Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Reforma e naftës, heqja e akcizës së karburanteve për sektorin e peshkimit i ka dhënë frymëmarrje edhe industrisë së peshkut në Shqipëri. Falë kësaj reforme, por edhe lehtësive të tjera, si përfitimi i kontratës së qerasë me 1 euro dhe rritja e kuotave të peshkut për Shqipërinë në tregjet europiane në 20% i kanë mundësuar kompanisë “Rozafa”, emri shqiptar i industrisë së peshkut në tregjet e huaja, të nisë jetësimin e kompleksit më të madh të përpunimit të peshkut, në Elbasan. Kryeministri Edi Rama premtoi mbështetje për rilindjen e kësaj industrie në një takim të zhvilluar sot në Labinot të Elbasanit me investitorë spanjollë dhe italianë të angazhuar dhe të interesuar në këtë sektor.  Ky është një investim që ka krijuar punësim real dhe  gjatë vizitës që bëri sot në fabrikë Kryeministri u njoh nga sipërmarrësi  me planin e investimit. Me përfundimin edhe të dy fazave të tjera të investimit, sipërmarrësi planifikon punësimin nga 300 aktualisht në rreth 1300 punonjësve.

“Industri që do të rilindë plotësisht, duke i rikthyer Shqipërisë prezencën dhe forcën në tregjet ndërkombëtare përmes prodhimeve tërësisht të vetat,” – u shpreh Kryeministri.

Produktet “Rozafa” prej shumë kohësh janë të njohura në tregun rajonal dhe europian. Me ngritjen e kompleksit të ri, sipërmarrësi thotë se synimi është zgjerimi i gamës së përpunimit të produkteve të peshkut me destinacion tregun europian dhe atë japonez.  “Do të kthejmë të gjithë traditën e munguar dhe do të dalim me shumë dinjitet edhe me eksporte në Europë me prodhimet “Made in Albania.” Reforma e naftës, e vetmja reformë që i dha jetë gjithë sektorit tonë. Numrin total të punëtorëve do ta çojmë në 1200-1300 vetë. Kjo do të marrë përmasat e një zone shumë të madhe ekonomike,” – tregoi për  planet e investimit sipërmarrësi.

Qeveria, siguroi Kryeministri, do të mbështesë çdo përpjekjeje dhe nismë të tillë për ta zhvilluar këtë industri në Shqipëri. Një përpjekje e tillë është edhe ngritja e merkatove të peshkut në vend, ku i pari treg pritet të ngrihet në Durrës.

“Ne jemi shumë të inkurajuar që hapi që ne hodhëm me naftën ka filluar të japë rezultat dhe në radhë të parë ka dhënë si rezultat motivimin e gjithë njerëzve të sektorit dhe pastaj nxitjen për të parë shumë më larg sesa deri dje, kur faktikisht ishim në kushtet e një beteje të përditshme për mbijetesë. Unë jam absolutisht i bindur që është rruga e duhur dhe është koha që edhe në Shqipëri të kemi merkatot e peshkut, ashtu siç janë në të gjithë botën. Në fund të fundit janë instrumente për t’i dhënë vlerë reale këtij malli kaq të çmueshëm, që ne e kemi me shumicë, prandaj dhe nuk e kemi vlerësuar asnjëherë sa duhet. Kështu që edhe në këtë aspekt do ta mbështesim fuqimisht çuarjen përpara të këtij programi dhe në portin e peshkimit në Durrës do të jetë merkato e parë,” – garantoi Kryeministri.

Kryeministri vlerësoi edhe një aspekt të veçantë, anën sociale të këtij investimi, me ngritjen e çerdhes dhe kopshtit në ambientet e kompleksit, çka krijon, theksoi Kryeministri, një standard tjetër në trajtimin dhe mbrojtjen e dinjitetit të të gjithë punonjësve.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.