Bashkëbisedim i Kryeministrit Edi Rama me studentë e pedagogë të Universitetit “Ismail Qemali” në Vlorë:
Shumë faleminderit për ftesën!
Prej kohësh më ishte kërkuar të vija të flisja me ju. Do isha shumë i lumtur, nëse pas fjalës, do kishte pyetje, apo nevojë për të sqaruar çështje të caktuara që ju shqetësojnë.
Ne erdhëm këtu para pak kohe. Përpara sesa të ishim në sallë, patëm një diskutim shumë interesant lidhur me një projekt që ka qenë si qëllim dhe qasje në themel të ambicies tonë për të reformuar rrënjësisht arsimin e lartë, projektin e Qendrës Ndërkombëtare të Kërkimit Detar. Kjo qendër do të jetë nën kujdesin e Universitetit “Ismail Qemali” dhe do bashkëpunojë me partnerë të rëndësishëm ndërkombëtarë, lidhur me gjithë kërkimet që kanë të bëjnë me detin. Qendra do funksionojë edhe si një bazë shkencore dinjitoze e certifikuar ndërkombëtarisht, sipas standardeve të Bashkimit Europian, për të gjitha studimet e nevojshme në funksion të zhvillimit të ekonomisë së detit dhe të mbrojtjes së detit nga zhvillime të paqëndrueshme, që synojnë përfitime në një kohë të shpejtë, por që cenojnë ardhmërinë dhe Shqipërinë e Gjeneratës Tjetër.
Nuk kishte nevojë për shumë komente ekspozeja e pamjeve të kërkimeve të bëra në funksion të ngritjes së Qendrës, ku dilte qartë se çfarë dëmesh i janë bërë biodiversitetit në Gjirin e Vlorës dhe sesi Gjiri i Vlorës kërcënohet për shkak të depozitave të mbetjeve, që vijnë si pasojë e shfrytëzimit barbar, nga industria e rritjes së peshkut në pjesën e Karaburunit, si dhe fakti se si në asnjë vend tjetër në gjithë Mesdheun, hotelet dhe restorantet, e ndërtuara pa pasur paraprakisht shtetin parasysh dhe krijimin e një infrastrukture me standarde normale, hedhin mbetjet e tyre në det.
Edhe molet e reja, të bëra me apo pa studime mjedisore, – e njëjta gjë në fakt po të kemi parasysh sesi janë bërë zakon të bëhen studimet këtu, – kanë dëmtuar seriozisht Gjirin e Vlorës. Dëmi i bërë sot është një kambanë alarmi për gjeneratën tjetër dhe për gjeneratat e tjera. Gjiri, i cili është një aset fantastik, është njëkohësisht edhe një hapësirë shumë delikate, për shkak të qarkullimit të kufizuar të ujërave dhe të domosdoshmërisë që kanë ujërat për të qarkulluar të papenguara nga këto lloj deformacionesh strukturore, që vijnë si rezultat i barbarisë njerëzore.
Unë besoj se jemi në kohë. Qeveria do të bëjë detyrën e saj, për të garantuar infrastrukturën për Qendrën Ndërkombëtare të Kërkimeve Detare. Universiteti ka pasur një rol të shkëlqyer, për t’u lavdëruar, sepse ka bashkëpunuar me ekspertë vendas dhe të huaj të nivelit ndërkombëtar dhe do të jetë kujdestari i kësaj Qendre. Kjo do të sjellë edhe krijimin e kushteve për të formuar në këtë Universitet, shkencëtarë të kësaj fushe, të cilët falë këtij aseti të ri të Universitetit do të kenë certifikata ndërkombëtare të dijes së tyre. Ata do mund të punojnë jo vetëm në këtë Qendër, por dhe në institute të të njëjtit nivel dhe standard në vende të tjera të Europës.
