kam një shesh mes pallateve në mes të Tiranës, është toka ime dhe unë do vë traun dhe unë do t’i marr njerëzve para se fusin makinën aty, apo më keq akoma: Unë jetoj në kat të parë, kam tokën time përpara, e rrethoj tokën e pallatit, e rrethoj e ris pula, dele, lopë dhe këto janë realitete, nuk është se po flasim në mënyrë hipotetike, me lopë, mjelin lopë në kat të parë. Është e imja, thotë. Jo, nuk është e jotja. Nuk është e jotja, pavarësisht se ti mund të kesh një certifikate prone aty, ti nuk mban dot lopën aty, nuk rrethon dot asgjë aty, sepse aty është hapësirë publike e përbashkët deri në ditën kur bashkia do thotë “do bëjmë një fermë këtu” dhe këtij zotërisë do ti japim mundësinë të rrisë lopë që prodhojnë qumësht ditën dhe mjaltë natën, inovacion. Por po nuk disponove leje, ti nuk bën dot asgjë. Këtu flasim për ata që kanë marrë prona në mënyra të paimagjinueshme por gjithsesi i kanë marrë nëpër territore ku jetojnë qindra e mijëra njerëz dhe i bëjnë karshillëk komunitetit duke i parë nga poshtë dhe ata të tjerët rrinë lartë sikur jetojnë mbi kopsht zoologjik.
Ndërsa për pallatet e reja, as nuk bëhet fjalë fare. Në momentin kur ti kë bërë një marrëveshje shfrytëzimi të pronës dhe kur ti si pronar ke thënë “unë bashkohem me ndërtuesin dhe unë marr kaq, ky merr kaq nga kjo pronë”, çfarë të takon ty është çfarë merr nga ndërtimi, çdo gjë tjetër është e të gjithëve. Sepse njësoj siç funksionon për tarracën, funksionon rreth e rrotull. Të gjithë ata që hyjnë në atë pallat e kanë të përbashkët hapësirën. Se kanë fëmijë, kanë të moshuar. Është logjika më elementare e qytetit. E qytetit që kur ka lind qyteti dhe që kur janë vënë rregullat për qytetin në këtë planet. Nuk mundet ne të vazhdojmë ta pranojmë këtë logjikë. “Është prona ime, kam ndërtuar një biznes, mbaj frymën time, po vdes përndryshe”. Nuk funksionojnë fare këto.
Dhe histori tjetër është ajo pastaj e ndryshimit të destinacionit. Njerëzit paguajnë për të blerë apartament dhe paguajnë jo pak dhe kur blejnë një apartament dëgjojnë nga ndërtuesit gjithfarë lloj përrallash dhe iu shkojnë me ato fasadat që miratojmë ne me shume mundim, me pemë, me gjelbërim, duken ato si kopshtet e Babilonit se atë blejnë njerëzit. Ka një ndërtues këtu në Tiranë që ka marrë një leje me një fasadë që ishte e gjitha e gjelbër, këmbë peme nuk ka aty por s’ka për të marrë më kurrë leje nëqoftese nuk do mbjellë një për një pemët për të cilat ka marrë lejen sepse dhe njerëzit që kanë hyrë aty kanë paguar dhe pemët. Dhe mirë pemët, thotë këto janë apartamentet. Ti shkon blen apartament dhe shpreson që të bjerë një komshi i mirë apo jo, kur ty të vije përballë një axhustator dhe hap një axhustari dhe axhusteria pastaj është si të bjerë dita. Ditën kur vjen të axhustohet një metal ti ke turjelën në tru, ditën kur sharrohet një dërrasë ti ke sharrën në tru. Dhe mezi pret ditën kur ngjitet ndonjë gomë biçikletë që ti nuk kupton gjë. Po jetohet kështu?
