Fjala e Kryeministrit Edi Rama në prezantimin e Projektit të rehabilitimit të plotë të Memorialit të varrit të Skënderbeut në rrënojat e Kishës së Shën Kollit:
Mirëmbrëma të gjithëve!
Në kuadër të Vitit të Skënderbeut dhe pas kësaj çelje të këtij qëndrimi dy ditor në Qarkun e Lezhës, në mbledhjen e qeverisë është vendosur një program i plotë restaurimi i Memorialit të Heroit tonë Kombëtar, i cili është larg të qenit në një gjende optimale. Ne kemi bërë sa kemi mundur dhe gjendja e sotme e Memorialit lë shumë për të dëshiruar në raport me atë që duhet të jetë. Por, sidoqoftë, e gjithë kjo zonë është jashtëzakonisht më mirë sesa disa vite më parë, kur Memoriali, jo vetëm së brendshmi kishte nevojë për ndërhyrjen që ne do të bëjmë, por edhe përreth ishte në një situatë skandaloze.
Jam shumë besimplotë se me realizmin e këtij projekti, ne do të kemi një pikë referimi ku, jo thjesht për respekt të historisë, por edhe për cilësinë e mjedisit që do të përftohet, do të rritet edhe kurioziteti, edhe prania e vizitorëve në këtë Memorial.
Ne jemi shumë të vendosur dhe vullnetmirë, për të mbështetur me një sërë projektesh këtë Qark dhe bashkinë e madhe të Lezhës si pika, mund ta themi pa krijuar xhelozi as në Mirditë dhe as në Kurbin, po si qendra e gravitetit të Qarkut, projekte në infrastrukturë, projekte për zhvillimin e hapësirës rurale, ku Lezha ka disa shembuj shumë frymëzues të zhvillimit të agroturizmit, ka një potencial të jashtëzakonshëm për zhvillimin e turizmit, sigurisht, edhe përsa i përket pjesës që ka të bëjë me shërbimet, qoftë në arsim, qoftë në shëndetësi, por edhe shërbimet në tërësi të administratës.
Natyrisht që kryetari i bashkisë, të cilin e falënderoj për praninë, ka të gjithë të drejtën që të jetë gjithmonë i pakënaqur, madje ai e ka për detyrë të jetë i pakënaqur, siç do kryetar bashkie, pasi numri i halleve dhe i problemeve që janë në listën e bashkisë është gjithmonë më i madh, sesa mundësitë për të përballuar me financime zgjidhjen e tërësisë së problemeve. Por dua ta siguroj kryetarin e bashkisë, dua t’i siguroj të gjithë pa dallim se ne do të jemi pranë Lezhës, do të jemi shumë të vëmendshëm për të gjitha kërkesat e nevojat dhe do të bëjmë maksimumin që në harkun e këtij mandati të bëjmë për Lezhën gjithçka të mirë që është e mundur të bëhet.
Si një qytet që ka të gjithë të drejtën të kërkojë një pjesë të rëndësishme në gjithçka që do të bëjmë për Vitin e Skënderbeut, po ashtu Lezha do të jetë një nga pikat e referimit, jo vetëm me projektin e Memorialit, i cili së shpejti do të fillojë të zbatohet, por edhe me projektet të tjera.
Edhe njëherë shumë faleminderit të gjithëve dhe besoj që hap pas hapi, nga fjalët e mira do të kalojmë edhe në vepra të mira konkrete.
Faleminderit!