Kjo shkon tërësisht në një linjë me thelbin e reformës sonë të Arsimit të Lartë, për të cilën Drejtori i Përgjithshëm për Edukimin dhe Kulturën në Komisionin Europian ka thënë shprehimisht: “Ligji shqiptar i Arsimit të Lartë është një përgjigje sistematike për problemet me natyrë universale në Arsimin e Lartë.” Ndërkohë, njëri prej personaliteteve më në zë në Europë, njëkohësisht Rektor i Universitetit Katolik të Milanos, ka nënvizuar se “Në qoftë se ju e shihni zhvillimin e mundshëm të Shqipërisë dhe funksionimin e saj si një shtet europian dhe pjesë e konsiderueshme e rajonit të Ballkanit, kjo reformë e Arsimit të Lartë është një domosdoshmëri për të ardhmen europiane të Shqipërisë”.
Reforma ka pasur debatet dhe kundërshtitë e veta, sepse është një reformë e vërtetë. Kemi dëgjuar fjalën “reformë” për vite e vite të tëra, në të gjitha fushat. Edhe “reformë në drejtësi” e kemi dëgjuar edhe në të shkuarën, por debatet kanë qenë thjesht të mbyllura në kornizën e veprimtarisë parlamentare dhe nuk janë zgjeruar më tej, sepse nuk kanë qenë reforma reale.
Reformat reale prekin sistemin nevralgjik të organizmit në çdo pjesë dhe nga prekja e këtij sistemi ka reagim, ka kundërshti, ka polemika, ka konflikt. Kësaj pasoje i janë shmangur historikisht qeveritë shqiptare, duke shtyrë për nesër atë që duhej bërë sot, njësoj si të shtysh për nesër, një operacion në organizmin e dikujt që kërcënohet nga kanceri. Në momentin kur duhet operacioni, të thuash ta lëmë për nesër dhe sot ta mbajmë të sëmurin me fjalë të mira dhe me karamele.
Kjo ka sjellë një degradim të vazhdueshëm të të gjithë teksturës së organizmit të shtetit dhe faktikisht ka sjellë në rendin e ditës, domosdoshmërinë për të bërë shtet, duke bërë këto reforma.
Natyrisht reformat janë të dhimbshme.
Natyrisht reformat kanë kosto.
Natyrisht, nga qëndrimi i mpirë me ilaçe gjumi e me qetësues tek operacioni dhe dhimbjet e tij është një fazë shumë e vështirë.
Por, a ka një mundësi tjetër?
A mund të shtyhen për më tutje këto reforma?
Përgjigjen e kanë dhënë 25 vjet. Nga shtyrja e tyre, jo vetëm që nuk kemi marrë asgjë pozitive mbrapsht, por kemi cenuar rëndë gjeneratën tjetër, sepse kemi jetuar duke ngrënë të ardhmen, duke rënduar me borxhe dhe me kalbëzim të vazhdueshëm të ardhmen.
Në këtë debat ka nga një anë, opinione dhe nga ana tjetër, fakte. Nga njëra anë, akuza dhe nga ana tjetër, shifra. Në një anë, një realitet virtual të fundit të botës dhe në anë tjetër, një realitet në çdo universitet, që është krejt i ndryshëm. Këtë vit, nga 291 programe pranë universiteteve publike kemi një rritje të cilësisë së pranimeve në 56% të tyre. Sikundër, e kundërta e asaj që thuhet është e vërtetë, që studentët me mesatare mbi 9-të nuk janë drejtuar masivisht nga universitetet private, por në 84% të tyre janë drejtuar dhe janë regjistruar në universitetet publike. E kundërta është e vërtetë edhe për faktin se nuk kanë mbetur jashtë qindra e mijëra studentë, por rezultojnë të jenë regjistruar 22 963, nga 27 600 aplikantë, ose 83% e aplikantëve.
Nëse do të hynin 100% e aplikantëve, atëherë ky nuk do të ishte universitet. Rruga për të hyrë nuk do ishte një rrugë e konkurrencës dhe e meritës. Jo vetëm që nuk do kishim bërë asnjë hap përpara në rrugën e së ardhmes, por do kishim vazhduar të bënim hapa mbrapa në rrugën pa shpresë të të shkuarës.