Kështu që, besoj se të gjitha këto adresime janë të duhurat, nuk është e përkryer, mund të ketë dhe gjera të tjera, është një nen magjik që është përdorur masivisht në mënyrë abuzive nga njësitë vendore. Neni 6 a 7, më është bere si neni 55 i agjitacionit dhe propagandës. Ishte i vetmi nen që dinim ne atëherë, nuk dinim ne nene fare. “Do të kapë 55-a, do të kapë 55-a” thoshin kur flisje shumë. Është 6 dhe 7, por ajo shtata është e tmerrshme se është dhe gjashta. Ajo shtata është e tmerrshme. Leje për punë përgatitore. Kam lejen thotë ai. E ka zënë gjithë lagjen me tenda dhe del ajo 7, “leja për unë përgatitore”, dhe shyqyr doli dhe kreativiteti vlonjat në Lungomare. U bë Lungomare, doli pergolata prej hekuri. Se njeriu kur dëgjon pergolatë thotë po shkoj se do rri nën hardhi dhe ishalla shoh dhe ndonjë rrush që ta bëj dhe më poetike kafene. Atje është hekurishte dynjaja, pergolatë. Leje për punime përgatitore me destinacion Pergolatën dhe u mbush Shqipëria me pergolata hekuri dhe pemët i fusin brenda në lokal ndërkohë që njerëzit nuk dinë nga të kalojnë. Ndërkohe që na detyrojnë të gjithëve të ecim si në kohën e luftës me zakonet prapanike burri para, gruaja mbrapa, çuni i parë mbrapa mamasë, goca e dytë mbrapa çunit të parë, çuni i vogël në fund fare rresht për një të gjithë se s’ka trotuar.
Edhe ndërkohë ti ke rreshtin tënd, tjetri ka rreshtin e vet dhe hajde merre vesh si bëhet qarkullimi i këmbësorëve në këtë qytet se flasim për qarkullimin e makinave. Këtu problemi më i madh është qarkullimi i këmbësorëve. Më çonte njeri një video “shiko mor shef sa bukur i kam, si po mi heqin mua këto”. Sesi mund të vendoseshin karrige poshtë pemës që është në rrugë, nuk e di. Trotuari i zënë këtej dhe poshtë pemës që është të rruga që vijnë me makina aty, të gjithë me karrige. Që ti të jesh duke pirë kafe, ai të vijë të parkojë makinën, të hapë derën dhe ti të hash goditjen me dere dhe të shkosh t’i biesh me kokë dikujt tjetër që është në anën tjetër me shpresën që aty ndërkohë nuk është duke kaluar rreshti që ti të vrasësh ndonjë fëmijë të vogël. Jeta urbane e kryeqytetit.
I përsëris këto sepse në këtë pikë duhet të gjithë së bashku të mendojmë si njerëz që jetojmë në këtë qytet, që rrisim fëmijë në këtë qytet dhe që kemi përgjegjësi. ia them këtë arkitektëve, kemi disa arkitektë të rinj këtu, ja them këtë arkitektëve bëhuni burra se ju arkitektët burra jeni më pak trima se arkitektet. Bëhuni burra dhe vihuni kufirin te thana këtyre ndërtuesve “jo, ti nuk lëviz nga projekti im. Ky është projekti im dhe pikë”. Dhe sa ta mësojnë, nuk do ta kërkojnë më. Se këtu u bë diçka e pabesueshme. Vjen Kengo Kuma qe e kërkon gjithë bota dhe vetëm këtu i del jashtë kontrollit projekti se arkitekti lokal i thotë ndërtuesi “lere atë kinezin se ai është për fasadë dhe na duhet tani të kapim ndonjë lek”. Dhe lemerisen dhe ata “çfarë bëhet kështu”. Nis tjetri projektin nga Japonia me dru, e sheh ti kthehet nga studio lokale, me hekur dhe argumenti se “ne nuk jemi si ju në Japoni, ne nuk drurin material tonin, ne kemi hekurin”.
Shumë faleminderit dhe uroj shumë që të na mbështesni dhe të na ndihmoni dhe të mos bini në ndonjë gropë se nuk ju nxjerrim dot më pastaj. Se po të shihni këto që tha ministri se njeriu kur dëgjon neni kaq dhe neni aq fillon dhe humbet vëmendjen, por merreni dhe shihini mirë se është plot me gropa për ju aty. Po ratë në ndonjë gropë, nuk ju nxjerr dot njeri pastaj. Dhe thoni sa të doni jam arkitekt, do shkoni atje në radhë te supa.