Është e qartë se rritja e numrit të studentëve, siç ndodhi në të shkuarën, nuk rriti cilësinë e arsimit të lartë, përkundrazi. Por më e keqja është se rritja e numrit të studentëve nuk u shoqërua me rritje të financimit të universiteteve, as me rritje të investimeve për universitetet, apo me rritje të cilësisë në mjedisin universitar. Skema e financimit, që e ndryshon ky ligj, ishte një skemë parazitare, pa asnjë mekanizëm transparence dhe llogaridhënieje. Mbi të gjitha pa asnjë incentivë për universitetet që të jenë konkurrues. Skema sot nuk është absolutisht një skemë që financon privatin, siç thuhet, por është një financim publik, i drejtë për studentin, sepse nuk janë të njerkës, fëmijët e prindërve që shkojnë në universitete private.
Sot nuk kemi më universitete private me qëllim fitimi. Sot kemi institucione të Arsimit të Lartë që financohen nga privati, por që duhet t’iu përgjigjen të njëjtave standarde dhe kërkesave si për universitetin publik që financohet nga shteti. Që do të thotë se, nëse deri dje mjaftonte të kishe lekë dhe të shkojë në një universitet pritat, pa treguar as dëftesën e shkollës së mesme dhe të merrje diplomën pa shkuar asnjë ditë në shkollë, sot kjo nuk ndodh më. I njëjti sistem konkursi, të njëjtat kritere konkursi dhe të njëjtat standarde pranimi aplikohen si në universitetin publik, edhe në universitetin privat. E njëjta platformë dixhitale dhe transparente shërben për të gjithë procesin në si universitetin publik, ashtu edhe në universitetin privat.
E kundërta është e vërtetë edhe për faktin se nuk janë rritur tarifat e arsimit të lartë, ashtu siç thuhet. Tarifat për studimet e ciklit të parë dhe të dytë, në bazë të ligjit të mëparshëm, miratoheshin me një vendim qeverie për çdo program. Sot, qeveria nuk ka punë me to. Sa vjet e keni dëgjuar fjalën autonomi! Autonomia, deri dje, ishte pavarësi për papërgjegjshmëri. Autonomia e vërtetë është se në kuadër të saj, pasi qeveria miraton vetëm tarifa tavan, për të mos lejuar që të ketë kapërcime dhe abuzime, janë vetë universitetet që në këtë hapësirë përcaktojnë nivelin e tarifave për çdo program. Janë vetë universitetet që administrojnë realisht buxhetin e tyre, por që përgjigjen për mënyrën sesi i shpenzojnë paratë publike, në bazë të kritereve të vendosura të performancës që monitorohen nga Ministria.
Qeveria është garant përpara prindërve për çfarë është shkruar ligj dhe në rregullore të zbatohet në realitet. Universitetet kanë përgjegjësinë që t’u japin studentëve dhe studenteve gjithçka, për të cilën ata janë regjistruar në universitetin përkatës, duke shfrytëzuar autonominë e tyre. Pjesë e kësaj autonomie është domosdoshmëria dhe mundësia që universitetet të mos jenë ishuj të izoluar nga jeta dhe nga ekonomia, por ato të gjenerojnë të ardhura dytësore, duke u përfshirë drejtpërdrejtë në projekte, prej të cilave nxjerrin fitime.
Ne ende duhet të shtyjmë shumë fort, që universitetet të jenë konsulentët kryesore të qeverisë. Paguajmë prej 25 vitesh, disa organizata joqeveritare që marrin para sa andej e sa këtej, për të bërë asistencë për ligje, për studime, për projekte, kur fare mirë, ne mund të paguajmë universitetet. Ne këtë mund ta bëjmë në bashkëpunim me universitetet. Gjë e cila nuk ka ndodhur, sepse universitetet u zhveshën tërësisht nga funksionet e tyre vitale dhe iu la vetëm funksioni për të vegjetuar e për të shpërndarë diploma, duke u kthyer në një zinxhir mediokriteti dhe korrupsioni.
Mund të thuhen shumë gjëra për pranimet në universitet, përgjithësisht broçkulla, por edhe ata që thonë broçkulla nuk mund të thonë dot që procesi i hyrjes në universitet lë shteg për korrupsion. Nëse dikush tjetër përpara teje ka rezultatet më të mira, sado para të kesh, sado i zellshëm të jesh për një parti apo për një tjetër dhe sado miq të kesh, nuk hyn dot. Sistemi nuk ta lejon këtë gjë dhe në rast se kjo do mund të ndodhte, sistemi menjëherë e nxjerr këtë, shkelje.
Nëse gjatë periudhës 2008-2013, tarifa minimale e ciklit të parë të studimit është rritur krahasimisht në kohë me 20%, ajo maksimale është rritur me 50%. Tarifat për vitin akademik 2014-2015 kanë qenë vetëm reflektimi i kërkesave të vetë universiteteve, por gjithmonë nën tavanin e përcaktuar nga Ministria e Arsimit. Ajo që është më e rëndësishmja është se nuk ka asnjë rritje të tarifës maksimale. Askush nuk mund të thotë dhe nuk mund të provojë që tarifa maksimale është ndryshuar. Ka mbetur absolutisht e pandryshuar.
Programet me tarifë minimale zënë një peshë specifike shumë të ulët në programet e përgjithshme. Rritja e tarifës minimale ka qenë e domosdoshme për të mbajtur gjallë programin. Ky është argumentimi që ka bërë vetë universiteti.
Të mos e harrojmë se kishim një xhungël, pasojat e së cilës, ky vend do t’i paguajë për vite të tëra. Një xhungël ku mjafton të hyje dhe pavarësisht si ishe, dilje me diplomë. Mbyllëm 22 struktura. Nuk mbyllëm vetëm 18 strukturat private, por edhe struktura publike, komplet jashtë funksionit, të kthyera në piramida korrupsioni, gënjeshtrash e iluzionesh për prindërit dhe për studentët.
Kjo reformë do të na çojë në një stad të ri. Ka filluar të krijojë një standard të ri, gjë që e provon cilësia e pranimeve në këtë vit akademik. Vitet e tjera do ta përforcojnë këtë bazë, që është pjesë e bazës për të bërë shtet.
Është e pamundur të marrësh seriozisht njerëz që mbrojnë idenë se në universitet duhet të hysh edhe me mesataren 4,3. Është e pamundur të marrësh seriozisht njerëz që thonë se reforma po streson të rinjtë. Si mund të ketë konkurrencë pa stres! Si mund të mendosh që mes stresit të konkurrencës dhe qejfit të rrugës së hapur për të gjithë, të zgjedhësh këtë të dytën! Si mund të thuash që vendosja e mesatares 6, si niveli më i ulët, është diskriminim për ata me 5, pasi, sipas tyre, “edhe ata me 5-sa duhen patjetër të kenë mundësi të bëhen shkencëtare!” Kjo do të thotë që atyre me 5-sa t’iu tregosh rrugën e gabuar dhe të tallesh për 5 vota. Atyre me 5-sa u duhet thënë se ka dhe një rrugë tjetër, ku ata mund të jenë shumë më të suksesshëm sesa ata me 10-ta, nëse e marrin seriozisht dhe kjo është rruga e arsimit profesional. Të marrin një zanat dhe të bëhen të suksesshëm, të bëhen edhe të pasur, po të duan, në rrugën e zanatit.
Nëse Gjermania është një vend shembull se edhe në krizën më të madhe që Europa përshkoi në vitet e fundit nuk pakti impakt dramatik tek papunësia, kjo vjen si rezultat i strukturës fantastike të arsimit profesional. Është po ashtu fakt që pronarët e pjesës më të madhe të bizneseve të vogla (biznesi i vogël në Gjermani, të kuptohemi është biznesi i madh në Shqipëri), vijnë nga arsimi profesional. Njerëz që kanë mbaruar për elektricist, mekanik, teknik industrish të ndryshme janë sipërmarrës në kompanitë që bëjnë shërbime në fushën e njohjes së tyre.
Si mundet ne ta marrim seriozisht një përpjekje për të vazhduar në rrugën e vjetër “të gjithë nga një diplomë”, duke krijuar vendin më origjinal në botë! Shqipëria ka numrin më të madh të juristëve për metër katror. Çudia më e madhe, kemi më shumë juristë sesa Amerika, Anglia e Gjermania për frymë dhe sistemin e drejtësisë e kemi pasqyrën e kiametit. Si shpjegohet kjo?
Mund të kishim zgjedhur e të thoshim “në rregull, do të bëhemi një popull juristësh dhe do eksportojmë juristë” dhe kishim ndërtuar një sistem ekselence, ku të gjithë bëheshin juristë, shkonin nëpër botë dhe bëheshin prokurorë e gjykatës dhe shpëtonin botën nga padrejtësitë. Por e kundërta është e vërtetë. Kemi krijuar një ushtri juristësh, pjesa më e madhe pa punë, sepse ku do shkojnë të punojnë, pjesa tjetër me probleme të mëdha. Ndërkohë nuk kemi elektricistë, nuk kemi teknologë, nuk kemi rrobaqepës, nuk kemi këpucar. Themi, jemi të pasur me naftë, por nuk kemi teknik nafte. Kompanitë e naftës që vijnë i marrin njerëzit nga jashtë. Themi, jemi të pasur me burime hidroenergjitike, por nuk kemi teknikë për veprat hidroenergjitike. Themi, jemi të pasur dhe mund të bëjmë turizëm, ku e kemi shërbimin profesional të turizmit, ku i kemi ata që kanë dalë nga arsimi profesional në vite të tëra? Turizmi nuk është vetëm ujë, deti, dielli dhe rëra. Turizmi është edhe shërbim.
Ndaj besoj se reforma i bën një shërbim të madh vendit edhe në këtë aspekt. Ashtu sikundër reforma në drejtësi i bën një shërbim të madh vendit, për të bërë të mundur që gjykatësit dhe prokurorët që realisht mund të bëjnë detyrën e tyre karshi këtij vendi, të ndahen nga gjykatësit dhe prokurorët që kanë marr peng këtë vend, për kaq shumë vite.
Ne mund të flasim gjithë ditën për ekonominë e detit, për ekonominë e tokës, për ekonominë e ujit dhe mund të bëjmë të gjitha reformat e nevojshme, por, nëse nuk ndryshojmë me themel sistemin e drejtësisë, është e pamundur të projektojmë për gjeneratën tjetër, një shtet që jep garanci të forta për të ardhmen e secilit. Ka një limit deri ku mund të rrisim ekonominë, punësimin, deri ku mund të luftojmë varfërinë, nëse kemi përballë murin bllokues të një sistemi drejtësie të korruptuar.
Duhen më shumë investime të huaja, por pengesa kryesore për investimet e huaja në turizëm është sistemi i drejtësisë, janë gjykatësit dhe prokurorët e korruptuar që bëjnë lojëra prej 25 vjetësh me pronat. Po ju jap një rast. Një investitor strategjik troket në derën e shtetit dy vjet më parë, për të ndërtuar një kompleks turistik me pesë yje. I vëmë në dispozicion sipas ligjit, një pronë shtetërore në bregdet dhe ai bën projektin, studimin dhe garanton financimin. Në momentin kur duhet të shkohet në finalizim të projektit, vjen letra se gjykata ndërkohë ka dhënë një vendim mbi pronën shtetërore, bazuar mbi kërkesën e pretendentëve, stërnipër si gjithmonë, të një familjeje antike shqiptare. E jo vetëm kaq. Stërnipërit dhe stërmbesat kanë kërkuar 50 ha nga gjykata dhe gjykatësi i jep 500. Keni dëgjuar ndonjëherë që të kërkosh në gjykatë të ndahesh me burrin dhe gjykata të të japë 5 burra! Apo të kërkosh në gjykatë të marrësh oborrin e shtëpisë dhe gjykata të të thotë jo vetëm oborrin e shtëpisë tënde, por edhe 10 oborret e komshinjve janë të tuat.
Natyrisht nuk duhet ndonjë shkencë për të kuptuar pse ndodh kjo. Sepse gjykatësi ka parë që prona është e madhe, stërnipërit dhe stërmbesat kërkojnë një pjesë të saj, atëherë, pse mos ta marrim të gjithë ne këtë? Sigurisht ka bërë një marrëveshje me stërnipërit dhe stërmbesat, ju po kërkoni 50, ne po vëmë 500, 250 i keni ju, 250 po i marr unë dhe bëhemi të gjithë bashkëpasardhës.
Të tilla histori ka pa fund.
A ka Shqipëria kohë të presë një sekondë për ta shembur këtë sistem drejtësie!
A ka Shqipëria mundësi, a ka shteti mundësi, a ka qeveria mundësi dhe a ka politika mundësi të thotë ne do të presim edhe ca, pavarësisht se në ndërkohë, edhe tani që ne po flasim, në ndonjë gjykatë është duke u bërë ndonjë “krim”! Nesër do bëhet një krim tjetër. Pasnesër një krim tjetër.
A ka mundësi Shqipëria, a kemi mundësi ne të themi do presim edhe pak për të pastruar sistemin nga këta gjykatës dhe prokurorë, ndërkohë që sot mund të jetë duke u liruar një i arrestuar për përdhunim dhe nesër ai mund të përdhunojë një tjetër vajzë!
Nëse sot, ne fillojmë pastrimin, pra, vettingun, maskarai në fjalë do të përjashtohet nga sistemi.
A kemi ne mundësi të presim një sekondë, ndërkohë që tani që po flasim në një gjykatë të Shqipërisë, jo vetëm mund të jetë duke u vjedhur një pronë, apo mund të jetë duke u liruar një përdhunues, por mund të jetë duke u liruar një vrasës, i cili mund të vrasë përsëri, ndërkohë që ne presim!
E dini sa janë rastet e përsëritësve? Rastet kur Policia jonë e Shtetit ka arrestuar vrasës, përdhunues, grabitës me dhunë, provat për të cilët, gjykata i ka konsideruar të pamjaftueshme dhe i ka nxjerrë nga salla të lirë. Ata që janë kthyer në rrugë dhe kanë ribërë po atë krim janë qindra. Kemi qindra krime të kësaj natyre, që mund t’i kishim shmangur, nëse gjykatësit do t’i kishin lënë në burg kriminelët që i kanë lëshuar në sallën e gjyqit dhe kuptohet, nuk i kanë lëshuar për arsye tjetër, përveçse për korrupsion.
Këtu nuk është çështja, do futemi apo jo në Bashkimin Europian, do bllokohet integrimi, apo nuk do bllokohet integrimi. Këtu çështja është kaq e thjeshtë dhe kaq konkrete. Rruga e integrimit nuk lidhet me sa të bukur duhet t’i dukemi të tjerëve, por lidhet me sa të mirë mund dhe do të bëhemi për veten tonë.
Unë besoj që nuk ka asnjë minutë për të pritur. Kush thotë të kundërtën ka një arsye shumë të fortë që të mbajë anën e atyre që këtë sekondë duhet të fshihen nga sistemi i drejtësisë. S’ka arsye tjetër.
Unë i kuptoj të gjitha, po asnjë arsye më të madhe, sesa të mund të kontribuosh kundër padrejtësisë duke pastruar pallatin shqiptar të drejtësisë, nuk mund të ketë për t’u marrë me politikë sot. Nuk ka rëndësi fare, je në qeveri apo në opozitë, je në parlament apo nuk je në parlament, sot kush ka mundësi të bëjë diçka për këtë, duhet ta bëjë.
Faleminderit!
Duke besuar dhe falënderuar me shumë vlerësim për mbështetjen e qeverisë për projektin ku Universiteti i Vlorës do jetë pjesëtar i kësaj Qendre të madhe Kërkimore të Detarisë, do të më pëlqente ta vazhdoja këtë duke kërkuar një mbështetje tjetër, për të pasur një kampus?
Kryeministri Edi Rama: Sigurisht kampusi është domosdoshmëri. Nuk është i pamundur, por duhet ndjekur i njëjti shembull. Shembulli që unë sapo pashë dhe sapo ma treguat ju, i Qendrës Ndërkombëtare të Kërkimeve Detare, ku projekti i bërë ishte fantastik. Një projekt që pikërisht pse ishte i tillë ka bindur Bashkimin Europian që të japë pjesën e luanit në financim. Qeveria shqiptare jep një pjesë që është jo e parëndësishme, por që është e mundur. E njëjta gjë vlen edhe për kampusin. Duhet bërë një projekt, jo thjesht projekt ndërtimi, por një projekt i mirëfilltë, me faza, sepse, ndërkohë që mendojmë për Kampusin, mund të vëmë çdo vit nga një tullë. Nuk kemi pse e mendojmë si një vepër që duhet ta nisim të gjithën përnjëherë. Nëse projekti është bindës dhe nëse projekti kombinohet me këto struktura, siç është Qendra Ndërkombëtarë e Kërkimeve Detare, mund të ketë struktura të tjera që janë struktura që lidhin universitetin me tregun, lidhin universitetin me shoqërinë dhe e kthejnë universitetin në një fuqi që ofron dije, por ofron edhe shërbime.
Jam vërtet shumë i kënaqur me këtë lajm që na dhatë sot. Ne kemi pasur shumë dëshirë që ish Akademia e Marinës të jetë pjesë publike, mundësisht pjesë e kampusit. Nëse do jetë në planet afatshkurtra që të bëhet realitet kjo kërkesë e jona, besoj që çdo vlonjat do ishte shumë i kënaqur për këtë.
Kryeministri Edi Rama: Ne po e diskutojmë se ku do vendoset Qendra, sepse kjo është detyra që na ngarkoi rektori. Ne e morëm detyrën. Do vendoset tek Akademia, është një opsion, do vendoset në Orikum, është një opsion tjetër, do vendoset në ish Kampin e Pionierëve në zonën e Plazhit të Vjetër, një opsion i tretë. Të tre opsionet kanë natyra të ndryshme, sepse ish Kampi është privatizuar e këtu ka një konflikt pronësie. Prandaj, edhe për Qendrën Ndërkombëtarë Detare duhet Vettingu, sepse ndeshemi kudo me këto problematika. Unë e di shumë mirë që vlonjatët janë mërzitur, por përveç mërzisë fiziologjike që e kanë të shpejtë dhe kjo i ka bërë dhe kryengritës të shquar në historinë e Shqipërisë, janë të mërzitur edhe për faktin që projekti i Lungomares është zgjatur. Nëse unë do t’ju tregoj historinë e projektit të Lungomares, do duhet kohë dhe do dalë shumë qartë pse duhet Vettingu urgjent. Ne kemi pasur një pengesë jo të vogël prej disa kohësh, sepse na dolën pronarë në det. Ju e dini që unë e kam mësuar notin 300 metra nga këtu dhe e kam mësuar në det, nuk e kam mësuar në tokë. Tani ai det ka pronarë. E kuptoni, dolën pronarët në det! Bllokonin punën duke thënë “jemi pronarë”. Si u bënë pronarë në det ata? Nga gjyshi jo. Nga gjykatësit.
Vazhdojmë me gjithë historinë e godinave. Një karburant në Lungomare është ndaluar të shpronësohet për interes publik nga një prokuror. Për interes publik, shpronësohesh dhe merr paratë. A mund të ndalohet në gjykatë, shpronësimi i një karburanti për interesin publik të një rruge dhe të një hapësire kaq të rëndësishme për një qytet si Vlora dhe për gjithë ekonominë e bregut të detit Jon dhe Adriatik?! Këtë e bën vetëm fuqia e pakontrolluar e atyre që duhet t’i fshijë vettingu. Në çdo metër në rrugën e ndërtimit të Lungomares kemi hasur një problem të kësaj natyre.
Të mos flas për shpronësime publike të bazuara në ligjet e shtetit, për të cilat shkojnë në gjykatë dhe marrin dëmshpërblime me pasoja katastrofike për buxhetin e shtetit. Me demek, qeveria është treguar e padrejtë që ka shembur hotelin e ngritur mbi det dhe është treguar shumë e padrejtë që i ka dhënë edhe lekët, megjithëse e ka ngritur mbi det hotelin. Por ato janë paratë e popullit, nuk janë ujë deti.
Natyrisht që ka një forcë që i mbron këta njerëz. Edhe sot që iu ka ardhur ora e fundit ka një forcë që i mbron këta njerëz, sepse fuqinë e tyre të pakontrolluar e kanë pasur në raport me qytetarët, nuk e kanë pasur në raport me pushtetarët. Nga pushtetarët e kanë marrë fuqinë e tyre të pakontrolluar, për të mbajtur mbyllur kapakët e puseve të zeza të zullumeve të 20 e ca viteve. “Ti mbaje të mbyllur atë kapak, pastaj miletit bëji çfarë të duash se më ke mua”, – kështu funksionon.
Flasin për krim e për mafie. Mafia ka thjesht e vetëm ndërveprimin e të fuqishmëve të botës së errët me të fuqishmit e botës së pushtetit. Kjo e bën mafien të fortë. A ka ndërveprim më mafioz se ky? A ka krim më të madh se ky në historinë e këtyre 25 viteve, po të llogarisim vetëm viktimat e gjyqeve për pronën. Sa familje, sa shqiptarë janë sot në konflikt për pronën me një shqiptar tjetër, apo me një fis tjetër? Sa fise janë sot në konflikt me vetë shtetin, për shkak të vendimeve të gjykatave për pronën? Çfarëdo numri të thoni, do jetë më pak.
Dhjetëra-mijëra raste!
Ne e kemi konsideruar si më eficente, më efektive krijimin e hapësirave brenda qytetit që dhe impakti i universitetit të jetë aty drejtpërsëdrejti. E dyta do të kërkoja një përshpejtim të akteve nënligjore që rregullojnë shumë gjëra, që ligji i ka në mënyrë eksplicite, por që do na japin mundësinë dhe që të impletojmë shumë gjëra në kohë dhe si duhet.
Kryeministri Rama: Është shumë e drejtë. Ka qenë një punë shumë voluminoze, që ka ardhur tani në finalizim. Patjetër që duke qenë një reformë shumë e thellë, reforma e Arsimit të Lartë nuk është një projekt që mbaron thjesht me kalimin e një ligji, as me kalimin e akteve nënligjore. Ka një fazë të tretë, kur do duhet të ngrihen dhe të konsolidohen mekanizmat e rinj të sistemit. Këtë shqetësim e kemi pasur të vazhdueshëm, për të bërë të mundur sa më shpejt aktet nënligjore, por kemi pasur dhe shqetësimin për të mos bërë gabime nga nxitimi. Çështje e pak javëve, aktet nënligjore janë të gjitha të miratuara nga qeveria shqiptare.
Ndërkohë për kampusin, e përsëris, duhet të jemi sa më realistë dhe sa më bindës kur bëjmë një projekt, në mënyrë që të mund të marrim mbështetje nga të tjerët. Ndryshe projekti mbetet në letër.
Shumë faleminderit!